Radar
Çupi reagon pas përjashtimit të deputetëve nga Kuvendi: PS ka frikë nga opozita e vërtetë
Deputetja demokrate Dhurata Çupi ka reaguar pas vendimit për përjashtimin e 8 deputetëve nga seancat plenare për 10 ditë.
Çupi shkruan në Facebook se mazhoranca përjashtoi sot disa opozitarë 24 karatësh. Çupi shkruan se PS ka frikë nga opozita dhe gjendet e turpëruar para deklaratës së Ramës që tha se Kosova është “tokë e askujt”.
“Vendimi i përjashtimit të disa deputetëve demokratë tregon se, pavarësisht fuqisë së madhe, PS ka frikë nga opozita e vërtetë. PS po kthjellohet dita-ditës se ka marrë fund koha kur pushteti luante me PD-në. Mund të bëjnë gjithfarë manovrash, por nuk na imponojnë dot përfaqësimin në komisionin e reformës zgjedhore dhe kudo.
Sot, ata përjashtojnë kreun e grupit parlamentar dhe disa kolegë të tjerë, sepse e kanë të qartë se këta janë opozitarë 24 karatësh.
Sado ta përjashtojnë Gazment Bardhin nga seanca e së enjtes, kur do të jetë debati për rezolutën e Kosovës, PS nuk fshin dot faktin se rezoluta e dorëzuar në Kuvend nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD njehsohet me atë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa PS gjendet e turpëruar nga deklaratat e kryeministrit se Kosova e Veriut është kthyer në tokën e askujt. Ne do të mbrojmë fort interesin kombëtar. Ne nuk e dorëzojmë opozitën!”, shkruan Çupi.