Radar
Aplikimet në Mjekësi bien me 40%, Alimehmeti: Kjo ndodh kur ushtron imponimin mbi njerëzit e lirë!
Mjeku dhe anëtari i kryesisë së PD, Ilir Alimehmeti ka reaguar pas faktit që aplikimet për Mjekësi të Përgjithshme këtë vit kanë rënë me 40%.
Në një postim në Facebook, Alimehmeti ka theksuar se kjo është pasoja kur tentohet që të imponohen njerëzit e lirë.
Po ashtu, ai ka deklaruar se Shqipëria po bëhet si një vend afrikan dhe me ligje afrikane.
“Rënie me 40% e aplikimeve në Mjekësi të Përgjithshme sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit! I kisha paralajmëruar publikisht që kjo do të ndodhte dhe dëmin do ta kishim direkt që në shtator.
Kjo ndodh kur nuk konsultohesh me njerëzit që e njohin fushën! Ata nuk të ndihmojnë më! Kjo ndodh kur ushtron imponimin mbi njerëzit e lirë! Ata ikin! Tani prisni rënien e nivelit mesatar të studentëve që do të regjistrohen sivjet në krahasim me një vit më parë!
Edhe këtë e kam paralajmëruar publikisht! Të gjitha këto tregojnë qartë që pas disa vitesh do të kemi nivel më të ulët mesatar të mjekëve që do të na shërbejnë!
Meqenëse jemi bërë si vend afrikan me ligje afrikane, po e mbyll me një proverb të Etiopisë: Këshillo, por nëse nuk të dëgjojnë, lëri që të mësojnë prej problemeve që do të krijojnë!”, shkruan Alimehmeti.