Lidhu me ne

Letersi

Cikël me poezi të zgjedhura nga Ndoc Gjetja

BUQETË POEZISH NGA NDOC GJETJA: EJA TË IKIM NGA KJO BOTË LANETE…

Ndoc Gjetja
Ndoc Gjetja – foto nga Kolec P. Traboini Athine, qershor ,1993

Cikël me poezi të zgjedhura nga Ndoc Gjetja:

KUR MË JEPET TËRË QENIA JOTE

Ti je kaq e bukur sa më jepet të pyes:
“Çfarë më je ti? Njeri apo art?”
Të shoh dhe vjershat e shkruara i gris
dhe para teje zbehet çdo varg.

Ti je poezia. Të tjerat janë proza
Ti je poezia që s’bëhet dy herë,
ti je frymëzimi që më dehu dhe bota
më duket e tëra e larë me diell.

Kaq ditë ti ecën përkrahu me mua,
ditë e përditë ne rrimë kaq pranë
sa që më e dashura fjalë “Të dua”
u bë e zakonshme si buka që hamë.

Kur më jepet e tëra qenia jote
marr botën në dorë dhe të fshehtat ia di
dhe puthja përsëritet e bëhet si kopje
them gjëra të mençura që s`kanë poezi.

Prandaj ik e më ler deri në mbrëmje
ose largohu një javë se vij e të marr
unë dua të jetoj me mungesën tënde,
të krijoj pa ty në vetvete një hall.

Më duhet një bosh që kërkon të mbushet,
më duhet një gjemb që nga brenda më ther,
më duhet të krijoj një dimër pa lule,
më duhesh të të dua edhe një herë.

LOJË DASHURIE

Ti je mbretëresha dhe unë jam mbreti
e ngjitëm fronin me anë të puthjes
s’pushtuam askënd veç njëri – tjetrit
asnjeri se ndjeu shijen e mundjes.

Ne s’kemi nevojë për kushtetutë
në marrdhëniet tona sundon kaosi
nën cipën e hollë të mirësjelljes së butë
tani bën ligjin vetëm Erosi.

Nuk di deri kur do mbahet në këmbë
mbretëria jonë në çrregullim të plotë
por çasti i rënies s’do jetë i rëndë
do biesh mbi mua që jam shtrirë përtokë.

PUTHJA

Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja
ndodhin në mesin e rrugës së madhe
po ajo më njerëzorja
më e madhërishmja, me hyjnorja
puthja
ka mbetur ilegale.

EJA TË IKIM NGA KJO BOTË LANETE!

Mjaft ndejtëm shtrirë këtu në bar!
Mjaft u puthëm e dhamë përkëdhelje!
Eja te hipim mbi atë re të bardhë
edhe të ikim nga kjo botë-lanete.

Do zbresim në planetin më të afërt
nuk prish punë pse je shtatzënë
atje do lindim dy binjakë
një djalë-yll e një vajzë-hënë.

Le të jetë planeti pa një frymor!
Të ketë veç ujëra, pyje, lëndina
Me puthjet tona do krijojmë
një popull të madh sa Kina.

KA HESHTJE…

Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.

Ec e thuaj po munde këtë heshtje
ti, muzikant, me nota
ti, piktor, me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !

Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë
domethënë
dyfish e gjallë.

DESHA TË HYJ NË ZEMRËN TËNDE

Desha të hyj në zemrën tënde
U kërrusa, u kërrusa
U bëra lëmsh sa një top
por prapë e dashur
Zemra jote nuk më nxuri dot.

Ndoshta dhe mund të hyja,
Por të them të vërtetën
I kërrusur s’mund të rrija
brenda teje gjithë jetën.

Zgjeroje zemrën ti!
Më tepër, më tepër
Dhe në qoftë se më nxë
do të hyj patjetër.

PLEQËRISHTE

Më në fund u plakëm grua,
siç e sheh dhe vetë
me thinja të bardha e rrudha
na mbushi kohë e sertë.

Dhe shëtitjet i rralluam
nëpër dhomë vijmë përqark,
dhe në vend të tyre shtuam
kollën dhe kafenë me pak.

Sa më ka marrë malli, grua
të zemërohem qoftë dhe kot,
si dikur atje tek udha
kur të shihja me një shok.

Ne kemi vite që pasqyrën
e përdorim shumë rrallë
se kemi sytë e njëri-tjetrit
fytyrat tona për t’i parë.

KUR FILLOVA NGAPAK TË VDISJA

Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje. 

Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
unë te brinjët vura dorën
ndjeva zemrën që mërdhiu.

Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
në palcë të ëndrrës ndjeva therrje
që më vonë m’u bë kronike.

Që ta marr pakëz veten,
vazhdimisht më sjellin njerëzit
reçel të ëmbël buzëqeshjesh
dhe ca pako me ngushëllime.

Përherë i lë në tryezë pa hapur
kompostot me lëng entusiazmi,
e nuk i prek me dorë fare
pjatat plot me optimizëm.

Ah, e humba krejt oreksin
nga ky virus shpirtëror i dhembjes,
me zor flas e me zor qeshi
më kot rri në tryezë të jetës.

O ISH SHOKË! O ISH-MIQ!

Sot befas qielli i kujtesës m’u ça më dysh
dhe ndodhi para meje Zbulesa e Parë:
një univers i pasosur me rrëzëllime miqësish
të rroposura nga kataklizma e ndarjes.

Përmes mjegullës dhjetëvjeçare të harresës
tash s’e kam vështirë të shoh ca fytyra miqsh,
që më patën pritur në oborr të Pilatit
në natën e gozhdimit tim në kryq.

O ish-shokë! O ish-miq! O të dashur ish-ër!
Po ju thërras sa trembem nga zëri im i çjerrë.
A e dëgjuat gjelin e profecisë pas mesit të natës
kur këndoi për të tretën herë?

E pra, profecia u bë: më humbët, ju humba,
ju humba, atje, në fund të kodrës së Kalvarit.
Vallë, a ju kujtohet ajo darka jonë e fundit
kur ju pata larë këmbët me duart e mallit?

Pas dyzet viteve, ju do të vini vëllezër
të më përqafoni te Udha e Madhe e gjithë Mirësive,
por nuk do të më gjeni dot, mua, Shën Budallain
që ju pata dhënë dashuri të pakthyeshme.

LUTJE

O Zot që fatet tona në dorë i mban!
Na ruaj nga shëndeti trashaman,
na ruaj nga orekset e Sanço Pançës,
na ruaj nga hija e rëndë e famës,
na ruaj nga faqeputhjet helmuese të Judës,
na ruaj nga orteku rrëmintar i turmës,
na ruaj nga prejardhja prej shimpanzesë,
na ruaj nga thyerja e timonit të kresë,
na ruaj nga putra pushtetore e Njëshit,
na ruaj nga engjëjt, na ruaj nga dreqërit,
na ruaj përditë nga ftohjet e miqësive,
na ruaj, o Zot, secilin prej të gjithëve!

MË TEPËR

Mix36 minuta më herët

Dikur e konsideruar e shëmtuar, këtë vit çanta e Kaia Gerber po bën një rikthim

Bazuar në çantat e dorës që Kaia Gerber është fotografuar rregullisht duke mbajtur gjatë viteve, ajo duket se i qëndron...

Mix40 minuta më herët

7 gënjeshtrat që besojnë çiftet e divorcuara për fëmijët e tyre

Ndërmjetësuesit e divorceve kanë dëgjuar çdo justifikim dhe gënjeshtër që përdorin prindërit për t’u ndjerë më mirë për ndarjen e...

Mix54 minuta më herët

Pentagoni ndalon libra, mes tyre njëri nga aktorja Julianne Moore

Ekziston edhe një histori për fëmijë e shkruar nga aktorja Julianne Moore në listën e hartuar nga Pentagoni i librave...

Mix57 minuta më herët

Horoskopi ditor, për të gjitha shenjat e horoskopit

DashiSot do të ndihesh plot energji, por është e rëndësishme ta kanalizosh atë në mënyrë konstruktive. Në punë, fokusohu te...

Radar59 minuta më herët

Donald Trump njofton shkarkimin e të gjithë prokurorëve të emëruar nga Biden

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të martën, më 18 shkurt, se kishte urdhëruar shkarkimin nga Departamenti i Drejtësisë të të gjithë prokurorëve...

Mix1 orë më herët

Si ndikon gjumi në imunitetin tuaj? – Këshillat që duhet të ndiqni

Deri më tani, ju e dini se gjumi është thelbësor për trupin tonë, ai ndikon në funksionimin e metabolizmit, trurit...

Radar2 orë më herët

Kryeministri e ironizon me “bufin e kënetës”, Berisha i përgjigjet me zogun “sqep këpucë”

Prej disa ditësh kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po replikojnë në distancë mes tyre duke...

Radar2 orë më herët

Edona Llalloshi, surpriza e madhe e Albin Kurtit në Kosovë, merr afro 30 mijë vota në zgjedhje

Albin Kurti dhe Edona Llalloshi Kutitë e votimit vijojnë të numërohen në Kosovë, teksa sipas KQZ deri më tani janë...

Radar2 orë më herët

Primaret në Partinë Demokratike, 19 të vjetrit dalin direkt deputetë

Nga Olta Blaceri Mesnatën e së hënës ka përfunduar afati për dorëzimin e kandidaturave për procesin e primareve, proces i...

Mix20 orë më herët

Tom Cruise në një lidhje romantike me Ana De Armas?

Tom Cruise së fundmi ka nxitur thashethemet për lidhje me Ana de Armas pasi të dy u panë duke darkuar...

Facebook