Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë, u zhduk matanë largësive, mbi kreshtat e flakëve, nëpër shi…
Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri. Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote, mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.
Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë. Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore. Dhe kudo toka çame, mbuluar nga retë, rënkon e mbytur në gjak e lot, e mbetur shkretë, pa zot.
Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë. Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.
Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi… Lamtumirë, Çamëri!