Letersi
Kushtuar vajzës e cila vdiq fare e vogël – PASHKO VASA
NË KUJTIM TË MARIES SIME
E njomë, e hijshme, e qeshur,
çka kurrënjëherë s’ka ngjarë,
këtu nën qiell kaq të ngrohtë,
sytë hape për herë t’parë,
ti krejt si një meteorë
për pak ditë dhe shkëlqim.
Ngushëllim ishe për mua,
ishe kënaqësia ime
dhe asaj buzëqeshje engjëjsh
borxh i kam sa gëzime.
Por brenda ’i kohe t’shkurtër
u zhduk gjithë ai galdim.
Ti u zhduke! Ngjyrë e bardhë
fytyrën tënde e veshi
dhe mbi atë buzë të zbehtë
krejt qeshja e qiellit qeshi,
dhe qe një brengë zharritëse
për shpirtin tim të gjorë.
Vetë qielli ty të la
vetëm gjashtë muaj, t’jetoje,
pastaj, si u ktheve n’shpirt,
cipën njerëzore e lëshove
dhe tash, Mari, mes engjëjsh
ti, prindit i buzëqesh.
Hale, 11 shtator 1867
*Kushtuar vajzës së tij e cila i vdiq fare e vogël