Lidhu me ne

Temporal

Henry Kissinger: Si të shmanget një Luftë e Tretë Botërore

Henry Kissinger: Si të shmanget një Luftë e Tretë

Nga Henry Kissinger/ Në Pekin kanë arritur në përfundimin se Amerika do të bëjë gjithçka për të mbajtur Kinën poshtë vetes. Në Uashington janë të bindur se Kina po planifikon të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si fuqia kryesore në botë. Për një analizë të mprehtë të këtij antagonizmi në rritje – dhe për një plan për të parandaluar atë që mund të shkaktojë një luftë superfuqish – vizitoni katin e 33-të të një ndërtese Art Deco në qendër të Manhattan, zyrën e Henry Kissinger.

Më 27 maj, Kissinger do të mbushë 100 vjeç. Asnjë i gjallë tjetër nuk ka më shumë përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare se ai, fillimisht si studiues i diplomacisë së shekullit të 19-të, më vonë si këshilltar amerikan për sigurinë kombëtare dhe sekretar i shtetit dhe për 46 vitet e fundit si konsulent dhe emisar për monarkët, presidentët dhe kryeministrat. Zoti Kissinger është i shqetësuar. “Të dyja palët e kanë bindur veten se tjetra përfaqëson një rrezik strategjik,” thotë ai. “Ne jemi në rrugën e konfrontimit të fuqive të mëdha.”

Në fund të prillit, The Economist foli me Kissinger për më shumë se tetë orë se si të parandalohej që konkurenca midis Kinës dhe Amerikës të mos përfundojë me luftë. Këto ditë ai ecën me vështirësi, por mendja e tij është e mprehtë si një gjilpërë. Ndërsa mendon për dy librat e tij të ardhshëm, mbi inteligjencën artificiale dhe natyrën e aleancave, ai mbetet më i interesuar të shikojë përpara sesa të kapet pas të shkuarës.

Kissinger është i alarmuar nga konkurrenca në rritje e Kinës dhe Amerikës për epërsi teknologjike dhe ekonomike. Edhe pse Rusia bie në orbitën e Kinës dhe lufta e lë në hije krahun lindor të Evropës, ai ka frikë se AI (Inteligjenca Artificiale) është gati të shtojë rivalitetin kinezo-amerikan. Në mbarë botën, balanca e fuqisë dhe baza teknologjike e luftës po ndryshojnë aq shpejt dhe në kaq shumë mënyra, saqë vendeve u mungon ndonjë parim i përcaktuar mbi të cilin mund të vendosin rendin. Nëse nuk mund ta gjejnë një të tillë, ata mund të përdorin forcën. “Ne jemi në situatën klasike të paraluftës botërore,” thotë ai, “ku asnjëra palë nuk ka shumë hapësirë koncesioni politik dhe në të cilën çdo shqetësim i ekuilibrit mund të çojë në pasoja katastrofike.”

Studiojeni pak më shumë luftën

Kissinger është sharë nga shumë njerëz si një luftënxitës për pjesën e tij në luftën e Vietnamit, por ai e konsideron shmangien e konfliktit midis fuqive të mëdha si fokusin e punës së tij të jetës. Pasi dëshmoi masakrën e shkaktuar nga Gjermania naziste dhe vuajti vrasjen e 13 të afërmve të ngushtë në Holokaust, ai u bind se e vetmja mënyrë për të parandaluar konfliktin shkatërrues është diplomacia kokëfortë, e fortifikuar në mënyrë ideale nga vlerat e përbashkëta. “Ky është problemi që duhet zgjidhur,” thotë ai. “Dhe besoj se e kam kaluar jetën time duke u përpjekur ta përballoj atë.”

Sipas tij, fati i njerëzimit varet nëse Amerika dhe Kina mund të shkojnë mirë.

Kissinger ka disa këshilla mendjehapura për liderët: “Kuptoni se ku jeni. Pa keqardhje”. Nën këtë frymë, pikënisja e shmangies së luftës është analizimi i zhvillimit pa pushim të Kinës. Pavarësisht reputacionit me gjuhë pajtuese ndaj qeverisë në Pekin, ai pranon se shumë mendimtarë kinezë besojnë se Amerika është në një teposhte dhe se, “prandaj, si rezultat i një evolucioni historik, ata përfundimisht do të na zëvendësojnë”.

Ai beson se lidershipi i Kinës indinjohet nga bisedat e politikëbërësve perëndimorë mbi një rend global të bazuar në rregulla, kur ata (liderët e kinezë) besojnë se këto rregulla dhe rendi i vetë Amerikës. Liderët e Kinës ndihen të fyer nga ai që ata e konsiderojnë si pazari nënçmues i ofruar nga Perëndimi, për t’i dhënë Kinës privilegje nëse ajo sillet mirë (ata mendojnë se privilegjet duhet të jenë të tyret me të drejtë, si një fuqi në rritje). Në fakt, disa në Kinë dyshojnë se Amerika nuk do ta trajtojë kurrë si të barabartë këtë vend dhe se është marrëzi edhe të imagjinohet se mund të ndodhë.

Megjithatë, Kissinger paralajmëron edhe mbi keqinterpretimin e ambicieve të Kinës. Në Uashington ata thonë: “Kina dëshiron të domimojë botën”. Në fakt ata [në Kinë] duan të jenë të fuqishëm”, thotë Kissinger”. “Ata nuk po shkojnë drejt dominimit botëror në sensin Hitlerian. Kjo nuk është ajo që ata mendojnë apo kanë synuar ndonjëherë për rendin botëror”, shton ai.

“Në Gjermaninë naziste lufta ishte e pashmangshme, sepse Adolf Hitleri kishte nevojë për të, por Kina është ndryshe”, thotë Kissinger.

Ai ka takuar shumë udhëheqës kinezë, duke filluar nga Mao Ce Duni. Nuk ka dyshuar kurrë mbi ideologjinë e tyre, e cila ka qenë e formuar me një sens të mprehtë mbi interesat, por edhe aftësitë e vendit të tyre.

Kissinger e sheh sistemin kinez si më shumë konfucian sesa marksist. Kjo i orienton udhëheqësit kinezë të arrijnë fuqinë maksimale për të cilën është në gjendje vendi i tyre dhe të kërkojnë të respektohen për arritjet e tyre. Udhëheqësit kinezë duan të njihen si gjyqtarët e sistemit ndërkombëtar të interesave të tyre.

“Nëse ata do të fitonin epërsi që mund të përdoret pastaj në mënyrë genuine, a do ta përdornin këtë superioritet deri në pikën e imponimit të kulturës kineze? Unë nuk e di këtë, por instinkti im më thotë Jo… Ama besoj se është edhe në aftësinë tonë të parandalojmë që kjo situatë të lined. Si? Me një kombinim të diplomacisë dhe forcës.”

Një përgjigje e natyrshme amerikane ndaj sfidës së ambicies së Kinës është ta hetojë atë ambicie, si një mënyrë për të identifikuar se si të mbahet ekuilibri midis dy fuqive. Një tjetër është krijimi i një dialogu të përhershëm midis Kinës dhe Amerikës. “Kina po përpiqet të luajë një rol global. Ne duhet të vlerësojmë pikë për pikë nëse konceptet e një roli strategjik janë të pajtueshme. Nëse nuk janë, atëherë do të lindë çështja e forcës. A është e mundur që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të bashkëjetojnë pa kërcënimin e një lufte gjithëpërfshirëse mes njëra-tjetrës? Kam menduar dhe ende mendoj se është e mundur”, thotë Kissinger. Por ai e pranon se suksesi gjithsesi nuk është i garantuar. “Mund të dështojë. Dhe për këtë arsye, ne duhet të jemi mjaftueshëm të fortë ushtarakisht për të mbështetur dështimin.”

Testi urgjent është se si Kina dhe Amerika sillen ndaj Tajvanit. Kissinger kujton se si, në vizitën e parë të Richard Nixon në Kinë në 1972, vetëm Mao kishte autoritetin për të negociuar mbi ishullin. “Sa herë që Nixon ngrinte një çështje konkrete për diskutim, Mao thoshte: “Unë jam filozof. Nuk merrem me këto tema. Le të diskutojnë Zhou [Enlai] dhe Kissinger për këto”. Por kur bëhej fjalë për Tajvanin, ai ishte shumë eksplicit. Thoshte: “Ata janë një tufë kundër-revolucionarësh. Ne nuk kemi nevojë për ta tani. Mund të presim 100 vjet. Një ditë do t’i kërkojmë. Por shumë larg nga sot.”

Kissinger beson se mirëkuptimi i farkëtuar midis Nixon dhe Mao u përmbys nga Donald Trump. Ai donte të frynte imazhin e tij të ashpër duke shtrënguar lëshimet ndaj Kinës mbi tregtinë. Administrata e Biden ka ndjekur shembullin e Trump, por me një retorikë më liberale.

Kissinger nuk do të kishte zgjedhur këtë rrugë në lidhje me Tajvanin, sepse një luftë si ajo e Ukrainës atje do të shkatërronte ishullin dhe do të shkatërronte ekonominë botërore. Lufta gjithashtu mund të çojë hapa mbrapa Kinën, ta izolojë dhe frika më e madhe e liderëve të saj mbeten trazirat në vend.

Frika nga lufta krijon bazat për shpresë. Problemi është se asnjëra palë nuk ka shumë hapësirë për të bërë lëshime. Çdo udhëheqës kinez ka pohuar lidhjen e vendit të tij me Tajvanin. Në të njëjtën kohë, siç kanë evoluar gjërat tani, nuk është më e lehtë as për Shtetet e Bashkuara të braktisin Tajvanin pa minuar pozicionin e vet.

Rruga e Kissinger nga ky ngërç bazohet në përvojën e tij. Ai do të fillonte duke ulur tensionet dhe më pas do të ndërtonte gradualisht besimin dhe një marrëdhënie bashkëpunimi. Në vend që të listonte të gjitha ankesat, presidenti amerikan do t’i thoshte homologut të tij kinez: “Zoti President, dy rreziqet më të mëdha për paqen aktualisht jemi ne të dy. Në kuptimin që ne kemi kapacitetin për të shkatërruar njerëzimin.”

Si një njeri që i urren burokracitë në politikëbërje, Kissinger do të donte të shihte një grup të vogël këshilltarësh, duke punuar së bashku në heshtje. Asnjëra palë nuk do të ndryshonte rrënjësisht pozicionin e saj ndaj Tajvanit, por Amerika do të kujdesej se si do t’i dislokojë forcat e saj dhe do të përpiqej të mos ushqente dyshimin se ajo mbështet pavarësinë e ishullit.

Këshilla e dytë e Kissinger për liderët aspirantë është: “Përcaktoni objektivat që mund të pëfshijnë vetë njerëzit. Gjeni mjete, mjete reale për arritjen e këtyre objektivave.” Tajvani do të ishte i pari mes disa zonash ku superfuqitë mund të gjenin gjuhën e përbashkët dhe kështu të nxisnin stabilitetin global.

Në një fjalim të fundit Janet Yellen, sekretarja e thesarit të Amerikës, sugjeroi që këto objektiva duhet të përfshijnë ndryshimet klimatike dhe ekonominë. Kissinger është skeptik për të dyja. Ai dyshon se këto janë të mjaftueshme për të krijuar besim, ose për të ndihmuar në vendosjen e një ekuilibri midis dy superfuqive. Për ekonominë, rreziku është që axhenda e tregtisë të mbërthehet nga “skifterët” të cilët nuk janë të gatshëm t’i japin Kinës asnjë hapësirë për t’u zhvilluar.

Ky qëndrim “ose gjithçka, ose asgjë” është një kërcënim. Nëse Amerika dëshiron të gjejë një mënyrë për të bashkëjetuar me Kinën, ajo nuk duhet të synojë ndryshimin e regjimit.

Disa amerikanë besojnë se një Kinë e mundur do të bëhej demokratike dhe paqësore. Megjithatë, sado që Kissinger do të preferonte që Kina të ishte një demokraci, ai nuk sheh precedent për këtë rezultat. Më shumë gjasa, një kolaps i regjimit komunist do të çonte në një luftë civile që do ngurtësohej në konflikt ideologjik dhe vetëm sa do të shtonte paqëndrueshmërinë globale. “Nuk është në interesin tonë ta çojmë Kinën drejt shpërbërjes”, thotë ai.

Amerika do të duhet të pranojë se Kina ka interesa. Një shembull i mirë është Ukraina.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, vetëm së fundmi ka kontaktuar me Volodymyr Zelensky-n, homologun e tij ukrainas, që nga koha kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar. Shumë e kanë parë si një mënyrë për të qetësuar evropianët që mendojnë se Kina dhe Rusia janë pranë. Kissinger e sheh atë si një qëllim serioz për të komplikuar diplomacinë që rrethon luftën, por që gjithashtu mund të krijojë pikërisht një lloj mundësie për të ndërtuar besimin e ndërsjellë të superfuqive.

Kissinger e fillon analizën e tij duke dënuar presidentin rus, Vladimir Putin. “Ka qenë sigurisht një gabim katastrofik i gjykimit të Putinit në fund të fundit,” thotë ai. Por as Perëndimi nuk është pa faj.

“Mendoj se vendimi për ta lënë të hapur mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO ishte shumë i gabuar”. Kjo ishte destabilizuese, sepse varja e shpresave tek premtimi për mbrojtjen e Ukrainës nga NATO, pa një plan real për ta bërë këtë, e la Ukrainën pa mbrojtje. Edhe pse ishte e garantuar se ky premtim do të zemëronte jo vetëm Putin-in, por edhe shumë nga bashkatdhetarët e tij.

Detyra tani është që ta çohet lufta deri në fund, pa krijuar terrenin për një raund tjetër të konfliktit.

“Ajo që europianët thonë tani është çmendurisht e rrezikshme. Evropianët thonë: ‘Ne nuk i duam ukrainasit në NATO, sepse ata janë shumë të rrezikshëm. Dhe për këtë arsye, ne do t’i armatosim, do t’u japim armët më të avancuara.’” Përfundimi i tij është i zymtë: “Tani e kemi armatosur Ukrainën në një pikë ku është vendi më i armatosur dhe me më pak strategji dhe përvojë lidershipi në Evropë.” Për të vendosur një paqe të qëndrueshme në Evropë, Perëndimi duhet të bëjë dy hapa. E para është që Ukraina të bashkohet me NATO-n, si një mjet për ta frenuar, si dhe për ta mbrojtur atë. E dyta është që Evropa të krijojë një afrim me Rusinë, si një mënyrë për të krijuar një kufi të qëndrueshëm lindor.

Shumë vende perëndimore, natyrisht, do ta kundërshtonin njërin nga këto synime. Me përfshirjen e Kinës, si aleate e Rusisë dhe kundërshtare e NATO-s, detyra do të bëhet edhe më e vështirë. Kina ka një interes të jashtëzakonshëm për të parë Rusinë të dalë e paprekur nga lufta në Ukrainë. Jo vetëm që Xi ka një partneritet “pa kufij” me Putinin, por një kolaps në Moskë do të shqetësonte Kinën duke krijuar një vakum pushteti në Azinë Qendrore që rrezikon të mbushet nga një “luftë civile e tipit sirian”. Pas telefonatës së Xi ndaj Zelenskit, Kissinger beson se Kina mund të pozicionohet për të ndërmjetësuar midis Rusisë dhe Ukrainës. Si një nga arkitektët e politikës që vuri Amerikën dhe Kinën kundër Bashkimit Sovjetik, ai dyshon se Kina dhe Rusia mund të bashkëpunojnë së bashku. “Nuk kam takuar kurrë një lider rus që ka thënë ndonjë fjalë të mirë për Kinën”, thotë ai. “Dhe kurrë nuk kam takuar një udhëheqës kinez që ka thënë ndonjë fjalë të mirë për Rusinë.” Ata nuk janë aleatë të natyrshëm.

Fusha e dytë ku Kina dhe Amerika duhet të bisedojnë është AI. “Ne jemi në fillimet e një aftësie ku makinat mund të imponojnë një murtajë globale ose pandemi të tjera,” thotë ai, “jo vetëm bërthamore, por në çdo fushë të shkatërrimit njerëzor.”

Ai pranon se as vetë ekspertët e AI nuk e dinë ende se cilat janë fuqitë maksimale. Kissinger beson se AI do të bëhet një faktor kyç në çështjet e sigurisë brenda pesë viteve të ardhshme. Ai e krahason potencialin shkatërrues të AI me shpikjen e shtypshkronjave, që arrinin të përhapnin idetë që luajtën një rol në shkaktimin e luftërave shkatërruese të shekujve 16 dhe 17.

“Ne jetojmë në një botë destruktiviteti të paprecedentë,” paralajmëron Kissinger. Mund të krijohen armë pandalshme. “Në historinë ushtarake mund të thuhet se nuk ka qenë gjithmonë e mundur të shkatërrohen të gjithë kundërshtarët, për shkak të kufizimeve të gjeografisë dhe preçizionit. Tani nuk ka kufizime. Çdo kundërshtar është 100% i prekshëm.”

Prandaj, Kina dhe Amerika do të duhet ta përdorin fuqinë e tyre ushtarake, si një pengesë. Duhet të ndërmarrim hapa të vegjël drejt kontrollit të armëve, në të cilat secila palë i paraqet tjetrës materiale të kontrollueshme rreth aftësive të njëra-tjetrës.

Këshilla e tretë e Kissinger për liderët aspirantë është “lidhini të gjitha këto me objektivat tuaja të brendshme, çfarëdo qofshin ato”. Për Amerikën, kjo përfshin të mësuarit se si të jesh më pragmatik, duke u fokusuar në cilësitë e lidershipit dhe, mbi të gjitha, rikonceptimin e kulturës politike të vendit.

Modeli i Kissinger për të menduarit pragmatik është India. Ai kujton se si një ish-administrator i lartë indian shpjegoi se politika e jashtme duhet të bazohet në aleanca jo të përhershme, por të orientuara drejt çështjet konkrrete.

India është një kundërpeshë thelbësore ndaj fuqisë në rritje të Kinës. Megjithatë, ajo ka gjithashtu një rekord jopozitiv të intolerancës fetare, paragjykimeve për gjyqësorin dhe një shtypi të shtypur.

Udhëheqja do të ketë rëndësi. Megjithatë Kissinger ka qenë prej kohësh besimplotë në fuqinë e individëve. Franklin D. Roosevelt ishte mjaft largpamës për të përgatitur një Amerikë izolacioniste për atë që ai e shihte si një luftë të pashmangshme kundër fuqive të Boshtit. Charles de Gaulle i dha Francës një besim tek e ardhmja. John F. Kennedy frymëzoi një brez.

Kissinger pohon se lajmet 24-orëshe dhe mediat sociale e bëjnë më të vështirë stilin e tij të diplomacisë. “Unë nuk mendoj se një president sot mund të dërgojë një të deleguar me kompetencat që kisha unë dikur”, thotë ai.

Udhëheqja pasqyron kulturën politike të një vendi. Kissinger, si shumë republikanë, shqetësohet se arsimi amerikan ndodhet në ditët më të errëta. “Për të pasur një pikëpamje strategjike ju duhet besim në vendin tuaj,” thotë ai. Perceptimi i përbashkët për vlerën e Amerikës ka humbur. Ai gjithashtu ankohet se mediave u mungon sensi i masës dhe gjykimit. Kur ai ishte në detyrë shtypi ishte armiqësor, por ai ende ruante një dialog me këto media. “Më kanë çmendur”, thotë ai. “Por kjo ishte pjesë e lojës… ata nuk ishin të padrejtë.” Sot, ai thotë se mediat nuk kanë asnjë nxitje për të reflektuar. “Ideja ime është tek nevoja për ekuilibër dhe moderim. Institucionalizojeni atë. Ky është qëllimi.”

Por më e keqja nga të gjitha është vetë politika. Kur Kissinger shkoi në Uashington, politikanët nga të dy partitë darkuan në mënyrë rutinore së bashku. Ai kishte në marrëdhënie miqësore me George McGovern, një kandidat presidencial demokrat.

“Unë mendoj se Trump dhe Biden e kanë tejkaluar armiqësinë”, thotë zoti Kissinger. Ai ka frikë se një situatë si Watergate mund të çojë në shpërhapje të dhunës dhe se Amerikës sot i mungon lidershipi. “Unë nuk mendoj se Biden mund të frymëzojë dhe … kam shpresa se republikanët mund të vijnë me dikë më të mirë”, thotë ai.

Amerika ka nevojë dëshpërimisht për të menduar strategji afatgjata. “Kjo është sfida jonë e madhe që duhet ta zgjidhim. Nëse nuk e bëjmë, parashikimet për dështim vetëm sa do të vërtetohen.”

Nëse koha është e pakët dhe lidershipi mungon, ku mund të gjenden pastaj perspektivat që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të gjejnë një mënyrë për të jetuar së bashku në paqe?

“Ne të gjithë duhet ta pranojmë se jemi në një botë të re,” thotë Kissinger, “sepse çdo gjë që bëjmë mund të shkojë keq.”

“Unë mendoj se është e mundur që të krijohet një rend botëror në bazë të rregullave që Evropa, Kina dhe India të bashkohen në të njëjtën pikë. Nëse shikohet me prakticitet, mund të përfundojë mirë – ose të paktën mund të përfundojë pa katastrofë.” Kjo është detyra e liderëve të superfuqive të sotme. “Immanuel Kant ka thënë se paqja do të vijë, ose nga mirëkuptimi njerëzor, ose nëpërmjet ndonjë fatkeqësie,” shpjegon Kissinger. “Ai mendonte se paqja do të vinte përmes arsyes, por nuk mund ta garantonte këtë. Kjo është pak a shumë ajo që mendoj dhe unë.”

Prandaj, liderët botërorë mbajnë një përgjegjësi të madhe. Ata duhet të jenë realistë për t’u përballur me rreziqet përpara, duhet të kenë vizionin për të parë se ekziston një zgjidhje për arritjen e një ekuilibri midis forcave të vendeve të tyre dhe kufizimin për t’u përmbajtur nga përdorimi maksimal i fuqive të tyre sulmuese. “Është një sfidë e paprecedentë dhe një mundësi e madhe”, thotë Kissinger. E ardhmja e njerëzimit varet nga të bërit gjërat më mënyrë të drejtë. Në fund Kissinger thotë: “Unë nuk do të jem aty për ta parë gjithsesi”.

The Economist

MË TEPËR

Mix14 orë më herët

Ekspozita e Huntington, paralajmërimet e ndryshimit të klimës në pikturat e shekullit të 19-të

Një ekspozitë e re në Bibliotekën Huntington, Muzeun e Artit dhe Kopshtin Botanik, afër Los Anxhelosit, titulluar “Storm Cloud: Picturing...

Mix14 orë më herët

Pedro Pascal prezanton ‘Gladiator 2’ bashkë me motrën e tij trans

Lux zgjodhi një fustan të zi me një bisht të gjatë dhe një prerje shumë të guximshme anash. Pedro dhe...

Mix14 orë më herët

Çfarë do ndryshojë me ardhjen e Trusk (Trump + Musk)

Pasi komunikimi është dobësuar, gjyqësori është frenuar, intoleranca është përhapur dhe legjitimuar me fjalë që deri dje nuk thuheshin, ne...

Mix14 orë më herët

Arra apo bajame, cilat janë më të mira për shëndetin?

Kur bëhet fjalë për frutat e thata, arrat dhe bajamet janë ndër varietetet më të vlerësuara, si në kuzhinë ashtu...

Mix14 orë më herët

Cili është ndryshimi midis Miss Universe dhe Miss World?

Një nga konkurset më të rëndësishme të bukurisë në botë do të zhvillohet këtë fundjavë. Kjo është Miss Universe. Konkursi,...

Mix14 orë më herët

Ana e errët e rinisë së përjetshme

“Njerëzit gjithmonë duan diçka të re. Është e pashmangshme. Dhe në të pesëdhjetat, gjithçka ka mbaruar”. Me këto fjalë në...

Mix15 orë më herët

Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?

Nëse sapo keni mbaruar filxhanin e kafesë dhe po përjetoni disa simptoma si nervozizëm ose shtim të rrahjeve të zemrës,...

Radar15 orë më herët

Princ Leka, edhe dajak edhe burg!

E papritur: Prokuroria kërkon dënimin me 1 vit e 6 muaj për Princ Lekën! 6 muaj për Elia Zaharinë dhe...

Mix16 orë më herët

Tensioni i ulët, çfarë duhet të hani?

Presioni normal i gjakut për shumicën e njerëzve është zakonisht nën 120/80 mm Hg. Nëse keni tregues nën 90/60 mm...

Mix16 orë më herët

Çfarë është Kolagjeni? Përfitimet shëndetësore

Kolagjeni është një proteinë strukturore thelbësore për lëkurën, kockat dhe indet lidhëse. I diskutuar shpesh për kujdesin e lëkurës, kolagjeni...

Facebook