Letersi
5 poezi dashurie
1.
Vdes në puthjen tënde…
Unë vdes në puthjen tënde,
Po puthjes nuk i druhem,
Se jam një flakëz hëne,
Venitem, po nuk shuhem!
2.
Mos pyet…
Mos më pyet: “Pse,
Pse rri i mërzitur,
Dhe kaq i vetmuar
Si qiri i fikur?!”
S’më mban dot o zemër,
Se jam për të ikur,
Ka ardhur një engjëll,
Për të më kositur!
Një qefin të zi,
Më ke porositur…
3.
Pas “Lamtumirës”…
Dikur, kur shkrova “Lamtumirë”,
Pyeta veten pse u ngute,
Se përveç vdekjes s’ka në botë,
Asgjë më tjetër absolute!
Gjithmonë me vete kam menduar,
Ajo që shkoi iku u prish,
Por edhe çasti i kaluar,
Plotë me shkëlqim kthehet sërish!
Se jeta s’paska vetëm rrenga,
Nuk është veç helm e pelin,
Se vjen një ditë e shuhet brenga,
Papritur syri merr shkëlqim!
Kaluan nuk e di sa vite,
Dhe zjarri i parë u ndez sërish,
Në qiellin tim ti u përndrite,
Si një dhuratë perëndish!
Me dhimbje shtyj ditë, mote,
As unë as ti nuk kishim vdekur,
Në zemrën time ndjenja jote,
Ç’më kishte mbetur e paprekur!
Nga gjumi letargjik u zgjova,
Sa kisha fjetur nuk e di,
Të falem, zot, që e takova,
Sërish të parën dashuri!
4.
Gjendet e vërteta!…
Këndova nga zemra,
Në një shkretëtirë,
Dhe fjala dhe kënga
M’u bën xhevahir!
Këndova gjith’ jeta,
Këputa zinxhirë,
Gjendet e vërteta,
Dhe në shkretëtirë!
5.
Mbi një zjarr të tretur
Kur shuhet një zjarr,
Mbetet një dorë hi,
Kur shuhet një zjarr,
Dhe një dashuri!
Mbi një zjarr të tretur,
Mos u lodh më kot,
Se hiri i mbetur,
Zjarr nuk bëhet dot!
*****
Poezitë janë të autorit Arben Duka. Shkruar në 1999