Lidhu me ne

Radar

Si u shndërrua Vladimir Putin në njeriun që është sot

“Regjimi do të bjerë”/ Ish-shkruesi i fjalimeve të

Këshilltari politik, Abbas Gallayamov, dikur kishte qenë shkrues i fjalimeve të presidentit rus, Vladimir Putin. Në një intervistë për Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë, Gallayamov, foli për bashkëpunimin me liderin rus lidhur me shkrimin e fjalimeve. Ai po ashtu tregoi se kush mendon se do të jetë pasardhës i Putinit.

Më 31 mars, Abbas Gallyamov është shpallur i dyshuar nga autoritetet ruse për diskreditim të forcave ushtarake ruse. Rusia ka përdorur këtë akuzë për të dënuar personat që kritikojnë luftën e saj në Ukrainë.

Gallyamov është larguar nga Rusia dhe aktualisht jeton në Izrael.

Radio Evropa e Lirë: Si ishte të punoje me presidentin rus si shkrues i fjalimeve të tij?

Abbas Gallyamov: Së pari, duhet ta kuptoni se unë dua kurrë nuk kam komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me të. Nuk isha në top-listën e shkruesve të fjalimeve. Vetëm më i miri nga të gjithë shkruesit e fjalimeve, shefi, ka të drejtë të flasë me presidentit personalisht.

Unë kam qenë i renditur në listë goxha lartë, mirëpo jo mjaftueshëm sa për të pasur mundësinë për të biseduar me të, ashtu siç jemi duke biseduar tani unë dhe ti. Po, e kam parë shumë herë, unë kam qenë prezent në shumë mbledhje publike dhe private, ndonjëherë ka pasur edhe mbledhje që kanë qenë ekskluzive vetëm për disa persona.

Sipas mendimit tim, përshtypja ime e përgjithshme për Putinin është që ai di të menaxhojë, është menaxher i mirë. Ai ishte i logjikshëm dhe i arsyeshëm, [më parë] nuk do të mund ta imagjinoje asnjëherë të bënte atë që është duke bërë tani.

Ai dinte se çfarë pyetje duhej shtruar, ai ishte shumë i kujdesshëm në përgjigjen që iu jepte njerëzve, sepse kur je shefi kryesor dhe nëse shprehni mendimin tuaj, atëherë të gjithë të tjerët do të tentojnë ta mbështesin mendimin, në vend se të shprehin mendimin e tyre. Ai ishte i kujdesshëm që ta shmangte këtë.

Kur lufta filloi, mendoja se a është ky njeriu që e kam njohur dikur, si erdhi puna që ai të shndërrohet në atë që është tani? Nga ajo çfarë kam parë, e kam kuptuar se në atë kohë ai merrej me gjëra që ishin shumë të rëndësishme, por jo kritike. Nuk ishin probleme prej të cilave varej karriera dhe jeta e tij politike. Nuk ishin kërcënime ekzistenciale. Nuk kishte të bënte me marrëdhëniet me NATO apo partitë opozitare ruse, që mundoheshin ta largonin nga pushteti.

Pra, në atë kohë ai nuk ishte duke u përballur me sulme të drejtpërdrejta kundër tij…Por, nëse dikush e fajësonte atë për një gabim, ai shndërrohej në një njeri shumë të palogjikshëm dhe emocional. Ai ishte shumë i brengosur që ta paraqiste veten si person të fortë. Ky është fetishi tij, ai nuk mundet ta paramendojë veten si të dobët.

Radio Evropa e Lirë: A mund të na jepni ndonjë detaj specifik lidhur me punën? Për shembull, a iu thoshte ai, “Dëgjoni kam nevojë për një fjalim lidhur me këtë…”, pastaj ai e shikonte atë dhe e redaktonte në fund.

Abbas Gallyamov: Ka pasur raste të rralla kur paraprakisht ai vetë është përkujdesur për një fjalim. Në fakt, ishin vetëm dy, tri, ndoshta katër tekste në një vit. Shumicën e teksteve ai as që i shikonte paraprakisht.

Ne thjesht i shkruanim së bashku me administratën, me ministrat, zëvendëskryeministrat që ishin përgjegjës për ato fusha. Pra, ne përgatisnim një fjalim, ia dërgonim atij dhe ai ndoshta e lexonte në veturë rrugës duke shkuar në një ngjarje, ndoshta gjysmë orë më përpara se ta mbante atë fjalim.

Pasi ai flet rrjedhshëm, ndoshta për të nuk ka qenë problem kjo gjë. Ai e lexonte tekstin dhe nëse dëshironte të shtonte diçka, do t’ i lëvizte vetullat dhe fliste pa iu përmbajtur tekstit dhe më pas i kthehej leximit të fjalimit. Atij nuk i është dashur që paraprakisht të merrej me fjalimet e shkruara. Prandaj, ishte e rrallë që ai të kontrollonte një fjalim paraprakisht dhe ta kthente mbrapsht te shkruesit. Vetëm për fjalimet kryesore vepronte kështu.

Radio Evropa e Lirë: Po më intereson të dimë shumë për disa fjalime specifike. Çfarë lloj fjalimesh keni shkruar ju? Për shembull, a kanë pasur të bëjnë me politikën e jashtme?

Abbas Gallyamov: Nuk mund ta vendosësh në autorësinë tënde në asnjë fjalim që e mban presidenti. Pasi kur ai [Putini] e jep fjalimin, atëherë është i tij…dhe gjithashtu kjo është punë e përbashkët. Pra, nuk ka ndodhur asnjëherë që ju e shkruani një fjalim dhe ia dërgoni direkt presidentit. Atë fjalim do ta kontrollojnë dhe redaktojnë shumë persona tjerë, duke shtuar ndonjë ide tjetër. Pra është punë e kolektive, asnjëherë vetëm e një personi.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë plani kishe kur u ktheve në ekipin e shkruesve të fjalimeve të Putinit [pasi ai përfundoi mandatin e parë si president dhe u bë kryeministër] në vitin 2008? A mendoje “unë punoj tash për Putinin, çfarë tani?”.

Abbas Gallyamov: Nuk po e kuptoj pyetjen. E keni fjalën për ideologjinë? Unë e dija se do të promovohem në pozita më të larta sesa në ato që kam qenë duke punuar në të kaluarën. Prandaj unë shkruaja fjalime për Putinin. E dija në përgjithësi se gjërat në vend ishin duke ndryshuar, [në atë kohë] duhej se një ardhme e ndritur na priste. Askush, atëherë nuk e ka parashikuar se Rusia do të shndërrohej në një lloj shteti fashist, siç është tani.

Radio Evropa e Lirë: U bë shumë kohë që ju nuk jeni duke shkruar fjalime më për Putinin. Kur vendosët që nuk mundeni më [të shkruani fjalime për Putinin]? Kur vendoset që “Unë nuk dua ta bëj këtë punë më?”.

Abbas Gallyamov: Epo, ishte viti 2014 kur unë vendosa që nuk dua ta bëj më këtë punë, madje edhe vendosa që asnjëherë më nuk do bëj një gjë të tillë. Vendosa që të mos kthehem kurrë më në shërbimin civil dhe të mos punoj më kurrë për shtetin. Ishte në vitin 2014 kur Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë, si dhe ngjarja tjetër ishte në vitin 2018, kur unë vendosa se kisha konflikt me Kremlinin.

Unë atëherë isha duke punuar si këshilltar i pavarur politik, por ende kisha marrëdhënie normale me administratë presidenciale. Por, në vitin 2018 situata në vend filloi të ndryshonte dhe po bëhej gjithnjë e më keq për ta – vlerësimet e tyre në sondazhe ranë si dhe dita ditës dëshira për protestë në vend rritej.

Ata filluan të ndryshonin sjellje me personat që i kritikonin publikisht. Më parë të trajtonin me më respekt, por tani ata kërkojnë më shumë besnikëri nga ju. Ata thoshin? “Nuk do t’iu nënshkruajmë kontratë nëse ju nuk flisni kështu për këtë”.

Unë u grinda disa herë meta, në të tretën herë që u grindëm ata dërguan një person të merrej me mua. Pastaj, grindje dhe mosmarrëveshje pati edhe më pas, deri kur më thanë: “Do të vdesësh urie, nuk do të kesh para ta ushqesh familjen tënde”. Në atë kohë ata ende nuk më kishin kërcënuar me burgim.

Kjo është e vërtet, nuk do të gënjeja kurrë për këtë. Ata më kërcënonin duke thënë se do të humbas të gjitha kontratat dhe do e kem të pamundur të punoj si këshilltar politik në Rusi. Andaj, në atë kohë vendosa që të shpërngulesha në Izrael me familje… Gjithashtu, fillimi i kësaj lufte [Rusi-Ukrainë] ka ndikuar po ashtu në momentin që fillova ta kritikoja, i humba të gjitha kontratat e mia ruse.

Radio Evropa e Lirë: Ju veçse e përmendët se si Putini ka ndryshuar dukshëm sjellje. Çka mendoni për fjalimet e tij tani? Çfarë mendoni për fjalimin e tij drejtuar kombit të mbajtur në shkurt?

Abbas Gallyamov: Fjalimi i tij drejtuar kombit ka qenë shumë zhgënjyes. Sepse nuk kishte përmbajtje. Problemi kryesor është që ai di të japë fjalime të mira, mirëpo ai e ka ndryshuar mënyrën se si shkruan politikat.

Tani fjalët nuk kanë ndonjë rëndësi. Kanë pak vlerë. Tani duhet të veproni, është luftë të cilën duhet ta fitoni. Nuk mund ta fitoni me fjalë. Më herët, në kohë paqeje ju mund të thoshit fjalë, dhe ato funksiononin, dhe nuk kishte mënyrë tjetër për të bërë politikë. Tani është krejt ndryshe. Nuk mund ta fitoni luftën vetëm duke folur. Edhe kur flet Putini, njerëzit sërish i kushtojnë vëmendje, pasi shpresojnë se do të gjejnë diçka që do të tregonte se sjellja e tij do të ndryshojë.

Çdo herë ai vetëm se e konfirmon se do të veproj njësojë, ashtu siç ka qenë duke vepruar. Dhe të gjithë e dinë se kjo nuk të siguron fitore. Njerëzit e kanë kuptuar që ai është duke ecur drejt një humnere. Ai duhet të ndryshojë sjelljen e tij.

Ndoshta ai do të realizojë një plan të ri, por më pas ai flet për planin A: ankohet për SHBA-në, për NATO-n për fashistët ukrainas, dhe njerëzit natyrisht se zhgënjehen. Pra ky është problemi kryesor me fjalimet e tij, ai po mundohet ta normalizojë luftën, edhe fjalimi i tij para këtij drejtuar kombit ishte po i njëjtë. Ai po mundohet t’iu thotë njerëzve se kjo situatë e krijuar është normale dhe është nën kontroll. Që e gjitha është thjesht një psikoterapi.

Radio Evropa e Lirë: A ka pasur sukses kjo metodë tek audienca e tij?

Abbas Gallyamov: Jo, absolutisht që jo. Njerëzit e kanë kuptuar që diçka duhet të ndryshojë patjetër në sjelljen e tij dhe jo vetëm me fjalë. Dhe njerëzit e panë sërish se nuk ishte i duhuri, e injoronte realitetin, realiteti që nuk po e lejon atë që të arrijë qëllimet që i ka vënë vetes. Ai është duke e bërë po të njëjtën gjë.

Gjëja më e veçantë ndoshta ishte që i përmendi zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2024, sepse realisht të gjithë prisnin se ai do të shpallte luftë dhe zgjedhjet do të anuloheshin. Ishte interesant për faktin që ai vendosi ta thoshte këtë tani, kur ka ende kohë, edhe një vit deri në kohën e zgjedhjeve.

Dhe e di që asnjë shkrues i fjalimeve nuk do të shkruante një gjë të tillë, ishte vetë Putini që shkroi atë, sepse është një çështje që e sulmon direkt atë. Nuk është diçka abstrakte. Pra, asnjë shkrues i fjalimeve nuk do të bënte një gjë të tillë, ishte vetë ai që vendosi ta shkruante. Çka deshi ai të thoshte me këtë? Kjo ishte gjëja më interesante.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë nënkuptoni kur thoni se publiku pret ndryshim dhe nga çka motivohet kjo kërkesë publike për ndryshim? A duan që konflikti të ndalet apo duan që gjërat të ndryshojnë për të fituar këtë luftë? Çfarë dëshiron konkretisht popullata ruse?

Abbas Gallyamov: Nëse ai arrin të fitojë luftën, shumë mirë. Publiku dëshiron të [kthehet] në gjendjen e paraluftës, kur gjithçka ishte relativisht paqësore. Rregullat e lojës ishin relativisht të qarta: pa sanksione; [dhe] ju mund të fitoni para këtu, dhe nëse i ndani këto para me elitat e Putinit, nuk do të keni asnjë problem.

Ju i fitoni këto para dhe më pas shkoni diku në Perëndim, ndoshta në Francë, Angli ose Amerikë. Pjesën tjetër të jetës suaj do të kalonit diku në Florida ose në një vend tjetër të mrekullueshëm në Perëndim, kur të [merrni] pensionin tuaj. Tani kjo nuk mund të bëhet. Njerëzit nuk e kuptojnë pse, sepse askush nuk beson në këto gjëra për NATO-n, apo fashistët ukrainas. Të gjithë e kuptojnë se kjo ishte diçka që mund të ishte shmangur lehtësisht.

Radio Evropa e Lirë: Pra nuk është diçka çështje morali?

Abbas Gallyamov: Jo. Jo, jo.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk është “ne e kundërshtojmë luftën sepse është e padrejtë”, por, “ne nuk duam luftë sepse është keq për biznesin dhe cilësinë tonë të jetesës”. A është ky motivi i publikut?

Abbas Gallyamov: Problemi kryesor është që [është] jo vetëm e keqe për biznesin, [por] sepse kërcënon kolapsimin e regjimit. Ata janë të sigurt se përfundimit do të ndodhë një revolucion nëse ai nuk bën ndonjë ndryshim ose heq dorë nga ajo që po bën aktualisht. Dhe sistemi në tërësi do të dështonte. Natyrisht, asnjë nga elitat nuk dëshiron që kjo të ndodhë. Ata kërkojnë siguri.

Dhe kështu, sigurisht, nuk bëhet fjalë për moralin dhe etikën. Elitat ruse janë absolutisht imorale dhe shumë pragmatike. Me fjalë të tjera, do të ishte fantastike nëse do të mund të fitonin luftën dhe të kthehej gjithçka ashtu siç ishte, por nuk munden. Dhe nëse këmbëngulin, do të shtyjnë popullsinë drejt revoltës.

Ata nuk mund ta fitojnë luftën. Le të bëjnë diçka tjetër, le të negociojnë. Le t’i japin fund konfliktit. Le të heqin sanksionet dhe t’i kthejnë gjërat në normalitet në vend. Ne nuk duam që Yevgeny Prigozhin, një [biznesmen i lidhur me Kremlinin dhe themelues i grupit të mercenarëve, Wagner] të na kërcënojë.

Prandaj, ky është konsensusi i përhapur: situata ka ndryshuar tërësisht. Në njëfarë mënyre, është në prag të kolapsit. Askush nuk e kupton [se si] do të dukej ky kolaps. Por, të gjithë e ndjejnë se po vjen.

Radio Evropa e Lirë: Ju pretendoni se ndryshimi do të vijë në mënyrë të pashmangshme në Rusi. A është kjo e pashmangshme apo i nënshtrohet rezultatit të konfliktit në Ukrainë?

Abbas Gallyamov: Sigurisht, shumëçka varet nga fitorja [në Ukrainë], Nëse Putin arrin të marrë fitore, atëherë… ky revolucion nuk do të jetë në agjendë për një kohë. Padyshim se do të rikthehet sepse konflikti mes shoqërisë dhe Qeverisë ende ekziston.

Njerëzit janë mjaftueshëm të shkolluar, mjaftueshëm të mençur, të zhvilluar, modernizuar për të kërkuar që të kenë fjalë në procesin politik. Ata duan të marrin pjesë në marrjen e vendimeve dhe Qeveria po i refuzon ata.

Pra, ka një përplasje, me gjasë ekzistenciale, kështu që herët a vonë do të kthehet sërish te kjo; por për ca kohë, kjo fitore do ta legjitimonte Putinin, sigurisht.

Por, nuk do të zgjasë aq gjatë sa ishte në rastin e Krimesë. Ai zgjati të paktën katër vjet; në një farë mase vazhdon ende, por për të paktën katër vjet funksionoi mirë. Pra, tani nuk do të funksionojë për kaq gjatë, [do të funksionojë] për ca kohë, ndoshta gjysmë viti, ndoshta një vit. Emocionet e fitores do të shërojnë plagët publike. Nuk do të ketë eufori, por [njerëzit] do të jenë të lumtur.

Radio Evropa e Lirë: Le të themi se konflikti vazhdon dhe nuk ka fitore. A ka mundësi që Putini të jetë në gjendje të mobilizojë popullin rus pas përpjekjeve ushtarake dhe për sa kohë?

Abbas Gallyamov: Jo, do ta ketë shumë të vështirë nëse e humb betejën. I gjithë justifikimi i tij mbështetet vetëm në parimin se ai është i fuqishëm dhe fitimtar. Për më tepër, nëse ai do të humbiste luftën që filloi, do të ishte dëshmi se ai nuk është aq i fuqishëm sa ne dikur besonim se ishte.

Ata nuk do të magjepseshin më prej tij pasi magjia do të zhdukej. Si rezultat, besueshmëria e tij së shpejti do të gërryhej—një proces që tashmë është duke u zhvilluar. Dhe pas një ose dy vjetësh, ai do të bëhej vërtet i përbuzur, një diktator i vjetër dhe një tiran i vjetër, madje mund të përjetonte një grusht shteti nga elita ose një puç ushtarak.

Radio Evropa e Lirë: Edhe një pyetje lidhur me zëvendësimin e mundshëm të Putinit. A besoni se ai ka emëruar një zëvendësues të besueshëm si pasardhësin e tij?

Abbas Gallyamov: Sipas zhvillimeve të fundit politike në Rusi, [ish-presidenti Dmitry] Medvedev do të jetë sërish në detyrë. Putini e emëroi atë si zëvendësin e parë të komisionit ushtarak-industrial vetëm në fund të dhjetorit [2022], duke i dhënë Medvedev autoritet të rëndësishëm dhe duke e lejuar atë të ndërhyjë në mënyrë aktive në punët e Qeverisë aktuale.

Ai është gjithashtu shumë i përfshirë atje. Prandaj, Putini ka qenë disi i paparashikueshëm gjatë vitit të kaluar. Ai herë pas here veproi në mënyra që ishin krejtësisht të pakuptimta ose në kundërshtim me atë që ai po bënte dikur. Por, nëse ka ndonjë kuptim për këtë, atëherë promovimi i Medvedevit është padyshim arsyeja.

Radio Evropa e Lirë: Pse dëshironte ta promovonte Medvedevin?

Abbas Gallyamov: Mendoj se në muajt në vijim do ta emërojë kryeministër, kur ta kuptojë se ofensiva e tij e re do të jetë e pasuksesshme. Nëse ai ka sukses, asgjë nuk do të ndryshojë; ai do të ishte i vetëm përgjegjës për fitoren.

Por, nëse ai ndien se po dështon, besoj se do të formojë një administratë të re, do të riemërojë Medvedevin si kryeministër dhe jo thjesht si kryeministër teknik si më parë. Me fjalë të tjera, [Putini] do t’i japë atij autoritet mbi ushtrinë dhe zbatimin e ligjit dhe do ta udhëzojë atë: “Vazhdo dhe fito konfliktin. Tani ti je në krye të kësaj”.

[Putin] do të arrinte dy synime. Ai fillimisht do t’ia caktonte përgjegjësinë këtij individi, i cili do të ishte pasardhësi i tij eventual. Ai nuk dëshiron të mbajë përgjegjësi për një humbje.

Ai është njeriu i fortë dhe të qenët në krye të humbjeve është gjëja më e keqe që mund ta mendojë. Ai dëshiron të sigurojë që, të paktën në sytë [e tij], në sytë e miqve të tij, rrethit të tij dhe historisë, ai nuk është fajtor për këtë.

Duke pasur parasysh këtë, do të ishte e preferueshme që të fajësohej për një vendim të dobët apo jo? “Sigurisht, unë bëra zgjedhjen e pasaktë të pasardhësit tim, por nuk jam fajtor për rezultatin e luftës” …. Dhe nëse Medvedev humbet dhe mposhtet, është [thjesht] disfata e Medvedevit; në atë rast, [Putini] mund të përpiqej të korrigjohej duke kërkuar falje dhe duke pretenduar, “Më falni, ai më zhgënjeu, kështu që do të duhet të filloj nga e para”.

Radio Evropa e Lirë: E kuptoj këtë logjikë. Vetë emri Medvedev është diçka që nuk e kuptoj. Kur ju pyeta: “kë do ta imagjinonit si pasues të Putinit?” nuk doja të dukesha tepër pesimist. Medvedev me shumë gjasa do të ishte i fundit në listë. Sepse nuk është më viti 2008, kur e gjithë bota e pa atë si më liberal, më modern. Tani e gjithë bota e sheh atë si një palaço. Pra, çfarë lloj kryeministri mund të bëjë ai?

Abbas Gallyamov: Para gjysmë viti përfundova një raport lidhur me zëvendësuesin e Putinit. Në atë kohë, Medvedev nuk ishte në krye të listës. Ishin njerëz të tjerë. Pra, ndaj skepticizmin tuaj. E kam artikuluar vetë. Unë po përpiqesha të shihja se çfarë mendonte Putini, jo atë që mendoja unë apo dikush tjetër.

Dhe unë shoh se kohët e fundit ai filloi të forcojë Medvedevin. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se [do të jetë] Medvedev. Nëse e kaluara na ka mësuar diçka, atëherë në dy muajt e fundit, për ndonjë arsye ai po promovon Medvedevin. Dhe unë mendoj se Putini i beson Medvedevit më shumë se të tjerëve.

Radio Evropa e Lirë: Pra, besnikëria mbi kompetencën?

Abbas Gallyamov: Ka shumë njerëz besnikë përreth Putinit, por ai nuk ka sprovuar këtë besnikëri. Ai e vuri në provë për Medvedevin. I vetmi person që ishte më superior se Putini ishte Medvedev. Ai e mbikëqyri Putinin për katër vjet [nga 2008 deri në 2012], periudhë gjatë së cilës vazhdoi të zbatonte kushtet e marrëveshjes dhe pas kësaj, ai ia ktheu monarkinë Putinit. Me shumë mundësi, kjo ishte çështja më e rëndësishme në sytë e Putinit.

Radio Evropa e Lirë: Ku qëndron opozita ruse në gjithë këtë?

Abbas Gallyamov: Duke marrë parasysh që opozita ruse është ose e burgosur ose e internuar, e vetmja gjë që mund të bëjnë është të deklarojnë unitetin e tyre dhe të fillojnë të punojnë rreth një kandidati për zgjedhjet presidenciale, dhe të fillojnë gjithashtu të bëjnë fushatë për të.

Duke qenë se të gjithë aktualisht janë të fokusuar në taktika, ata duhet të fillojnë të përpiqen të frymëzojnë ndjekësit e tyre me një program reformash në të ardhmen, për të demonstruar se janë ende aktivë. Kjo të paktën do t’i tregonte publikut se ka dikush që po mendon për të ardhmen. Në rrethanat ekzistuese, nuk ka absolutisht asnjë vizion për të ardhmen e vendit dhe ju nuk mund të nxisni një revolucion nëse nuk shihni një të ardhme të ndritur për popullsinë.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët sërish revolucionin. A do të përfshinte ndonjë skenar i tillë disidentin e burgosur Aleksei Navalny? Nëse skenari i revolucionit realizohet, a mund ta parashikoni që Rusia e Navalny të bëhet realitet?

Abbas Gallyamov: Ai sigurisht ka një shans të mirë. Ai po “ngarkohet”, ashtu si një bateri. Ai është pas hekurave. Kolapsi aktual nuk u shkaktua nga ai. Dhe ai ende shihet si armiku kryesor i Putinit. Prandaj, do të ishte e natyrshme që njerëzit të kthehen [drejt] Navalnit kur sistemi të bie, ta shikojnë atë dhe ta pyesin se çfarë mendon ose çfarë do të thotë.

Radio Evropa e Lirë: Pra si një Nelson Mandela rus?

Abbas Gallyamov: Pikërisht. Kjo është ajo që do të thosha, një Mandela rus.

Radio Evropa e Lirë: Dhe supozoni se Rusia e Navalny-t konkretizohet. Si do të dukej politika e saj e jashtme?

Abbas Gallyamov: Epo, patjetër që do të ishte një më vend normal, paqësor, ashtu siç ishte në vitet 1990.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se kështu ishte Rusia në vitet 1990?

Abbas Gallyamov: Jam krejtësisht i sigurt se i gjithë ky imperializëm rus, e gjithë kjo strategji ruse e bazuar në konflikte me botën perëndimore, është konsumuar. Duket sikur të gjithë besojnë se kjo na ka vënë në rrezik të madh. Kjo ndiejnë po intensifikohet; është si Gjermania e pasluftës.

Më në fund, regjimi bie; kjo ndjesi do të jetë e jashtëzakonshme. Regjimi do të bjerë sepse kjo ndjenjë bëhet shumë e fortë. Sepse askush nuk do të donte ta bënte këtë përsëri. Ideja më e fuqishme në Rusi ka të ngjarë të jetë “kurrë më”, ashtu si në Spanjën pas Frankos, kur të gjithë ishin të vetëdijshëm se kjo rrugë ishte lodhëse dhe duhej ndryshuar.

/REL

MË TEPËR

Radar1 ditë më herët

Dalina Buzi: Parashqevia, ylli shqiptar që e fshiu vendin e vet, i vetmi që e deshi e s’do e linte të mblidhte ndihma

Dalina Buzi, tregon përmes një eksperience personale dhe profesionale nga viti 2003 kur e gjendur në Amerikë për të ndjekur...

Kryesore2 ditë më herët

“Trump është legjendë, ju jo” / Evi Kokalari sulmon Sali Berishën!

Aktivistja Evi Kokalari dhe kreu i PD Sali Berisha Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar sërish pas deklaratave të bëra një...

Aktualitet2 ditë më herët

“Nuk i njeh askush s’ka njeri që di të përmendë 5 emra ministrash në këtë vend “

Lorenc Vangjeli: Analisti Lorenc Vangjeli foli në “Top Story” për deputetët në Kuvend, teksa disa prej tyre i konsideroi si...

Kioske2 ditë më herët

Tiranës i duhet një metro

Eduard Zaloshnja Zona metropolitane e Tiranës, që përfshin bashkitë Tiranë, Kamëz e Vorë, ka plot 716 mijë banorë, 216 mijë...

Radar2 ditë më herët

Basha: Partia Demokratët Euro Atlantikë ka kolosë në gjirin e vet. Rakipi: Në Atlantik ka peshq

Lulzim Basha, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se në partinë Demokratët Euro Atlantikë ka “kolosë” të cilët...

Mix2 ditë më herët

iPhone 17 Pro, Apple gati për të revolucionuar dizajnin: këto janë risitë e mundshme

Me sa duket, risitë që vijnë në iPhone 17 nuk do të kenë të bëjnë vetëm me ekranin. Në fakt,...

Mix2 ditë më herët

Kush është blogerja Bettina Anderson? 5 gjërat që duhet të dini për të dashurën e re të Donald Trump Jr

Bettina Anderson u bë e famshme pasi u shfaq krah për krah me Donald Trump Jr. Në fotot e marra...

Radar2 ditë më herët

Nuk është shaka/Nis dialogu me qytetarët për luftën ndaj korrupsionit

Teksti më poshtë është marrë nga ATSh dhe sugjerohet si lajm nën titullin: Komisioni i posaçëm antikorrupsion, nisin nga Durrësi forumet...

Kritike3 ditë më herët

Mashtrimin e Edi Ramës me rritjen e pagave e beson vetëm Helena Kaçi

Nga Irena Beqiraj Në 7 prill 2023, ministrja e Financave e asaj kohe, Delina Ibrahimi, na dha lajmin e mirë...

Mix3 ditë më herët

3 ushqimet më të mira për mëngjes!

Tërshëra 1. Të gjithë e dimë se tërshëra është një superushqim. Gjëja më e mirë është që ju mund ta...

Facebook