Mix
Ivanka Trump flet pas akuzave penale ndaj Donald Trump
Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump ka reaguar pas akuzave penale që janë ngritur ndaj të atit. Përmes një story në Instagram Ivanka Trump, e cila ka qëndruar kryesisht e heshtur në çështjet politike në lidhje me babanë e saj pas zgjedhjeve të 2020-ës, shprehu mirënjohjen për njerëzit në të gjithë spektrin politik që shprehin mbështetje dhe shqetësim për akuzën e ish-presidentit Donald Trump.
“Unë e dua babanë tim dhe e dua vendin tim. Sot më dhimbsen të dy. I vlerësoj zërat në të gjithë spektrin politik që shprehin mbështetje dhe shqetësim”, ka shkruar ajo.
Donald Trump, ish-presidenti amerikan, u padit së fundmi, duke shënuar histori si ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza mbi një çështje. Një juri në Manhatan ka votuar për të paditur Doland Trump, nën akuza që kanë të bëjnë me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë lidhur me pretendimet për marrëdhënie jashtëmartesore.
Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit ka hetuar ish-presidentin për ngjarjen që lidhet me pagesën prej 130.000 dollarësh ndaj yllit të pornos Stormy Daniels që të heshte pasi kaluan natën bashkë. Kjo është hera e parë në historinë amerikane që një president aktual ose ish-president do të përballet me akuza penale.
Prokurorët thanë se po punonin për të çuar për gjykim ish-presidentin Donald Trump javën e ardhshme. Ata nuk thanë nëse synonin të kërkonin burg në rast të një dënimi, gjë që nuk do ta pengonte Trump të kërkonte dhe të merrte presidencën.
Republikani Donald Trump, i cili po kandidon për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024, tha përmes një deklarate në rrjetin e tij “Truth Social” se: “Ky është një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë në histori”.