Lidhu me ne

Mix

“The whale”, një film i tmerrshëm me një histori dëshpëruese që fitoi dy Oscar

Njeriu sex-simbol me muskuj, i pashëm, i fortë, tashmë vjen 360 gradë i ndryshuar, duke rrëzuar çdo lloj imazhi që njerëzit kishin në kokë për të. Një njeri pasiv, që peshon 270 kg, që nuk del nga shtëpia dhe jeton brenda mureve të shtëpisë, i ndërgjegjshëm se po shkon në mënyrë të përshpejtuar drejt vdekjes.

“The whale” me regji të Darren Aronofsky dhe i shkruar nga Samuel D. Hunter arrtiti të rrëmbente dy trofe në ceremoninë e 95-të të çmimeve Oscar, atë të aktorit më të mirë dhe të grimit dhe stilimit më të mirë. Që pas publikimit të trailerit më 14 dhjetor të 2022, më shumë se historia e filmit, bëri bujë aktori kryesor dhe mori vëmendjen e mediave botërore për disa arsye.

E para sepse rikthehej në ekranin e kinematografisë botërore Brendan Fraser, ish-aktori legjendar i trilogjisë ‘The Mummy’, pas gati 20 vitesh mungesë dhe zhdukjeje, pas disa historive aspak të lehta të jetës së tij, nga autizmi i djalit, te divorci, përfshirja në lëvizjen #metoo, kur deklaroi se ishte ngacmuar seksualisht nga Philip Burke, ish-president i HFPA dhe beteja e gjatë me depresionin.

E dyta sepse ai vinte i transformuar. Njeriu sex-simbol me muskuj, i pashëm, i fortë, tashmë vjen 360 gradë i ndryshuar, duke rrëzuar çdo lloj imazhi që njerëzit kishin në kokë për të. Një njeri pasiv, që peshon 270 kg, që nuk del nga shtëpia dhe jeton brenda mureve të shtëpisë, i ndërgjegjshëm se po shkon në mënyrë të përshpejtuar drejt vdekjes.

Autorja Lindy West shkruante më 10 mars në një shkrim në “The Guardian” se filmi iu bënte një steriotipizim të tmerrshëm njerëzve të shëndoshë, sepse skenari është shkruar nga një njeri i dobët, është drejtuar nga një regjisor i tillë dhe njëkohësisht është luajtur nga një aktor i tillë, që përpiqet të interpretojë një njeri të shëndoshë duke u veshur me disa petka, po asesi s’mund të futet në shpirtin dhe mënyrën sesi ndjehet dikush që ka atë peshë. Nuk dua t’i hyj këtij diskutimi, mund edhe të këtë të drejtë autorja, por vlerësoj se regjisori, më shumë se mënyrën sesi ndjehet, theksin e vendos te arsyeja pse protagonisti ka arritur në këte pikë.

Charlie është një njeri i dëshpëruar, me disa pengje në jetë, që nuk ka mundur të tejkalojë disa vuajtje dhe për rrjedhojë nuk ndjehet asapk i motivuar për të ndryshuar diçka në jetën e tij te mjerë dhe të pakuptimtë. Gjithë filmi gati dy orë, i kategorizuar si dramë-psikologji, zhvillohet brenda një shtëpie, kryesisht një dhome të pistë, të rrëmujshme të pandriçuar, me grilla që nuk hapen asnjë moment, ndërsa shumicën e kohës jashtë bie shi.

Dikur një mësues kolegji, një njeri i dashur dhe pozitiv, pas një historie dashurie me një ish-student që vrau veten për shkak të refuzimit të familjes, për të cilin protagonisti braktisi gruan dhe vajzën 8- vjeçare, arratiset nga bota dhe fshihet brenda atyre mureve, duke refuzuar çdo gjë nga jashtë, përveç një gjëje: ushqimin. Nëse i dashuri i tij zgjodhi të vdiste duke mos ngrënë, ai zgjedh të vdesë duke ngrënë. Dhe kjo është gjëja që bën shumicën e kohës në film, ushqehet në mënyrën më të neveritshme të mundshme. Jetesën e siguron duke iu mësuar studentëve shkrimin e eseve, ndërsa kamerën e mban të fikur, i turpëruar nga gjendja e tij.

E vetmja gjë e mirë e jetës së tij është përkujdesja e infermieres Liz, njëkohësisht motra e ish-të dashurit të tij Alan, e cila e ndihmon me pastrimin, ilaçet, dhe i përkujton vazhdimisht se zemra e tij po dështon, se tensioni i gjakut është në stratosferë dhe se duhet të shkojë në spital, gjë që ai e refuzon me kokëfortësi, duke u justifikuar se ka nuk ka të paguajë dhe se nuk dëshiron të lërë borxhe. Gjatë gjithë filmit të vetmit vizitor janë vajza dhe ish-gruaja, të zemëruara deri në vdekje me braktisjen prej tij, një misionar fetar që ka humbur rrugën e vet, shpërndarësi i picave dhe një zog i zi që vjen në dritare për të ngrënë thërrmija buke.

Ky është pak a shumë skenari në vija të trasha, aspak mbreslënës, frymëzues, gjenial. Nuk ka asnjë gjë impresionuese në historinë e Charlie, një personazh kontradiktor, i dorëzuar, pa forcë, që kujtohet para se të vdesë për vajzën, por nga ana tjetër ashtu si Liz, je i paaftë ta urresh, për shkak të shikimit fëmijënor me sytë e mëdhenj blu, zërit të butë dhe të nënshtruar dhe kërkimit të faljes për çdo gjë të mundshme.

Charlie ka zgjedhur të mos luftojë dhe në këtë moment të jetës e vetmja gjë që e mban gjallë është vajza e tij, eseja e saj për Moby Dick i shërben si një lutje që e thotë në momentet më kritike dhe të zymta për të përmirësuar rrahjet e zemrës ose për të ikur i qetë nga kjo botë.

Ai nuk do të vdesë pa u siguruar se ka lënë një trashëgimi të vyer dhe vajza, siç shprehet, është gjëja më e mirë që ka bërë në këtë jetë. I penduar që i braktisi, e nga ana tjetër i dorëzuar para dashurisë për Alan, ai e fton vajzën në banesë për ta njohur më mirë dhe përballë refuzimit dhe neverisë së saj, zgjedh ta ndihmojë me esetë si dhe t’i premtojë se i ka lënë një shumë të madhe parash, të kursyera prej vitesh, me të cilat mund të kishte shpëtuar jetën e vet.

Në gjithë këtë zymtësi, protagonisti nuk e gjen prehjen askund, as te feja dhe librat fetarë të cilët i kishte lexuar prej kohësh, as te kujdesi dhe dashuria e Liz, as te respekti i mbetur nga ish-gruaja, dhe as te përpjekja për të rifituar vajzën. Asnjë lloj dashurie nuk mund t’ia ndryshojë mendjen për t’u ringritur, e në këtë aspekt, mesazhet shpesh moralizuese ndaj nxënësve për të qenë të sinqertë dhe të vërtetë, apo përpjekja për t’i dhënë optimizëm vajzës së vet, nuk kanë shumë peshë kur thuhen nga një njeri që ka bërë të kundërtën. Në këtë këndvështrim duket se “The whale” ka qenë një film vetëm për Brendan Fraser, për ringritjen e tij dhe ardhjen në këtë moment triumfues, që siç u shpreh edhe vetë iu deshën 32 vjet.

Para Oscarit ai fitoi një Critics Choice Awards, për aktorin më të mirë, ku të gjithë meritat ia dha regjisorit.“Isha në shkretëtirë dhe ndoshta duhej të kisha lënë një gjurmë thërrimesh, por ti më gjete dhe si të gjithë regjisorët më të mirë më tregove se ku të shkoja për të qenë aty ku doja të isha”, tha ai.

Përtej skenarit, aktori 53-vjeçar ka marrë mjaft komente pozitive. “The Guardian” shkroi se Fraser është i jashtëzakonshëm në portretizimin e Charlie-t, duke dhënë një “dramë vendimtare të vetë-shkatërrimit”. Në mënyrë të ngjashme, BBC Culture theksoi fleksibilitetin e jashtëzakonshëm të shprehjeve të tij të fytyrës dhe butësinë shpirtërore të zërit të tij, por shtoi se janë “sytë e tij blu të mëdhenj, lutës dhe shpresëdhënës” që e bëjnë të vështirë të imagjinosh dikë tjetër në rol.

“Rolling Stone” vlerësoi gjithashtu aktrimin e Fraser, duke thënë se ai “meriton një Oscar për performancën e tij si një njeri mbipeshë që përpiqet të rregullojë gjërat”. “Los Angeles Times” e kishte përshkruar performancën e tij si një “simfoni të notave mahnitëse gri” në një “vepër sfilitëse dhome”. 53-vjeçari bëri një rikthim dinamik në industrinë e argëtimit me “The whale” dhe dëshmoi se periudha e gjatë e qëndrimit jashtë nuk e privoi nga talenti.

MË TEPËR

Mix50 minuta më herët

Apple në krizë inovacioni, a do t’i ringjallë iPhone 17 shitjet?

Nëse flasim për Apple, duket sikur flasim për një kompani që është vazhdimisht në kërkim të arsyeve për të bërë...

Kioske55 minuta më herët

950 mijë shqiptarë kanë zero lekë në banka

Janë rreth 2.8 milionë llogari të hapura në bankat e nivelit të dytë, por rreth një e treta e tyre...

Mix2 orë më herët

Mjaltë dhe limon për një tretje të mirë

Mjalti dhe limoni janë dy ushqime të shëndetshme natyrale, një kombinim që gjendet edhe në kultura të ndryshme për breza...

Mix2 orë më herët

10 THËNIE PËR JETËN DHE KINEMANË | Nga Alejandro Jodorowsky

“Një ditë, dikush më tregoi një gotë me ujë të mbushur përgjysmë dhe më pyeti: ‘A është gota gjysmë plot...

Mix2 orë më herët

Lamtumirë përgjithmonë Val Kilmer! Ndërron jetë papritur ylli i “Top Gun” dhe “Batman”

Val Kilmer, aktori i njohur për rolet e tij në filma si “Top Gun” dhe “Batman Forever”, ka ndërruar jetë...

Aktualitet2 orë më herët

“Hamasi lufton për interesat e Iranit, po luan bixhoz me jetët tona” – Ç’po ndodh me protestat në Gaza

Për herë të parë në gati dy dekada, populli i Gazës po ngre zërin, kësaj here jo vetëm kundër Izraelit,...

Temporal2 orë më herët

Shqiptari i parë në listën e miliarderëve të Forbes. Ja sa është pasuria e Zamir Manes

Për herë të parë, një sipërmarrës shqiptar është përfshirë në listën e miliarderëve të Forbes, duke shënuar një moment historik...

Radar2 orë më herët

Lista e re e “Forbes”: Elon Musk rimerr kreun, kush janë 10 njerëzit më të pasur të botës

Kopertina e Forbes Lista e re e “Forbes” për miliarderët e botës shënon një rritje të shpejtë të pasurisë globale....

Kryesore2 orë më herët

Rusia thotë “Jo”

Rusia i ka thënë “Jo” propozim amerikan për paqen në Ukrainë në formën që ai është paraqitur. Agjencia “Reuters” citon...

Mix19 orë më herët

Nëse ai bën këto gjëra, urime: Ke gjetur të duhurin

Nuk ka rëndësi si jeni njohur, por kur një marrëdhënie ndihet e sigurt dhe e shëndetshme, disa sinjale të qarta...

Facebook