Radar
Rama e flaku Yuri Kim si limon të shtrydhur!
Berisha: Rama e flaku Yuri Kim si limon të shtrydhur! Sulmi ndaj meje, i porositur
Nuk u habita me deklaratën e Edi Ramës me zëdhënësen Xhaçka. Por me këtë rast dua të theksoj se kemi të bëjmë me një flakje të një limoni të shtrydhur.
Në 100 vite marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve, nuk ka pasur ndonjëherë një diplomat amerikan që të ketë dëmtuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane më shumë se Yuri Kim.
Është kjo deklarata e kryedemokratit Sali Berisha lidhur me njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, për nisjen e procedurave për zëvendësimin e ambasadores amerikane në vendin tonë.
Në komunikimin e sotëm për mediat, Berisha tha se sjelljet dhe veprimet e saj në Shqipëri nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat perëndimore të vendeve të lira, me parimet dhe nenet e konventave ndërkombëtare të respektimit të sovranitetit të një vendi, të respektimit të ligjeve të një vendi, por mbi të gjitha të respektimit të vullnetit të qytetarëve të zgjedhur.
Ajo zhvilloi një veprimtari tepër të padenjë për përfaqësuesin e një vendi të lirë, vendi partner, vendi mik.
I ka lejuar të thërrasë në radhë si të ishin ushtarë, deputetët e Kuvendit kundër Sali Berishës, duke i përpunuar dhe kërcënuar.
Kërcënimet, ofendimet e saj ndaj demokratëve, se do hanë bar nëse mbështesin Sali Berishën, dhunimi flagrant i sovranitetit të një vendi duke kërkuar mosfutjen e Sali Berishës në Kuvend, pasi kishte marrë mandatin nga sovrani, thirrjet ndaj elektoratit se kë duhet dhe kë nuk duhet të votojë, kundërshtimi i çdo konvente me kërcënimet ndaj gjyqësorit, këto janë akte të shëmtuara të saj, për të cilat garantoj se po të ishin dy faktorë, ndjenjat dhe admirimi i imi dhe mbështetësve të mi ndaj SHBA, dhe agresioni barbar rus ndaj Ukrainës, zonja në fjalë nuk do të ishte toleruar kurrë.
Me protesta paqësore, paqësisht do të ishte kërkuar largimi i saj sa më shpejt nga Shqipëria.
Lidhur me sulmin fizik ndaj tij, Berisha e cilësoi si të porositur nga Edi Rama dhe se përpjekja për të shuar çdo shpresë hetimi me makinerinë e tij propagandistike, e fajësojnë plotësisht dhe për herë të dytë.
Përdorimi i një dokumenti të paligjshëm pa asnjë vlerë ligjore, dëshmon edhe njëherë se autorë të vërtetë janë ata që po përpiqen të shpëtojnë kamikazin pa eksploziv nga barra e krimit.
Së fundmi, lexoni deklarata që u bënë, që ishin të gatshme dhe u shpërndarë kudo nga zyra e Fugës. Nuk jam këtu, absolutisht për t’u ndalur në mënyrë të veçantë te kjo, sepse ne jemi në një revolucion.
Ajo që dua t’u them është se data 6 dhjetor ishte triumfi i opozitës. Ishte triumfi në sensin, që i faktoi mbarë botës sesa të drejtë ka kjo opozitë në tezat dhe qëndrimet e saj.
Ia them prapë sot, mund të godasësh një njeri, një njeri edhe mund të vritet. Por një kauzë nuk vdes kurrë.