Radar
Rama godet Top Channel: Gjobaxhinj ekranesh
Kryeministri Edi Rama ka goditur Top Channel duke shkruar se kërkon nxitje kundër qeverisë për shkak se do favore të paligjshme.
Rama përmend tre titujsh kronike të medias të cilat i quan “tituj lajmesh të rreme në ekrane private”.
“700 mijë shqiptarë kanë ikur 12 vitet e fundit”-“7 punonjës në ditë ikin nga policia”-”Tre vite pas tërmetit s’kanë shtëpi”. Këta janë tituj lajmesh të rreme në ekrane private kombëtare që kanë një mision: Dizinformim e nxitje kundër qeverisë! Arsyeja? Duan favore të paligjshme!
Aleanca e Rublave është përditë e më e qartë, çdo ditë e më e tërbuar, ditë pas dite më e dëshpëruar! Një zëdhënës i saj, ngrënës i paepur i turpit me bukë apo i bukës me turp: S’kanë faj ata që shpifin, po ka faj kryeministri që s’bën transparencë për çdo shpifje! DavaRublash”-shkruan Rama.
Prej dhjetëra ditësh Top Channel ka bërë një seri lajmesh që tenton të godasë qeverinë ndërsa në një lajm të dy ditëve më parë ngrinte disa pyetje pas reagimit të Ramës për udhëtimet e tij me charter, duke kërkuar të gjente se ndaj kujt ishte reagimi me neveri i kreut të qeverisë”
Nuk dihet arsyeja se pse Rama dhe Top Channel kanë hyrë në një përplasje së bashku ndërsa kryeministri në postimin e tij të sotëm thotë se “duan favore të paligjshme”.