Radar
Dëshmitari i masakrës së Tivarit: Kur i pushkatonin rekrutët shqiptarë, ne të Kosovës qanim me dënesë, ata të Shqipërisë i përcillnin me duartrokitje
Memorie.al/ Studiuesi dhe historiani i njohur, Dr. Uran Butka, publikon dokumentet me urdhrin e Enver Hoxhës, ku ai shkruan: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë, brenda e jashtë kufijve të Jugosllavisë, pa toleruar…”!
Masakra e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve. Është folur dhe shkruar për atë në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë, sepse nuk është marrë në shqyrtim pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e pushtetit komunist të Shqipërisë në këtë masakër, për mungesë të dhënash e dokumentesh, por edhe për fshehje të së vërtetës. Shteti jugosllav, megjithëse ishte projektuesi dhe realizuesi i masakrës, e ka pranuar atë, qoftë edhe si aksidentale e të mpakur, por gjithsesi ka nxjerrë disa konkluzione dhe disa përgjegjësi. Ndërsa shteti shqiptar, i implikuar në këtë kasaphanë, shkaktuar kundrejt popullit të vet, ka heshtur për gjysmë shekulli, duke e mbuluar me harresë dhe papërgjegjshmëri të plotë, aq më tepër që akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë. Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar.
Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim”. Për Çubriloviçin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, Hercegovina, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare.
Këto projekte kriminale antishqiptare dhe antinjerëzore, u bënë program dhe veprim konkret i Partisë Komuniste Jugosllave dhe i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Jugosllave ndaj shqiptarëve. Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50 % të banorëve shqiptarë” (Arkivi i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1)
Ky gjenocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, si edhe të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre. Këtë luftë kundër shqiptarëve, Partia Komuniste Jugosllave e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaromadh”, kundër “bashkëpunëtorëve” të nazifashizmit etj. Kosova u konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundër-revolucionare, irredentiste, që duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht.
Por, në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i gjithi më këmbë, i ndërgjegjësuar dhe i armatosur për të mbrojtur qenien shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, përkundër politikave e praktikave antishqiptare e kriminale të Partia Komuniste Jugosllave dhe të Ushtrisë Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë. Titos dhe udhëheqësisë jugosllave nuk u interesonte edhe një luftë tjetër. Këtë gjë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me ndihmën e propagandës dhe të armëve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë.
Këtë bashkëveprim ndërmjet Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë dhe Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin anti-serb në Kosovë dhe për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte qysh në muajin mars 1944, komandanti i Korpusit II-të Sulmues të Jugosllavisë, gjeneral-lejtnant Peko Dapçeviç.
Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë i kërkonte Enver Hoxhës kalimin e formacioneve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave, u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin Velimir Stoiniç, i bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i U.N.Ç.J. për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç. (Arkivi i FA, Fondi Shtabi i Përgj.).
Pala shqiptare u tregua e gatshme. Pasi vrau me mijëra nacionalistë të Ballit, Legalitetit dhe krerëve të veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri (1943-1944), komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, më 12 shtator 1944, i dha urdhër Korparmatës I-rë të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. (Dokumente, Shtabi Përgj., vol.II)
Po në këtë datë, mentari i Enver Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e Komitetit Qendror të PKSH-së për Korpusin I-rë: “Lajmëro Pavlen (Pavle Joviçeviç, shën. im U.B.) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet”! (AQSH, Fondi 14) Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë, u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I:
“Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”. (AQSH, F.14). Në Kosovë ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe ushtarake nacionaliste, si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit, e më pas “Besa Kombëtare” dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Bashkëpunonte me ta edhe Muharrem Bajraktari dhe forcat e tij nacionaliste. Në këto kushte, Josif Broz Tito, thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë N.Ç. të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”. Enver Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I-rë: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë.” (Arkivi i FA, dosja 45, v.1944)
FOTO GALERI
Në muajin nëntor 1944, u angazhua në këtë luftë edhe Divizioni V-të, që përfshiu Brigadat III-të, V-të dhe XXV-të, dhe Divizioni VI-të (brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve. Komisari politik, Ramiz Alia, thotë në një intervistë se ka qenë në Bosnjë kur ndodhi masakra. Nuk është e vërtetë. Në 3 mars 1945, ai dhe Divizioni V-të ndodheshin në Mitrovicë, mandej në gjithë Kosovën. (Dokumenti i datës 3.03.1945 i Shtabit të Përgjithshëm)
Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë N.Ç. Jugosllave. Në urdhër-veprimin e Armatës V-të të Jugosllavisë, përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë:
“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht…! Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë…! Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet…”! (AQSH, Fondi.181, d.45). Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovicë e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Kristo Filipoviç. (Arkivi historik i Jugosllavisë, k.1411)
Masakra e Drenicës dhe zhbërja e Brigadës VII-të kosovare që u nis për në Srem, ishin prologu i masakrës së Tivarit. Më 8 shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë, Josif Broz Tito, pushteti ushtarak. Divizionet e U.N.Ç. të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë, për shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe forcimin e pushtetit jugosllav. Ato qëndruan në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, derisa Kosova e viset e tjera shqiptare, u bënë pjesë e Jugosllavisë dhe derisa u bënë zgjedhjet, ku fitoi Fronti Nacional-Çlirimtar i Jugosllavisë.
E konfirmojmë këtë edhe me Radiogramin e Reiz Maliles, zv/komisarit të Divizionit V-të: “Me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve, nxirrni forca të armatosura jo afër qendrave të votimeve, por gati para çdo gjëje të papritur. Reaksioni mund të tentojë për të sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes. Pikë.”
Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V-të dhe VI-të të Ushtrisë N.Ç. të Shqipërisë, e dhanë komandat e divizioneve e brigadave të Ushtrisë N.Ç. të Shqipërisë, që u vunë nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivore, Divizionet V-të dhe VI-të të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë, përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonët) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945.
Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë N.Ç. të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është evident dhe i dokumentuar. Kemi në dorë dokumentet arkivore me radiogramet e shtabit të Divizionit V-të dhe VI-të, nënshkruar nga Komisari Politik Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rahman Parllaku etj., dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë N.Ç. të Shqipërisë, gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim, si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e Divizioneve V-të dhe VI-të te Ushtria Jugosllave.
Lista e parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës. Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V-të të Shqipërisë. Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar. (AQSH, F.14, d.206, v. 1945). Po kështu edhe lista të Divizionit VI-të dhe brigadave partizane të Shqipërisë, që u bënin thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i dorëzonin te ushtria jugosllave.
Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:
“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.(AQSH, F.206, v.1945). Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, që besonin tek thirrjet e Komandës së Divizioneve V-të dhe VI-të të Shqipërisë, u dorëzoheshin pabesisht OZNA-s dhe komandës Ushtarake Jugosllave dhe përfundonin si mish për top në kolonat e vdekjes, që ushtria jugosllave i largonte nga Kosova dhe i dërgonte për t’i asgjësuar në Tivar apo më tutje.
Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV-të, mandej nga Brigada X-të malazeze, tregonte se sa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhej të përfundonte në një kasaphanë, ku do të merrnin pjesë pritësit dhe vetë shoqëruesit. Të dhënat burimore ushtarake jugosllave, tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut 13.323 rekrutë shqiptarë. Nuk kishte asnjë rekrut serb, malazez apo maqedonas. Përse? Dihet, për të asgjësuar vetëm shqiptarë. Përse i kaluan nëpër territorin e Shqipërisë, kur kishin edhe rrugë të tjera për në Istria?! Për t’i asgjësuar bashkërisht me ushtrinë shqiptare. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur ‘Golgota e madhe Shqiptare’”- konstatonte historian dhe veprimtari i njohur, Zekeria Cana.
Nga raporti i shtabit të Kolonës IV-të të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945: “Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetash. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.(Arkivi i Luftës i Jugosllavisë, k.1411)
Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm” (Ark. Min. Jashtme, v.1949, D.191).
Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu: “Xhelatët e Rankoviçit-it, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo, një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin” (Bedri Spahiu, Pretenca në gjyqin e Koci Xoxes, viti 1949).
Autorizimin (lejen) për futjen e kolonave me rekrutët e Kosovës dhe asgjësimin e mëse 1000 kosovarëve të pafajshëm, siç e cilësojnë dokumentet e mësipërme, e ka sigluar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Haxhi Lleshi, por autoritetet e Shqipërisë i’a faturuan Koci Xoxes, si një “kokë turku”, për t’ia ngarkuar atij gjithë përgjegjësitë e kësaj masakre.
Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë.
Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Divizionit të Mbrojtjes së Popullit të krahinës III-të (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen.
Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave, bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes. (Arkivi M.B., D. 1623)
Po tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare. “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini, – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë, dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh.
Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës…! Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”(A. Hajdini, Letër e hapur).
Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie, kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj. “Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare, dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, derisa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje”! (A. Hajdini, Masakra e Tivarit).
Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën. E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër; gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish. Në kazermat e Shkodrës u pushkatuan 11 shqiptarë, ndërsa në kalimin e Bunës, 18 të tjerë. Në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit, ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur, për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë.
Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X-të malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.
Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve, rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1.560 shqiptarë të kolonës së dytë prej Brigadës X-të malazeze, të komanduar nga krimineli Markoviç. Edhe nga kolonat e tjera, me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën.
Sipas burimeve jugosllave dhe shqiptare, rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në këtë masakër 2.947 – 3.447 shqiptarë të pafajshëm. Por sipas dëshmive të të mbijetuarve, ky numër i kalon të 4.000-jët. Nga këta, sipas dokumenteve të Arkivave të Shqipërisë, mbi 1000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës nga Kukësi në Shkodër. Sipas Azem Hajdinit dhe dëshmitarëve të tjerë, nëpër territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën 1.500 shqiptarë të Kosovës.
Heshtja 50-vjeçare e shtetit komunist shqiptar dhe e udhëheqjes kriminale të Enver Hoxhës, por edhe e udhëheqësve të Kosovës, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha etj., ishte një përpjekje tjetër për të fshehur të vërtetën dhe bashkëfajësinë në këtë masakër ndaj bashkëkombësve të tyre.
Për shkaktarët e kësaj masakre me përmasa ballkanike, deri më tani nuk është marrë ndonjë përgjegjësi, nuk janë nxjerrë mësime, përkundrazi, janë vlerësuar e nderuar ekzekutorët e saj dhe krimi është fshehur. Ndaj edhe është përsëritur në përmasa edhe më të mëdha, deri në ditët tona. Krimi, në çdo kohë, duhet evidentuar e ndëshkuar, përndryshe të ndëshkon sërish. Një komb nuk mund të jetë plotësisht i lirë nëse nuk e njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë nëse nuk është në paqe me veten dhe me të tjerët.
Krimet, me përmasa, implikime dhe pasoja tragjike kombëtare e ndërkombëtare, si Masakra e Tivarit, duhen ndriçuar, drejtpeshuar e gjykuar drejtësisht, jo vetëm që të zbulohet e vërteta historike, por edhe që të dalin përgjegjësitë dhe të ndëshkohet krimi, në mënyrë që ai të mos mbetet si një kërcënim, si një njollë e pashlyer, si një plagë e hapur dhe si një urrejtje vepruese midis njerëzve dhe ndërmjet popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim dhe në një mirëkuptim në rrugën drejt paqes dhe integrimit europian.