Radar
Të moshuar ‘milionerë’ nga inceneratorët/ “Shtet i degjeneruar”, Lubonja: Qeveria me ca kompani përdorin njerëz në prag vdekje për të vjedhur paratë e shqiptarëve
Analisti Fatos Lubonja ka komentuar në rubrikën “Opinion” në News24 takimin e kryeministrit Edi Rama në Amsterdam me homologun holandez Mark Rutte dhe deklaratat mbështetëse të këtij të fundit ndaj qeverisë shqiptare.
Ai deklaroi se aktualisht ka një plan gjeostrategjik që Holanda do ta vendosë në zbatim për anëtarësimin e Ballkanit sepse i druhet një frike nga ekspansioni ideologjik rus në rajon.
Lubonja u ndal edhe te skandalet më të fundit ku është përfshirë qeveria Rama, duke nënvizuar se zbulimi skemës së evazionit fiskal prej 189 milionë dollarësh me faturat e fryra artificialisht për skemën e inceneratorëve tregon degjenerimin e shtetit.
Ai gjithashtu e cilësoi kryelajmin e këtyre dy ditëve ku dy të moshuar rezultonin pronarë të një biznesi me vlerë 30 milionë euro, një skandal moral.
“Kina, edhe ajo fashizëm është, por kanë edhe politika sociale. Edhe Putini kështu është. Ndoshta kanë një popull që ndoshta është më i ndjeshëm se ne ndaj dhunës. Nuk ndryshon asgjë në thelb, por ndryshim siç ndryshonte komunizmi ynë nga ai i vendeve të Lindjes. Imagjino se çfarë pleqsh kemi, mashtrohen nga një rini, e imagjinoni ça rinie kemi?! Ky është skandal moral. Është i paparë. Në një vend ku sundon gënjeshtra për t’u pasuruar ndodh kjo gjë. Kjo është një gjë pa emër fare”, u shpreh Lubonja.
Takimi me zotin Rutte që tregoi një mbështetje, mbështetje nga e gjithë BE-ja, që në njëfarë mënyre Ballkani duhet të hyjë në BE, pastaj nëse është ideja e Macronit apo dikujt tjetër varet. Si e shikoni ju këtë dikotomi?
Unë them se duhet të çlirohemi nga një kompleks që kemi, sipas të cilës se po e konfirmuan perëndimorët një gjë, ajo është e vërteta. Dhe kur këta thonë që ka bërë Shqipëria hapa përpara dhe prandaj e meriton, ky quhet sukses. Por nga ana tjetër secili nga ne do që të zhvillojë një mendim kritik, duhet të shtrojë pyetjen, po mirë mo sipas meje kemi bërë hapa përpara apo jo?!
Megjithatë dolën ca fjalë aty që nuk imagjinohej. Për mua ishte e paimagjinueshme që të arrij niveli i korrupsionit, degjenerimit të shtetit deri në atë pikë që në bashkëpunim me kriminelë ordinerë të ndërtohen këto skema me përdorim të njerëzve në prag të vdekjes, për të krijuar këto skema e kompani për grabitjen e parasë publike dhe ta ndajnë me kriminelët. Ore a është e vërtet që kemi bërë hapa para siç tha Rutte, apo kemi bërë hapa pas?
Unë që e ndjek prej 30 vitesh politikën, këtë faktin e fundit dhe fakte të tjera që shoh përditë për nivelin e krimit të organizuar, lirisë së medias, nivelin e ekonomisë së shëndoshë dhe jo kjo ekonomia e betonizimit absurd, unë them se kemi bërë hapa pas. Dhe mbi të gjitha si konkluzion është demokracia.
Por kthehemi te këta perëndimorë, si ka mundësi këta? Unë gjykoj se duhet t’i vëmë në lenten e syrit tonë kritik, a janë këta mo me italiane dhe gjermanë që u lidhën kaq shumë me rusët. Me ata oligarkët që ai Boris Johnson u thoshte ajde investoni këtu ju edh grave të Putin u thoshte ajdeni bëjini këtu divorcet se këto ishin divorce me shumë para. Është rritur kundërshtia ndaj kësaj klase politike në Europë. Unë mendoj se kjo ka një shpjegim tjetër. Kjo e Holandës, se këtu ka një plan gjeostrategjik me luftën në Ukrainë, se përndryshe është rreziku i Rusisë, ti fusim siç futëm Ukrainën, se kështu ndodhi edhe ky Zelensky e ka zhdukur opozitën. S’ka demokraci atje më fare. Por duhen ngritur dy pyetje kryesore, se ne kemi pasur gjithmonë një hall këtu se nuk jemi të zotë të ndërtojmë vetë shtetin demokratik, por këta perëndimorët do na drejtojnë me politikën e shtetit dhe karotës. Unë kujtoj në kohën e Lulzim Bashës që gjermanët na paraqitën 13 pika bazë, po tani si ndryshuan mendim këta?! Se nga ato pikat që ne duhet te ecnim, na thonë tani hajdeni se keni bërë hapa përpara. Këtu ne na ikën dhe kjo shpresë e fundit se këta perëndimorët me shkopin dhe karotën nuk na qenkan aq të zotë. Këtu përfiton vetëm Edi Rama me shokë, nuk fitojmë ne se atyre u thuhet ju keni bërë hapa para.
Por Shqipëria po merr një rëndësi se është baza në Kuçovë e NATO-s, flitet për një bazë detare të NATO-s, një gazsjellës i ri, pastaj nëse Shell-i gjen naftë këtu s’lëviz më asgjë, blindohet?!
Kjo e reja e naftës është e habitshme, se ata dalin me humbje këta të naftës, kromit, se s’i japin asgjë këtij vendi këta, shfrytëzohen nga një grusht oligarkësh. Këtu jemi në sistemin neo-liberal global që akuzohet në të gjithë botën se pasuron një grusht dhe gjithë të tjerët i lë të varfër. Kjo është të përdorësh mendësinë e Enver Hoxhës se ne jemi të pasur se kemi naftën kemi këto, por këto i përdor ky me një grusht oligarkësh dhe populli ikën. Por kjo s’është progres.
Por kjo e vështirëson qëndrimin e opozitës?
E vështirëson dhe e lehtëson për mendimin tim se janë të dyja anët e medaljes. Se pakënaqësia është në rritje, çmimet e këto dhe kjo ia lehtëson punën opozitës. Jo se ka qenë e mirë opozita po ka qeverisur aq keq ata tjerët sa i është dhënë vota opozitës. Do ndihmonte po të ishte një opozitë më e pastër që të kishte bërë autokritikë. Por e vështirëson se sidomos me mendësinë shqiptare që ndërkombëtarët mbështesin qeverinë gjithmonë, dhe me deklaratën e ambasadës së SHBA që e mbështesin Edi Ramën për qëllime gjeostrategjike, shkon në Putinizëm. Kemi shkuar në monizmin oligarkik. Është regjim fashist ekonomik se ka kapur çdo gjë këtu. Se këtu po të kishte drejtësi sot duhet të vinte kryeministri nga Holanda. Mendoj se në këto momente frenat në dorë i ka pushteti akoma dhe është më i lehtësuar. Por Mafia siç thoshte Borselino është fenomen njerëzor që ka fillimin dhe fundin e vetë.