Aktualitet
Nga marrëdhënia me Metën, akuzat për Ballën dhe Sorosin – Deklaratat e Berishës sot
Kryetari i PD-së dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në konferencën e përjavshme të së premtes nga ku ka deklaruar se në Shqipëri është vendosur sistemi monist.
Ai po ashtu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për një sërë çështjesh, duke nisur nga deklaratat e deputetit të CDU-së Peter Beyer që Gjermania nuk do të bashkëpunojë me një “non-grata”, akuzat e tij për lidhje të Taulant Ballës me bandat e Elbasanit, marrëdhënien me presidentin Ilir Meta, opinionin e tij për presidentin e ri Bajram Begaj e deri tek protestat e vonuara sipas tij nga opozita.
“Rivendoset sistemi monist”
Berisha thotë se në Shqipëri është vendosur sistemi monist.
Duke iu referuar zgjedhjes së presidentit të ri, kreu i PD-së theksoi se kryeministri Edi Rama mori edhe institucionin e fundit që kishte mbetur pa kontrollin e tij.
Jam këtu për të bërë një deklaratë në emër të PD-së. Në Shqipëri vendoset monizmi i plotë.
“PD deklaron se pas zgjedhjeve të datës 6 qershor të vitit 2022 me votën vetëm të PS-së të presidentit të Republikës, Edi Rama vendosi nën pushtetin e tij edhe institucionin e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të tij dhe në vend u rivendos sistemi monist i plotë dhe u varros sistemi demokratik i bazuar në ndarjen dhe balancën e pushteteve të garantuar në Kushtetutën e Shqipërisë.
Kështu sot në Shqipëri për herë të parë pas 31 viteve të gjitha pushtetet pa përjashtim janë në duart e një force politike dhe të një njeriu të vetëm. Kjo ndodh në çdo nivel të pushtetit ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, vendor apo dhe në çdo institucion apo agjenci shtetërore.”- tha Berisha i cili numëroi të gjitha institucionet që sipas tij kanë drejtues të votuar, emëruar dhe zgjedhuar nga një parti e vetme, Partia Socialiste.
Thirrje për BE-në dhe SHBA-të
Ish-kryeministri Berisha i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar, që të ndërpresin çdo mbështetje për regjimin e Edi Ramës.
“PD i bën thirrje miqve të Shqipërisë në Evropë dhe SHBA të ndërpresin cdo mbështetje për regjimin monist të Ramës si një kontribut për vendosjen e sistemit demokratit kushtetues të kontrollit dhe balancave.”– shtoi Berisha.
Ai theksoi se ky “nuk është një regjim monist i Enver Hoxhës, por i Edi Ramës”.
“Soros ndërhyri në politikën e brendshme shqiptare për të më larguar mua”
Berisha e ka akuzuar multimiliarderin George Soros se ka ndërhyrë në politikën e brendshme të Shqipërisë, me qëllimin për ta “eleminuar” atë politikisht.
“Kjo zhbërje e balancës, ngritjes së një sistemi monist në Shqipëri, Rama pati mbështetje të fuqishme të George Soros.
Falë tyre, vuri nën kontrollin e tij, jo vetëm organizatat e Shoqërisë Civile, por edhe drejtësinë. George Soros, përligji grabitjen e votave në zgjedhjet e fundit, ndërhyri në politikën e brendshme me qëllim për të larguar ish-kryeministrin Sali Berisha, për të ndihmuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij të korruptuar.
PD i bën thirrje qytetarëve shqiptarë, të ngrihen për idealet e tyre më demokratike.” – tha Berisha.
“Të ngrihet një front i bashkuar opozitar”
Berisha kërkon ngritjen e një fronti të bashkuar opozitar. Gjatë konferencës së sotme për mediet, ish-kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve që të reagojnë kundër qeverisë së Edi Ramës, që e konsideron si “regjim monist”.
“Soros nëpërmjet deklaratave të njerëzve të tij përligji grabitjen e votës në zgjedhjet e fundit dhe ndërhyri në politikën e brendshme të vendit, për të larguar nga skena politike ish-presidentin dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
PD i bën thirrje shqiptarëve, që të ngrihen në mbrojtje të idealeve të tyre për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi monist i Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe mbështetjen e George Soros.”– tha ai.
Sipas tij, zgjidhja është sot më shumë se kurrë në duart e qytetarëve shqiptarë.
Përgjigja për Beyer
Kreu i PD-së u pyet sot nga gazetarët lidhur me deklaratën e bërë nga raportuesi për Shqipërinë në CDU, Peter Beyer.
“Këtë betejë Sali Berisha nuk e ka nisur me asnjë përkrahje të askujt përveç shqiptarëve. Ju garantoj se çdo ditë ndihem më i motivuar se kurrë nga mbështetja e shqiptarëve. Ju besoj jeni dëshmitarë të kësaj.”- u përgjigj ish-kryeministri.
Kujtojmë se gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, deputeti i CDU-së Peter Beyer theksoi se Gjermania do të qëndrojë krah SHBA-ve në vendimin për të mos bashkëpunuar me persona të shpallur non-grata.
Akuzat për Taulant Ballën dhe lidhjen me bandat e Elbasanit
Gjatë konferencës së sotme për mediet, kreu i PD-së Sali Berisha ka sulmuar kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Ai theksoi se “të vërtetat” që di do ia thotë Ballës në sy në Parlament.
“Provat dhe faktet… Sali Berisha nuk flet pa prova dhe fakte dhe besoj se koha ka faktuar në mënyrën më të përsëritur, Ju garantoj se do ia them në sy në Parlament.
Nuredin Dumani ka disa javë që ka filluar të flasë apo jo. A po më pyet për gjëra konkrete? Po përgjigjem me gjëra konkrete. Unë po them që do ia them në Parlament.
Së treti nuk ka nevojë t’ja jap unë Prokurorisë se Prokuroria i ka të gjitha në dosje. Ti do thuash pse nuk po vepron dhe pse po i fsheh Prokuroria? Kjo është gjë tjetër.
Unë do t’ja them në Parlament sy më sy. Atij dhe cilitdo. Ka opozitë të vërtetë… Çdo gjë dhe shumë të tjera… Ai duhet të tregojë si e shpërbleu Dumanin për ta shpëlarë nga akti i vendosjes së revoles…Ata tregojnë që po e ka vendosur, dyshojnë sepse ky i ka kërkuar të marrin pjesë në fushatën e tij elektorale dhe ai i ka thënë jo.
Revolen ia kanë vendosur në një vend që e shihnin të gjithë…Për revolen e fshehur, pesë vetë janë në burg për këtë. Edhe kuptohet që revolën e kanë vendosur. Po si do e shihnin në një vend të dukshëm një revole krimi? E kanë zor për të gjetur një revole? Se s’mund ta hidhte ai në Shkumbin. Drejtësia vonon, por nuk harron.”- tha Berisha i cili përsëriti se Balla do ketë probleme me drejtësinë.
Krisje me Metën?
Gjatë konferencës për gazetarët, Berisha komentoi firmosjen e dekretit nga presidenti Ilir Meta për Bajram Begajn.
Ai tha se Meta ka bërë detyrën dhe se në Kushtetutë nuk ka asnjë gërmë që ndalon firmosjen e dekreteve jashtë vendit.
“Nuk ka krisje. Kushtetuta e Shqipërisë, në gërmë, nuk ndalon firmosjen e dekreteve jashtë vendit. Por raste unë di që nuk ndodhin. Tani të themi të vërtetën, Presidenti, mund të mos firmoste raundin e katërt, por të pestin nuk e digjte dot. Duhet të ushtronte detyrën Kushtetuese. Pasi ndërhyjnë mekanizma të tjera.
Ai nuk mund të mos ushtronte detyrimin Kushtetues të zhdegradimit, të nxjerrjes në lirim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Nuk ka ndodhur kurrë që të marrësh një ushtarak aktiv dhe ta bësh President, vetëm në rastin e juntave. Presidenti është i detyruar të përmbushë detyrimet Kushtetuese.” – tha Berisha.
“Begaj nuk kërkon këshilla nga unë”
Ish-kryeministri komentoi edhe takimet e ditëve të fundit të presidentit të ardhshëm Bajram Begajt me ish-krerët e shtetit.
Ai tha se mes tij dhe presidentit të ri të zgjedhur nuk mund të ketë takim pasi sipas tij, “ai nuk kërkon këshilla” nga ai.
“Qëndrimi im ishte publik ndaj zgjedhjes së tij. E konsideroj normale që ai nuk kërkon këshilla nga unë se nuk do mirrte atë këshillë që i pëlqente se zgjedhja e tij u shndërrua në firmosjen e regjimit monist.
Ai vërtet për vete mori postin e presidentit, por për shqiptarët monizmi është një mynxyrë.”- tha kreu i PD-së.
“Protestat të vonuara”
Berisha thotë se është shumë i vonuar për zhvillimin e protestave, duke lënë të kuptohet se shumë shpejt, para shtatorit qytetarët do të dalin në rrugë.
Sipas tij, zemrat e njerëzve po “ziejnë”.
“Unë jam i vonuar, shumë i vonuar në artikulimin tim, zemrat e njerëzve po ziejnë, revoltat në zemrat e qytetarëve po ziejnë Lëvizjet janë interesante, nganjëherë u prin, herë e tjera të udhëheqin ato.
Ju them se kërkesa për protesta është universale. PD është e vonuar. Ne i kemi grupet dhe qytetarët, i kemi anëtarësinë dhe grupet e interesit.
Nuk ka asnjë diskutim që do zbatojmë, do jemi në lartësinë e detyrimeve tona ndaj tyre. Qytetarët e kanë të vështirë të presin deri në shtator.”– tha Berisha.
Bojkot komisioneve për reformën zgjedhore dhe atë territoriale
Berisha e bëri të qartë se nuk do të marrë pjesë në dy komisionet parlamentare për reformën zgjedhore dhe atë territoriale.
Ai tha se këto procese janë farse të qeverisë dhe nga të keqshfrytëzuarit e tij, duke iu referuar këtu Gazment Bardhit dhe Enkelejd Alibeajt.
“Të besosh trillimet e Gazmend Bashës është njëlloj si të besosh Lulzim Bashën. Njëlloj. Asnjë iniciativë nuk bllokojmë ne, por mund të them se Alibasha dhe Gazbasha po i shërbejnë me besnikëri të neveritshme Edi Ramës. Të jeni të sigurt, nuk do jetë e largët dita kur do të kuptohen arsyeja si për atë që iku edhe për këta të dy. Por me të qetë dhe avash avash.
Ne nuk marrim pjesë në farsa të organizuara nga Rama dhe të keqshfrytëzuarit e tij. Ne nuk marrim pjesë”– u shpreh ai.
Lobimi i Kokalarit për nxjerrjen e Këlliçit jashtë funksioneve në PD
Berisha u pyet gjithashtu për përplasjen mes Belind Këlliçit dhe Evi Kokalarit, si dhe mbetjen e të parit pa asnjë funksion në PD.
“Nuk jam në favor të asnjë lobimi, as negativ dhe as pozitiv, siç e thatë ju vetë, sot në kohën e smartphone, lobimi varet nga secili njeri.
Sa i takon zotit Këlliçi, ai është një bashkëpunëtor shumë i çmuar i Sali Berishës, që ka dhënë një kontribut të veçantë në përpjekjet e PD për Rithemelimin.
Nuk jam për asnjë lloj lobimi, siç sqaroj edhe se zonja Kokalari, pavarësisht kontributit, vendosi që të mos kandidonte për poste drejtuese në PD.”- u shpreh ai.