Mix
Pse aktori Johnny Depp humbi në Britani, por fitoi në SHBA?
Nga Robinson Levinson-King, BBC
Në vitin 2020, aktori i Hollivudit, Johnny Depp humbi një proces gjyqësor për shpifje në Mbretërinë e Bashkuar kundër gazetës ‘Sun’. Por të mërkurën, ai fitoi një padi të ngjashme kundër ish-bashkëshortes së tij, Amber Heard në një sallë gjyqi në SHBA.
Në fillim të gjyqit të tij të fundit, shumë ekspertë ligjorë sugjeruan se zoti Depp kishte një shans më të dobët për të fituar se sa në Mbretërinë e Bashkuar, sepse SHBA kanë një mbrojtje shumë më të fortë të lirisë së shprehjes.
Fakti që juria zbuloi se zonja Heard ishte fajtore për shpifje me një artikull, në të cilin ajo pretendonte se ishte viktimë e dhunës në familje, do të thotë se ata nuk e besuan dëshminë e saj.
Mark Stephens, një avokat ndërkombëtar i medias, i tha BBC se është shumë e rrallë që në thelb, e njëjta çështje të gjykohet në dy anët e oqeanit dhe të marrë rezultate të ndryshme.
Ai beson se faktori kryesor që ndikoi në fitoren e zotit Depp në Amerikë ishte fakti se gjyqi i tij në SHBA ishte para një jurie, ndërsa gjyqi i tij në Mbretërinë e Bashkuar, mbi një artikull në tabloidin britanik që e quajti atë ‘grua-rrahës’, ishte vetëm përpara një gjyqtari.
“Amber Heard ka humbur tërësisht në gjykatën e opinionit publik dhe para jurisë,” tha ai.
Si në gjyqin e zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar, edhe atë në SHBA, avokatët e Depp argumentuan se zonja Heard po gënjen- për të ngritur çështjen e tyre, ata sulmuan karakterin e saj dhe pretenduan se ajo ishte në fakt partnerja abuzive.
Kjo është një taktikë e zakonshme mbrojtëse në gjyqet e sulmeve seksuale dhe të dhunës në familje, e quajtur Darvo (mohoni, sulmoni dhe kthejeni viktimën në kriminele), tha zoti Stephens.
Kjo strategji i kthen gjërat në krahun tjetër mbi viktimën e supozuar duke e zhvendosur narrativën nga ‘a e ka kryer abuzimin i akuzuari’ në ‘a është viktima e supozuar e besueshme’.
“Ata mohojnë se kanë bërë ndonjë gjë, mohojnë se janë autori i vërtetë dhe sulmojnë besueshmërinë e individit që ka denoncuar abuzimin dhe më pas ndryshojnë rolet e viktimës dhe kriminelit”, tha zoti Stephens.
Në gjyqin e zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar, Stephens tha se gjykatësi e kuptoi këtë strategji dhe hodhi poshtë shumë prova që nuk adresonin direkt nëse zoti Depp kreu sulm apo jo.
“Avokatët dhe gjyqtarët priren të mos bien pre e kësaj strategjie, por ajo është shumë, shumë efektive në rastin e jurive,” tha ai. Burrat kanë më shumë gjasa që të besojnë argumentet e Darvos, por edhe juristet femra janë gjithashtu dyshuese.
“Njerëzit kanë një paradigmë në mendjen e tyre se si mund të jetë një viktimë e abuzimit dhe si mund të sillet ajo, dhe sigurisht të gjithë e dimë se kjo është shpesh e rreme”.
Hadley Freeman, një gazetare e ‘Guardian’ që ka mbuluar të dyja rastet, i tha BBC se një tjetër ndryshim i madh ishte fakti se gjyqi amerikan u transmetua në televizion, duke e kthyer çështjen gjyqësore ‘pothuajse në një garë sportive’.
Çdo kthesë dhe ndryshim në gjyq ndiqej nga miliona njerëz- shumë prej të cilëve iu drejtuan medieve sociale për të shprehur mbështetjen e tyre për zotin Depp.
Në TikTok, hashtagu ‘Drejtësi për Johnny Depp’ mori rreth 19 miliardë shikime. Juria u udhëzua që të mos lexonte për çështjen në internet, por ata nuk u sekuestruan dhe u lejuan të mbanin telefonat e tyre.
Zonja Freeman gjithashtu mendon se reagimet e ashpra të publikut kundër zonjës Heard i ngjanin përplasjeve gjatë lëvizjes MeToo.
“‘Besoni gratë’ duket se ngjan si një kohë shumë e largët kur bëhet fjalë për Amber Heard,” tha ajo.