Lidhu me ne

Mix

Aknet dhe puçrat, ja zgjidhja!

Aknet janë manifestim i hershëm i periudhës së pubertetit. Kjo patologji shfaqet, si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat dhe pas adoleshencës ka tendencën të vetë – limitohet. Ajo prek më shumë zonat ku numri dhe madhësia e gjendrave të yndyrës është më e madhe. Përkatësisht këto zona kanë të bëjnë me fytyrën, kurrizin, kraharorin dhe krahët. Mjekja Dermatologe. Erisa Alia bën me dije se aknet janë të trashëguara dhe se është e pamundur të parashikohet se cilët pjestarë do ta trashëgojnë dhe në çfarë grade do ta zhvillojnë atëSipas Dr. Alia personat që preken nga aknet kanë prodhim yndyre më të lartë nga ata që nuk zhvillojnë patologjinë, ndonëse cilësia e sebumit (yndyrës) është e njëjtë.

Përdorimi i antibiotikëve është armë e fortë kundër kësaj patologjie, por jo çdo akne ka nevojë për antibiotikë. Kujdes i veçantë duhet të tregohet edhe në përdorimin e produkteve kozmetike, pasi në shumicën e rasteve veprohet në mënyrë të gabuar.

Çfarë janë aknet?

Akne (Acne Vulgaris) është patologji e njësisë pilosebace (gjendrës së yndyrës) e cila shfaqet në meshkuj dhe femra kryesisht rreth moshës së pubertetit dhe ka tendencën të vetë – limitohet në fund të adoleshencës. Ajo prek më shumë dhe është më intense në zonat ku numri dhe madhësia e gjendrave të yndyrës është më e madhe (fytyrë, kurriz, kraharorë, krah). Intensiteti dhe kohëzgjatja e patologjisë varion nga një pacient në tjetrin. Format më të rënda të aknes shfaqen kryesisht tek meshkujt, por sëmundja ka tendencën të jetë më persistente tek femra të cilat mund të kenë dhe përkeqësim periodik përpara periudhës së ciklit.  Haset më shpesh në vendet e industrializuara madje aq shpesh sa ka filluar të konsiderohet “fiziologjike”. Akne është shpesh një manifestim i hershëm i pubertetit; tek pacientët më të rinj elementet e parë janë vetëm komedonet. Shfaqja e elementëve akneik tek vajzat e reja mund të paraprijnë menarkën (ciklin e parë menstrual) për rreth 1 vit. Por akne nuk zhduket në moshën 20 vjeçc madje mund të vazhdojë edhe përtej të 40 – ave.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në krijimin e akneve?

Patogjeneza (zhvillimi i patologjisë /sëmundjes) e aknes është shumëfaktoriale. Faktori i parë është hiperproliferimi epidermal folikular i cili çon në krijimin e lezioneve primare të aknes, mikrokomedonet. E thënë në mënyrë të thjesht, ndodh një trashje e lëkurës rreth pores ku hapet gjendra e yndyrës duke e bllokuar atë. Ky bllokim çon në grumbullim të yndyrës, baktereve dhe keratinës në folikul. Mendohet që faktorë thelbësor nxitës të hiperproliferimit folikular janë hormonet androgjenike (mashkullore). Pikë kyçe në zhvillimin e aknes është mbiprodhimi i yndyrës. Edhe në këtë pikë hormonet androgjenike (sidomos forma më aktive, DHT) ndikojnë duke nxitur aktivitetin e qelizave që prodhojnë yndyrë. Është vënë re që personat me akne kanë nivel më të rritur në gjak të këtyre hormoneve (ndonëse mund të jenë brenda normës) krahasuar me personat e paprekur nga akne. Masa e grumbulluar nën poren e bllokuar distendohet duke çarë murin e folikulit duke nxitur një përgjigje inflamatore shumë të shpejtë e cila ndryshon dukshëm klinikën e aknes. Elementi i katërt në patogjenezë është i famshmi Propionobacterium acnes i cili është një “banor” normal i florës së gjendrës yndyrore. Ky bakter stimulon fuqishëm molekulat proinflamatore duke shtuar më tej inflamacionin. Adoleshentët me akne kanë përqendrim më të lartë të këtij bakteri se adoleshentët që nuk vuajnë nga aknet duke qenë se ai proliferon në terrenin e yndyrës së shtuar. Gjithsesi nuk ka një lidhje të drejtë midis ngarkesës me këtë bakter dhe gradës së patologjisë. Duke qenë se përmenda që P. acnes është banor normal i florës së lëkurës dhe gjendrës së yndyrës nuk ka kurrëfare vlere diagnostike antibiograma e pusit (ose siç e njohin ndryshe mbjellja e qelbit)

Janë të trashëguara aknet?

Akne është padyshim një patologji e trashëguar. Është gjithsesi e pamundur të parashikohet se cilët pjestarë do ta trashëgojnë dhe në çfarë grade do ta zhvillojnë atë. Ndonëse tipikisht patologji e adoleshencës aknet hasen kohët e fundit shpesh edhe tek adultët (sidomos tek femrat). Aknet e adultit ndryshe nga aknet e adoleshencës, të cilat kanë natyrë endogjene (krijuar nga faktorë të brendshëm), janë shpesh me natyre ekzogjene (nxitur nga faktorë të jashtëm). Tipikisht aknet e adultit i shohim më shpesh tek femrat.

Aknet kanë më shumë mundësi përhapje në fytyrat e yndyrshme?

Aknet zhvillohen padiskutim në një lëkurë mikse të yndyrshme me tendencë akneike. Personat që preken nga aknet kanë prodhim yndyre më të lartë nga ata që nuk zhvillojnë patologjinë, ndonëse cilësia e sebumit (yndyrës) është e njëjtë. Nuk ka përse të krijohen dhe të zhvillohen element akneik mbi një lëkurë të thatë.

Sa ndikojnë produktet kozmetike në krijimin e akneve?

Akne e adultit njeh si shkaktarë kryesor dhe faktorë agravues mirëmbajtjen e gabuar. Përdorimi i produkteve kozmetike të gabuara dhe agresive ndaj lëkurës e bën zhvillimin e aknes shumë të lehtë dhe persistencën e elementeve më të gjatë. Po permend disa gabime që hasim shpesh në praktikë: larja e shpeshtë e fytyrës– nuk është e rekomanduar për lekurat mikse të yndyrshme me tendencë akneike, mjafton larja e fytyrës një herë në ditë me një produkt specifik për fytyrën; përdorimi i një larësi jo agresiv – është esencial, sepse larësit agresiv heqin shtresën e nevojshme të yndyrës në lëkurë dhe për më tepër nxisin gjendrat e yndyrës të mbiprodhojnë yndyrën e hequr më shpejtë, duke nxitur formimin e akneve. Këshillë, kërkoni në paketën e produktit larës të fytyrës shënimin “Joagresiv” dhe “Nuk përmban SLES / SLS”përdorimi i qumështit pastrues – nuk është aspak i rekomandushëm për lëkurat mikse të yndyrshme me tendencë akneike e aq më pak për ato akneike; kremin e duhur hidratues dhe mbrojtës – zgjidhini gjithmonë specifik për lëkura mikse të yndyrshme me tendencë akneike.

Cilat janë ushqimet që nxisin aknet?

Akne dhe Dieta – Në vendet perëndimore akne prek 95% të adoleshentëve dhe persiston në 12% të femrave dhe 3% të meshkujve të moshës së mesme. Dieta e pasur me karbohidrate (hiperglicemike) nxit një sërë ndyshimesh hormonale të cilat shkaktojnë akne. Niveli i lartë i sheqerit në gjak mund të shkaktojë mbiprodhim të yndyrës.  Dietat me indeks të ulët glicemik të cilat përfshijnë kryesisht frutat dhe perimet mund të jenë një variant trajtimi për personat me akne.

Miti i famshëm i çokollatës dhe puçrave nuk duhet t’ju trembë më, por nga ana tjetër qumështi agravon elementët akneik prezent.

Cilat janë zonat më të prekura të trupit?

Gjendrat e yndyrës gjenden në të gjithë trupin përveç pëllëmbës së dorës, shputës e kurrizit të këmbës dhe buzës së poshtme. Por ato janë më të mëdha dhe më të shumta në fytyrë, kraharor, kurriz dhe pjesën e sipërme e të jashtme të krahëve, të cilat janë edhe zonat tipike të zhvillimit të akneve.

Çfarë e shkakton pezmatimin e rëndë të aknes?

Manipulimi i kujdesshëm i pustulave (puçra me qelb) deri diku është i rekomandueshëm ndërsa shtypja me forcë e tyre apo gërricja e koreve mund të shkaktojnë krijimin e cikatriçeve permanente. Stresi është një faktor agravues i rëndësishëm duke qenë se çon në rritjen e hormoneve të gjendrës mbiveshkore të cilët çojnë nga ana e tyre në rritje të aktivitetit të gjendrave të yndyrës.

Si trajtohen aknet?

Trajtimi kundër akneve është shumëplanësh. Ka një sërë klasash farmakologjike që përdoren për të luftuar situatën. Duhet të theksoj që duke qenë se vetë patologjia zgjat me vite edhe terapia shpesh është afatgjatë. Të gjithë pacientët duhet të këshillohen që duhet të bëjnë durim dhe në fakt ndonjëherë edhe duhet të pranojnë faktin që aknet mund të mbahen nën kontroll, por nuk mund të kurohen. Kujdesi bazë për lëkurën (i referohem këtu asaj të fytyrës) është pikë thelbësore në trajtimin e akneve. Larja dhe hidratimi duhet të bëhen me një xhel dhe një krem të përshtatshëm për këtë tip lëkure e cila ka tendencë të krijojë akne. Do t’ju rekomandoja dhe një maskë scrub 1 – 2 herë në javë për të ulur keratinizimin folikular (bllokimin e poreve).

Trajtimi me preparate farmakologjike gjithmonë duhet të rekomandohet nga një mjek Dermatolog pasi të jetë vlerësuar nga afër tipi i lezioneve, përhapja e tyre, zonat e prekura, grada e inflamacionit dhe efekti psikosocial që shkakton prezenca e tyre tek pacienti. Pacientët të cilët paraqesin të njëjtët elementë gjithsesi mund të mos përgjigjen njësoj ndaj mjekimit. Për të arritur tek skema e duhur për pacientin shpesh nuk është e mjaftueshme vetëm një vizitë.

A këshillohet përdorimi i antibiotikëve për aknet?

Padyshim që antibiotikët janë një armë e fortë kundër patologjisë së aknes, por jo të vetmit. Antibiotikët gjejnë përdorim si lokalisht ashtu edhe si terapi nga goja. Ato veprojnë duke ulur mbiprodhimin e bakterit  P. acnes dhe duke ulur inflamacionin. Mënyra se si duhen dhënë, kohëzgjatja dhe skema e mjekimit duhet të rekomandohet nga Dermatologu bazuar në gradën e patologjisë dhe gjatë kohës së marrjes së tyre pacienti duhet të vazhdojë të mbahet nën kontroll nga mjeku. Dua të ndalem në dy gabime që vihen re shpesh në terapinë anti – akne:  Jo çdo lloj akne ka nevojë detyrimisht për antibiotikë dhe  kurrë nuk duhen dhënë njëkohësisht në terapi një antibiotik lokal dhe një antibiotik sistemik.

Si mund të largohen shenjat e lëna nga aknet?

Shumë pacientë janë të vetëdijshëm për lezionet permanente që mbeten pas akneve, aq sa disa janë të gatshëm të kryejnë çdo proçedurë për të eleminuar edhe shenjat më të vogla. Cicatrizimi mund të jetë komplikim si i lezioneve të lehta jo inflamatore, ashtu edhe i formave të rënda inflamatore. Tipikisht vihen re gropëza të vogla me thellësi të ndryshme deri në dermë, gropëza më të mëdha dhe cikatriçe hipertrofike (të ngritura). Proçedurat e peeling, dermabrazionit dhe laserterapia janë të rekomandueshme për të minimizuar këto lezione, për t’i bërë ato më estetike, por për të qenë transparent mund të mos i eleminojnë 100%.  Zhdukja definitive (sidomos e lezioneve shumë të thella dhe ose shume hipertrofike) do ishte më e mundur të arrihej pas një proçedure kirurgjikale.

TV KLAN

MË TEPËR

Mix11 orë më herët

Ekspozita e Huntington, paralajmërimet e ndryshimit të klimës në pikturat e shekullit të 19-të

Një ekspozitë e re në Bibliotekën Huntington, Muzeun e Artit dhe Kopshtin Botanik, afër Los Anxhelosit, titulluar “Storm Cloud: Picturing...

Mix11 orë më herët

Pedro Pascal prezanton ‘Gladiator 2’ bashkë me motrën e tij trans

Lux zgjodhi një fustan të zi me një bisht të gjatë dhe një prerje shumë të guximshme anash. Pedro dhe...

Mix11 orë më herët

Çfarë do ndryshojë me ardhjen e Trusk (Trump + Musk)

Pasi komunikimi është dobësuar, gjyqësori është frenuar, intoleranca është përhapur dhe legjitimuar me fjalë që deri dje nuk thuheshin, ne...

Mix11 orë më herët

Arra apo bajame, cilat janë më të mira për shëndetin?

Kur bëhet fjalë për frutat e thata, arrat dhe bajamet janë ndër varietetet më të vlerësuara, si në kuzhinë ashtu...

Mix11 orë më herët

Cili është ndryshimi midis Miss Universe dhe Miss World?

Një nga konkurset më të rëndësishme të bukurisë në botë do të zhvillohet këtë fundjavë. Kjo është Miss Universe. Konkursi,...

Mix11 orë më herët

Ana e errët e rinisë së përjetshme

“Njerëzit gjithmonë duan diçka të re. Është e pashmangshme. Dhe në të pesëdhjetat, gjithçka ka mbaruar”. Me këto fjalë në...

Mix11 orë më herët

Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?

Nëse sapo keni mbaruar filxhanin e kafesë dhe po përjetoni disa simptoma si nervozizëm ose shtim të rrahjeve të zemrës,...

Radar11 orë më herët

Princ Leka, edhe dajak edhe burg!

E papritur: Prokuroria kërkon dënimin me 1 vit e 6 muaj për Princ Lekën! 6 muaj për Elia Zaharinë dhe...

Mix13 orë më herët

Tensioni i ulët, çfarë duhet të hani?

Presioni normal i gjakut për shumicën e njerëzve është zakonisht nën 120/80 mm Hg. Nëse keni tregues nën 90/60 mm...

Mix13 orë më herët

Çfarë është Kolagjeni? Përfitimet shëndetësore

Kolagjeni është një proteinë strukturore thelbësore për lëkurën, kockat dhe indet lidhëse. I diskutuar shpesh për kujdesin e lëkurës, kolagjeni...

Facebook