Radar
Deklaratat e Berishës sot
Ish-kryeministri Sali Berisha doli në konferencën e përjavshme për mediat, që e mban çdo të premte, ku ka komentuar dhe operacionin e SPAK të finalizuar me 18 arrestime.
Ai foli edhe për vizitat e zyrtarëve të huaj në vendin tonë, si vizita e javës së kaluar e ish-sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo. Komentoi vizitën e kreut të Këshillit të Evropës Charles Michel, por dhe deklaratat e djeshme të deputetit gjerman Gunther Krichbaum gjatë një interviste për DW.
Berisha komentoi edhe emrat e fundit që kanë qarkulluar si kandidatë për presidentë, ndërsa nuk la pa prekur as çështjen e gjyqit të tij në Francë të nisur kundër Antony Blinken për shpalljen e tij “non grata”.
“Operacioni i SPAK-ut një blof i madh”
Berisha e ka cilësuar blof këtë operacion, pasi siç shprehet ai “u kapën vetëm ushtarët” dhe “bosët” janë ende në arrati.
“Një blof i madh mbushi dje faqet e mediave digjitale e të shkruara dhe studiot televizive. Një operacion që ishte disfatë dhe që u shpall sukses i madh në të cilën nga 32 urdhër-arresti janë realizuar gjithësej 7-8 ushtarë, ndërsa bosët që të gjithë u larguan pasi u njoftuan në drejtime të pa ditura. Pse them unë u njoftuan? Nuk kam të dhëna që morën mesazhe, telefonata nga narko-policia apo institucione të tjera.”- tha Berisha.
Sipas Berishës, ky njoftim i SPAK-ut ishte shumë i qëllimshëm sepse “çdo bos prapa çdo bosi” sipas tij është një qeveritar.
“E përshëndes Michel, por Rama po trillon”
Berisha ka komentuar vizitën e presidentit të KiE-së Charles Michel dhe takimin e tij me Edi Ramën.
Nga kjo konferencë, Berisha i bëri thirrje Bashkimit Europian që të nisë hapja e negociatave me Shqipërinë.
Megjithatë sipas tij kryeministri Rama po trillon kur thotë se shkaku që ende nuk janë hapur negociatat është Bullgaria. Sipas tij është muri i krimit, i vjedhjeve, i drogës ato që qëndrojnë si faktorë që mbyllin dyert Shqipërisë për hapjen e negociatave.
“Sot në Shqipëri është Presidenti i KE, unë e përshëndes vizitën e tij, një vizitë është mbështetje, por përpjekje e Ramës për të paraqitur murin bullgarë si pengesë për hapjen e negociatave janë fund e krye trillim. Nuk është muri bullgarë, por muri i krimit, i vjedhjeve, i drogës ato që qëndrojnë në të vërtetë si faktor që mbyllin dyert Shqipërisë për hapjen e negociatave.”– tha ish-kryeministri.
“Nuk kërkova takim me Pompeon”
Berisha foli dhe për vizitën e ish-sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo pak ditë më parë në Tiranë.
Ai theksoi se nuk ka kërkuar takim me Pompeon për shkak të parimit që ka për të mos kërkuar kurrë të takojë një person që nuk ka ardhur për të.
“Sali Berisha kurrë nuk ka kërkuar të takojë një person që vjen në Shqipëri dhe ai vetë nuk kërkon ta takojë Sali Berishën. Ky është ligj i hekurt i imi. Kush vjen në Shqipëri, po të dojë kërkon, po të dojë nuk kërkon. Por unë nuk kam bërë kurrë asnjë përpjekje të kërkoj asnjë takim me ish-sekretarin e nderuar Mike Pompeo.
Pompeo me dorën e tij bëri vetëm një njoftim. Udhëtova në Shqipëri për t’u takuar me MEK. Ishte kënaqësi u shpreha mbështetjen. Nuk tha asnjë fjalë as për 100 vjetorin, as për takimin me kryeministrin. Dhe për asgjë tjetër. Mendoj se ai Tëitter shpreh gjithçka për udhëtimin e tij dhe mbi të gjitha dhe dështimin e atyre që u përpoqën të manipulojnë një vizitë që kishte atë qëllim.”- deklaroi Berisha.
“Ina Rama dhe Ardian Dvorani janë për ndjekje prenale, jo për Presidentë”
Gjatë kësaj konference Berisha u pyet nga gazetarët në lidhje me emrat që kanë qarkulluar si kandidatura për President, duke veçuar ish-kryeprokuroren Ina Rama dhe ish kreun e KED-së, Ardian Dvorani. Por sipas Berishës ata janë për ndjekje penale dhe jo për t’u emëruar në krye të Presidencës.
“Që të dy pa përjashtim janë subjekt ndjekjeje penale për veprimtarinë e tyre në detyrë.
Ardian Dvorani ka fshehur 82 mijë euro. Ardian Dvorani ka kontratën e apartamentit për 92 m2 në një kohë kur na rezulton 128 m2. Dvorani ka deklaruar se Albtelecom i ka paguar 17 mijë euro të detyrimeve që ky kishte për apartamentin e tij e mbrapa Albtelecom, ky si kryegjyqtar ka dhënë 9 vendime kundër agjencive shtetërore në favor të Albtelecom privat për t’i shpërblyer 17 mijë eurot. Ai është simboli më i nxirë i korrupsionit të gjyqësorit.
Ina Rama mori pjesë aktive në puçin që dështoi më 21 janar. Ajo ndërmori një akt të dekapitimit të Gardës të zinxhirit të komandës me qëllimi e vetëm që dështimi i fazës së parë të kishte sukses në fazën e dytë, pra ka kryer veprimtari antikushtetuese që nuk parashkruhet kurrë. Këto janë komentet e mia për këtë zonjë e këtë zotëri.”- tha Berisha.
Berisha i përgjigjet deputetit gjerman: Ti nuk mund të ndërhysh
Berisha iu përgjigj deklaratave të djeshme të deputetit gjerman të CDU-së duke i thënë se nuk mund të ndërhyjë në proceset e lira të një partie simotër.
“Ai ishte angazhim personal. Unë në qëndrimet personale të individëve nuk ndërhyj. Komenti im është keqardhje që një deputet i CDU-së i lejon vetes ose mendon se mund të ndërhyjë në një process të lirë te një parti simotër. Aq më tepër kur ai e bën këtë bazuar në një vendim të faktuar tashmë universalisht se është marrë nga lobimi korruptiv i Soros dhe Ramës. Duke thënë këtë dhe nuk e quaj një zgjedhje të goditur nga ana e tij. Ftoj zotin Krishbaun të ndërmarrë një hetim në arkivat e shtetit të tij për gjetur një fakt të vetëm për të faktuar shpifjet e Soros.”- u shpreh Berisha.
Kujtojmë se deputeti Gunther Krichbaum deklaroi dje se nëse PD-ja do t’i rikthehet të djeshmes, duke nënkuptuar rikthimin e Berishës si kryetar, ai do të angazhohet në pezullimin e kësaj force politike nga PPE-ja.
“Ka dy faktorë kundër dhe pro meje në gjyqin me Blinkenin”
Berisha ka folur për procesin gjyqësor që ka nisur në Francë kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Blinken lidhur me shpalljen e tij “non grata”.
Ai tregoi dy faktorë që janë kundër këtij procesi, që ka të bëjë me faktin se as ai dhe as Blinken nuk janë shtetas francezë dhe as shtetas të BE-së.
“Gjyqin në francë po e ndjek me shumë angazhim avokati im që i kam dhënë besimin e plotë. Por ka faktorë pro dhe kundër meje. Kundër është fakti se as unë dhe as sekretari i shtetit nuk jemi shtetas francezë, por tani mund të them edhe diçka më shumë se nuk jemi shtetas të BE-së. Nuk është në favor edhe fakti që Sekretari i Shtetit është personalitet me imunitet.
Në favor timin janë dy faktorë: në një parim ndërkombëtar, nuk mund të them se është një ligj i sanksionuar ga OKB, por në parim ndërkombëtar shpifja dënohet aty ku del. Edhe në Shqipëri mund të dënohej. Po imagjinoni ju të hapësh gjyq në Shqipëri? Pra shpifja dënohet aty ku del, aty ku njerëzit e dëgjojnë, e lejojnë dhe ku ti je viktimë e shpifjes. Së dyti padiskutim Sekretari i Shtetit është njeri me imunitet dhe kjo s’mund të mohohet, por shpifja në themel nuk hyn në veprimtaritë zyrtare.”– tha ai.
Megjithatë Berisha theksoi se do vijojë të këshillohet me avokatin dhe do shohë hapësirat e tjera duke ndjekur dy rrugë, rrugën ligjore gjyqësore dhe rrugën e Transparencës. Ai theksoi se janë sot mbi 45 publikime në mediet e SHBA-ve dhe vende të tjera, të cilat kanë faktuar se nuk ekziston asnjë provë kundër tij. Sipas Berishës e gjitha është politikë. “Pra është përdorur ligji në qëllime politike bazuar në shpifjet e George Sorosit dhe Edi Ramës.”- shtoi ai.