Lidhu me ne

Radar

Plani ‘top sekret’ për Butrintin: Rritje e çmimit të biletës, katering dhe 140 mijë USD në vit për menaxhimin

Plani ‘top sekret’ për Butrintin: Rritje e çmimit

Një plan i qeverisë shqiptare për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit si një fondacion, parashikon rritje të çmimit të biletës për vizitorët si dhe krijimin e të ardhurave nga shërbimi i kateringut, me synimin final të punësimit të 44 personave me paga më të larta se sa standardet e zakonshme të administratës publike si dhe krijimin e një bordi që do të kushtojë rreth 140 mijë USD në vit, nën supozimin se një menaxhim i tillë do të përmirësojë eksperiencën e vizitorëve në të.

Plani i biznesit u mbajt fillimisht ‘sekret’ nga qeveria, për arsye se, sipas asaj që deklaroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, të dhënat financiare “mund të keqinterpretohen”.

Pasi media dhe opozita ngriti pikëpyetje se pse çështja e menaxhimi të trashëgimisë kulturore të vendit duhet të bëhet me kontrata sekrete, Kuvendi publikoi të mërkurën në mbrëmje një version të plotë të draft-marrëveshjes në faqen e internetit.

Kontrata midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit parashikon zhvillimin e parkut kombëtar për shërbime turistike, duke investuar në restorante dhe një shërbim vozitje me varka, si dhe sigurimin e të ardhurave nga shitja e biletave, e ushqimeve dhe pijeve.

Plani i biznesit është përgatitur nga një kompani angleze në vitin 2019, kompani që është kontraktuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan. Ky i fundit është një korporatë jofitimprurëse e regjistruar në Delaëare të Shteteve të Bashkuara dhe që ka aktivitete të ndryshme ekonomike në Shqipëri, përfshirë një paketë minorance në koncesionin shumë fitimprurës të prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, koncesion që është në gjendje të paguajë për aksionerët e vet dividentë çdo vit me vlerë disafish mbi kapitalin e investuar.

Plani i biznesit për menaxhimin e Butrinit nuk parashikon të jetë kaq fitimprurës, por gjithsesi ai parashikon që fondacioni të realizojë kthime me mbi 15% në vit mbi vlerën e investimit, me synimin final që kur të jetë plotësisht operacional, të realizohet një fitim prej 1.5 milionë USD në vit. Gjithsesi Fondacioni Shqiptaro-Amerikan nuk do të përfitojë të ardhura nga aktiviteti i Butrintit, pasi fitimet do t’i mbesin fondacionit të Butrintit.

“Nevojitet një investim kapital total prej 7.52 milionë USD, nga të cilat 39% do të shpenzohen për konservimin e sitit dhe 61% për ndërtimin e strukturave të reja për vizitorët dhe stafin,” thuhet në planin e biznesit të parë nga BIRN.

“Projekti në tërësi gjeneron suficit operativ vjetor në Vitin 3 dhe suficit të akumuluar në Vitin 7 ku ai operon me fitim prej afërsisht 1.5 milionë USD në vitin pasardhës,” shkruhet më tej në planin e biznesit.

Plani parashikon investime prej 7.1 milionë USD, nga të cilat, 4.99 milionë USD do t’i investojë Fondi ndërsa 2.1 milionë do t’i investojë qeveria me paratë e taksapaguesve. Plani i biznesit parashikon shtimin e të punësuarve në parkun arkeologjik nga 14 që janë aktualisht në 44.

Rritje çmimi biletash

Butrinti është sakaq një operacion praktikisht shumë fitimprurës për qeverinë shqiptare. Sipas të dhënave të planit të biznesit, Butrinti është vizituar nga rreth 236 mijë vetë në vit para pandemisë, të cilët kanë paguar bileta me vlerë rreth 900 mijë dollarë. Butrinti ka aktualisht një staf prej 14 vetësh me fond vjetor pagash prej 88 mijë USD në vit, ndërsa pjesa tjetër e parave janë në Ministrinë e Kulturës, shuma e akumuluar prej tyre do të duhet t’i transferohet fondacionit të ri.

Plani i ri i qeverisë është që, pas transferimit të menaxhimit te fondacioni, çmimi i biletës të mund të rritet nga 6 në 11 USD përgjatë një periudhe shtatëvjeçare, gjë që do të sjellë shumicën dërrmuese të të ardhurave shtesë si dhe fitimet me vlerë 1.5 milionë USD në fund të vitit të shtatë. Edhe investimet e planifikuara do të paguhen pjesërisht nga të ardhurat operacionale. Plani i biznesit parashikon që numri i vizitorëve të rritet deri në 296 mijë vetë, ndërsa supozon se Butrintit do t’i duhen edhe pesë vite nga sot që të arrijë numrin e vizitorëve të para pandemisë.

Plani i biznesit parashikon gjithashtu se shërbimi i pijeve dhe ushqimeve, të cilave ai u refereohet si “shërbimi i kateringut”, të sigurojë të ardhura vjetore prej 296 mijë USD.

Në total, nga viti i shtatë i operimit, falë rritjes së çmimit të biletave dhe rritjes së pritshme të vizitorëve, fondacioni do të sigurojë të ardhura me vlerë 3.7 milionë USD në vit, nga të cilat, 1.5 milionë do të jenë fitime neto.

Plani i biznesit bën të qartë se transformimi i menaxhimit të Butrintit nga sistemi aktual në një fondacion, do të mundësojë çlirimin nga kufizimet ligjore si dhe rritjen e pagave.

Plani i biznesit thekson se rreziku që ndëmarrin investitorët në kryejen e këtij investimi është i ulët për shkak se vizitorët do të kthehen gjithsesi në Butrint pas pandemisë dhe për rrjedhojë, do të vijojnë të paguajnë biletat e hyrjeve.

Kontrata e menaxhimit do të zgjasë për 10 vjet me të drejtë rinovimi. Në rast se ajo nuk rinovohet, fondacionit do t’i mbesin në fund të vitit të dhjetë rreth 4.5 milionë dollarë fitime neto. Këto fitime, sipas marrëveshjes, nuk do të shpërndahen, por do të mbahen nga fondacioni.

Marrëveshja parashikon gjithashtu që bordi i drejtorëve të fondacionit, një institucion me pesë vetë, nuk do të marrë paga, por atyre do t’u mbulohen shpenzimet për vete dhe një staf ndihmës prej pesë vetësh me një kosto të përgjithshme prej 140 mijë dollarësh në vit.

Aktualisht bordi i fondacionit drejtohet nga ministrja e Kuturës Elva Margariti si kryetare, drejtuesit e Fondi Shqiptaro-Amerikan, Martin Mata dhe Aleksander Sarapuli, juristja Flonja Boriçi, si dhe Presidenti i Universitetit Amerikan të Romës  Richard Andreë Hodges. Drejtues ekzekutiv i fondacionit është emëruar arkeologu Lorenc Bejko./ BIRN

MË TEPËR

Mix23 orë më herët

Për forcimin e kujtesës – Produktet që ju duhen çdo ditë

Ju ndodh shpesh të harroni ku keni vënë çelësat e shtëpisë, makinës, telefonin apo syzet , ndonëse më pas zbuloni...

Mix23 orë më herët

Paraliza e gjumit: Çfarë është, pse ndodh dhe si mund ta shmangni?

Paraliza e gjumit është një përvojë e frikshme që shumë njerëz e kanë përjetuar të paktën një herë në jetë....

Radar23 orë më herët

Berisha fton Shpëtim Idrizin në koalicion, përjashton Bashën: Është me Taulant Ballën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se do të zhvillojë negociata serioze me Shpëtim Idrizin për të krijuar...

Radar23 orë më herët

Altin Dumani: Askush të mos ketë frikë, për sa kohë është në përputhje me ligjin

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani është shprehur se askush nuk duhet të ketë frikë nga ngritja e...

Kryesore24 orë më herët

Rama: Do ta bëj Albanian shtetin e ri të BE në 2030!

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur të gjithë kritikëve që i kërkojnë që të largohet, por thekson se nuk ik...

Radar24 orë më herët

Kolegji privat merr masat, njofton policinë pas një e-maili. Hetimi i krimit kibernetik po punon për identifikimin e autorëve.

Policia ka reaguar pas alarmit për bombë në shkollën private “Turgut Ozal”, ku në një email dërguar sekretarës shkruhej “do...

Mix1 ditë më herët

Apple prezanton iPhone 16e/ Prodhimi i ri me inteligjencë artificiale

Apple ka prezantuar një iPhone të rim i cili sjell veçoritë e inteligjencës artificiale (AI) me një kosto më të...

Mix1 ditë më herët

Anne Frank: Unë besoj ende se njerëzit kanë zemër të mirë…

“Vërtet është për t’u habitur, sesi nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia, sepse duken shumë absurde...

Mix1 ditë më herët

Si të bëheni një folës i shkëlqyer në publik?

Pse të flasësh në publik është e rëndësishme? Të folurit në publik është një aftësi që sjell përfitime të shumta....

Mix1 ditë më herët

Pse disa njerëz e kanë më të lehtë të kujtojnë ëndrrat sesa të tjerët?

Është e vështirë të jetosh ëndrrat e tua — veçanërisht kur nuk mund t’i kujtosh ato. Dream recall është aftësia...

Facebook