Temporal
Jusuf Vrioni, aristokrati mbi bankën e torturave të komunizmit
Varje në tavan me 35 kg zinxhirë në qafë. Lidhje e këmbëve dhe duarve, kalimi i një trau mes tyre dhe goditje mbi trupin e pambrojtur. Elektroshok. Duket sikur vetëm një trill mund t’i takonte këto tortura mesjetare me një njeri si Jusuf Vrioni të njohur për elegancën, kulturën dhe butësinë e tij. E megjithatë kjo është e vërteta e shëmtuar që diktatura komuniste shkroi mbi pjesën më të madhe të jetës së një prej intelektualëve dhe përkthyesve unikalë të Shqipërisë, duke e torturuar, burgosur dhe detyruar me punë të rënda për 12 vite dhe duke e lënë në anonimat për pjesën tjetër të saj
Pas 12 vitesh burg, djaloshi që kishte frekuentuar elitat e Parisit dhe Romës, tashmë 43-vjeçar, i shoqëruar nga e ëma, merr rrugën drejt Fierit, ku gruaja e gjorë, bashkëshortja e ish-kryeministrit dhe diplomatit, Iliaz Vrioni, jetonte pas arrestimit të të birit, në një barakë pa tavan e dysheme.
Ishte në një nga ato ditët e njëllojta të internimit, kur intelektuali i dashuruar me muzikën, sportin, letërsinë dhe gjithçka të bukur, tashmë thuajse pa asnjë mundësi për të shijuar jetën siç dinte dhe donte ai, shkon të shohë filmin që shfaqej atë kohë në Fier, “Roma città aperta”. Plagët dhembin më shumë kur ftohen. Edhe për ato shpirtëroret, një çast i veçantë sjell temperaturën e skajit të ndjeshmërisë. Ky çast, që në një farë mënyre e ndërgjegjësoi plotësisht Jusuf Vrionin për gjendjen ku ndodhej, pakthyeshmërisht larg së kaluarës që kishte jetuar, ishte shfaqja e Anna Magnani-t në ekranin e kinemasë. Aktoren e njohur italiane, Jusufi e kishte takuar në Romë, gjatë luftës, kur ajo ishte ende në fillimet e karrierës së saj dhe i kujtohej t’i kish thënë se do të bëhej një zonjë e madhe e kinemasë. Dhe ja ku ishte ajo tani! Ndërsa ai, pasi e kishte lënë jetën e bukur të Romës, pas asaj të Parisit dhe Londrës, ishte kthyer në Shqipëri me shpresën që do të angazhohej në diçka të vërtetë e me vlerë, por e kishte gjetur veten shumë shpejt në birucat më famëkëqija të Shqipërisë që mbanin emrin e Koçi Xoxes, ministrit që kishte urdhëruar ndërtimin e tyre. Pastaj burgun e Burrelit, pastaj kampet e punës së Beratit, Rinasit, Shtyllasit e Radostinës. Dhe ja ku ishte tani! E vështirë të kuptonte cila ishte e vërtetë: jeta para vitit 1947, apo ajo pas. E pamundur që ishin që të dyja!
Jusufi i ri, i lindur në Korfuz dhe i rritur në Francë ku i ati ishte ministër fuqiplotë i Zogut, qëndroi në Paris edhe pasi Iliaz Vrioni u nda nga jeta. Ai i kreu studimet e larta në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe Institut d’Études Politiques, ku formoheshin elitat franceze, ndërkohë që frekuentonte lokalet me orkestra muzikore dhe hollet e hoteleve luksoze, ku i ndodhi të takojë dhe Coco Chanel.
Për shkak të dijeve dhe shkollimit, mjedisit familjar e kulturor që e kishte rrethuar që në lindje, madje që më parë, ai u bë një përfaqësues i mirëfilltë i elitave intelektuale evropiane të viteve ’30, aq sa kur shkoi në Romë, do të kthehej në një standard për rrethin e rinj të miqve, edhe pse ai përbëhej nga bij industrialistësh, shkencëtarësh, apo politikanësh si Susanna Agnelli, Gioia Marconi apo Edda Mussolini, mbiemrat e të cilave e tregojnë vetë historinë. Mirëpo pasi mbaroi studimet, kjo botë magjike e humbi tërheqjen në sytë e Jusuf Vrionit. Në mjediset aristokratike ai ndihej si në shtëpi, një shtëpi e madhe, me shumë dhoma për të ëndërruar, por brenda këtij aristokrati jetonte intelektuali që nuk mund të kënaqej me të sipërfaqshmen. “…Ndieja adhurim të veçantë për njerëzit që kisha njohur. Por jeta prej paraziti në mjedise të tilla mondane, natyrisht, shpeshherë më provokonte një ndjenjë poshtërimi, sepse dëfrimet, në thelb, NUK më sillnin veç kënaqësi të përciptë. Ndieja se duhej të merresha me diçka më të rëndësishme, por si, ku e qysh, nuk dija. Ajo gjendje shpirtërore, ato mendime e vrarje ndërgjegjeje, nuk vazhduan gjatë. Një ditë, një mik i ngushtë, më tha: Jusuf! Më fal që po të pyes, po ti ç’bën këtu? Nuk mendon se vendi yt është të ndodhesh në Shqipëri? Dhe ish pikërisht gjatë verës së vitit 1943 që më së fundi vendosa të kthehem në atdhe. Ndofta ATJE mund të merresha me diçka. Bie fjala, të botoja një gazetë…”, ka rrëfyer vetë Jusuf Vrioni.
Erdhi në Shqipëri, ku nisi të jetonte me të ëmën në hotel Dajti pasi ajo e kishte shitur shtëpinë që kishin në Tiranë. Aty, “përplasja e trillit me realitetin” siç e quan ai në librin e vet autobiografik, bëri që të jetonte dhe oficeri italian i zgjedhur nga Kadareja për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, përkthimi në frëngjisht i të cilit u bë në një farë mënyre pasaporta e Jusuf Vrionit pas daljes nga burgu për një jetë si përkthyes, edhe pse deri vonë në anonimat. Trilli me realitetin do të vazhdonin të përplaseshin për shumë vite në jetën e Jusuf Vrionit, kur në shumicën e rasteve, ishin realitete të kohëve dhe vendeve të ndryshme, aq të largëta me njëri-tjetrin sa njëri duhej marrë patjetër si trill.
Dhe kjo nisi në 13 shtator 1947, kur buzë mbrëmjes, Jusufi priste në sheshin Skëndërbej një vajzë, për një takim romantik, por katër burra ndalojnë pranë tij, e pyesin nëse ai ishte Jusuf Vrioni dhe i kërkojnë t’i shoqëronte sepse kishin disa pyetje. Papritur mbrëmja romantike u bë një trill. Apo ishte trill biruca ku e përplasën? Torturat që pasuan? Aristokrati evropian, i cilësuar nga miqtë e tij ndërkombëtarë “më francez se vetë francezët”, intelektuali magjepsës, njeriu i manierave fine, do të varej nga duart, do të ngarkohej me zinxhirë, do të goditej me shkopinj pasi i kishin lidhur këmbë e duar. Për 34 muaj do të përjetonte Mesjetën përmes torturave që zëvendësonin njëra-tjetrën e dukej se nuk do të merrnin fund kurrë.
“Kur erdhi radha e seancës së pyetjeve, fillimisht këmbëngula se nuk dija gjë. Atëhere filluan sharjet me fjalët më të ndyra, shoqëruar me shuplaka, grushta e shqelma në pjesët më delikate të trupit. Pastaj metodat e torturës u ndryshuan. Nisën të më godasin me çomange, vazhduan me elektroshok e përfunduan duke më shtrirë mbi një bankë të quajtur “jeleku”. Ajo lloj torture niste me lidhjen e duarve e këmbëve e kalimin mes tyre të një trari. Pastaj, në atë pozicion të kryqëzuar, pa pasur mundësi për mbrojtjen më të vogël, fillonin goditjet me shkopinj para e mbrapa, duke kërkuar që të rrëfeja. Atë metodë torture ma bënin gjashtë herë në javë. Por më çnjerëzoret ishin ato 15 ditë e 15 net, kur më varën nga duart në tavanin e qelisë, duke më hedhur rreth qafës 30 a 35 kg zinxhirë. Nuk kisha ku të mbahesha. Dyshemenë arrija ta prekja vetëm me gishtat e këmbëve. Çdo gjë qe llogaritur që të mos mbështetesha diku. Pyetjet që më bënin ishin më tepër në drejtim të misioneve ushtarake angleze e amerikane si edhe rreth marrëdhënieve që kisha pasur me personelin e tyre. Donin të dinin se çfarë informacionesh u kisha dhënë. Pastaj mundoheshin të provonin e të faktonin veprimtarinë time politike gjatë të ashtuquajturave zgjedhje “demokratike”. Me kë isha takuar? KUSH QENË anëtarët e grupit tonë “armiqësor”? Cili qe qëllimi i mbledhjeve tona? …Unë mohoja, duke pranuar vetëm një gjë: qëllimi ynë ish të formonim një opozitë legale sipas neneve të parashikuara nga Ligji Elektoral. ( … ) Hetimet vazhduan nga shtatori gjer në nëntor e pastaj më transferuan në një qeli tjetër. Aty pranë, ngjitur me mua, lëngonte shkrimtari Mitrush Kuteli, i cili herë pas here më recitonte me zë të ulët vargje nga poema e tij Kosova…”. Kur më në fund doli në gjyq, në qershor të vitit 1950 u dënua me 15 vite burg. Do të provonte izolimin e burgut në Burrel dhe punën e rëndë në disa kampe, siç është dhe ai i ndërtimit të aeroportit të Rinasit, ironikisht, vepra e parë ndërkombëtare për të cilën ka punuar Jusuf Vrioni.
Kështu i kaloi 8 vitet e dënimit, për t’u shpallur i lirë pas më shumë se 12 vitesh që ishte arrestuar. Nisi të merrej me përkthime dhe strukturat shtetërore e kuptuan shpejt që Jusuf Vrioni mund t’i shërbente shumë më tepër atyre si përkthyes sesa si punëtor krahu. Romani i Ismail Kadaresë i përkthyer në frëngjisht e afirmoi dhe bëri që t’i besohej përkthimi i veprave të Enver Hoxhës. Ndërkohë, ai vazhdoi të përkthente edhe libra të tjerë të Kadaresë, i cili nisi të krijonte emër në Francë, megjithëse emri i përkthyesit nuk figuronte askund. Vetëm në fund të viteve ’80, emri i Jusuf Vrionit do të rikthehej në Francë. Atje ku kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë. Atje ku kaloi dhe vitet e fundit të jetës, gjatë të cilave u vlerësua me titullin Chevalier de la Légion d’Honneur dhe shërbeu si ambasador i Shqipërisë në UNESCO. Deri sa ndërroi jetë në 18 qershor 2001.
Larg Shqipërisë, vendit që e njohu vetëm përmes vuajtjeve.
Arta Çano