Radar
Akuzat për gjobëvënie në Top Channel/ Endrit Habilaj reagon sërish: Dy fjalë për Top Story!
Një sherr publik me akuza të forta për gjobëvënie ka ndodhur mes televizionit Top Channel dhe ish autorit të programit Top Story, Endrit Habilaj.
E gjitha erdhi si pasojë e ndryshimit të emrit të programit, në Inside Story, ndërkohë që Top Story do ti rikthehet Sokol Ballës. Televizioni hodhi akuza ndaj Habilajt, se ka përdorur programin për gjoba, ndërsa ky i fundit i drejtohej Vjollca Hoxhës, duke e pyetur a ka vendosur gjoba ndaj biznesmenëve.
Gazetari Habilaj ka reaguar edhe njëherë lidhur me programin që ka drejtuar prej katër vitesh, duke renditur dokumentarët e realizuar prej tij dhe një grupi gazetarësh në Top Channel.
Reagimi:
Dy fjalë për Top Story….nga Autori Endrit Habilaj!
Sot në mëngjes pashë që të gjithë dokumentarët Top Story, në 4 vite transmetim, janë emërtuar me emrin e ri, Inside Story. Në fakt, kjo është një hakmarrje e pastër e Drejtorit të Informacionit, i cili nuk e përtyp dot faktin që pas largimit nga Top Channel në 2018, ai u sfumua krejtësisht nga dokumentarët që ne realizonim.
Megjithatë nuk dua të flas për këtë gjë, sepse për mua është një kapitull i mbyllur që në momentin e lincimit të turpshëm me anë të një deklarate kundër meje dhe kundër emisionit Top Story, që shkëlqeu në 4 vite transmetim dhe fitoi 4 çmime ndërkombëtare.
Kam parë me qetësi këto ditë disa sulme, të drejtuara kundër meje, disa të porositura, disa të pakuptimta, dikush jepte moral si duhet të jetë gazetaria etj.
Në fakt, duhet theksuar se këto sulme për mua janë sporadike. Në 4 vite transmetim Top Story, unë dhe kolegët e mi, kemi patur shumë kundërshtarë, të cilët janë denoncuar nga ne si shkelës të ligjit. Kemi një zhgënjim për hir të vërtetës, sepse televizioni ku punonin, na ekspozoi ndaj çdo abuzuesi që i kishim bërë dokumentarë.
Psh, nëse mediat bëjnë lajm motrën e Rezart Taçit, e cila më sulmon mua, besoj se kuptohet nga gjithëkush, që unë kam bërë detyrën siç duhet, duke goditur fort Taçin dhe aferat e tij me ARMO-n.
Si puna e motrës së Taçit, mund të dalin shumë, mund të akuzojnë pa bazë, por thjesht duke shfryrë inatin ndaj asaj që Top Story ka denoncuar. Gazetarët investigativë sulmohen kudo, psh edhe BIRN është sulmuar nga një oligarkë nafte me akuzën e gjobëvënies, por askush nuk e mendon që BIRN vë gjoba. Përkundrazi, bën gazetari jashtëzakonisht shumë të mirë.
Më poshtë, do tju rendis një seri dokumentarësh, për të kuptuar listën e gjatë të kundërshtarëve tanë.
Dokumentari i parë Top Story, i transmetuar në 19 shtator 2018, në Top Channel, ishte “Vrasja e Valbonës”. Asokohe isha vetëm, pa gazetarë të tjerë, filmonim me një regjisor dhe një operator.
Dokumentari investigonte mënyrën e dhënies së lejeve për HEC-et në parkun kombëtar të Valbonës. HEC-et po ndërtoheshin nga një biznesmen, i cili ishte i përfolur për lidhjet e tij politike.
Gjatë xhirimeve, ne u sulmuam fizikisht nga persona të cilët punonin në këto HEC-e. Pak media e pasqyruan dhunën ndaj nesh, kjo edhe për faktin se bizneset e tij, bënin reklamë në shumë portale e media.
Top Channel ishte një nga ato media që merrte reklama! Dhe transmetimi i dokumentarit u vendos seriozisht në pikëpyetje. Kishte ndërhyrje për ta mbyllur përpara se të transmetohej si dokumentar, kishte oferta financiare dhe marrëveshje të ndryshme. Por asgjë nuk u pranua! Dokumentari u transmetua dhe fitoi çmimin e BE-së, si dokumentari më i mirë investigativ për vitin 2018.
Transmetimi i këtij dokumentari ishte motivues për mua. Dhe kështu do të niste rrugëtimi me Top Story.
Më pas do të shfaqej një tjetër dokumentar, për “Mashtrimet Politike”, ku nxirrte blof të gjitha premtimet e pambajtura të politikanëve. Ishte një bashkëpunim mes Top Story dhe Faktoje.al. Ky dokumentar e shqetësoi tepër politikën, të majtë e të djathtë, deputetë e ministër e deri kryeministër.
Pranë meje do të bashkoheshin edhe gazetarë të tjerë, jo të famshëm, por të guximshëm dhe të apasionuar për të goditur fort. Vijuam me tema për “Masakrën nën dallgë”, një supër realizim nga Elton Kikia për peshkimin e paligjshëm.
Tentuam të prekim tema që nuk guxonte askush, psh për “Bandat e Shkodrës”, i realizuar nga Andi Malasi, ku nuk mungonin edhe kërcënimet ndaj nesh.
Publikuam temën për bixhozin e paligjshëm dhe kush ishin kokat e krimit që e kontrollonin. Vijuam me temën e “Të zhdukurit nga droga e Vlorës”, një investigim i fortë i koleges Lindita Çela.
Nuk u ndalëm vetëm tek krimi, por edhe tek çështjet sociale. U morëm me arsimin, me temën “Ndotja e Teksteve”, që nxorri në pah gafat me tekstet shkollore.
Kulmi i Top Story arriti me emsionin profil për “Dritëhijet e Fatmir Xhafajt”, një dokumentar i thelluar që tregonte të gjithë anën e errët të këtij politikani.
Në 12 Dhjetor 2018, kryeministri Rama ishte në Top Show përballë disa studentëve. Në media qarkullonin lajme se studentët ishin përzgjedhur nga Partia Socialiste dhe se emisioni ishte i porositur nga qeveria. Pas sulmeve agresiv mediatike ndaj Top Channel, 1 javë më pas shfaqet Top Story, duke goditur dhe zbërthyer të gjitha skandalet që kishin bërë drejtuesit e universiteteve me studentët.
Ky dokumentar i riktheu dinjitetin Top Channel!
Me nisjen e vitit të ri, në 2019, Top Story shfaqi dy dokumentarë të jashtëzakonshëm, një për “Padrinot e Elbasanit” dhe një tjetër për “Injorantët e Parlamentit”.
Kemi patur dokumentar për “Mafian e kromit”, për “Gërdecin”, për “Paratë Ruse të PD” e realizuar nga kolegia Erjona Rusi, për “Ilaçe që vrasin” e Entela Barjamaj e cila fitoi edhe një çmim nga OSBE, si dokumentari më i mirë investigativ.
Kemi investiguar “Oligarkët e Sindikatave”, të cilët kishin patur në duart e tyre prona me vlerë mbi 2 miliardë euro. Nuk kanë munguar edhe dokumentarë homazh, për “Vrasjen e Fatmir Xhindit”.
Janë me dhjetra dokumentarë të fortë investigativ. Kemi bërë “Zhdukjen e Remzi Hoxhës”, duke zbuluar dokumenta dhe fakte të reja për vrasjen e tij. Është trajtuar edhe roli i dyshimtë i Soros në Shqipëri, si dhe skandalet e diplomacisë shqiptare.
Ka patur dokumentarë për grabtiqarin e famshëm të Londrës, Astrit Kapaj. Nuk kemi lënë pa prekur edhe koncesionet, i tillë si “Monopoli i Rinasit” apo “Ndërtues që vrasin”, për ata që kishin abuzuar me ndërtimet në Durrës e që më pas u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntori 2019. Ky dokumentar fitoi një tjetër çmim nga BE.
Kulmi i dokumentarëve arriti me intervistën ekskluzive të Zylfie Haklajt, e cila kapi mbi 5 milionë klikime për 3 pjesët. Dhe këtu doza e kundërshtarëve u rrit ndjeshëm!
Kemi vijuar me dokumentarin “Vjedhje me tendera”, e cila sot e kësaj dite është sekuestruar nga SPAK.
Sërish nuk kanë munguar temat e krimit, si “Bandat e Lushnjes”, apo “Bandat e Beratit”, të cilat kanë kaluar mbi 2 milion klikime. Është shfaqur dokumentari “Tregu i bebeve”, ku tregon sesi abuzohet me fertilizimin in vitron dhe surrogacinë në Shqipëri.
Kemi bërë dokumentarë për “Gjirin e Lalzit”, ku mbeti i vrarë gjyqtari Skerdilajd Konomi. Një seri dokumentarësh ishin edhe për “Trafikun e Arabëve”, ku falë investigimit të Top Story u shkri dhe u arrestuan më pas e gjithë kupola e Drejtorisë së Emigracionit në Tiranë, pasi merrej me trafik ilegal të shtetësave arabë.
Të vijmë tek dy dokumentarët e “Inceneratorëve”, ku edhe për këtë janë hedhur akuza të forta. Duhet theksuar se këto dy dokumentarë janë bërë në 2020, ku deri në atë kohë nuk kishte shpërthyer asnjë valë arrestimesh dhe SPAK nuk kishte nisur asnjë hetim.
Megjithatë, nëse i shikon të dy dokumentarët, e kupton fare qartë se çfarë interesash preken, kush politikanë dhe biznesmenë janë të përfshirë në mafien e plehrave, si dëmtohen oligarkët e ndërtimit etj. Janë pikërisht ata politikanë dhe oligarkë, të cilët paguajnë për të dëmtuar imazhin e Top Story.
Psh, publiku mund të bëj një verifikim të thjesht! Nëse shikon portalet që sulmojnë Top Story për inceneneratorët, përse nuk kanë asnjë shkrim kundër ish Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj? Si këto shembuj ka plot dhe gazetarët i dinë shumë mirë, përfshirë edhe ata që bëjnë si ekspert në facebook.
Për të vijuar më tej, ne kemi realizuar 2 dokumentarë me titull “Zhvatje përmes kredisë”, një investigim i thelluar që zbulon abuzimin më të madh financiar.
Kemi realizuar dokumentarin për “Artan Santon”, duke ekspozuar hetimet e reja të prokurorisë mbi vrasjen e bankierit. Pjesë e vrasjeve të pazbuluara është edhe ajo e “Kosta Trebickës”, ku është bërë një supër dokumentar.
Pjesë e kundërshtarëve të Top Story janë edhe ata që u denoncuan në aferën e “Kompleksit Partizani”, ose dokumentari “Bizneset e PD”, që godet fort eksponentë të lartë të Partisë Demokratike.
Edhe për Nikoll Lesin, i cili është indinjuar se kush i merr fondet e Bashkimit Europian, kemi bërë një dokumentar, për 30 vjetorin e gazetës më të rëndësishme në vend, Koha Jonë.
Kemi denonuar fort edhe Becchettin, pasuritë e organizatave kriminale, bosët e kokainës, antibiotikët e ndaluar që përdoren për kafshët, vrasësit e tmerrshëm e deri tek mashtrimet me forex dhe bitcoin.
Janë rreth 100 dokumentarë, mbi 1500 të intervistuar, me qindra afera dhe persona të denoncuar dhe me mijëra armiq të krijuar.
Prandaj ndjej keqardhje për Top Story, për ata kolegë që kanë fjetur në zyrat e Top Channel për të realizuar dokumentarë të pavarur dhe profesionalë.
Koha do shërojë dhe do tregojë çdo gjë!