Lidhu me ne

Kioske

Si lahen pushtetarët tanë?

Si lahen pushtetarët tanë?Edmond Tupja

Para se të hyj në temë, diçka më e fortë, më e papërmbajtshme se vetja më shtyn të hedh sërish sadopak dritë mbi prejardhjen e fjalës “pushtetar”. Gojët e këqija kanë guximin të mëtojnë se kjo fjalë na ardhka nga fjala “pusht”, e cila, të paktën sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), na paska dy kuptime: 1. ai që shkon pas femrave, gruar, kurvar; 2. maskara. Këtë përkufizim e përforcon edhe “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe” i Kolec Topallit (Tiranë, 2017), ku saktësohet gjithashtu se kjo fjalë ka hyrë në gjuhën tonë nga persishtja, por përmes turqishtes. Nga ana tjetër, për pasojë të pashmangshme, të njëjtat gojë fjalën “pushtet” e analizojnë duke e ndarë në dy rrokje ‘pusht’, në kuptimin e mësipërm, dhe ‘et’ në kuptimin “etje”, siç e dëshmon edhe gegërishtja. Ndërkohë, shqipja e folur ka një proverb fort të vjetër, por që nuk figuron në asnjë fjalor, ndonëse përdoret ende sot e kësaj dite, e kam fjalën për proverbin tejet tronditës, por aq të vërtetë, “Politika është kurvë”, çka lë haptas të kuptohet se ata që merren me politikë duke bredhur pas asaj janë dhe nuk mund të jenë veçse kurvarë që duan patjetër e me çdo kusht të bëhen pushtetarë!

Ja, pra, ku na doli sërish fjala “pusht” si fjala kyç, d.m.th., themelore, e trinomit “pusht-pushtet-pushtetar”, ku dy kufizat e fundit përmbajnë fjalën “shtet”; rrjedhimisht gojët e këqija kurrë nuk kanë ngurruar të pohojnë se vjen një moment që çdo pushtetari, për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, i duhet të vrapojë si pusht prapa kurvës politikë për t’u pasuruar, aq përvëluese e ka etjen për para, pa të cilat ai do të ndihej i humbur. Në këtë kuptim, duhet t’u kujtoj lexueseve dhe lexuesve të sotëm përkufizimin që, qysh në shekullin XVIII, i ka bërë politikës francezi D’Alembert: “Politika, ky art i të mashtruarit të njerëzve”, pra, logjikisht i bie që politikanët të kthehen në maskarenj kur bëhen pushtetarë. Ja tek dolëm kësisoj tek kuptimi i dytë i fjalës “pusht”.

Mirëpo, pushtetarëve u duhet të lahen e të pastrohen për të fituar qoftë edhe në dukje besimin e turmave elektorale, pra – dhe po hyj në temë – lind pyetja: Si lahen pushtetarët tanë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po përfitoj nga një shkrim i zonjës Johanna Amselem, në “Yahoo France”, e cila përmend sajtin “BrightSide”, që shpjegon se kur bëjmë dush, rendi sipas të cilit kryejmë veprimet e nevojshme për t’u larë hedh shumë dritë lidhur me personalitetin tonë. Kështu, ata që e nisin larjen në dush me fytyrën, i kushtojnë rëndësi të veçantë mënyrës si do t’i shohin të tjerët, prandaj kërkojnë që fytyra e tyre të jetë e përkryer nga të gjitha pikëpamjet! Vëreni fytyrat e politikanëve tanë dhe do të bindeni. Megjithatë, shpesh, ata e lajnë, pudrosin, parfumosin apo kremosin fytyrën e tyre sa për sy e faqe, siç shprehet populli ynë.

Kurse ata që nisin të lajnë fillimisht gjoksin tregojnë se, me gjasë, kanë një personalitet besimplotë, se ndihen mirë me vetveten, se janë të pavarur, pra, të pandikueshëm, çka i bën ata objekt admirimi nga të tjerët. Në këtë rast, sidomos po të kemi parasysh aktualitetin politik në vendin tonë, kryeqeveritari ynë nuk do t’i fuste në kabinetin e tij, sepse ai admirimin e quan një luks të cilin e meriton ai dhe vetëm ai! Ndërkohë, ata që fillimisht lajnë krahët dhe këmbët janë ose persona modestë (rrjedhimisht të padenjë për kabinetin e kryeqeveritarit tonë), ose persona që kanë forcë karakteri, që kanë aq siguri sa të shprehin qartas zgjedhjet dhe parapëlqimet e tyre (rrjedhimisht po aq të padenjë për kabinetin e kryeqeveritarit tonë). Sidoqoftë, një mendje më thotë se kryeqeveritari ynë do t’i përfshinte në kabinetin e tij ato dhe ata që, me t’u futur nën dush, fillojnë të lajnë organet e tyre gjinore, sepse – gjithnjë sipas sajtit “BrightSide” – ky veprim sugjeron se mund të bëhet fjalë për individë të ndrojtur dhe që pak e vlerësojnë veten e tyre. Ndërkaq, kur dikush fillimisht lan kurrizin, kjo dëshmon se ai ka një personalitet mosbesues, çka me gjasë duhet të jetë e vërtetë për ish-pushtetarët tanë ose për ata pushtetarë që e ndiejnë se do të bien së shpejti nga fiku i pushtetit, prandaj kryeqeveritari ynë nuk do të ngurronte t’u kthente kurrizin.

Së fundi, shkrimin e zonjës Johanna Amselem do t’ua rekomandoja kryepushtetarëve, pra, kryeministrave tonë të ardhshëm, që ta lexojnë sa herë do t’u duhet të formojnë kabinetet e tyre qeveritare. Madje, idealja do të ishte që gjithë kandidatet e kandidatët e mundshëm për postet ministrore e zëvendësministrore të bënin dush pa e ditur që kreu i qeverisës së ardhshme po i vëzhgon fshehurazi për të parë se cilat e cilët prej tyre nisin të lajnë ato pjesë të trupit që nxjerrin në pah cilësitë e nevojshme të personalitetit për të kryer sa më mirë angazhimet e domosdoshme që implikon posti i tyre i ardhshëm. Ndoshta dikush nga ju mund ta quajë këtë “vuajërizëm”, por këtu nuk ka asgjë për t’u skandalizuar, përderisa bëhet fjalë për qeverisjen e vendit dhe për mirëqenien e popullit pjesërisht votëshitës!/Panorama

MË TEPËR

Kryesore7 orë më herët

Rama firmos “Memorandumin e Kuçit”, 78 mandate të sigurta për PS, “bast” për 88 deputetë

Ashtu siç kishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama ka hedhur në letrën e tavolinës së një lokali në Kuç të Vlorës,...

Mix8 orë më herët

Cheesecake pa pjekje me luleshtrydhe – E butë dhe kremoze

Veshtiresia E lehtë Koha gatimit 20 minuta (+ 4 orë ftohje) Sugjerohet për: 6 persona Kalori: 200 g biskota100 g...

Mix8 orë më herët

Smoothie për shtim në peshë me banane, gjalpë kikiriku dhe qumësht

Veshtiresia Shumë e lehtë Koha gatimit 5 minuta Sugjerohet për: 1 person Kalori: 700-800 kcal për porcion 1 banane e...

Radar9 orë më herët

Ndërtimi në krizë? Pse Sejko u kufizoi bankave kredinë për banesa

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë me disa masa rregullatore për të frenuar kredidhënien për blerje banesash. E trembur nga rritja...

Mix9 orë më herët

Shenjat e Horoskopit që bien në dashuri që në takimin e parë

Zakonisht, ankthi dhe skepticizmi dominojnë takimet e para. Shumica prej nesh mbajnë një shportë të vogël dhe e shqyrtojnë situatën...

Mix10 orë më herët

Nicola Peltz përballet hapur me familjen Beckham: Janë narcistë!

Marrëdhënia midis Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij, David dhe Victoria Beckham, po kalon një nga momentet e saj më...

Kryesore10 orë më herët

Pyetja 6 milionë dollarëshe: A mund të udhëtojë Sali Berisha në SHBA dhe çfarë do të thotë kjo sot?

Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, debati mbi statusin “non grata” të Sali Berishës në SHBA është...

Kryesore13 orë më herët

Gazetari amerikan: Berisha mund të udhëtojë në SHBA, e konfirmon DASH

Gazetari amerikan Marc Caputo tha përmes një postimi në rrjetin social X një deklaratë sipas të cilës kryetari ti Partisë...

Radar13 orë më herët

Video/Piskiatria e fushatës. “Zoti solli Edi Ramën”

Kandidati socialist Shkëlqim Bullari ka deklaruar në Elbasan se në vitin 2013, Zoti zbriti Edi Ramën që të ndihmonte Shqipërinë....

Mix1 ditë më herët

Shumë ujë pak kalori: 9 ushqimet më të mira të verës

Balanca mes hidratimit dhe djegies së kalorive është mëse e nevojshme të ruhet rregullisht, sidomos në stinën e verës. Këto...

Facebook