Sport
Armand Duka fiton mandatin e 6-të si President i FSHF-së
Armand Duka fiton mandatin e 6 si president i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në votimin e mbajtur më herët në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore, Duka ka marrë 37 vota nga 43 anëtarë të pranishëm në sallë.
Kandidati tjetër Sulejman Starova ka marrë vetëm 4 vota, ndërkohë që dy vota kanë rezultuar të pavlefshme. Kujtojmë se në garë ishte edhe Dritan Shakohoxha i cili ditën e djeshme vendosi t’i bojkotonte ato dhe u bëri thirrje të gjithëve që t’i bojkotojnë.
Për të rimarrë postin e presidentit të FSHF-së, Dukës i mjaftonin 29 vota.
“Nga 43 delegatë të pranishëm sot, janë të nevojshme 29 vota në raundin e parë për të zgjedhur presidentin. Nëse nuk ka shumicë, zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve ku mjafton shumica e thjeshtë.”- deklaroi më herët Koço Kokëdhima i cili mori drejtimin e procesit zgjedhor si drejtues i Komisionit të verifikimit.
Para se të niste votimi, Armand Duka mori fjalën për të kërkuar votën nga delegatët e pranishëm.
“Jam i emocionuar dhe me droje nëse e meritoj mbështetjen tuaj, por në të njëjtën kohë nuk kam sepse ne, ju, futbolli, jemi ishulli më i zhvilluar i këtij vendi me 1001 halle. Jemi të 60 në botë për meritat sportive dhe jemi shumë më lart për qeverisjen e mirë, për organizimin, rezultatet dhe investime të kryera.”-shprehej ai.