Kryesore
Berisha: Fitorja në 6 mars i hap rrugë zgjedhjeve të reja të parakohshme
Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se një rezultat pozitiv të dielën për koalicionin “Shtëpia e Lirisë” i hap rrugë rrëzimit të atij që e ka cilësuar si regjimi i Edi Ramës.
Teksa mori pjesë në mitingun përmbyllës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në Rrogozhinë, Berisha tha se fitorja në 6 mars është një mesazh shprese i cili hap dyert mundësisë të zgjedhjeve të reja të parakohshme politike.
“Data 6 mars është një mesazh shprese i cili çel dyert e mundësisë të zgjedhjeve të reja të parakohshme politike. Shqipëria ka nevojë jetike për zgjedhje të parakohshme largimin me votën e lirë, të Edi Ramës, i cili është faktuar një qeveritar i babëzitur i cili ka përdorur pushtetin jo për t’ju shërbyer ju bashkë me ministrat, por e ka shfrytëzuar për t’u pasuruar vetë dhe zyrtarët e tij.
Afera e djegsave është vetëm një nga aferat e korrupsionit qeveritar. Të tjera afera do të dalin njëra pas tjetrës”, u shpreh Berisha.