Lidhu me ne

Kioske

Drejtësia si kamzhik në duart e të pandehurit Veliaj

Andi Bushati

UEFA, organizmi europian i futbollit, ka vendosur ta sanksionojë diktatorin rus Vladimir Putin, menjëherë pas pushtimit të Ukrainës, duke pezulluar mbajtjen e finales së Ligës së Kampioneve. Nga Shën Peterburgu kryendeshja e futbollit të klubeve të kontinentit do të zhvendoset këtë vit në Paris, në Stade de France. 

Ndonëse fatmirësisht nuk ka nisur ende një luftë, me të njëjtin kërcënim po përballet Shqipëria e Edi Ramës për ndërhyrjen brutale që politika po bën mbi FSHF-në. Finalja e Konference League, e planifikuar për në fund të majit, në Arenën Kombëtare, mund të mos zhvillohet.

Natyrisht, ky paralelizëm nuk shërbën për të vënë në të njëjtën shkallë regjimin e Moskës, me atë të Tiranës. As për të thirrur në ndihmë UEFA-n si një pasqyrë që do na tregonte batërdinë e shtetit shqiptar. Këto janë gjëra që, kush ka dashur ti kuptojë e ka bërë me kohë, pa pasur nevojën e një finaleje më shumë apo më pak.

Prandaj, parajalmërimi i qeverisë së futbollit kontinental mund të na vlejë si një sy i jashtëm për të parë atë që të huaj të tjerë, ambasadorë apo burokratë, po na e servirin si refren të neveritshëm: “suksesin e reformës në drejtësi”.

Do të mjaftonte vetëm fabula e futbollit, për të vërtetuar se ajo po shërben si letër higjenike për politikën.

Shembulli është i thjeshtë: gara për president të FSHF-së dhe ndërhyrja harbuto-alabake e kryebashkiakut Veliaj në të.

Të gjithë e mbajnë mend se si me një shkelje syri nga kryeministri, Erioni u hodh në betejë. Ai i priu një kryqëzate me tatimorë, policë, përmbarues, ku i gjithë shteti u mobilizua për të shpëtuar kombin nga djalli Armand Duka.

Përgjimi që të gjithë dëgjuan ishte skandaloz. Për të çliruar “ishullin e fundit” që i ka mbetur jashtë kontrollit rilindjes, politikani “boleçelik” premtonte përndjekjen e armiqve të tij futbollistikë me prokurori dhe gjykata.

Ndodhi fiks kështu.

Nga dita e publikimit të audio përgjimit skandaloz ka kaluar vetëm një muaj. Por me një shpejtësi rrufe gjashtë gjykata të vendit kanë marrë vendime kundër FSHF-së, prokuroria e Tiranës ka bërë sekuestrime dhe ka kërkuar pezullim të zyrtarëve të futbollit dhe sot, më në fund, tre ditë para garës për presidentin, Duka është pezulluar nga detyra bashkë me një grup zyrtarësh të tjerë, vetëm për të bërë të pamundur organizimin e zgjedhjeve. 

Po të shfletosh dokumentat e këtyre vendimeve të marra nga gjykatës dhe prokurorë, që nga pafytyrësia do i kishin zili paramilitarët “Wagner” të Putinit, ato janë skandaloze.

Një gjyqtar i shkarkuar njëherë për shkelje, pikërisht në fillim vitet 2000, kur sistemi i drejtësisë ishte më i korruptuar se kurrë, merr vendim se Erion Veliaj është anëtar i komunitetit të futbollit dhe e quan shoqatën fantazmë të krijuar prej tij, të ligjshme. Një kryeprokurore për vettingun e së cilës lobon kundër ambasadorëve kryebashkiaku dhe një oligark, vë institucionin e saj në shërbim të sekuestrimit të dokumentacionit, për të penguar garën. Dhe në fund, një gjyqtar, i përfolur si pjestar i bandës së Lushnjes, të cilin fati e ka shpëtuar dhe nga një atentat, vendos përfundimisht që zgjedhjet mos zhvillohen.

Por edhe sikur këta bashibozukë të ishin personazhe normalë, qoftë edhe sikur të supozojmë se vendimet e tyre të kenë qenë të drejta, a është normale kjo?

A ka mundësi që të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e vendit, të cilat janë me staf të përgjysmuar, të sakatuara nga vettingu, të punojnë me këtë efikasitet, fiks sipas udhëzimit që dëgjohet të thotë në përgjim Veliaj?   

A është e mundur që brenda një muaj të angazhohet e gjithë ushtria e drejtësisë, sikur të bëhej fjalë për të ndaluar një grusht shteti dhe jo për një çështje topi futbolli?

A mundet që “heronjtë e rinj të fëmijve tanë” tu nënshtrohen urdhërave me të njëjtin përkushtim si tatimorët e rilindjes apo xhandarët me uniforma blu?

Mjafton vetëm ky zell për të dëshmuar se drejtësia jonë nuk u bë dot kurrë e virgjër, pasi ajo vazhdon të përdhunohet sistematikisht nga pushteti politik.

Dhe në këtë rast është e kotë ti hysh debatit se sa zgjedhje të ndershme organizon Armand Duka, sesa demokratike është FSHF-ja, se si e ka përdorur presidenti mandatin, se si ka vënë bast me bluzën e kombëtares dhe se si i’a ka dhuruar atë me ceremoni opozitarëve. 

Të gjitha këto mund të qëndrojnë. Por në këtë debat ato nuk kanë asnjë vlerë. Ato janë një alibi për të mbrojtur abuzimet e pushtetit. Njësoj si fokusimi tek mëkatet e aktorëve që mbronin teatrin, për të mbuluar biznesin e kullave të planifikuara pas tij, njësoj si “zaptimet” e protestuesve te unaza e re, nxitja e urrejtjes ndaj të cilëve rekej të fshihte dërgimin e parave me dokumenta fallco në parajsa fiskale.

Pra në qendër të kësaj historie nuk është kursesi Aramnd Duka.

Në thelb të saj është Erion Veliaj, njeriu që do të kapë edhe “ishullin e fundit” jashtë kontrollit të rilindjes, sado i bardhë apo i zi, i koruptuar apo jo, demokratik apo aspak i tillë, qoftë ai. 

Historia e betejës me FSHF-në nuk është thjesht një problem loje futbolli. As një bisedë banale çunash në dhomën e zhveshjes para ndeshjes. Ky episod që ka alarmuar UEFA-n, duke kërcënuar me largimin e Konference League nga Shqipëria është shumë më tepër sesa kaq. 

Ajo është dëshmia e qartë sesi edhe një tekë e pushtetit është e mjaftueshme për të vënë nën këmbë drejtësinë. Dhe kjo ndodh pikërisht në kohën, kur komisioni hetimor për inceneratorët na risolli në vëmendje dokumenta që do të bënin çdo prokuror me një fije ndërgjegjje, që ta shihte Erion Velinë si një të pandehur të mundshëm.

Në vend të këtij realiteti, ne po përjetojmë një tjetër. Jo atë që na u propogandua, të fundit të pandëshkueshmërisë. Por një më të zymtë dhe më të errët: atë kur njerëzit me pushtet jo vetëm që nuk i tremben organeve të ligjit, por i përdorin ato si kamzhik për të goditur kundërshtarët e tyre.

Pikërisht për dëshmuar këtë, kazusi i përballjes së Veliajt me Dukën është një eveniment i rëndësishëm. Drama e tij nuk është se Shqipëria mund të sanksionohet nga UEFA, njësoj si Rusia e Putinit, as se futbolldashësit mund të mbeten pa finale, por se ndodhi si kjo, i rrallojnë edhe më ata që mund të vazhdojnë të bëjnë tifozllëk për drejtësinë e re të ndërkombëtarëve.

©Lapsi.al

MË TEPËR

Mix4 ditë më herët

Cilat janë 5 gjërat që njerëzit më të suksesshëm bëjnë çdo ditë?

Çdo ditë është një mundësi për të bërë përparim dhe për të rritur suksesin tuaj. Disa gjëra të thjeshta, por...

Kryesore4 ditë më herët

“Politikisht je autik nëse voton kënetën”, Edi Rama kërkon falje për deklaratën: Krejt pa dashje

“Të zgjedhësh midis BE-së dhe kënetës, kënetën, domethënë nuk je mirë… Politikisht je autik, nuk je mirë”. Kështu u shpreh...

Radar4 ditë më herët

“Fundërrinë, imoral, legen…” – Kush është njeriu që përçmon më shumë Monika Kryemadhi?

Deputetja Monika Kryemadhi ka ndarë në Quo Vadis në Vizion Plus detaje si nga jeta politike, por edhe personale. Ajo...

Kryesore4 ditë më herët

Edi Rama:Kush shkon tek këneta është, politikisht autik

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar burrat që mbështesin Sali Berishën, duke theksuar se kush shkon, sipas tij, në kënetë është gjysmak....

Mix4 ditë më herët

Nga pjeprat Hokkaido tek bifteku Kobe, 5 ushqimet më të shtrenjta në botë

Teknika të veçanta kultivimi, mbarështues skrupuloz dhe, ndonjëherë, mashtrim. Ka shumë faktorë që mund të bëjnë që një ushqim të...

Aktualitet5 ditë më herët

Donte një fushatë si të Trumpit, po i del një fushatë si e Bidenit

Nga Skënder Minxhozi Si Trump ka vetëm kapelen që i kanë thënë të mbajë në kokë. Të tjerat deri tani...

Kryesore5 ditë më herët

Sondazhi i McLaughlin: PS kryeson me 49.2%, PD mban vendin e dytë. Ja si do të votonin sot shqiptarët

Një sondazh i ri i kryer nga McLaughlin & Associates në bashkëpunim me Top Channel dhe i publikuar në emisionin...

Kryesore1 javë më herët

Populli ishte gati për rrotacion, opozita jo

Gazetari Ervis Iljazaj komentoi në emisionin Now në Euronews Albania situatën e politikës në Shqipëri para zgjedhjeve të 11 majit....

Mix1 javë më herët

Si të bini nga pesha në dy javë duke konsumuar vezë të ziera

Vera ende pritet të vijë dhe akoma jemi në kërkim për metodat më të shpejta për të humbur kilogramët e...

Mix1 javë më herët

Këto janë shenjat më kampione të horoskopit

Në botën e takimeve moderne, “ghosting”-u është kthyer në sport ndërkombëtar – dhe sipas astrologjisë, disa shenja janë thjesht kampione...

Facebook