Mix
Sa zgjat magjia ? Magjia dhe çlirimi prej saj
Nga Miron Çako
Magjia është një ritual ku vihen në veprim fuqi të mistershme mbinatyrore okulte( të fshehta).Termi magji vjen nga persishtja e vjetër “magu” emërim për një prift persian që alternonte veprimet magjike me astrologjinë. Gjatë shekullit të gjashtë dhe fillimit të shekullit të pestë para Krishtit, ky term u vendos në greqishten e vjetër nga Herodoti (484 – 425 para Kr.) i cili e përdor me konotacione negative, për të cilësuar ritet fetare që konsideroheshin mashtruese, jokonvencionale dhe të rrezikshme. Ky kuptim i termit u adoptua pastaj nga latinishtja.
Ky koncept i termit ishte i përhapur përgjatë Mesjetës, por në Evropën e hershme moderne, humanistët italianë e riinterpretuan termin në një kuptim pozitiv për të krijuar idenë e magjisë natyrore, të magjepsjes ndaj diçkaje të mrekullueshme. Pavarësisht nga dy kuptimet që ia dhënë termit magji, në kuptimin rrënjësor të fjalës do të thotë një veprim okult me konotacion negativ.
Ku e ka zanafillën magjia
Sipas Biblës, magjia e ka zanafillën te mëkati i parë i Adamit dhe i Evës, të cilët dëgjuan djallin, dhe hëngrën frytin e ndaluar që të bëheshin të pavdekshëm. Që nga ajo kohë, njeriu egoist dhe mëkatar kërkon të fitojë një pushtet që t’i kalojë fuqitë e veta natyrore, të mbizotërojë mbinatyroren, “hyjninë”, dhe të kontrollojë fatin e vet, por me ndërgjegje ose pa ndërgjegje, duke u lidhur gabimisht me djallin, armikun e Zotit dhe të njeriut. Prandaj, sipas Biblës, ajo është kategorikisht e ndaluar edhe e dënueshme nga Zoti Perëndi.
Magjia ka ekzistuar që në lashtësi, artefaktet arkeologjike edhe dokumente të shkruara na përcjellin simbole, receta dhe formula magjike që tregojnë se magjia ka lulëzuar, madje ka qenë bazament kulturor, psikologjik ku ndërtohej edhe mbahej shoqëria njerëzore si individ, familje, fis apo mbretëri të mëdha si p.sh. perse, siriane, të gjendura në Mesopotami, të quajtura edhe toka e magjistarëve, ose Egjipti i cilësuar edhe si shtëpia e magjisë, po ashtu bota greke edhe më vonë ajo romake u mbështetën te magjia.
Vetëm popullit të Izraelit, 1500 para Krishtit, iu ndalua kategorikisht pjesëmarrja në ritualet magjike siç bëni kombet pagane. Në ligjin e Moisiut, në tri kodet e mëdha Levitiku, Eksodi dhe Ligji i Përtërirë, magjia ndalohet dhe dënohet me dënim me vdekje: “Mos iu drejtoni mediumeve dhe magjistarëve; mos u konsultoni për të mos u ndotur me anë të tyre.Unë jam Zoti, Perëndia juaj” (Lev. 19:31 ); “Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji, as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymët, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit, sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti; dhe për shkak të kësaj neverie, Zoti është duke i përzënë para teje. Ti do të jesh i përkryer para Zotit, Perëndisë tënd; sepse kombet, që ti do të dëbosh, i kanë dëgjuar shortarët dhe magjistarët; kurse ty, Zoti, Perëndia yt, nuk të ka lejuar të veprosh kështu”(Ligji i Përtërirë 18:10-14).“Nuk do ta lësh të jetojë shtrigën” (Eksodi 22:18).
Jisu Krishti, Biri i Perëndisë, u shfaq si Njeri në botë 2018 vjet më parë, për të prishur punët e djallit. Apostujt e morën këtë fuqi nga Krishti kur Ai i dërgoi të përhapin ungjillin: “Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë”(Luka 10:19). Apostujt e Krishtit, që u përhapën në të gjithë botën, i mësuan kombet të hiqnin dorë nga “idhujtaria, magjia” (Gal. 5:19-20). Ky predikim pa kompromis bëri që paganët të cilët, për shekuj kishin praktikuar magjinë, të ndërgjegjësoheshin dhe të hiqnin dorë prej saj, ashtu si na dëshmohet: “Shumë nga ata që ishin marrë me magji, i sollën librat dhe i dogjën përpara të gjithëve; dhe, mbasi e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se ishin pesëdhjetë mijë, pjesë argjendi” (Veprat e Apostujve 19:19).
Si është historiku i magjisë mbas Krishterimit deri më sot?
Me ardhjen e Krishterimit, në Perandorinë Romake u sqarua se magjia si term edhe veprim ka lidhje me demonët dhe kështu u përkufizua përfundimisht si një veprim okult demoniak në kundërshtim me fenë e krishterë dhe magjia pësoi një goditje të madhe edhe u diskreditua si një bashkëpunim me demonët, kurse magjistarët e humbën fuqinë e tyre si “zota” mbi njerëzit e atëhershëm. Në Perëndim, Krishterimi me inkuizicionin edhe kishat reformiste gjatë Mesjetës deri në Rilindje ishte në një përndjekje të vazhdueshme ndaj magjistarëve, pavarësisht se në këtë gjueti shtrigash pati edhe shumë spekulime ku u dënuan me vdekje edhe njerëz të pafajshëm.
Me përparimin e shkencës dhe revolucionin teknologjik, në shekullin e 17-të deri e shekullin e 19-të magjia pësoi përsëri një goditje, sepse shkenca i dha përgjigje shumë fenomeneve natyrore, të cilat, deri atëherë, konsideroheshin si mbinatyrore, që keqpërdoreshin nga magjistarët duke shfrytëzuar padijen e njerëzve. Por, nga gjysma e shekullit të 19-të dhe gjithnjë e më shumë deri më sot po shikohet një rishfaqje e interesit për magjinë. Lëvizja magjike që u shfaq gjatë shekullit të 20-të, ishte si një përpjekje për të larguar aspektet simbolike, rituale, teologjike, okulte dhe për ta distiluar magjinë në një sërë teknikash themelore edhe për ta paraqitur atë si një shkencë paranormale.
Këto koncepte moderne magjike mbështeten në një besim të lidhur me një forcë okulte të panjohur që përshkon universin dhe qëllimi i magjisë konsiderohet si zhvillim personal shpirtëror sipas vullnetit të njerëzve të Epokës së Re (New Age), por përsëri praktikat magjike janë në format arkaike të paganizmit, pra kemi një rishfaqje të paganizmit ose neopaganizëm.Sot, në botë ka shumë grupe, shoqata, shkolla të njohura me ligj për mësimin e magjisë, si Akademia e arteve magjike, Aleanca e magjistarëve të shteteve lindore ose Shoqëria e magjistarëve amerikanë (SAM). Qëllimi i saj është: “Të përparojë, të ngrejë dhe të ruajë magjinë si një art interpretues, të promovojë shoqërimin harmonik në të gjithë botën e magjisë dhe të ruajë e të përmirësojë standardet etike në fushën e magjisë”. Për të promovuar këto përpjekje, SAM-i paraqet çmime dhe bursa në njohjen e arritjeve të shquara në Artin e Magjisë.
Anëtarësimi në SAM është i hapur për magjistarët profesionistë, magjistarët amatorë, magjistarët e rinj, koleksionistët magjikë, historianët magjikë, shpikësit magjikë, prodhuesit magjikë dhe shitësit magjikë. Mbi 30.000 njerëz në mbarë botën kanë qenë anëtarë të saj. FISM-ja (Federata Ndërkombëtare e Shoqërive Magjike) e themeluar në vitin 1948, është një nga organizatat më të respektuara në bashkësinë magjike. Është një organ ndërkombëtar që koordinon dhjetëra klube dhe federata kombëtare dhe ndërkombëtare në mbarë botën. Së bashku, këto klube përfaqësojnë rreth 50.000 magjistarë nga 50 vende deri në vitin 2015. Organizata organizon një konferencë me emrin “FISM” çdo tre vjet, ku magjistarët konkurrojnë për kategoritë “më të mira” (Wikipedia). Magjia sot është kthyer në një profesion të licencuar shumë fitimprurës. Sipas gazetarit hetues Greg Brian: “Paga vjetore mesatare e një magjistari profesionist mund të shkojë deri në $ 49,000 në vit”(bizfluent 26 shtator 2017).
Pavarësisht se shkenca okulte e magjisë së sotme kërkon ta ndajë atë nga deontologjia duke mohuar bashkëpunimin e magjistarit me një qenie diabolike, magjia në vetvete, sipas Krishterimit, është në të gjitha rastet një lidhje me forcat demoniake, të cilat herë shfaqen si fuqi abstrakte të natyrës, universit, herë si forca të mira dhe rrallë të liga edhe çnjerëzore, ashtu si janë të vërtetë.
Këtë na e përcakton qartë Shën Nikodhimi i Malit Athos (1749 – 1809): “Magjia, në vetvete, mund të themi se është një art, me të cilin thërriten demonët, pyeten dhe përgjigjen, herë duke bërë të njohur thesare të fshehura, herë me shpjegime ëndrrash dhe herë të fshehta të tjera. Ata që e ushtrojnë këtë art, quhen magjistarë, dhe mbështesin se ekzistojnë tri grupe demonësh: ajrorë (enaerioi), të cilët i konsiderojnë mirëbërës; tokësorë, që i konsiderojnë dhe të mirë dhe të këqij; dhe të nëndheshëm, domethënë ata që ndodhen nën tokë që i karakterizojnë si keqbërës”.
Sigurisht, në realitet të gjithë demonët janë të këqij dhe keqbërës, dhe nuk janë asnjëherë mirëbërës. “Shkrimi i Shenjtë dhe doktrina e krishterë thekson qartë se njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për luftën, betejën kozmike shpirtërore midis Zotit dhe djallit, së mirës dhe së keqes. Sipas doktrinës orthodhokse nuk ka rrugë të mesme ndërmjet Perëndisë dhe satanait.
Njeriu kurdoherë është o me Perëndinë, o me djallin, duke i shërbyer njërit apo tjetrit. Magjistarët me “mrekullitë’’ kërkojnë të falsifikojnë doktrinën e Zotit, kështu që do të ketë një luftë të vazhdueshme mes Kishës Orthodhokse dhe djallit, mes besimtarit dhe magjistarit, dhe e gjitha kjo betejë për jetë a vdekje do të përfundojë në Ardhjen e Dytë të Krishtit, i Cili do të vijë me pushtetin e Zotit që t’i japë fund sundimit të djallit dhe t’i dënojë magjistarët, bashkëpunëtorët e tij: “Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë. Jashtë Mbretërisë së Perëndisë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën” (Zbulesa 22: 12-15).
Kush janë magjistarët?
Magjistarët janë njerëz egoistë me karakter të dobët, të cilët, me ndërgjegje, ia kanë dorëzuar shpirtin djallit, por ka nga ata magjistarë që i shërbejnë pa vetëdije djallit duke menduar se kjo është një praktikë fetare në shërbim të Zotit ose thjesht një fuqi paranormale; këta magjistarë quhen mashtrues të mashtruar. Por ka nga ata që e përdorin magjinë si profesion fitimprurës.
Magjistari vetë është një viktimë e djallit, sepse në fillim demoni i bindet magjistarit sa ta shtyjë në mëkate të vdekshme në krime, pastaj, kur djalli merr të drejta mbi të, e torturon dhe e detyron t’u bëjë keq njerëzve, derisa e vret dhe e tërheq në ferr dhe e mundon. Djalli është një “zotëri” i tmerrshëm; mjerë ai që bie në duart e tij! Disa magjistarë mendojnë se do të mbretërojnë me djallin në ferr, prandaj i shërbejnë dhe e adhurojnë si zotin e errësirës, por ai (djalli) do hidhet në ferrin më të frikshëm dhe do vuajë atje përjetësisht për ligësitë e tij ashtu siç na thotë Zbulesa: “Atëherë, djallin që kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku është bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë natë në shekuj të shekujve”(Zbulesa 20:10).
Si vepron Magjia?
Magjia, në vetvete, vepron me mendime, fjalë, figura, gjeste, kërcime apo tinguj me karakter simbolik. Teknikat e magjisë mund të ndahen në katër kategori:1. Magjia omeopatike, e cila kryhet nëpërmjet përdorimit të imazheve ose objekteve të ndryshme si p.sh. vizatim, kukulla, qirinj që personifikojnë personin mbi të cilin do të bjerë magjia.2. Magjia me kontakt, që kryhet nëpërmjet përdorimit të substancave të ndryshme të përgatitura me përbërës natyrorë si ujë, vaj etj.3. Hipnotizimi me anë të formulave magjike të cilat thuhen me zë apo me mendje.4. Parashikimet si astrologjia, leximi i letrave, leximi i fatit në dorë, i filxhanit etj. Këtu futen edhe hajmalitë “fatsjellëse” edhe çdo veprim supersticioz. Gjatë riteve magjike, këto kategori edhe mund të kombinohen njëra me tjetrën nga magjistarët.
Sa lloje magjish ka?
Meqë magjistari i përdor aftësitë e tij për qëllime të mira ose të këqija, magjia është quajtur e bardhë dhe e zezë. Në magjinë e zezë përdoren flijimet e djallit me gjak kafshësh dhe njerëzish, sidomos gjak fëmijësh, praktika magjike që i përdornin paganët që nga lashtësia. Ndoshta keni lexuar nëpër gazeta për tregti fëmijësh ose fëmijë të humbur. Shumë prej fëmijëve i marrin grupe satanike dhe i flijojnë, dhe me gjakun e tyre bëjnë magji të zezë satanike. Në magjinë e bardhë përdoret element më pak gjakësor si boja e shkrimit, thonj njerëzish, kafshësh, shpendësh, zvarranikësh, të gjalla ose të ngordhura, baltë, dhé të vdekurish, fije fshese, gozhdë, gjilpëra, patkoi, hudhra, kukulla etj., ashtu si na thotë ish-magjistari i Kartagjenës, Qipriani, i shekullit III, i cili u pendua dhe, mbasi mohoi satanin dhe veprat e tij, i dogji të gjithë librat dhe mjetet magjike, u bë i krishterë me pagëzimin dhe më vonë u bë prift dhe episkop dhe, për të mbrojtur popullin e
Perëndisë nga kurthet e djallit dhe të magjistarëve. Ai la për besimtarët dhe një lutje kundër magjive, ku na thuhet: “Në qoftë se magjia është lidhur me shkresë të shkruar me bojë ose gjak njeriu a kafshe, shpendi, peshku ose ngjyrë mavi ose me lëndë limoni ose me tjetër mënyrë të shkruar dhe të vendosur në një vend që kapërcen shërbëtori i Perëndisë… (aksh) për dëmin e tij… në oborret e shtëpisë së tij ku janë futur ose shpërndarë. Në qoftë se janë bërë me metale të mbyllura në qoshe, le të zgjidhen; në qoftë se i kanë përshkruar në kockë ose në det a pus a varr,… në qoftë se janë bërë me thonj njeriu, kafshe ose shpendësh të gjalla ose me dhe të vdekurish… të vënë në plloça, me hu ose gozhdë ose të përshkruara në gjilpërë … në qoftë se janë bërë me argjend ose flori ose me metal … në qoftë se janë lidhur me lesh, pambuk, mëndafsh li, le të zgjidhen menjëherë për shërbëtorin e Perëndisë” (Lutja e Shën Qiprianit).
Ku influencon magjia?
Magjia influencon në çdo aspekt fizik dhe psikologjik të njerëzve, por edhe te kafshët, edhe te natyra. Përsëri të gjitha këto influenca të magjisë i përmend ish magjistari Qipriani në lutjen e tij: “Sepse ndaloja retë dhe nuk binte shi; lidhja dheun dhe nuk jepte pemë; lidhja vreshtat dhe nuk jepnin rrush; kopetë e dhenve dhe nuk pillnin; burrat dhe nuk iu afroheshin grave të tyre; nënat nuk lindin fëmijë; lidhja anije dhe nuk lundronin; punishte dhe nuk bëhej punë në to; peshkatarë dhe nuk peshkonin; kopshtet nuk bënin zarzavate; pemët nuk bënin fruta; lumenjtë dhe nuk rridhnin; mullinjtë dhe nuk bluanin; vëllezër dhe bashkëshortë i çoja në armiqësi dhe i ndaja; e bëja verën dimër dhe dimrin verë dhe të gjitha këto i bëja me dijeni” (Pjesë e shkëputur nga Lutja e Shën Qiprianit).
Pse njerëzit tërhiqen nga mashtrimi i magjistarit?
Njerëzit shkojnë shpesh te magjistarët për të zgjidhur më shpejt problemet e tyre shpirtërore, trupore dhe familjare. Por magjistari, meqë është një njeri pa karakter që interesohet për fitimin dhe për lavdinë e tij, si një njeri që ka fuqi të mbinatyrshme, nuk interesohet për shkakun e sëmundjes apo të problemit të njerëzve, që në shumicën e rasteve është mëkati personal ose prindëror. Njerëzit që nuk duan të korrigjohen në pasionet dhe mëkatet e tyre, preferojnë të shkojnë më shumë te magjistari për t’i dhënë zgjidhje problemit të tyre, sesa të shkojnë në kishë dhe të kërkojnë ndihmën e Zotit, i
Cili është i drejtë dhe ka vendosur ligje morale që njerëzit duhet t’i zbatojnë që Ai t’i ndihmojë. Ka një ndryshim ndërmjet shërimit të Zotit edhe ndihmës së djallit. Zoti do shpëtimin e njeriut jo vetëm për këtë jetë, por për përjetësinë, prandaj përpiqet për t’i çliruar njerëzit nga mëkati me anën e qortimit, me qëllim që ata të korrigjohen, kurse djalli është gati që në këtë jetë t’i ofrojë gjithçka njerëzve, mjafton të rrinë në padije dhe mëkat, që kështu të fitojë të drejta mbi ta dhe pastaj t’i çojë në ferrin e përjetshëm që u bë për djallin edhe demonët.
Kisha Orthodhokse i ndalon kategorikisht të krishterët të merren me magji ose të shkojnë për ndihmë te një magjistar. Më kot thonë këta njerëz se janë të krishterë. Vetëm me fjalë janë të krishterë, por me veprat e tyre tradhtarë të Krishtit, idhujtarë të pabesë dhe adhurues të satanit. Kisha Orthodhokse cakton dënime (epitimia) për raste të tilla. P.sh. Sinodi VI Ekumenik (Kanoni 61) kanonizon me largim 6- vjeçar nga Kungimi Hyjnor ata që shkojnë për ndihmë te magjistarët, tek ata “që thonë fatin” dhe gjithë ata që bëjnë gjëra të kësaj natyre. Nëse qëndrojnë në veprat e tyre dinake, përfundimisht i ndajnë nga Kisha.
Sinodi lokal i Ankarasë (Kanoni 34) kanonizon me 5 vjet privim nga Kungimi Hyjnor sa futin (sjellin) magjistarë në shtëpitë e tyre që të gjejnë magjitë që i bënë të tjerët.
Vasili i Madh (Kanoni 65) i vendos fallxhorët dhe mediumet në të njëjtin fat me vrasësit, dhe i dënon me 20 vjet largim nga Kungimi Hyjnor.
Kë njerëz zë dhe mundon magjia?
Magjia sigurisht i zë ata njerëz që nuk besojnë dhe nuk i drejtohen Perëndisë për ndihmë, ata që blasfemojnë emrin e Zotit, të padrejtët, imoralët, vrasësit, mëkatarët e papenduar dhe indiferentët ndaj fesë. Magjia ka fuqi edhe ndikim aq sa i japim të drejta djalli të na kontrollojë. Ndërsa besimtarin e mirë asnjëherë nuk e zë magjia. Një prift predikues thoshte: “Le të mblidhen gjithë magjistarët dhe magjistaret dhe të më bëjnë magji, nuk më zë, sepse përpiqem të shkoj në rrugën e Perëndisë.
Si zgjidhen magjitë?
Kisha Orthodhokse, si trupi i vetëm dhe mistik i Krishtit, ka lutje, urata të veçanta që quhen “ekzorcizma” për çlirimin nga ndikimi i magjisë, këto lutje i lexon prifti në emër të Zotit Jisu Krisht, një ndër këto lutje na thotë: “Pra, të lutemi, Perëndi i etërve dhe Zot i mëshirës,.. prano atë që ka ardhur te ti në emrin tënd të shenjë dhe të Birit tënd të dashur Jisu Krishtit dhe të shpirtit tënd të tërëfuqishëm; largo nga shpirti i tij çdo sëmundje, çdo pabesi, çdo frymë të papastër…., çdo veprim të djallit, çdo magji, çdo ilaç magjie, idhujtarie, parashikimi yjesh, astrologjie, spiritizmi, parashikimi nëpërmjet shpendëve, epshit, erosit, koprracisë, dehjes, kurvërisë, shkeljeje kurore, plëngprishjes, paturpësisë, inatit, grindjes, parregullsisë dhe çdo dyshimi dinak” (Uratorja) Shën Nikodhim na këshillon: “Për t’u mbrojtur nga magjitë dhe nga veprimet e demonëve, të gjithë – të vegjël dhe të mëdhenj, burra dhe gra – të keni të varur në qafën tuaj Kryqin e nderuar. Demonët dridhen nga shenja e Kryqit dhe, kur e shohin, ikin larg”.
Kush është rreziku i okultizmit sot?
Okultizmi, siç e përmendëm më sipër, është përhapur shumë në këtë brez sepse njerëzit, ngaqë janë metafizikë, besojnë tek e mbinatyrshmja, por ngaqë janë egoistë nuk e kërkojnë nga Zoti fuqinë për të bërë të mirën në veten e tyre, por e kërkojnë nëpërmjet magjisë pa u interesuar se nga kush vjen kjo energji. Magjinë sot mund ta bëjë kushdo shumë lehtë, sepse librat e magjisë botohen dhe shiten pa pengesë, çdo njeri i paformuar mund t’i thotë formulat e magjisë dhe, me dashje a pa dashje, ai bëhet një magjistar, domethënë lidhet me energjitë negative të djallit. Madje dhe fëmijët rrezikojnë të bëjnë magji sepse i mësojnë formulat e magjisë në librat, filmat për fëmijë që gjithnjë e më shumë janë mbushur me personazhe demoniake.P.sh., shumë fëmijë që kanë lexuar apo kanë parë filmin e Hari Poter e kanë kapur veten duke bërë magji, duke përsëritur formulat apo duke imituar ritet. Okultizmi nuk është një argëtim i pafajshëm ose i padëmshëm. Nuk është thjesht të eksplorosh të panjohurën, por nënkupton të hysh në kontakt me demonët, engjëjt e ligj që u rebeluan kundër Perëndisë. Okultizmi u shërben demonëve, edhe është një mënyrë për t’i mashtruar dhe shkatërruar njerëzit.
Është tundim i madh për të bërë magji, madje djalli tentoi ta tundonte edhe Krishtin duke i thënë: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thoji këtyre gurëve të bëhen bukë”, pra ta bësh se të thashë unë. I tha “Hidhu nga maja e tempullit” për të çuditur judenjtë, por Krishti nuk e pranoi tundimin e djallit që të merrte me anë të tij pushtet mbi botën, por i tha:
“Shporru prej meje satana, adhuro Zotin, Perëndinë tënd, vetëm Atij falju” (Mateu 4:1-11). Le të veprojmë edhe ne kështu.Por mund të themi me keqardhje se ky brez, i karakterizuar nga pabesia edhe imoraliteti, po e hedh veten brenda një loje botërore autosugjestive ku djalli edhe demonët “nuk ekzistojnë” edhe magjia thjesht është një mjet i zhvillimit të brendshëm të qenies njerëzore edhe një fuqi universale abstrakte për të vendosur kontroll mbi natyrën.
Kjo situatë përputhet me atë që paralajmëron apostull Pavli në lidhje me ardhjen e antikrishtit, magjistarit më të madh të të gjitha kohërave, i cili, me magji teknologjike dhe hipnozën kolektive, do t’i mashtrojë njerëzit mëkatarë para se të vijë Krishti për herë të dytë si gjykatës me drejtësi: “Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekulli të rreme, dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën që të shpëtojnë. E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë” (2 Thesalonikasve 2:9-12).