Lidhu me ne

Letersi

DO VIJË, DO VIJË NJË DITË ORA E SHQIPTARIT – Cikël poetik nga ARSHI PIPA

KOSOVËS Vllazën shqiptarë, Kosova s’asht e jona.
Kush me e përmendë guzon ai ban trathti!
O kob qi s’do t’harrohet kurr tevona!
Kosova e ngratë dergjet e vdes n’robni.

Prej bastardhësh trathtue qi i zhgulën zemrën
e n’pre ua hodhën klyshve qi Moskova
Për gjak ndërsen, me parzëm shkelë nën themrën
mizore sllave po jep shpirt Kosova.

Deri kur, vllezën, do ta ndiejmë na veten
fajtorë pse vendin ku Shqipnija leu
guxojmë ta duem, tue pasun frigë fatshkreten
Kosovën tonë ta quejmë gjymtyrë atdheu?

O tokë e bukur ku fjala burrneshë
ilire ushton qysh me mjegull gojdhane!
gjoks i Shqipnis, ku e ndryme si luaneshë
ndër hekura gjëmon zemra Dardane.

A mundet ajo, vall, me u-zhgulun dejsh
pa ba kufomë llogoren e krahnorin?
Lumnin tande, Kosovë, at’herë ta rrfejsh
kur gjak i lirë t’vadisë hullin e plorit.

Sot tjetërkush ta gzon frytin e punës,
mbi tokën tande, kosovar, je skllav!
Qi t’la mbi vetulla kamxhiku sllav!

Qoftë e mallkueme fara qi aty hidhet
me djersë e njomun pleqsh, me lotë kërthijsh!
Bukën e turpit e t’poshtnimit t’idhet,
o vend martyr, der kur ta kapërdijsh?

Qenka pra faj me lypë të drejtën tande?
Dorën për lmoshë duhet me i shtri kusarit?
O gjuhë, ti bamu rrfe e tmerrin trande!
Do t’vijë, do vijë nji ditë ora e shqiptarit!

Mbas nesh tjerë kanë me ardhë. S’fiket Shqipnija
pse disa qinda nesh rrzohen nën plumbin.
Se për çdo dhjetë prej nesh qi amshon lirija
dhjetë mijë do t’lindin e dhjetë mijë do t’humbin!

Do t’humbin shqim ata qi sot na shtypen!
Kulshedra e re me lakminat e vjetra
at’here do t’shembet kur ta shofim shqypen
prej majesh tu’e sulmue me sqep e kthetra.

Andej na priret shpirti i fortë me hove
t’dalldisuna ngadhnjimi, ushton jehona:
O vllezën, nalt ju ballin! prej Kosove
Der n’Çamëri Shqipnija asht e jona.

NISJE

Lamsh na perlane — çka mundëm me rrëmbye
prej teshash vrik — e na stivuen si thasë
ndër kamjona, me shqelma tue na rrasë;
prangat ndër duer, për s’mbrapshti, ashtu mbërthye

sa mishi u-nxi mbas pake e u-fry me plasë;
mandej për kame e gjoks litarin nye
tri herësh na e përshuen, tue u-dërkrye
ma keq mbi ke u-angue a desh t’u flasë.

E mbasi kryen, rrethuen nënkolonelin
qi gjithe at kohe kish ndenjun tue soditun
fetyrat tona t’ajtuna, t’gërdheshna

nën klithmat e pazâ… Ishin djersitun
e fshiheshin me nge. E mbante belin
njeni tue qeshë me llanet e përveshna.

Stalinizmi shqiptar

e ç’doktrinë, o budalla

çorba jote pordha lla

atheizmi shpallur fe

me Tiranën për Qabe

Vrave, preve, vare,

ndoqe miq, armiq shok e shoqe

cilindo që të bënte hije

gati ta zhdukje,

ta fshije

dhe tani pa turp kërkon

një kolltuk për pantheon

me klasikët e marksizmit

ti xhambaz i komunizmit

vendi yt në mauzole

tok me mjeshtrin, në hale

Krushcevi ju foli hakun:

atij verën, ty kapakun

Stalinuc i Shqipërisë

paç haram qumësht e sisë

Paç mallkimin e një nëne

pizeveng doç i satëme

Lamtumirë

Mos loto, q’i n’kujtesë
Të ruej pa turbullue
Kqyrjen tande plot shpresë
Magdalene e pikëllue!

Mos qaj! Fisnike zija
kur veten nuk e shpall
Ashtu nga dashunija
ti vdiqe tue u ngjall.

E zymte asht dita e motit
Nuk dij a kem’me u pa….
N’se jo, ti lutju Zotit,
Se mirë na jemi nda.Kanali 

I
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
Rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje, Dikush përbri qet gjak për goje.
Këndon lehtas matanë nji fmi arixhiu.
Ky grindet për pakë uj qi shoku i piu;
ai shan se i vodhën bukën. Hyn nji roje.

Shkopinj e shkelma. Britma. Fryn bilbili.
Pushim. E dergjet lodhja, pran secili,
e flen kush mundet për at natë me fjetë.

Si lazaret rënkon e fshan baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyre qi i pret nji vorr i shkretë.

——————————————————
Në këtë sonet mjedisi i përgjithshëm i barakës ku banojnë të burgosurit. Detajet e zgjedhura nga poeti na ndihmojnë për të pasur një tablo të qartë e të gjallë të këtij kampi të shfarosjes. “Ndër baraka, shkruan poeti, rrojshin së bashku ordinerë dhe politikë. Vjedhjet ishin të shpeshta, të bame prej ordinerëve, të cilët nxiteshin nga rojet që të vidhshin politikanët. Po t’ankoheshe, ndëshkimin e kishe ti dhe jo vjedhësi, mjaftonte që ky të mohonte fajin. Mentaliteti i rojeve ishte ky: Politikanët janë përfaqësues të klasës kapitaliste-borgjeze, kurse ordinerët janë “proletarë”. Puna kishte mbërrit deri n’at pikë sa njeriu të flente me trastën e bukës nën kokë”.
IX
Ditën asht vallja, natën sarabanda
Se rraskapitesh ditën, natën flen?
Nuk thom për morrin, qi për trup e gjen
(u msuem me të) si miza dheu ndër banda.

E zgjohesh trembshëm… Ndien a vesh t’rren?
Këlthitje, t’çjerruna, rënkime t’randa…
Torturohen tash shokët te komanda,
e radha jote nesër ka me qenë.

E ç’nuk na bajshin! Na rrihnin me tel;
lakuriq, e mandej n’ujna handraku
na zhyteshin, trupin plagë n’currila gjaku.

E na lidhnin me fill prej telefoni
Për shtylla aty pranë krahanuer e bel
Që t’na pështynte nesrjet divizioni.

——————————————————
Natën rojat torturonin me ndihmën e disa të burgosurve, të cilët morën emrin “brigata e zezë”. Të burgosurit merreshin nga shtrati dhe dërgoheshin në komandë (ose në një vend tjetër mbas telave, por edhe brenda telave) dhe aty torturoheshin mizorisht. Mbas torturës shpesh vinte veçimi. Disa herë veçimin e bënin për të dhënë shembull brenda kampit.

XIII
N’infermierin e kampit, nji kasolle
Anash rrethue me hasër, nalt me kashtë,
dergjen ndër qelbësina pesë a gjashtë;
njiqind, dyqind i ka gjithmonë okolle.

Pushim ankojnë. Por vjen rreshteri i vrazhdë
Dhe krisin hujt e çizmet n’ato golla
Jetë s’përçundun ngelun veç gëzholle
E shpesh me shkelma i qet nga shtrati, jashtë.

E vdesin fatkëqijt aty te praku
Vdesin e hendeqeve ndër baraka gjaku,
vdesin nën shtrat ku mshehen për me vdekë.
Vdesin tue pritun bukën, ndër gjiriza
Tue ba nevojën, vdesin posi miza,
dhe si coftina i kallin ndër hendekë.

——————————————————
Për të kuptuar mirë ferrin e kësaj infermierie, vlen të lexohet shënimi i vetë poetit: “Infermieria e kampit ishte tepër e pakët për me përballue nevojat. Ndonjëherë, ndër rasa më të randa, dhe mbi insistimin e mjekëve, disa të burgosun u dërguan nga infermieria në spitalin e Korçës. Unë qeshë njeni prej tyre, “Rreshteri i vrazhdë” asht rreshteri Hito i burgut te Durrësit, më famëkeqi ndër të tjerët. Një tjetër nga ata që kryen tortura me zell të madh asht polici Skënder Xh, i burgut të Korçës. Kam dëshmue vetë torturën që ky i ka ba një të riut korçar bash në infermierin e kampit.

XXIV
Ajo na mbajti gjallë. Si luleferrë
Nga rrota e qerres shkelun rrafsh me tokën,
por qi nuk shtrohet për me vdekë e kokën
nesërjet diellit plot uzdajë i pjerrë,

ashtun nën rrotën, që për ne që mokën
me shpirt ndër dhambë duruem na kët skëterrë,
lirin e andrruem te nata e bame sterrë,
e zemrat tona për atë flamur rrokën.

Se nuk dyshuem na kur qi shpejt a vonë
Nga tiranija e randë atdheu do t’shkundesh,
dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh

ma e bukur do t’shkëlqente besa jonë.
Vuej por qëndro! Marr zemër te burrnija!
E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!

——————————————————
Ideali i pamposhtur i lirisë këtë herë, ashtu siç ka ndodhur mijëra herë në histori, bën edhe këtë radhë mrekullinë e triumfit të jetës mbi vdekjen, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të dritës mbi terrin. Është pikërisht për këtë, që ky sonet i fundit, dallon kaq shumq nga gjithë të tjerët.Nemesis (mallkim) 

I

Ndër gropa burgjesh shkrye për gur e baltë,
mbërthye qelash ndër pranga,
nga gjoksi i shtypun sungullon mâ e naltë
kur del prej s’thelli kanga.
Na shajnë e na poshtnojnë, na plasin gjamën:
anmiq t’adheut! Tradhtarë!
pse duem Shqipnin e plotë, pse urrejmë na namën
e huej, pse jem, shqiptarë.
E ata qi e shitën tue ja lidhun qerit
t’anmikut për trofe,
ata qi flamurin, heu, i’Iskanderit
e zhyen me tjetër fè,
ata qi deri dje mbajshin kapistra,
teneqexhinj, shollarë,
gjysmakë, t’falimentuem, e sot ministra:
ata janë atdhetarë!
Na zhgulin thonjt me danë, ndër plagët krypë
na këllasin, na e shtyjnë
n’gërmaz me grushta, e uj kur bâjmë me lypë
qeshin e na pështyjnë.
Na lagin dimnit qelat, elektrikun
na e venë ndër veshë e n’gojë
e ndër trupa… E qeshin tue fikun
cigaret n’sy për lojë.
Na vene jelekun sa me u thye kërbishtnash,
na lanë me ditë e netë
varun për shpatullash mbi maje gishtash,
pa ngrënë, pa pi, pa fjetë.
Mandej po ngelëm prapseprap na gjallë
me shkelma na mbarojnë,
na hjedhin prej dritores, e veç rrallë
me nji plumb na nderojnë.
Pa gur, pa shenj, ndër gropa plehu hjedhun
si coftina na kallin,
ku grat e foshnjet tona s’vinë me rrjedhun
lotët që zbusin mallin.
Po e fortë asht zemra jonë, ma e fortë, o vllazën,
se tortura qi e sosë.
E zjarrmi i anmikut veç mâ keq na ndezën
urrejtjen qi rroposë.
Heu e tmerrshme ajo ditë tri herë fatore
kur shokët qi nuk ranë,
me shpirtin dalldisur për fitore,
do t’thrrasin gjakun tonë.
Dridhnju tiranë mbi frona e ju xhelatë
qi vegla u bâh’ ni qorre.
E zezë asht nata, por s’ashtë veç një natë.
Dielli i liris, ti shporre!
E n’se lypet durim e besë qi s’vdaret.
aq sa më dhambë me bre
hekurin që kryqzon dyert e dritaret,
qoftë ajo ligjë për né.
Nga gropa burgjesh me njeni-tjetrin rrokë
me besën e dëshmorit,
nga shpirti i bamë thëngjill qyshkur, o shokë,
pa shfrim mbrenda kraharorit,
ushton kanga e kushtrimit. Then çelikun,
shpartallon ledh e strehë,
dhe si shqiponja e flamurit vërtikun
ndër qiellna t’lira zhgrehë.
Përpëlitet Shqipnija nën mizoren
thundër si krymb n’handrak.
Heu, deri kur ma do puthim dorën
qi syt na i plasi gjak?
Kushtrim, o male, o fusha! Qitni bén
ksaj zgjedhe fund me i dhanë!
Ta zhbijmë krajtën qi na e bani atdhen
veç burg e kasaphanë.

——————————————————
Poema është shkruar në burg prej vitit 1946-1948. Është një nga krijimet më të fuqishme të autorit në poezi. Ajo përbëhet nga katër pjesë dhe është një stigmatizim i politikës antikombëtare dhe i egërsisë së diktaturës. Poeti del nga muret e burgut dhe lëshon një mallëkim në emër të popullit shqiptar kundër atyre që, siç thotë, e kthyen atdheun “veç burg e kasaphanë”.Elegji për Gac Çunin 

Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë, të ngratin!
Banja t’madhe gjamën! Vdiq tue sosë afatin!
Si, pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe rrekë
Tue luftue me morden! Vdiq: e lanë me vdekë!

Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t’Bedenit,
fill andej përplasun brrakave t’liqenit;
ra e u’mek djaloshi… Vinte i imët kah shtati,
s’ishte për tê kazma, s’ishte për tê shati

Se ktij qielli i fali çka s’i dha secilit:
frymën e muzikës, zanin e bilbilit.
Oh sa herë ndër muzgjet e robnis ai zâ
Zemrën qi lëngonte balçëm ai ju bâ

Dridhej nën zâ letas, mallshëm, melodija,
tash ndër kangë shkodrane, tash n’Ave Maria.
Prante zhurma e dhomës, që të gjithë veshtojshin
Tretun ndër kujtime t’ambla qi ato zgjojshin…

Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë,
mâ s’ta gjegja zanin, mâ nuk t’ndesha jashtë!
N’imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë
Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?

Fshâj nji kangë lirije qi t’u mbyll n’krahanuer!
Fshâj nji jetë artisti qi pa fryt u-buer!
Fshâj e përmbas teje le t’ankojë shoqnija
qi na njofti vlerën, mbarë t’ankojë rinija!

——————————————————

Koment
Këtë elegji poeti ia kushtoi një ish nxënësi të tij dhe shok burgu, Gac Çunit ish-mësues në Kastrat të Shkodrës, që kur vdiq në burgun e Burrelit, nuk i kishte mbushur të tridhjetat. Ai ishte turbekuloz, megjithatë u kishte bërë ballë me trimëri vuajtjeve të burgut. Në mars 1956, pak muaj para se të lirohej, ai pati një sulm apendiciti. Drejtori i burgut e la të vdiste pa e çuar që të operohej. Në burg Gac Çuni kishte kompozuar këngë patriotike, njëra prej tyre ishte kënga për tre të rinj shkodranë të vrarë në gusht 1948 prej Partisë Komuniste. Gaci kishte kompozuar edhe këngë të tjera mbi motive popullore. Njëra ndër këto: “Kanga e kaçurrelit”, është bërë sot popullore në Shqipëri.

—-Elegjia Vllazërore 

Ma thonte zemra e ngrata
se jeta t’kishte lanë,
edhe pse miqt e shokët
nuk dojshin me ma thanë.

Der sa mbi krye mandata,
kur s’e pritsha më ra,
dhe mora vesh çka në andërr
prej kohe m’ishte gja.

E pau epileptiku
qi s’njifte mue as ty.
Po kapërcejshim lumin
kur befas ura u thye…
Un rashë… m’u turr vërtiku…
humba! Uluroi një za…
Ti u hodhe, m’kape, m’qite…
por vetë nuk dole ma!

Ti vuajte, ti rreziqe
durove simbas stinës
nga ishulli i Ventottenes
ndër telat e Prishtinës.
E pse përbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmonë armik i shtypjes
e bir i atdheut besnik.

Sot qi nga dita e mortit
Ka rrjedhë ma se nji mot,
tue ta nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.

Pse për vdekjen e t’fortit
i fortë duhet me u bamë.
As i përmendi fajtorët:
nuk kam ma çka me i namë.
Kur ndofta nga mizori
Po përgatitet ura

për mue kët herë e kanga
e mbramë âsht kjo qi thurra,
me gjakun tand dëshmori
vulosi sot nji bè:
përbuzi komunizmin
e truhem për atdhè.

—————————————————–
Shënim i poetit:
Kjo elegji u shkruajt në Nanduer 1948, pak para se të nxirresha në gjyq për herën e dytë. Ky gjyq u ba në Prokurori të Durrësit me dyer të mbylluna dhe zgjati gjithsej 15 minuta. Vendimi i gjyqit u dha brenda në burgun e Durrësit. Im vëlla Myzafer Pipa, avokat, qe arrestue në shtatuer 1946 dhe mbasi u torturue deri në vdekje, u nxuerr dhe u vra me nji batare automatiku në Degën e Sigurimit të Shkodrës, kinse kishte dashtë t’ikte. Vrasjen e tij, të cilën ma kishin mbajtë mshehtë, e mora vesh vetëm gjatë proçesit të dytë në Prokurorinë e Durrësit.
Andrrën e pau nji i burgosun, kosovari Azis Sula, në kohën e vrasjes. Im vëlla pat qenë burgosë nga autoritetet fashiste italiane n’ishullin Ventottene afër Gaetas, më 1940 dhe më vonë internue në kampin nazist të Prishtinës më 1944.

MË TEPËR

Temporal3 ditë më herët

“Pse u ndërtuan 230 mijë bunkerë në Shqipëri” – Flet ish-koloneli: Mbrojtja e Shqipërisë ishte unike në botë

Koloneli Foto Duro i cili ka shërbyer për rreth 35 vjet në Forcat e Armatosura Shqiptare, i ftuar në emisionin...

Radar3 ditë më herët

Treshja e frikshme! Gazetari tregon vrasësit me pagesë më të rrezikshëm në Shqipëri

Julian Sinanaj Sipas gazetarit Ferdinand Dervishi, tre janë vrasësit me pagesë më të rrezikshëm në Shqipëri. Ai tha se Enver...

Mix3 ditë më herët

A ju ndihmon tërshëra të humbni peshë?

A ju ndihmon tërshëra të humbni peshë? Drithëra jashtëzakonisht të gjithanshme, të përshtatshme për çdo kohë të ditës. Në mëngjes,...

Radar3 ditë më herët

Pse Ilir Meta nuk pranon ta takojë në burg Monika Kryemadhin?

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha në një intervistë me shkrim nga burgu 313, për emisionin “Now” në...

Kryesore3 ditë më herët

Ose Sy i keq, ose Dikush sjell ters përherë

Marrëveshja me Shqipërinë shndërrohet ne katastrofë politike për Melonin. Kështu shkruan gazeta “The Guardian” që cilëson se marrëveshja e imigrantëve bie në...

Mix4 ditë më herët

Ekspozita e Huntington, paralajmërimet e ndryshimit të klimës në pikturat e shekullit të 19-të

Një ekspozitë e re në Bibliotekën Huntington, Muzeun e Artit dhe Kopshtin Botanik, afër Los Anxhelosit, titulluar “Storm Cloud: Picturing...

Mix4 ditë më herët

Pedro Pascal prezanton ‘Gladiator 2’ bashkë me motrën e tij trans

Lux zgjodhi një fustan të zi me një bisht të gjatë dhe një prerje shumë të guximshme anash. Pedro dhe...

Mix4 ditë më herët

Çfarë do ndryshojë me ardhjen e Trusk (Trump + Musk)

Pasi komunikimi është dobësuar, gjyqësori është frenuar, intoleranca është përhapur dhe legjitimuar me fjalë që deri dje nuk thuheshin, ne...

Mix4 ditë më herët

Arra apo bajame, cilat janë më të mira për shëndetin?

Kur bëhet fjalë për frutat e thata, arrat dhe bajamet janë ndër varietetet më të vlerësuara, si në kuzhinë ashtu...

Mix4 ditë më herët

Cili është ndryshimi midis Miss Universe dhe Miss World?

Një nga konkurset më të rëndësishme të bukurisë në botë do të zhvillohet këtë fundjavë. Kjo është Miss Universe. Konkursi,...

Facebook