Lidhu me ne

Radar

Dëshmia e rrallë/ “Djali i Ismail Qemalit vuajti dy vjet burg për revolen e të atit dhe në varrimin e tij ishim 6 veta…”! Si e persekutoi Enveri familjen e Plakut të Vlorës

Publikohet historia e panjohur të djemve të Ismail Qemalit, nga periudha e Monarkisë së Zogut, kur ata emëruan në funksione të larta zyrtare dhe u nderuan me medalje, dekorata e pensione të veçante. Nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, kur Qamil Vlora, u burgos që në vitin 1947, duke u akuzuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa familja e tij, deri në fund të regjimit komunist, u persekutua, u denigrua dhe u shpërfill, duke mos u ftuar asnjëherë në përvjetorët e shpalljes së Pavarësisë. Dëshmia e rrallë e znj, Esma Hurshiti Vlora, mbesa e Javer bej Hurshitit, (ish-firmëtar i Pavarësisë në nëntorin e 1912-ës, funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut, prefekt dhe kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, deputet, ministër, Prefekt i Shkodrës, Senator në Këshillin e Lartë të Shtetit etj.), e cila tregon të gjithë historinë e trishtë të familjes së vjehrrit të saj, Qamil Vlorës, (djalit të vogël të Ismail bej Qemalit), nën regjimin komunist të Enver Hoxhës!

“Në fillim të vitit 1945, vjehrrin tim, Qamil Vlorën e kërkoi Mehmet Shehu, i cili i tha se e kishte thirrur për të biseduar e për t’i marrë disa mendime, si djali i Ismail Qemal Vlorës që ishte. Mbasi biseduan gjatë, Qamili i tha Mehmetit: ‘Në do të dish mendimin tim, unë po të them se mjaft u vranë shqiptarët me njeri tjetrin, prandaj mos bëni më gjakderdhje, mos vrisni më’. Siç na tha vetë Qamili kur u kthye në shtëpi, Mehmet Shehu e kishte thirrur atë, për ta kthyer në anën e komunistëve, duke e joshur dhe me premtime të shumta. Pasi krerët e lartë të shtetit komunist, nuk ja arritën dot ta bënin për vete Qamilin, ata vendosën arrestimin dhe dënimin e tij me burg”.

Kështu e kujtonte në mes të tjerash zonja Esma Hurshiti Vlora (bashkshortja e Ismail Qamil Vlorës, nipit të Ismail Qemalit, plakut të Vlorës që ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912), takimin e të birit të Ismail Qemalit në vitin 1945, me Mehmet Shehun, e cila veç kësaj na tregonte edhe anën e panjohur të familjes Vlora, gjatë viteve të regjimit komunist, ku vjehrri i saj Qamili, djali i vogël Ismail Qemalit, përfundoi në kampet e burgjet e diktaturës dhe familja e tij u denigrua e u nëpërkëmb deri në fundin e viteve 80-të.

Ndonëse të gjithë shqiptarët kudo ku kanë qenë, që nga viti 1912-të, kur plaku i Vlorës ngriti flamurin kuq e zi në ballkonin e shtëpisë së tij, janë përulur me respekt, çdo 28 nëntor për ta përkujtuar atë, të pakët kanë qenë ata që e kanë ditur se, mbas 28 nëntorit të 1944-ës kur komunistët erdhën në pushtet, ende në Tiranë jetonin dhe dy djemtë e Ismail Qemal Vlorës. Po kështu ndonëse shteti komunist organizonte ceremonitë e mëdha në përkujtimin e ditës së flamurit, për djemtë e nipat e plakut të Vlorës që jetonin ende, nuk u fol asnjëherë dhe për ta u mbajt një heshtje e thellë, duke u fshirë fare nga historia e Shqipërisë, pjesë e së cilës, ata kishin pasur fatin të ishin, duke qenë bashkëpunëtorë më të ngushtë të babait tyre.

Pjesa e dytë

Dëshmia e Esma Hurshti Vlora, bashkëshortja e nipit të Ismail Qemalit!

Aty nga fillimi i muajit shkurt të vitit 1945, Mehmet Shehu thirri në një takim në zyrën e tij, Qamil Vlorën, të birin e Ismail Qemalit, i cili ishte i vetmi nga djemtë e Plakut të Vlorës që jetonte në atë kohë dhe ishte në Shqipëri, pasi të tjerët kishin ndërruar jetë gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, kurse ishte i vëllai tij, Qazimi, ishte larguar nga Shqipëri, duke u vendosur me banim në qytetin e Strugës, ku dhe ndërroi jetë pak kohë më vonë.

Lidhur me takimin e Qamil Vlorës me gjeneral-major Mehmet Shehun, Esma Hurshiti Vlora, kujtonte: “Në atë kohë që Qamili u thirr në takim prej Mehmet Shehut, babai im, Mehmet Hurshiti, së bashku me të atin Javerin, ishin të arrestuar dhe akoma nuk kishin dalë në Gjyqin Special, ku gjyshi të do dënohej me vdekje dhe do të pushkatohej, kurse babai do të dënohej me vite të gjata burgu. Siç na tregoi më pas Qamili, Mehmet Shehu i tha atij, se e kishte thirrur për të biseduar dhe për t’i marrë mendim, si djali i Ismail Qemalit që ishte. Pasi ata biseduan gjatë me njeri tjetrin, Qamili i kishte thënë Mehmet Shehut, se nëse donte të dinte mendimin e tij, ata komunistët duhet të ndalonin gjakderdhjen, duke pushuar ekzekutimet me dhe pa gjyq, sepse mjaft ishin vrarë shqiptarët me njeri tjetrin.

Me atë gjë Qamili, donte t`i tregonte Mehmet Shehut, se ai ishte kundër dënimit të Javer Hurshitit dhe grupit të madh të ish-politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverive të mëparshme, që ishin arrestuar e pritej të pushkatoheshin. Siç na tha vetë Qamili atëhere, Mehmet Shehu e kishte thirrur atë, që t`i maste pulsin e ta kthente me komunistët, për ta shfrytëzuar emrin e tij, si djali i Ismail Qemalit dhe për ta joshur, ai i kishte bërë dhe disa premtime Qamilit.

Por, pasi Mehmet Shehu dhe disa funksionarë të lartë të shtetit komunist të asaj kohe me të cilët u takuam më pas, nuk arritën ta bënin për vete Qamilin, ata vendosën arrestimin e tij”, kujtonte Esma Hurshiti (Vlora), takimin e vjehrrit të saj, Qamil Vlorës, me gjeneral-major Mehmet Shehun, njërin prej krerëve të lartë të regjimit komunist të porsaardhur në fuqi, të cilët donin ta shfrytëzonin për interesat e tyre politike, figurën e djalit të Ismail Qemalit. Pas kësaj regjimi komunist, duke parë që familjen e djalit të Ismail Qemalit do ta kishte kundërshtare të saj, ja ndërroi asaj mbiemrin, duke ja bërë nga Vlora, në Ismaili, për të zhdukur çdo lloj lidhje midis emrit të patriotit të madh dhe pasardhësve të tij.

Arrestimi dhe dënimi me dy vjet burg, i Qamil Vlorës!

Pasi krerët më të lartë të regjimit komunist të Enver Hoxhës nuk ja arritën dot qëllimit të tyre, ata vendosën arrestimin e Qamil Vlorës. Arsyet e arrestimit të tij ishin të qarta, kurse preteksti për t’a dënuar atë, ishte nga më banalët: armë mbajtje pa leje. Askohe Qamil Vlora kishte një revolver me dorezë fildishi dhe të larë të gjithin me ar, të cilin e kishte kujtimin më të shtrenjtë nga babai tij, Ismail Qemali. Ndonëse Qamili e mbante të fshehur atë, pasi e dinte pozitën dhe raportet e tij me shtetin komunist, ajo gjë u zbulua nga Sigurimi i shtetit.

Kështu aty nga fillimi i vitit 1947, Sigurimi i Shtetit bëri arrestimin e tij, kur Qamili ishte duke punuar si punëtor, në një shtypshkronjë shtetërore. Lidhur me këtë, Esma Hurshiti Vlora, kujtonte: “Për arrestimin e Qamilit, ne si familje nuk u lajmëruam fare, atë gjë e mësuam pasi u interesuan dy djemtë e tij, Ismali me Xhevdetin. Pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi, Qamili u dënua me dy vjet burg, duke u akuzuar për armë mbajtje pa leje, për revolverin që e kishte kujtim nga i ati. As kur doli në gjyqi, ne nuk morëm pjesë se nuk na lajmëruan. Ne mundëm që ta takojmë atë, vetëm kur filloi të vuante dënimin, të cilin Qamili e bëri në burgun e Tiranës. Atë e dërgonin për të punuar në Laprakë, ku ishte një stacion për rritjen e krimbit të mëndafshit dhe gjatë asaj kohe, nga lagështia, ai u sëmur rëndë dhe u bë me tuberkuloz.

Pas dënimit të Qamilit, familja jonë ngeli në një gjendje shumë të keqe ekonomike, pasi nuk ishte asnjë të ardhur. Bashkëshorti im, Ismaili, në atë kohë ishte pa punë, pasi nuk e afronte njeri, ndonëse kishte studiuar dy vjet për Mjeksi në universitetin e Vjenës. Ismaili mundohej të gjente ndonjë punë krahu, sa për të nxjerrë ndonjë të ardhur, duke shkuar herë pas here fshatrave të Tiranës. Nga gjendja e vështirë ekonomike në të cilën u ndodh familja Vlora, filluan që të shisnin mobiliet e plaçkat e shtëpisë, për të jetuar”, kujtonte Esma Hurshiti, atë kohë kur regjimi komunist dënoi me dy vjet burg djalin e Ismail Qemalit, me pretekstin absurd dhe banal, se ai mbante një armë pa leje, të cilën e kishte si kujtim nga babai i tij, ish- kryetari i parë i shtetit shqiptar, që kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë në 1912-ën.

Ndonëse nga familja dhe pasardhësit e Qamil Vlorës, nuk ka ndonjë dëshmi që të hedhi dritë dhe të implikoje direkt ose indirekt personalisht Enver Hoxhën në dënimin e djalit të Ismail Qemalit, vështirë të pranohet se ajo gjë është bërë pa lejen ose dijeninë e tij. Puna e vështirë në të cilën u caktua të punojë Qamil Vlora gjatë dy viteve të burgut, bëri që ai të sëmurej rëndë nga turbekulozi dhe të shtrohej në Sanatoriumin e Tiranës. Lidhur me këtë, Esmaja kujtonte: “Në atë kohë që Qamili vunte nga sëmundja e rëndë e turbekulozit në një spital të Tiranës (aneksi i Sanatoriumit), bashkëshorti im, Ismaili, kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Korçës.

Duke e ndjerë shëndetin që po i keqësohej dita-ditës, Qamili i bëri disa lutje qeverisë, që t`ja sillnin djalin Ismailin, me shërbim në Tiranë, në mënyrë që ai të kishte mundësi ta takonte ndonjëherë. Por edhe pas letrave të shumta që ai bëri, jo vetëm që nuk ja plotësuan kërkesën për ta sjellë Ismailin në Tiranë, por nuk i kthyen asnjëherë përgjigje”. Ndërkohë gjendja shëndetësore e Qamil Vlorës pas sëmundjes së tuberkulozit, filloi të rëndohej akoma më shumë, kur ai shikonte se si trajtohej nga regjimi komunist në fuqi familja e tij. Ndonëse në këtë gjendje të rëndë, ai mundohej t`i jepte kurajo familjes. Kështu, në një letër që i dërgonte djalit të madh, Ismailit, më 9 shkurt të vitit 1950, në mes të tjerash Qamili i shkruante: “Ismaili im i dashur, gjithë jetën time u përpoqa që ju dy djemtë e mi, të jeni të kënaqur dhe të lumtur, e të mos kuptoni mizerjet morale dhe materiale të kësaj jete.(Qamili bën aluzion me finesë për gjendjen kritike të regjimit komunist).

Besoj se deri diku dhe megjithëse nuk disponoj pasuri, ju rrita me përkëdhelje dhe në mos më mirë, baras me shokët tuaj, më të favorizuar mbase në të tilla situata. Tashti që u plaka dhe për fat të keq më preku një sëmundje që s`ka mëshirë, nuk jam më në gjendje të përpiqem, por vetëm që të uroj dhe lus që të jeni të lumtur. Por me anën e kësaj letre, dua të them se je mjaft i pjekur nga mosha, për të kuptuar se bota nuk është fushë lumturie dhe se njerëzit nuk janë si i idealizojmë ne, por janë të shtyrë nga pasionet e tyre. Kështu duke ditur këtë fakt, duhet të forcohemi për t`i bërë ballë gjendjeve dhe ngjarjeve që na rezervoi fati…”, e mbyllte letrën e tij Qamili.

Gjashtë vetë në varrimin e të birit të Ismail Qemalit

Qamil Vlora vdiq në mjerim të thellë, më 15 dhjetor të vitit 1950, pas dy vjetësh kurimi në aneksin e Sanatoriumit të Tiranës, i harruar krejtësisht nga shteti komunist i asaj kohe. Lidhur me vdekjen e Qamilit, Esma Vlora, gruaja e djalit të tij, Ismailit, kujtonte: “Në atë kohë që vdiq vjehrri im, Qamili, bashkëshorti im, Ismaili, sapo ishte liruar nga ushtria. Gjendja ekonomike e familjes sonë ishte përkeqësuar mjaft, për shkak se shteti na shihte si kundërshtarë politik të tyre dhe na sulmonte në mënyra të kamufluara, me të butë, pasi në një farë mënyre donte të ruante edhe figurën e Ismail Qemalit.

Por edhe pse mundohej që ta ruante këtë etiketë, qëndrimi i shtetit komunist ndaj familjes sonë, dukej hapur. Kështu, në varrimin e Qamilit, nuk pati guximin që të vinte asnjëri, por e kemi varrosur ne të familjes, unë, burri im, Ismaili, vëllai i tij, Xhevdeti dhe nëna e tyre së bashku me dy komshi që na ndihmuan. Pas vdekjes së Qamilit, familjes sonë ju shtuan edhe më tepër problemet, sepse sa herë që në Tiranë bëheshin shpërngulje dhe internime, ne rrinim gjithë frikë, se mos do të na internonin dhe ne, duke na hequr nga Tirana. Por për fat të mirë kjo gjë nuk ndodhi, jo se na donin ne, por sepse regjimi komunist, siç thashë, mundohej që të ruante disi etiketën ndaj familjes së Ismail Qemalit”, kujtonte Esma Hurshiti atë kohë, kur vdiq në mjerim të madh, vjehrri i saj, Qamil Vlora dhe u varros vetëm nga pjesëtarët e familjes.

Ismail Qemali i ri, tornitor dhe bukëpjekës!

Edhe pas vdekjes së Qamil Vlorës, ndaj familjes së tij, regjimi komunist në fuqi nuk e ndryshoi aspak qëndrimin, por përkundrazi, e vazhdoi dhe më shumë persekucionin e sjelljen harbute ndaj saj. Lidhur me këtë, Esma Hurshiti Vlora, kujtonte: “Në atë kohë, shtëpinë që kishim tek Moskatet, ja lamë Xhevdetit, vëllait të Ismailit, pasi ai u martua dhe u bë me fëmijë. Ne shkuam dhe u strehuam tek motra ime, në një shtëpi afër Ministrisë së Arsimit (asokohe ambasada sovjetike), që ishte shumë ngushtë për vete dhe ne detyroheshim të banonim në një korridor të ngushtë.

Ismaili nuk e duronte dot qëndrimin që mbante shteti komunist ndaj familjes sonë dhe pakënaqësinë e tij, e shprehte gjithmonë hapur me ne dhe ndonjëherë edhe me shokët e tij. Duke parë gjendjen e mjerueshme ku jetonim ne, Ismaili tepër i revoltuar, shkoi në Kuvendin Popullor dhe ju tha atyre që e pritën në takim, se; në rast se nuk do t’i jepnin një apartament për të jetuar, ai do të merrte gruan me gjithë fëmijët e vegjël, e do ti linte përpara ndërtesës së Kuvendit Popullor, që ta shihte e gjithë Tirana, se si trajtohej familja e djalit të Ismail Qemalit, duke u lënë pa shtëpi në mes të katër rrugëve.

Pas kësaj, si duket ato u frikësuan dhe duke e njohur mirë temperamentin e Ismailit, na dhanë këtë shtëpi (një apartament afër Sheshit Willson), ku banojmë akoma edhe sot”, përfundon Esmaja rrëfimin e saj, lidhur me trajtimin që regjimi komunist i Enver Hoxhës, bëri familjes së Plakut të Vlorës. Ndonëse shteti komunist detyrua që t`i jepte një apartament të vogël Ismail Qemalit të ri, ndaj tij nuk u kujdes kurrë, që ta ndihmonte për të punuar, të paktën si ndihmës mjek, me që ai kishte mbaruar dy vjet në Fakultetin e Mjekësisë së Vjenës.

Ndonëse Ismaili mundi të rregullonte për disa kohë një punë si llogaritar, atë e hoqën menjëherë nga ai vend dhe përfundoi si tornitor me tre turne, në uzinën “Enver”. Edhe në atë uzinë ai u trajtua shumë keq, duke e lënë të punonte gjithmonë në tornot më të vjetra, ku ai nuk mundej ta realizonte asnjëherë normën dhe mezi merrte gjysmën e pagës. Pas shumë vitesh në atë punë, Ismaili u largua që andej dhe mezi e rregulloi të punonte si punëtor në Fabrikën e Bukës, ku ai doli dhe në pension aty nga viti 1980. Të njëjtin fat, në mos dhe më keq, pati dhe Esmaja, bashkëshortja e Ismailit, të cilën nuk e lanë që të punonte as si pastruese në shkollën “Petro Nini Luarasi”, por e larguan menjëherë që andej, sapo e morën vesh biografinë e saj.

Sipas dëshmive të Esma Hurshiti Vlora, gjëja që e rëndonte më shumë Ismail Qemalin e ri, deri sa qe gjallë, ishte mospërfillja që krerët më të lartë të shtetit komunist, mbajtën ndaj familjes Vlora, të cilët nuk u thirrën asnjëherë në festat dhe ceremonitë zyrtare që organizoheshin në Vlorë e në Tiranë, me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit. Tepër i indinjuar nga kjo gjë, Ismaili mundohej gjithë vitin që të kursente ndonjë lek dhe kur vinte fundi i nëntorit, merrte familjen, duke shkuar me tren në Vlorë, për të vendosur një tufë me lule pranë varrit të gjyshit të tij, Ismail bej Qemalit. Memorie.al

MË TEPËR

Radar2 ditë më herët

Dalina Buzi: Parashqevia, ylli shqiptar që e fshiu vendin e vet, i vetmi që e deshi e s’do e linte të mblidhte ndihma

Dalina Buzi, tregon përmes një eksperience personale dhe profesionale nga viti 2003 kur e gjendur në Amerikë për të ndjekur...

Kryesore3 ditë më herët

“Trump është legjendë, ju jo” / Evi Kokalari sulmon Sali Berishën!

Aktivistja Evi Kokalari dhe kreu i PD Sali Berisha Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar sërish pas deklaratave të bëra një...

Aktualitet3 ditë më herët

“Nuk i njeh askush s’ka njeri që di të përmendë 5 emra ministrash në këtë vend “

Lorenc Vangjeli: Analisti Lorenc Vangjeli foli në “Top Story” për deputetët në Kuvend, teksa disa prej tyre i konsideroi si...

Kioske3 ditë më herët

Tiranës i duhet një metro

Eduard Zaloshnja Zona metropolitane e Tiranës, që përfshin bashkitë Tiranë, Kamëz e Vorë, ka plot 716 mijë banorë, 216 mijë...

Radar3 ditë më herët

Basha: Partia Demokratët Euro Atlantikë ka kolosë në gjirin e vet. Rakipi: Në Atlantik ka peshq

Lulzim Basha, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se në partinë Demokratët Euro Atlantikë ka “kolosë” të cilët...

Mix3 ditë më herët

iPhone 17 Pro, Apple gati për të revolucionuar dizajnin: këto janë risitë e mundshme

Me sa duket, risitë që vijnë në iPhone 17 nuk do të kenë të bëjnë vetëm me ekranin. Në fakt,...

Mix3 ditë më herët

Kush është blogerja Bettina Anderson? 5 gjërat që duhet të dini për të dashurën e re të Donald Trump Jr

Bettina Anderson u bë e famshme pasi u shfaq krah për krah me Donald Trump Jr. Në fotot e marra...

Radar3 ditë më herët

Nuk është shaka/Nis dialogu me qytetarët për luftën ndaj korrupsionit

Teksti më poshtë është marrë nga ATSh dhe sugjerohet si lajm nën titullin: Komisioni i posaçëm antikorrupsion, nisin nga Durrësi forumet...

Kritike4 ditë më herët

Mashtrimin e Edi Ramës me rritjen e pagave e beson vetëm Helena Kaçi

Nga Irena Beqiraj Në 7 prill 2023, ministrja e Financave e asaj kohe, Delina Ibrahimi, na dha lajmin e mirë...

Mix4 ditë më herët

3 ushqimet më të mira për mëngjes!

Tërshëra 1. Të gjithë e dimë se tërshëra është një superushqim. Gjëja më e mirë është që ju mund ta...

Facebook