Kryesore
“Dyert e mbyllura, e ardhmja që ofron PD-ja e Bashës”
Një ditë para protestës së paralajmëruar nga Berisha dhe mbështetësit e tij, një grup anëtarësh të Komisionit të Rithemelimit shkuan në selinë blu, për t’u përballur sërish me dyert e mbyllura. Anëtari i Këshillit Kombëtar, Ervin Minarolli, tha se më 8 janar, demokratët do të ekzekutojnë vendimin e referendumit të 18 dhjetorit.
“Kemi tentuar dhe dje e pardje deputetë, anëtarë të Grupit të Rithemelimit, por selia është e mbyllur. Është rast unikal që partia mbyll dyert e mbështetësit e vet. Flitet për të ardhmen, por kjo është ardhmja që ofron PD sot. Është një parti pa vizion, ndaj është i nevojshëm rithemelimi. Nesër demokratët nga e gjithë Shqipëria do të ekzekutojnë vendimin”, tha Minarolli.
Komisioni i Rithemelimit ka paralajmëruar një protestë për të shtunën, 8 janar, në Tiranë. Demokratët që mbështesin Berishën pritet të mblidhen para selisë blu, me qëllim që ajo të mos kthehet “në bunkerin e pengun, por në shtëpinë e demokratëve”.
Protesta do të nisë në mesditë, tre ditë pas afatit që Komisioni i Rithemelimit i ka lënë Bashës për t’u larguar nga detyra e kryetarit./ Respublica.al