Lidhu me ne

Mix

20 ushqime të dëmshme për shëndetin tuaj

Është e vështirë të ndash se cilat ushqime janë të shëndetshme dhe cilat jo. Në përgjithësi, nëse doni të humbisni peshë dhe të parandaloni sëmundje kronike duhet të shmangni disa lloje ushqimesh.

Në këtë artikull do të lexoni disa alternativa të shëndetshme për 20 llojet e ushqimeve që në përgjithësi konsiderohen jo të shëndetshme, por nëse konsumohen në sasi të vogla apo për raste të veçanta, nuk përbëjnë rrezik për shëndetin.

1. Pijet me sheqer

Sheqeri i shtuar është një nga ingredientët më të këqinj të dietave moderne. Megjithatë, disa burime sheqeri janë më të këqija se të tjerat dhe pijet me sheqer janë veçanërisht të dëmshme. Kur kaloritë merren nëpërmjet lëngjeve, truri juaj nuk i regjistron ato si ushqim. Në këtë mënyrë, ato përfundojnë duke rritur në mënyrë drastike nivelin e kalorive të marra.

Kur merret në sasi të mëdha, sheqeri mund shkaktojë rezistencë ndaj insulinës dhe kjo lidhet fort me sëmundjet e mëlçisë. Gjithashtu ai lidhet edhe me disa sëmundje të tjera të rënda përfshirë këtu diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës. Disa njerëz besojnë se pijet me sheqer janë “prurja” më e keqe e kohërave moderne dhe konsumimi i tyre në sasi të mëdha çon në shtim peshe dhe obezitet.

Alternativat

Pini ujë, limonatë të shtrydhur vetë, kafe ose çaj. Shtimi i disa fetave limon mund t’i japë shije ujit që konsumoni.

2. Picat

Pica është ushqimi i famshëm më i keq në botë. Pjesa më e madhe e picave popullore bëhen me ingredientë të pashëndetshëm, përfshirë brumin dhe mishin e përpunuar. Gjithashtu picat janë të njohura për nivelin shumë të lartë të kalorive.

Alternativat

Disa restorante ofrojnë ingredientë më të shëndetshëm. Picat e bëra në shtëpi mund të jenë më të shëndetshme nëse zgjidhni t’i bëni me ingredientët e duhur.

3. Buka e bardhë

Shumica e llojeve të bukës që shiten në treg janë të pashëndetshme nëse konsumohen në sasi të mëdha pasi prodhohen me miell gruri të rafinuar, i cili nga proçesi i përpunimit përfundon me një nivel të ulët të fibrave dhe vlerave ushqimore kryesore, çka mund të çojë në rritjen e niveleve të sheqerit në gjak.

Alternativat

Për njerëzit që nuk janë intolerantë ndaj glutenit, buka Ezekiel është një zgjidhje fantastike. Buka Ezekiel prodhohet nga kokrra të plota të cilat janë lejuar të mbijnë përpara se të mblidhen dhe më pas janë përpunuar deri sa është prodhuar mielli. Gjithashtu buka integrale është më e shëndetshme se buka e bardhë.

4. Shumica e lëngjeve të konservuara të frutave

Lëngjet e frutave shpesh konsiderohen si të shëndetshme. Lëngu i frutave përmban disa antioksidantë dhe vitaminë C, por përmban gjithashtu sasi të mëdha sheqeri në formë të lëngshme. Në fakt, lëngjet e frutave përmbajnë po aq sheqer sa pijet freskuese si Coca Cola apo Pepsi, madje edhe më shumë.

Alternativat

Nga studime të ndryshme, disa lloje të lëngjeve të frutave kanë benefite, pavarësisht përmbajtjes së tyre të sheqerit. Këtu përfshihen lëngu i shegës dhe i boronicës. Sidoqoftë, edhe këto lëngje duhen konsumuar në raste të veçanta dhe jo të bëhen pjesë e dietës tuaj të përditshme.

5. Drithërat që konsumohen për mëngjes

Drithërat që konsumohen për mëngjes janë kokrra të përpunuara të drithërave të ndryshme si gruri, tërshëra, orizi dhe misri. Janë kryesisht të preferuara nga fëmijët dhe konsumohen kryesisht me qumësht. Për t’i bërë më të shijshme, kokrrat piqen, copëtohen dhe mbështillen me produkte të sheqerit duke bërë që të kenë përmbajtje shumë të lartë të tij.

Problemi kryesor i të gjitha drithërave është pikërisht përmbajtja e lartë e sheqerit të shtuar. Disa prej tyre janë aq të ëmbla sa mund të krahasohen me ëmbëlsirat.

Alternativat

Zgjidhni drithëra që janë të pasura me fibra dhe me pak sheqer të shtuar. Akoma më mirë, përgatiteni vetë përzierjen tuaj me tërshërë.

6. Ushqimet e skuqura apo të pjekura në zgarë

Skuqja dhe pjekja në zgarë janë dy nga metodat më të këqija të gatimit. Ushqimet e gatuara në këtë mënyrë janë shumë të shijshme por kanë shumë kalori. Gjithashtu kur ushqimi gatuhet në temperatura shumë të larta, formohen disa përbërës të rrezikshëm kimikë. Këto kimikate lidhen me rritjen e rrezikut të zhvillimit të kancerit dhe sëmundjeve të zemrës.

Alternativat

Për të përmirësuar shëndetin tuaj, zgjidhni metoda gatimi më të shëndetshme si zierja apo gatimi me avull.

7. Tortat, biskotat dhe pastat

Shumica e tortave, biskotave dhe pastave janë të pashëndetshme nëse konsumohen me tepricë. Versionet e paketuara janë të përgatitura me sheqer, miell të përpunuar dhe yndyrna të shtuara. Zakonisht në prodhimin e këtyre ëmbëlsirave shtohen edhe vajra të hidrogjenuar vegjetalë të cilat përmbajnë yndyrna të këqija.

Këto ëmbëlsira mund të jenë të shijshme por nuk kanë pothuajse asnjë vlerë ushqyese, përmbajnë shumë kalori dhe konservues të shumtë.

Alternativat

Nëse nuk bëni dot pa ëmbëlsirat, përdorni kosin grek duke i shtuar fruta të freskëta dhe çokollatë të zezë.

8. Patatet e skuqura dhe patatinat

Patatja është shumë e shëndetshme. Megjithatë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për patatat e skuqura dhe patatinat. Këto ushqime kanë nivel të lartë kalorik dhe është e lehtë të gënjehesh duke ngrënë sasi të mëdha të tyre. Studime të ndryshme i kanë lidhur patatet e skuqura dhe patatinat me shtimin në peshë. Këto ushqime mund të përmbajnë gjithashtu sasi të mëdha të akrilamideve, të cilat janë lëndë kancerogjene që formohen kur patatet skuqen ose piqen.

Alternativat

Patatet këshillohen të konsumohen të ziera, jo të skuqura. Nëse doni patjetër diçka për të zëvendësuar patatinat, provoni karotat e vogla ose arrat.

9. Ushqime të përpunuara “pa gluten”

Rreth 1/3 e popullsisë së Amerikës përpiqet rregullisht të shmangë glutenin. Por ndodh shpesh që njerëzit zëvendësojnë ushqimet me përmbajtje të shëndetshme gluteni me ushqime të përpunuara që reklamohen “pa gluten”. Këto produkte zëvendësuese “pa gluten” prodhohen nga sasi të mëdha sheqeri dhe drithëra të përpunuara siç mund të jetë niseshteja e misrit dhe e tapiokës. Këto lëndë rrisin nivelin e sheqerit në gjak dhe kanë vlera minimale ushqyese.

Alternativat

Zgjidhni ushqime bimore apo shtazore që nuk përmbajnë gluten pa qenë nevoja të kalojnë në proçese të ndryshme përpunimi.

10. Shurupi i Agaves

Shurupi i Agaves është një ëmbëlsues i cili shpesh reklamohet si i shëndetshëm. Gjithsesi është një produkt që kalon një proçes të lartë përpunimi dhe ka nivele të larta të fruktozës. Sasi të mëdha të fruktozës nga ëmbëlsuesit e shtuar mund të jenë shkatërrimtare për shëndetin. Në fakt, shurupi i Agaves ka përmbajtjen më të lartë të fruktozës në krahasim me çdo ëmbëlsues tjetër.

Alternativat

Stevia dhe eritritoli janë alternativa të shëndetshme, natyrale dhe pa kalori.

11. Kosi me përqindje të ulët yndyrore

Kosi mund të jetë shumë i shëndetshëm. Megjithatë, shumica e llojeve të kosit që shiten nëpër supermarkete nuk janë të shëndetshme për ju. Zakonisht kanë përqindje të ulët yndyrore por u shtohet sheqer për të kompensuar shijen që i siguron yndyra. E thënë thjesht, yndyrnat natyrale dhe të shëndetshme të kosit janë zëvendësuar me përbërës jo të shëndetshëm. Përveç kësaj, shumica e llojeve të kosit që tregtohen nuk garantojnë bakteret probiotike siç mund të besohet. Ato shpesh pasterizohen, një proçes ky i cili i vret shumicën e baktereve.

Alternativat

Zgjidhni kos të papërpunuar me yndyrnat natyrale të tij dhe që përmban baktere probiotike. Nëse është e mundur, blini produkte të prodhuara nga lopë që ushqehen në natyrë.

12. Ushqime të përpunuara me karbohidrate të ulta

Dietat me nivel të ulët karbohidratesh janë shumë popullore. Teksa ndiqni dietën me pak karbohidrate, duhet të bëni kujdes nga produktet zëvendësuese të përpunuara që përmbajnë sasi të vogla karbohidratesh. Këto përfshijnë çokollatat proteinike me pak karbohidrate që shpesh përdoren si zëvendësues vaktesh. Këto produkte zakonisht kalojnë në një proçes të lartë përpunimi dhe gjithashtu u shtohen substanca jo të shëndetshme për të ruajtuar shijen.

Alternativat

Nëse po ndiqni një dietë pa karbohidrate, synoni për ushqime që nuk përmbajnë të tilla pa qenë nevoja të përpunohen, siç janë vezet, frutat e detit dhe gjethet jeshile.

13. Akullorja

Akullorja mund të jetë shumë e shijshme, por është e bombarduar me sheqer.

Ky produkt bulmeti përmban gjithashtu kalori të shumta dhe është e lehtë ta konsumosh në sasi të mëdha. Nëse e konsumoni si ëmbëlsirë, mendoni që po dyfishoni sasinë e kalorive ditore që duhet të merrni.

Alternativat

Është e mundur të gjeni një alternativë më të shëndetshme ose të bëni vetë akulloren tuaj me fruta të freskëta dhe më pak sheqer.

14. Çokollatat dhe karamelet

Çokollatat dhe karamelet janë jashtëzakonisht të pashëndetshme.

Përmbajnë sasi të mëdha sheqeri, miell dhe yndyrna të përpunuara dhe nuk kanë thuajse asnjë vlerë ushqyese.

Për më tepër, këto ëmbëlsira do t’ju bëjnë të ndiheni të uritur nga mënyra se si trupi juaj i metabolizon këto “bomba sheqeri”.

Alternativat

Hani fruta ose një copë cilësore çokollatë të zezë.

15. Mishi i përpunuar

Megjithëse mishi i papërpunuar mund të jetë i shëndetshëm pasi përmban shumë vlera ushqyese, nuk vlen e njëjta gjë për mishrat e përpunuar.

Studimet kanë treguar se njerëzit që konsumojnë mishra të përpunuar kanë një rrezik më të lartë për sëmundje të rënda, përfshirë kancerin e zorrës së trashë, diabetin e tipit 2 dhe sëmundje të zemrës.

Shumica e këtyre studimeve kanë natyrë vëzhguese, që do të thotë se s’mund t’i vihet faji 100% mishit të përpunuar. Megjithatë, lidhja statistikore është e fortë dhe e qëndrueshme nga studimi në studim.

Alternativat

Nëse doni të hani proshutë, salçiçe, kremviçe, provoni t’i blini nga një kasap që e njihni dhe i cili nuk u shton sasi të mëdha përbërësish të pashëndetshëm.

16. Djathi i përpunuar

Djathi në sasi të pranueshme është i shëndetshëm. Ka shumë vlera ushqyese dhe një copë e vetme djathi përmban të gjitha vlerat ushqyese që ka edhe një gotë qumështi. Megjithatë, produktet e përpunuara të djathit nuk kanë asnjë lidhje me djathin normal. Këto produkte bëhen kryesisht me përbërës mbushës që janë të përpunuar në mënyrë të tillë që të kenë pamjen dhe strukturën e djathit. Sigurohuni që të lexoni etiketat për të konfirmuar që djathi që blini përmban pak përbërës artificialë.

Alternativat

Konsumoni vetëm djathin normal. Djathërat e shëndetshëm janë djathi feta, mozzarella dhe djathrat e tjerë të prodhuara në baxho. Gjithashtu edhe shumë variante të djathrave veganë mund të jenë alternative të mira.

17. Ushqimet “fast food”

Tashmë të gjithë e dimë që lokalet “fast food” shërbejnë ushqime të pashëndetshme. Shumica e produkteve të tyre janë të prodhuara për masën dhe kanë shumë pak vlera ushqyese. Pavarësisht çmimeve të lira, ushqimi “fast food” mund të kontribuojë në zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme dhe të dëmtojë mirëqenien tuaj të përgjithshme. Duhet të bëni veçanërisht kujdes nga të skuqurat.

Alternativat

Si rezultat i presionit në rritje, shumë kompani të mëdha “fast food” kanë filluar të ofrojnë opsione të shëndetshme të ushqimeve.

18. Pijet me kafeinë

Kafeja përmban shumë antioksidantë dhe ofron shumë benefite. Veçanërisht, personat që e konsumojnë rregullisht kafenë kanë një risk më të ulët për zhvillimin e sëmundjeve, si diabeti i tipit 2 dhe Parkinsoni.

Në të njëjtën kohë, kremi i qumështit, shurupi dhe shtesat e tjera me sheqer që u shtohen shpesh pijeve me kafeinë, janë plotësisht të pashëndetshme. Këto produkte janë po aq të dëmshme sa çdo pije tjetër e ëmbëlsuar me sheqer të shtuar.

Alternativat

Pini kafe shqeto. Nëse dëshironi, mund të shtoni sasi të vogla qumështi për shije.

19. Ushqimet me sheqer të shtuar apo drithërat e përpunuara

Është e rëndësishme të shmangni, ose të paktën të kufizoni, ushqimet që përmbajnë sheqer të shtuar, drithërat e përpunuara dhe yndyrnat artificiale. Këto janë disa nga përbërësit më të zakonshëm por më të pashëndetshëm të kohërave moderne. Në këtë mënyrë, leximi i etiketave të ushqimeve është mjaft i rëndësishëm. Kjo vlen edhe për të ashtuquajturat “ushqime të shëndetshme”.

Alternativat

Synoni tek ushqimet e papërpunuara me vlera ushqyese, siç janë frutat dhe perimet dhe drithërat që nuk kalojnë në proçes përpunimi.

20. Shumica e ushqimeve të përpunuara

Mënyra më e thjeshtë për të ngrënë shëndetshëm dhe humbur peshë është të shmangni sa më shumë të mundeni ushqimet e përpunuara të cilat shpesh, para paketimit, u shtohet një sasi e madhe kripe ose sheqeri.

Alternativat

Kur dilni për pazar, sigurohuni që të lexoni etiketat. Përpiquni ta mbushni karrocën e pazarit me një shumëllojshmëri perimesh dhe ushqime të tjera të papërpunuara.

Përfundimi

Megjithëse mënyra e të ushqyerit në vendet perëndimore përmban shumë ushqime të rënda, ju mund të ndiqni një dietë të shëndetshme nëse shmangni të gjitha ushqimet e përpunuara dhe me shumë sheqer të përmendura më sipër. Nëse përqendroheni tek ushqimet e papërpunuara, do të jeni në rrugën e duhur për të arritur mirëqenien e duhur dhe një shëndet optimal./ Podiumi.com

MË TEPËR

Mix7 orë më herët

iPad 11 do t’ju lejojë të përdorni Apple Intelligence

Viti 2025, i cili sapo ka filluar, do të jetë plot me produkte të reja për Apple, duke përfshirë iPad...

Mix7 orë më herët

Çfarë kanë të përbashkët Elon Musk dhe Vladimir Putin ?

Shkruar nga Moises NaimElon Musk dhe Vladimir Putin / Apo për faktin se ata mund të mos dinë atë që...

Radar7 orë më herët

Prapaskenat/ Kina po peshon shitjen e TikTok te Elon Musk

Zyrtarët kinezë po vlerësojnë një mundësi që përfshin blerjen e operacioneve amerikane të TikTok nga Elon Musk, nëse kompania nuk...

Radar7 orë më herët

Ndryshimi i politikave të moderimit, çfarë përfshijnë rregullat e reja të Facebook

Shefi i META-s Mark Zuckerberg, majtas, dhe zëvendëspresidenti i Facebook për Politikat Publike Globale, Joel Kaplan, pas një takimi me...

Kryesore13 orë më herët

Gaz Bardhi iu trembet primareve brenda PD-së: Ne kemi ende inate të mëdha me njëri-tjetrin, ndaj duhet lënë ky muhabet

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi komentoi mundësinë e paditjes së tij nga ana e kryeministrit Edi...

Mix14 orë më herët

12 seriale që do të të bëjnë të ndihesh mirë

Qoftë nëse je i fiksuar pas serialeve apo përdor Netflix-in vetëm herë pas here, është e sigurt që ke një...

Aktualitet1 ditë më herët

Shpallen datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2025

Publikohen datat e provimeve të Maturës Shtetërore për vitin 2025 për nxënësit që ndjekin arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional....

Mix1 ditë më herët

Pse na dhembin veshkat kur e teprojmë me ushqimin?

Veshkat janë organe jetike në trupin tonë. Ato janë përgjegjëse për filtrimin e gjakut, pastrimin e organizmit nga toksinat, prodhimin...

Mix1 ditë më herët

Kevin Coster, i dashuruar me Jennifer Lopez?

Në fund të dhjetorit 2024, Kevin Costner dhe Jennifer Lopez patën një takim miqësor në Aspen të Kolorados, ku të...

Kioske1 ditë më herët

Çfarë është lumturia?

Mjaft u trishtove për gjëra të tilla, të cilat nuk janë nën kontrollin tënd. Sa herë që zemra juaj fillon...

Facebook