Letersi
ENVER GJERQEKU: ENDE T’KËRKOJ…Poezi shumë e bukur
Tejpërtej shtegtove ndër pranvera t’mia
Dhe s’di a je ëndërr, o prani e gjallë,
Që n’damarë më sillesh. Si qiriri n’mall
M’digjesh ndër kujtime, kur më rrok vetmia.
Tejpërtej kalove n’mua plot shtrëngata,
N’krahror disa gjurmë gdhendur m’i ke përherë.
Sikur prore t’ngelshe n’gjakun tim pranverë,
S’do këndonim mallshëm, s’do na ngryste nata.
Tejpërtej gjurmove plagëve t’rinisë sime…
Kur kujtoj se këmba ma shkel prak’n e derës,
Aherë shoh mashtrimin, që puhi e erës,
Ma suall hijen tënde, fantazmë ndër kujtime.
Në këtë shpuzë të ngrohtë, dëshmi e një zjarri,
Ende t’kërkoj kotshëm, mos je, vallë, k’ndejpari.
*Titulli i origjinalit: “Kujtimi”