Mix
Ermal Meta: Kisha një familje të tmerrshme, babai im nuk ishte njeri i mirë
Këngëtari i njohur shqiptar Ermal Meta ka dhënë së fundmi një intervistë për “Corriere dela Sera”, ku ka folur ndër të tjera për këngën e tij të re “Milano non esiste”.
Përtej jetës së tij profesionale, artisti gjatë intervistës ka zbuluar shumë detaje që nuk i dinim përsa i përket jetës së tij personale. Ai u shpreh se ka pasur një familje të tmerrshme tradicionale, duke shtuar se babai i tij nuk ishte një njeri i mirë.
“Familjet mund të jenë ose jo tradicionale. Ajo që nevojitet është dashuria: Unë kisha një familje tradicionale që ishte e tmerrshme. Babai im nuk ishte njeri i mirë, do të kisha preferuar një mijë herë diçka ndryshe. Pra, mendoni për fëmijët e dhunuar ose gratë që vuajnë dhunën”, u shpreh ai.
I pyetur në lidhje me mënyrën si është ndjerë kur është rikthyer në vendin ku ka lindur, referuar koncertit të tij në stadiumin e Tiranës rreth dy muaj më parë, artisti tha:
“Shqipëria ka kaluar një kohë të vështirë. Kur isha i vogël ishte e ndaluar të dëgjoja muzikë të huaj, regjimi kishte frikë nga ajo që vinte nga jashtë, aq sa për të thënë “kazino” thoshim “Amerikë”. Kur mbërritëm në Pulia më kujtohen rrugët e mëdha dhe të drejta, sepse në Shqipëri ishin të gjitha kthesa, për të mos zbarkuar armiqtë”.