Mix
Si realizohet Pap-testi? Sa shpesh duhet bërë ?
Pap-testi dhe domosdoshmëria për ta kryer atë
Vitet e fundit janë rritur ndjeshëm rastet e kancerit të mitrës. Kjo vjen si pasojë e nisje së aktivitetit seksual më herët. Por megjithëse janë shtuar rastet e të prekurave ende nuk ka një ndjeshmëri për bërjen e testeve të herë pas hershme. Kjo ndodh për shkak të neglizhencës por edhe për shkak të kulturës së të rinjve. Mimoza Keta, mjeke obstetër-gjinekologe flet për shkaqet nga se shkaktohet kanceri i qafës së mitrës dhe pasojat e tij nëse nuk kapet në kohë.
Çfarë është kanceri i qafës më mitrës?
Organet e njeriut jo rrallë mund të preken nga deformime qelizore, të cilat shpesh bëhen shkak për pasoja të rënda për jetën. Edhe kanceri i qafës së mitrës, është një deformin qelizor që mund të formohet në qafën e mitrës të çdo gruaje. Me kancer, kuptohet rritja në mënyrë jo normale dhe të pakontrolluar të qelizave.
Sa i shpeshtë paraqitet kanceri i qafës së mitrës?
Fatkeqësisht, kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret më të shpeshta tek gratë. Me rritjen e moshës, është konstatuar se rritet edhe rreziku për kancer të qafës së mitrës. Në Shqipëri, kanceri i qafës së mitrës është kanceri me raste më të shpeshta tek gratë mbas kancerit të gjirit. Në Shqipëri, rastet me kancer të qafës së mitrës kanë ardhur duke u shtuar, ndërsa vdekshmëria prej tij është dyfishuar.
Cili është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës?
Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës, është virusi human papiloma (HPV). Në fakt, janë konstatuar mbi 100 tipe të këtij virusi por, vetëm disa prej tyre klasifikohen si shkaktar me rrezik të lartë për kancer të qafës së mitrës. HPV-ja përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale dhe transmetimi jo seksual është i rrallë. Në organizmin e infektuar, virusi mund të mbetet i fshehur për vite pa dhënë asnjë shenjë. Infeksioni nga HPV-ja, është më i zakonshëm në grup moshat e reja të cilat janë seksualisht aktive dhe rreziku rritet me shtimin e numrit të partnerëve seksual.
Cilët janë faktorët rrezikues për kancer të qafës së mitrës ?
Faktorët rrezikues të klasifikuar si faktor favorizues të mundshëm të deformimeve qelizore të qafës së mitrës, janë ato të cilët shfaqen me shpeshtësi të konsiderueshme në rastet e evidentimit të sëmundjeve parakanceroze dhe kanceroze. Megjithatë, për asnjë prej tyre nuk mund të thuhet se është me kryesori apo është faktori absolut. Ky realitet, deri diku e vështirëson klasifikimin e faktorëve të rrezikut për kancer të qafës së mitrës. Por, në rrethet mjeksore është bërë e mundur që faktorët e rrezikut të klasifikohen në dy grupe; Faktorë të lartë rrezikues, dhe Faktorë të ulët rrezikues.
Në grupin e faktorëve të lartë rrezikues, klasifikohen femrat:
me aktivitet seksual mbi një vit nga kontakti i parë, pa marrë vlerësimin e analizës së Pap–testit,
me moshë nën 18 vjeç, që kanë kryer marrëdhënie seksuale,
me partnerë të shumtë seksual, ose me partner të cilët kanë patur shumë partnere seksuale,
me prani të infeksionit HPV, ose me infeksione seksualisht të transmetueshme përfshi HIV/AIDS,
me nënë, motër apo gjyshe që kanë patur kancer të qafës së mitrës,
që pijnë duhan,
me shtatzëni të shumta,
me imunitet të ulët.
Këto femra, duhet të jenë edhe më të kujdeshme duke u kontrolluar rregullisht.
Në grupin e faktorëve të ulët rrezikues, janë klasifikuar femrat:
që kryejnë kontrolle dhe analiza sipas këshillave mjesore,
që kanë normale rezultatet e tre analizave të fundit të Pap–testeve.
A ekziston mundësia e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës?
Po, ekziston mundësia e vlerësimit të një deformimi fillestar të qelizave të qafës së mitrës. Vlerësimi i nivelit të deformimit të qelizave, mund të realizohet me një test të thjeshtë dhe të shpejtë që quhet Pap-test. Ky ekzaminim e merr fillesën nga mjeku Papanicoulau, i cili qe ai që e propozoj përdorimin e këtij testi. Testi mbështetet në sjelljen e deformimeve qelizore, gjatë fazave të ndryshme të deformimit të tyre. Nga momenti i shfaqes së qelizave jo normale në qafën e mitrës, deri në shfaqen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen afro nga 10 deri në 20 vjet. Kjo është ajo kohë fatlume, që i jep mundësinë një gruaje të kapi në kohë deformimin e qelizave, nëse kontrollohet rregullisht tek mjekët specialistë. Gjatë deformimeve qelizore, konstatohen dy momente të rëndësishme.
Së pari; klasifikohen disa faktorë që mund të jenë të pranishëm ose mund të jenë favorizues ose mund të jenë kryesor në zhvillimin e sëmundjeve kanceroze në qafën e mitrës.
Së dyti; kanceri i qafës së mitrës zhvillohet nëpërmjet një faze paraagresive (preinvazive).
Momenti i dytë, ka rëndësi dhe duhet kuptuar e vlerësuar nga ana e gruas. Kanceri i qafës së mitrës përpara se të shfaqë agresivitetin e tij, paraqitet me një fazë paraagresive. Kjo do të thotë se përpara shfaqes së agresivitetit të kancerit, ekziston periudha e transformimit. Kur kjo periudhë zbulohet në kohë sa më të herëshme, atëherë rriten mundësitë për shërim nga sëmundja. Për t’ja arritur kësaj, kërkohet në rradhë të parë që gruaja të kuptojë dhe të vlerësojë që në mënyrë periodike të kryejë analizën citologjike cervikale. Më thjeshtë dhe qartë, duhet të kryejë atë analizë që quhet Pap–testi. E thënë në kuptimin e tërheqjes së vëmëndjes, shëndeti dhe jetëgjatësia e gruas varet edhe nga një analizë e thjeshtë e vlerësimit të qelizave, që quhet Pap-test.
Si realizohet Pap-testi?
Pap–testi ose testi i Papanikolaut, konsiston në marrjen e materialit qelizor në disa pika të qafës së mitrës (colum uteri). Eshtë një veprim që realizohet me një teknikë të thjeshtë, pa dhimbje dhe pa efekte anësore. Shumë pak i bezdishëm, për shkak të përdorimit të spekulumit. Materiali qelizor i marrë në qafën e mitrës, shtrihet në fletë xhami (lama) dhe shikohet në mikroskop në një laborator të specializuar. Duhet të kihet parasysh, që rreth 2 ditë përpara se të shkohet për të bërë Pap-testin, duhet shmangur dushi vaginal, përdorimi i medikamenteve, suposteve apo kremrave vaginal. Gjithashtu nuk duhet të kryhet marrëdhënie seksuale, së paku 24 orë përpara marrjes së materialit qelizor. Pap-testi nuk këshillohet të bëhet në periudhën menstruale. Koha më e mirë është ndërmjet ditës së 12 deri 18 pas ditës së parë të menstruacioneve.
Pas marrjes së përgjigjes së testit, është e rëndësishme që rezultati të diskutohet midis gruas dhe mjekut. Nëse rezultati i Pap-testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët, por gruaja duhet të vazhdojë rregullisht bërjen e Pap-testit çdo 1-3 vjet, sipas rekomandimit të mjekut. Nëse rezultati i Pap-testit del jo normal, do të thotë që disa qeliza jo normale janë gjetur në qafën e mitrës. Trajtimi medikamentoz apo heqja e tyre, bën të mundur që ato apo qelizat e tjera të mos bëhen kanceroze. Trajtimi mjeksor i qelizave jo normale, realizohet në klinika të specializuara pa ju kërkuar shtrim hospitalor. Trajtimi, nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të patur fëmijë. Nëse rezultati i Pap-testit del i dyshimtë, kërkohet që përsëritja e tij të bëhet mbas 6-të muaj ose kërkohet të kryen ekzaminime të tjera shtesë siç është kolpskopia apo biopsia.
Sa shpesh duhet bërë Pap-testi?
Rekomandimet për kryerjen e Pap-testit, janë specifike për klinika të ndryshme. Është e rëndësishme, që gjitha gratë të bëjnë Pap-testin sipas rekomandimeve të mjekut që i kanë besuar shëndetin riprodhues të tyre. Për femrat që kanë filluar aktivitetin seksual, apo kanë arritur moshën 18 vjeç, Pap-testi duhet të kryhet rregullisht.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet:
– Të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç, duhet të kryejnë Pap-testin.
– Femrat e moshave 21 deri në 49 vjeç, duhet të kryejnë Pap-testin çdo vit. Nëse 3 Pap-teste rrjesht dalin normal, atëherë vazhdohet kryerja e Pap-testeve çdo 3 vjet.
– Femrat e moshave 50 deri në 64 vjeç, duhet të kryejnë Pap-testin çdo 3 deri në 5 vjet.
– Në moshën 65 vjeç, nuk ka nevojë të vazhdohet me kryerjen e Pap-testit nëse ai është kryer rregullisht nga mosha 50 vjeç dhe ka dalë me rezultate normale.
Çfarë është kanceri i qafës së mitrës?
Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës së një femre. Ai renditet i dyti mbas kancerit të gjirit, por ka një vdekshmëri më të lartë. Në Shqipëri kanceri i qafës së mitrës përbën gati gjysmën e rasteve me tumore malinje që prekin aparatin gjenital femëror dhe në pjesën më të madhe të rasteve kapet në faza mjaft të avancuara.
Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është Human Papiloma Virus (HPV). Ka më shumë se 100 tipe të virusit HPV, por vetëm një pjesë prej tyre janë viruse me rrezik të lartë dhe shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës. HPV është një virus i cili pasi hyn në organizëm mund të mbetet aty i fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje. HPV përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale dhe rreziku i infektimit rritet me shtimin e numrit të partnerëve seksualë.
Çfarë është PAP Testi?
Paptesti është një test i shpejtë, i thjeshtë dhe i padhimbshëm, që zgjat vetëm pak minuta, por që mund të shpëtojë jetën! Paptesti bëhet për të treguar nëse një femër ka apo jo kancer të qafës së mitrës. Nga momenti i shfaqjes së qelizave jo normale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen shumë vjet, rreth 10 deri në 20 vjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet që të gjitha femrat e moshave nga 20 (por edhe më parë nëse është filluar aktiviteti seksual) deri në 65 vjeç, sidomos ato me risk, duhet të kryejnë Paptestin rregullisht. Nëse një femër kontrollohet rregullisht, pra bën papteste të rregullta, mund ta kapë në kohë kancerin e qafës së mitrës. Në rastet kur kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është i lehtë për t’u trajtuar dhe kjo është e lidhur me mbijetesën dhe me një cilësi jete më të mirë.