Mix
Sa lindje cezariane mund të bëjë një femër?

Pyetje nga lexuesit: Sa lindje cezariane mund të bëjë një femër?
Përgjigje (doktoresha Kozeta Mustafaraj): Nuk ka një numër të caktuar për të kufizuar SC (sectio cezarea-an) ose lindjen cezariane. Por dihet që sa më shumë ndërhyrje të bëhen, aq më shumë zgjatet koha operative dhe aq më shumë komplikacione do të lindin. Çdo ndërhyrje sjell formimin e adherencave (ngjitjeve) ndërmjet organeve në hapësirën e barkut.
Adherencat bëhen burim dhembjesh pasi pengojnë lëvizjen e organeve të brendshme dhe në të njëjtën kohë mund të bëhen burim infertitliteti. Gjithashtu, lindjet e shumta të kësaj kategorie rrisin mundësitë për të dëmtuar fshikëzën e urinës ose zorrët. E rrezikuar është gjithashtu edhe vendvendosja e placentës në barrën pasardhëse, inserimi dhe lidhja e saj me muskulin e mitrës. Prandaj, pas çdo lindjeje me operacion, është e këshilluar dhe e mundur lindja në rrugë natyrale nëse nuk ka probleme serioze të shtatzënisë pasuese.