Mix
Infertiliteti mashkullor, nga se vijnë problemet
Elton Peci, obstetër-gjinekolog
Problemet që shkaktojnë infertilitet tek mashkulli, janë të shpeshta. Infertiliteti mashkullor përbën 25-50% të rasteve me infertilitet.
Problemet që mund të shkaktojnë infertilitet mashkullor, mund t’i ndajmë në dy grupe të mëdha: në problemet që prekin prodhimin e spermës nga testikujt dhe në problemet që prekin transportin e spermës jashtë kanalit genital mashkullor.
Problemet me prodhimin e spermës mund të lidhen me vetë testikulin ose me sinjalet që testikuli merr (apo nuk merr) nga truri. Në problemet që lidhen me vetë testikulin, mund të përmendim ato të shkaktuara nga infeksione të ndryshme si orkiti (infeksion i testikulit si komplikacion kryesisht i parotisit në fëmijëri), varikoçela (zgjerime të venave të cilat shkaktojnë dëmtim të spermatogjenezës), tumore të ndryshme të testikulit, anomali të lindura në të cilat testikuli nuk prodhon spermatozoidë, pasi nuk ka strukturën e duhur për spermatogjenezë (kromozomi Y fraxhil).
Problemet në ejakulat mund të shkaktohen nga bllokime (obstruksione) të sistemit ejakulator në pika të ndryshme. Të tilla bllokime mund të jenë pasojë e infeksioneve të ndryshme, traumave, operacioneve në të kaluarën etj.