Mix
Gratë kanë nevojë për më shumë gjumë se burrat
Nëse meshkujt mendojnë se duhet të flenë më shumë për më tepër fuqi, studimet tregojnë se ky “privilegj” u takon më tepër grave
Është një temë që mund të ndajë edhe çiftet më të mira: kush ka nevojë më shumë për gjumë, gratë apo burrat?
Tani kërkuesit amerikanë e kanë përgjigjen: truri i grave ka më tepër nevojë për t’u rigjeneruar, sepse ato bëjnë më shumë gjëra gjatë ditës.
Shkencëtarët e Karolinës së Veriut zbuluan se gratë që privohen nga gjumi shpesh vuajnë nga depresioni ose bëhen nevrike.
Në kontrast, një gjë e tillë nuk ndikon tek burrat që nuk kanë fjetur shumë.
Studimet e mëparshme e kanë lidhur gjithashtu mungesën e gjumit me rrezikun e sëmundjeve të zemrës, problemet mendore, hemorragjitë cerebrale dhe infeksionet e ndryshme.
Një ekspert i gjumit, dr. Majkëll Breus, tha se mungesa e gjumit tek gratë ndikon aq shumë saqë ato mund të zgjohen duke pasur dhimbje të mëdha trupi.
Dr. Breus tha se gratë mund t’i shmangin disa probleme që lidhen me gjumin duke dremitur hera-herës. Sidoqoftë këto dremitje s’duhet të jenë më të gjata se 90 minuta për shkak se do të çonin në pagjumësi.
“Një nga funksionet më të mëdha të gjumit është t’i lejojë trurit të rikuperohet dhe të rregullojë veten”, tha profesori Xhime Horn, drejtor i Qendrës së Kërkimeve për Gjumin në Universitetin e Lafborout.
“Sa më shumë e përdorni trurin gjatë ditës, aq më shumë kohë i duhet të rikuperohet dhe aq më shumë gjumë ju duhet”.
Ai shtoi se grave u duhet gjumi, pasi ato e përdorin trurin e tyre më shumë sesa burrat, për shkak se bëjnë disa gjëra njëkohësisht.