Kioske
Media shqiptare duhet “ mbytur ‘ me kazmë
https://www.podiumi.com/ media online prej vitit 2016
Koment Nga Bilbil Beqiri
Media shqiptare duhet “ mbytur ‘ me kazmë
Nuk e kam kuptuar kurrë dëshirën e mediave shqiptare për të paraqitur çdo detaj nga ngjarjet e dhimbshme që ndodhin, jo kazma, jo lopata jo gropa, tmerre që nuk i sheh e dëgjon as në filmat më horror.
E kuptoj që është dëshira e madhe për audiencë, por kjo dreq dëshire s’mund të çojë deri në kanibalizimin e saj. Titujt janë të frikshëm, raportimet janë makabre, gjoja investigime.
Investigimi duhet të konsistojë në shkakun që çoi tek ndodhia, dhe jo budallallëqe të tipit se çfarë tha daja, çfarë tha halla post mortum. Investigohet dhe kritikohet qeveria që i jep me dorën e djathtë miliona euro një italiani, dhe nuk merret me izolimin dhe rehabilitimin e njerëzve me potencial kriminal.
Dashuria për fëmijen është dashuria më madhe, dashuria më e pashpjegueshme që njeh shpirti i njeriut në këtë botë, është dashuria që trimëron edhe pulën për të mbrojtur të vegjlit e saj. Eshtë dashuri e një lloji tjetër, prandaj mediat, duhet të bëjnë empati me nënat dhe baballarët në raste të tilla.
Sepse kjo dreq jete i paska të gjitha llojet e sprovave, dhe dikujt i qëllon që të sprovohet edhe me këtë lloj vuajtje. Nuk mund t’i shkosh me mikrofon dikujt që i ka ndodhur gjëma më e madhe e jetës, duhet të jesh shumë i pashpirt të sillesh në mënyre të tillë…
Nuk e di, kohët e fundit kam filluar seriozisht të mendoj se mos ndoshta jemi çmendur të gjithë si shoqëri…