Lidhu me ne

Temporal

Si e grabitën nazistët arin shqiptar

Si e grabitën nazistët arin shqiptar

Nga Hasan Bello

Me kapitullimin e Italisë fashiste me 8 shtator 1943 vendin e saj e zuri ushtria gjermane. Menjëherë ajo mori nën kontroll institucionet kryesore, ku bënte pjesë edhe Banka Kombëtare. Kjo e fundit ishte krijuar pas marrëveshjes së 25 marsit 1925 mes shtetit shqiptar dhe një grupi financiar italian.

Sipas kësaj marrëveshjeje, 49% të aksioneve i përkisnin palës shqiptare, ndërsa 51% aksionerëve italianë. Ky ishte një hap i rëndësishëm për qarkullimin monetar, emetimin e kartëmonedhave dhe ekonominë shqiptare. Historiografia komuniste është përpjekur që një sukses të tillë ta konsideroi vetëm si ekspansion financiarë të Italisë dhe duke akuzuar Mbretin Zog se gjatë largimit grabiti arin e shtetit shqiptar.

Por si qëndron e vërteta?

Në fakt, në largim e sipër është e vërtetë se qeveria e kohës mori me vetë atë pak buxhet që ekzistonte për të paguar funksionarët dhe për të vijuar punën për mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar në ekzil.

Me kapitullimin e Italisë, gjermanët konfiskuan depot e Banca d`Italia, ku gendej i depozituar edhe ari shqiptar. Përveç sasisë prej më shumë se 24 kuintal ar (afërsisht 2.5 ton), gjermanët grabitën edhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Bankës Kombëtare, si: kartmonedhat e fabrikuara dhe gjysëm të fabrikuara, formularët e monedhave, klishetë etj.

Arin e konfiskuar gjermanët e dërguan në Berlin dhe e depozituan në Reichsbank. Ndërsa kartmonedhat i dërguan në Beograd, të cilin, sipas M.Kutelit gjermanët e kishin bërë qendër të propagandës naziste. Në këtë qytet ata kishin instaluar disa aparatura speciale dhe shtypshkronja, për fabrikimin e falsifikimin e kartmonedhave. Objekt i bisedimeve mes qeverisë kuislinge shqiptare të vitit 1943-1944 me autoritetet gjermane do të jetë edhe transferimi i arit shqiptar të konfiskuar në Banca d`Italia në Romë, në një bankë të ndonjë vendi neutral, siç ishte Zvicra, ose sjellja e tij në Shqipëri. Këtë e dëshmon një numër i madh dokumentesh. Por gjermanët nuk pranuan.

Me kapitullimin e Gjermanisë naziste dhe hyrjen e aleatëve në Berlin pasuritë e grabitura nga gjermanët konfiskohen nga anglo-amerikanët. Kështu, ari shqiptar do të meret nga britanikët. Pas incidentit të kanalit të Korfuzit të 16 majit 1946 dhe mbytjes së anijeve britanike, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës do të fajësoi palën shqiptare. Si dëmshpërblim britanikët do të mbajnë të konfiskuar arin shqiptar, për të cilin regjimi komunist dhe Enver Hoxha nuk reshtën së kërkuari. Nga ana tjetër, në mënyrë absurde dhe për nevojat e propagandës, akuzonin Mbretin Zog.

Këto fakte pasqyrohen dhe në një relacion që mban datën 26 prill 1960, për çështje e arit shqiptar të grabitur nga gjermanët. Sipas këtij dokumenti, midis dëmeve të mëdha që nazistët i kishin shkaktuar vendit tonë ishte edhe marrja në mënyrë arbitrare e një sasie të konsiderueshme ari.

Pjesa dërrmuese e këtij ari që përbënte rezervën metalike të Bankës së emisionit shqiptar u mor më 16 shtator 1943 në Romë nga depot e Bankës Italiane. Kjo sasi përbëhej nga 8.062.827 frangash ari me një peshë prej 2.338.756.5 kg. Ajo u vendos në Reichsbank dhe ishte në dispozicion ekskluziv të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë. Ndërsa një pjesë tjetër më e vogël prej 20.000 copë napolona, që përfaqësonin një peshë prej 116.118 kg ar, u grabit nga arkat e kësaj Banke në Tiranë, në tetor të 1944, kur forcat gjermane ishin në largim e sipër.

Në fakt qeveria shqiptare gjatë pushtimit gjerman siç e kemi theksuar dhe më sipër disa herë kërkoi nga autoritetet naziste që sasia e konfiskuar (ose grabitur) t`i rikthehej Bankës Shqiptare. Pas shumë përpjekjesh me 6 prill 1944 ajo arriti që të nënshkruante një protokoll rezervat me disa përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, i cili megjithëse njihte pronësinë e shtetit shqiptar mbi këtë sasi ari, përsëri ai mbeti në dispozicion të këtij institucioni. Në mbështetje të kësaj marrëveshjeje ai u depozitua në bodrumet e Reichsbank-ut si ar shqiptar, duke u identifikuar me hollësi në tituj, peshën, llojin dhe duke u mbyllur në 55 arkëza të dalluara me gërmat “A.N”.

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore qeveritë e SHBA, Britanisë dhe Francës nënshkruan në Paris më 26 janar 1946 një marrëveshje të përbashkët, në lidhje me reparacionet që do të merreshin nga Gjermania, e cila kishte humbur luftën. Në pjesën e tretë të kësaj marrëveshjeje, u ra dakord që i gjith ari monetar që ishte konfiskuar nga Gjermania naziste do të mblidhej dhe do t`u ndahej vendeve që ishte pranuar të përfitonin nga kjo sasi. Kjo ndarje do të bëhej në raport me sasinë e arit të humbur prej tyre, për shkak të grabitjes ose transferimit të paligjshëm në Gjermani.

Për zbatimin e pjesës së tretë të kësaj marrëveshjeje tre qeveritë krijuan më 27 shtator 1946 një komision të posaçëm, i cili mori emrin “Komisioni Tripalësh për kthimin e arit monetar”. Ai do të merrej me ndarjen, rikthimin dhe shqyrtimin e të gjitha problemeve që kishin të bënin me sasinë e arit, që gjermanët kishin grabitur gjatë luftës nga shtete të ndryshme të botës.

Në vitin 1947 qeveria shqiptare pasi plotësoi formularët e dërguara nga ky komision, i drejtoi atij një kërkesë të dokumentuar lidhur me arin që gjermanët kishin grabitur për llogari të Bankës Shqiptare. Kjo ishte një kërkesë legjitime, sepse, sasia e grabitur ishte pronë e shtetit dhe e popullit shqiptar.

Komisioni Tripalësh pasi shqyrtoi kërkesën e qeverisë shqiptare për sasinë e arit të grabitur nga gjermanët e vlerësoi atë si të drejtë dhe vendosi që fillimisht t`i rikthente asaj 1.121.4517 kg. Për këtë vendim më 16 shkurt dhe 30 qershor 1948 ai njoftoi përfaqësuesin e qeverisë shqiptare në Bruksel. Por pavarësisht këtij vendimi, ai nuk iu dorëzua qeverisë shqiptare, për shkak se në këtë periudhë qeveria italiane ngriti pretendimin se ari në fjalë i grabitur nga gjermanët i përkiste Italisë. Ajo e arsyetonte këtë me faktet:

1.     aksionerët e ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë ishin që të gjithë shtetas italianë dhe më pas shteti italian dhe, si pasojë, edhe pasuria e ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë, duke përfshirë edhe arin, ishte pasuri e tyre;

2.     ari i rezervës së emisionit të banknotave shqiptare u bë ar italian për shkak të marrëveshjeve ekonomiko-financiare të nënshkruara në vitin 1939 midis qeverisë italiane dhe asaj shqiptare të asaj kohe dhe me bashkimin monetar kartmonedha shqiptare sigurohej nga Banka e Italisë (Banca d`Italia) dhe jo me rezervën e asaj që i kaloi kësaj banke.

Pretendimet e qeverisë italiane nuk kishin asnjë bazë logjike. Ato u kundërshtuan me forcë nga qeveria komuniste shqiptare, duke parashtruar me të drejtë këto argumente:

1.     sasia e arit e grabitur nga gjermanët në Romë dhe Tiranë ishte formuar nga ari që posedonte populli shqiptar dhe nga dërgesat e emigrantëve shqiptar jashtë atdheut për vite e vite me radhë;

2.     se populli shqiptar ishte posedues i të gjithë kartëmonedhës së emetuar nga ish-Banka Kombëtare Shqiptare për sigurimin dhe mbulesën e së cilës, ishte formuar rezerva metalike, sipas nenit 11 të marrëveshjes për krijimin e ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë;

3.     se ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë, si bankë e emisionit të kartmonedhës shqiptare dhe që vepronte në Shqipëri, ishte me shtetësi shqiptare;

Megjithatë, Komisioni Tripalësh, duke çmuar se çështja e sasisë së arit të grabitur nga gjermanët në Romë, pas kërkesës së qeverisë shqiptare dhe pretendimeve të qeverisë italiane, dilte nga kompetenca e tij ekskluzive, vendosi më 17 nëntor 1950 të anulonte vendimet e tij të mëparshme dhe t`ua dërgonte çështjen tre qeverive që e kishin formuar. Kjo bëri që pas një marrëveshje të nënshkruar mes tyre në Washington më 25 prill 1951 qeveritë e SHBA, Britanisë dhe Francës t`i kërkonin Kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare, që të caktonte një arbitër, me qëllim që të merrnin një konsulencë më të specializuar dhe që për këtë problem të ndiqnin sugjerimet e tij.

Për zgjidhjen e kësaj çështjeje, Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë caktoi si arbitër profesorin e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Gjenevës dhe të Neuchatel, anëtarin e Gjykatës Permanente të Arbitrazhit dhe Institutit të së Drejtës Ndërkombëtare, Sauser Hall.

Më 20 shkurt 1953 prof.Sauser Hall dha këtë vendim arbitrar: “Rezulton se nga të gjitha faktet dhe konsiderat juridike që duhet të kenë parasysh të tre qeveritë në kuptimin e pjesës së tretë të marrëveshjes së Parisit:

se ari i grabitur në Romë më 16 shtator 1943 nga forcat e armatosura gjermane, përbënte në atë datë mbulesën (rezervën) metalike të monedhës shqiptare dhe si pasojë ishte ar monetar shqiptar;

se konventa ekonomike doganore dhe monetare lidhur midis Shqipërisë dhe Italisë më 20 prill 1939 nuk ka ndryshuar mbulesën (rezervën) metalike të monedhës shqiptare mbasi kjo konventë u deklarua nul dhe e pa qenë në nenin 31 të Traktatit të Paqes me Italinë me datën 10 shkurt 1947;

se e drejta për kthimin e një pjese të arit monetar sipas dispozitave të pjesës së tretë të marrëveshjes së Parisit, nuk varet nga provimi i së drejtës së pronësisë të shtetit që kërkon këtë ar, e drejtë kjo që nuk është e provuar as për Shqipërinë e as për Italinë;

se mjafton që shteti që kërkon arin të provojë se ari i grabitur shërbente si mbulesë (rezervë) e monedhës së tij ditën grabitjes ose të marrjes pa të drejtë të arit;

se është provuar se ari në fjalë ishte në pronësi të Bankës Kombëtare Shqiptare, një person juridik, i krijuar në bazë të së drejtës shqiptare dhe i ngarkuar me monopolin e emisionit të kartmonedhës dhe që ari përbënte mbulesën metalike të kartëmonedhës.

Nga të gjitha sa u tha më sipër është provuar se 2.338.7565 kg ar monetar që janë grabitur nga gjermanët në Romë në vitin 1943 i përket Shqipërisë në kuptimin e pjesës së tretë të marrëveshjes së Parisit të datës 14 janar 1946.”

Qeveritë e vendeve perëndimore në parim iu përmbajtën vendimit të mësipërm.

Komisioni Tripalësh në vendimin e tij të dhënë në Bruksel më 9 qershor 1958, duke gjetur me vend vendimin e shfaqur nga arbitri i caktuar në përputhje me marrëveshjen e arritur në Washington në vitin 1951 dhe kërkesën e argumentuar të qeverisë shqiptare, vendosi që Shqipërisë t`i jepte një pjesë të arit të llogaritur në përpjestim me humbjen e pësuar, nga grumbullimi i arit monetar, të formuar në mbështetje të marrëveshjes së përmendur dhe të administruar nga qeveritë e SHBA, Britanisë dhe Francës.

Por meqenëse Komisioni mori njoftim se kjo pjesë që iu caktua Shqipërisë rivendikohej nga të tretë dhe se konflikti përkatës ishte në rregullim e sipër, vendosi që ta linte në ruajtje të qeverisë së SHBA, Britanisë dhe Francës. Kjo në pritje deri sa të merrej një vendim i ri.

Në relacionin e hartuar nga pala shqiptare theksohet se, në vendimin e Komisionit Tripalësh nuk thuhej se cilët ishin të tretët, që rivendikonin arin që i ishte caktuar Shqipërisë. Por kuptohej lehtazi se të tretët në këtë rast, ishte qeveria britanike, e cila e pengonte dorëzimin e arit të grabitur nga gjermanët. Kjo bëhej për të garantuar shumën prej 843.947 stërlinash, që Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i kishte njohur Britanisë si dëmshpërblim për dëmet që ajo kishte pësuar në incidentin e Kanalit të Korfuzit.

Për këtë arsye, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare pranë Agjencisë Ndëraleate të Reparacioneve në Bruksel me 30 gusht 1958 protestoi kundër vendimit të Komisionit Tripalësh, për mos dorëzimin e sasisë së arit të caktuar. Ai parashtroi gjithashtu se Komisioni ishte i detyruar të ndante arin e grumbulluar dhe të transferonte në propocion të drejtë sasinë që i takonte Shqipërisë.

Por nga ana e Komisionit, nuk pati asnjë përgjigje. Në mbledhjen e 59 të Asamblesë së Agjencisë Ndëraleate të Reparacioneve, e cila u mbajt në Bruksel në vitin 1960 delegacioni shqiptar deklaroi se nuk ishte dakord me mënyrën sesi ishin ndarë dëmshpërblimet e luftës dhe se, rezervonte të drejtën që t`i rikthehej kësaj çështjeje.

Tratativat diplomatike për rikthimin e arit të konfiskuar dhe propaganda për “grabitjen” e tij nga Mbreti Zog vazhdoi deri në vitet 90-të.

Ende sot e kësaj dite ajo ka lënë gjurmët e saj në memorien kolektive./Abc News

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix4 minuta më herët

”Televizioni po shkon drejt llumit” – Alketa Vejsiu ‘përballet’ me Dalina Buzin: Po ‘Andale’ yt çfarë është?

Në podcastin e Alketa Vejsiut, Dalina Buzi, producente dhe një figurë e njohur e televizionit shqiptar, ka dhënë mendimin e...

Mix3 orë më herët

Syzet inteligjente Ray-Ban Meta tani përkthejnë në kohë reale

Lajme nga Meta për syzet e saj inteligjente. Kompania e Mark Zuckerberg në fakt ka njoftuar se Ray-Ban Meta është...

Kryesore3 orë më herët

Shkrihet Bindja Demokratike

Fotomontazh – Fabjan Topollaj dhe Astrit Patozi Partia Bindja Demokratike është drejt shkrirjes. Sipas informacioneve që disponon CNA, pretendohet se...

Mix4 orë më herët

Rezultatet zyrtare: Ja sa banorë ka Kosova në vitin 2024 ?

Në Kosovë jetojnë 1,602,515 banorë. Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Agjencisë të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati,...

Mix7 orë më herët

“Kush guxon të flasë kundër sistemit e pëson” – Influencerit Andrew Tate i sekuestrohen 3.4 milionë dollarë

Policia britanike mund të sekuestrojë afro 2.7 milionë paund (3.4 milionë dollarë) nga influenceri AndrewTate dhe vëllai i tij Tristan...

Radar7 orë më herët

Mandarina shqiptare bllokohet nga BE

Sistemi Europian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria. Përgjatë javëve të fundit, Kroacia,...

Mix8 orë më herët

VIDEO/ Parashqevi Simaku shfaqet me një pamje të tjetërsuar, çfarë surprize po përgatitet?

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka rrëmbyer vëmendjen e medias dhe të qytetarëve. Tashmë videot e saj janë virale...

Mix8 orë më herët

Video / Donald Trump shfaqet me model të ri flokësh

Një video që tregon presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, me një model flokësh dukshëm të ndryshëm, është bërë...

Radar8 orë më herët

Evi Kokalari hedh dyshime: Gjithë historia e Parashqevi Simakut, është inskenuar nga Fevziu dhe Elton Ilirjani

Evi Kokalari ka reaguar për videon virale të këngëtares Parashqevi Simaku, e cila më pasu u kthye në temë e...

Radar8 orë më herët

Lufta e Tretë Botërore ka nisur, ajo po zhvillohet në Ukrainë!

Shkruar nga Eva Hartog Sot, trupat në të dyja anët e vijës së konfliktit komunikojnë në spanjisht, nepalisht, hindu, somalisht,...

Facebook