Lidhu me ne

Letersi

Poezi nga Timo Flloko

On behalf of life, Timo Flloko

Askush asnjëherë s’vdes

I

Covid-19!
Mizor,
vrasës i etur,
me tagrin e kobtë “virus”.
Përbindësh,
jetë përpin…
Njerëz,
me indekse shprese në minus…

Mbi fytyra maska.
Bota e të gjallëve,
(pa karnavale këtë herë),
brenda tyre e përtej
e panjohura e padukshme,
mister,
endet globit si fantazmë,
nis trupat për në ferr.

Përbindësh satanik,
le të njihemi:
Jam një person në trajtim,
me gjakun Zero plus…
Jetën nuk ta jap,
si një tekë të vdekjes,
në lojën fatale…
Dominus Noctus!

(Në sensin atipik,
jam asimptomatik…)

(Kur të kesh ikur,
në një kohë kalendarike,
si fantomë atavike,
s’do të trembësh as fëmijët…)

II

Lus Zotin,
jo larg,
nga terri i izolimit,
nëse i gjallë dal,
si i vobekti që e fal trupin,
në morg,
do t’i sjell nga mjegulla e kujtesës,
të gjitha përjetimet,
pa lënë asgjë në harresë…
Nëse mbërrij,
të vij,
prej të shkuarës
depresive,
do t’i sjell çastet, që më ka lënë kujtesa,
Prej territ të netëve,
makthet, drithmat, mbresat,
ndiesitë subtile…
Si ca kujtesa të helmëta,
të largëta,
fosile…

III

Fund dimri.
Herët, në pragagim,
eca kopshtit nëpër fllad,
e ndala syrin në sythin e parëverës,
mbi një fidan shege egërshan…
Ndjeva kraharorit të pambaruarat
rrahje të zemrës.
Si i burgosuri që s’e ka parë kohësh qiellin,
ndjeva mrekullinë e jetës…
(Sa miq kisha humbur…)
Në një portë të shpresës,
lexova,
“Më mungon”!
Jeta duhej kryer,
si obligim suprem.
Si rikthim, si shpresë,
më ra në mend Heminguei,
Profecia e tij:
“Askush asnjëherë s’vdes”

IV

Kur rishtas ra nata.
Në terr hyra,
Firmamentin e qiellit,
praruar nga yjet,
ngarkova mbi vete.
Preka me sy
të parat xixëllonja,
si shenja të kësaj jete…
Ish muaji maj,
“epshi” tokësor…
(Si humb në absurd
sensi i kohës..)

Xixëllonjat,
si fata,
me xixëllima të mugëta,
shponin zymtinë,
(Si të përzinin fantazmën Covid)
në terrin që hedh nata.


ELIKSIR I DASHURISË

Më rrëmbeu malli për ty,
Erë e mallit vjen me krahë,
Atë çast nga brenda shpirtit,
Mbyta një ofshamë, një “aaah”…

Yjet gushtit kur këputen,
Digjen zjarr në hapësirë…
Kur i kap syri, në rënie,
Flijohen për një dëshirë.

Siç sfidojnë ufo-t hapësirat,
Sytë përshkuan zbrazëtinë,
Larg prej meje, tej në yje,
Ikën, morën arratinë…

Në mosgjë, m’u bë se panë,
Shtatoren e dashurisë,
Një shigjetë ngulur në asht,
Në zemër të gjithësisë…

Vijmë në botë dhe dashuria,
Në ekstazë na çon si dehja…
N’eliksir, shpesh, në zhgënjime,
Që nga lindja gjer te vdekja.

Misterit të dashurisë,
Të fshehtat kush mund t’ia maste,
Trupin, shpirtin, edhe jetën,
Do t’ia falja për ca çaste…

Mori yjesh vinin rrotull,
Digjeshin, binin në hon,
Si te “shtjellat” e Van Goghut,
Net’ve parisiane vonë…

Nuk e di si s’ika mendsh,
(Fantazia ku s’na çon..(!),
Në ca kopshte iluzorë,
Ku s’ka kohë… as dimension.)

Shtatë hëna ndërruan qiellit,
Ato net në humbësi…
Kur Kupidi shtriu harkun,
Dhe mori nishan mbi ty!

Ti ishe një yll verior,
Në parajsën fantazore,
Me shkëlqim apoliptik,
Një krijesë përtejqiellore…

Porsi ëndërr a mirazh,
Që fanitet… e s’ka të ngjarë,
E ardhur prej askurrkundit,
Një fiksim krejt mendjemarrë…?!

Nga ndiesitë prej së fshehti,
Që veç zemra i ndien thellë,
Trupat prekën njëri-tjetrin,
Shpirtrat shkrinë në eter…

Iu dorëzuam atij çasti,
Të rrëmbyer si nga transi,
Sa tokësorë aq qiellorë,
Ti Venera dhe unë Marsi.

Të shtrëngova në krahëror,
Të tërhoqa thellë në zemër,
Nga pasioni, zjarr e afsh,
Perëndeshë, të ndjeva… femër!

Mbi shtrojë të Arushës së Madhe,
Dashuri bëmë dhe seks,
Koha humbi sensin krejt,
Boshit iluziv rreth nesh.

Ne u shkrimë në një trup,
Çdo natë vonë me yjet fjetëm,
Në magji a në pandehmë,
A përtej, në botën tjetër..(?!)

Kur u beft atje një yll,
Me dhimbjen e dritës feksi,
Pashë tek ra, si meteor,
Mos ndëshkim i universit…?!

Në ç’altar gjith’hapsinor,
Fli po bëhej atij çasti,
Për mëkatin tejhyjnor,
Yll i ndritshëm i Pegas-it…?!

* * *

Përmbi ne atje së larti,
Feksin yjet nëpër net,
(Nëse jeta s’qenkësh ëndërr,
Ç’mister tjetër vallë të jetë..?!)

Kurrë s’u pamë e as s’u prekëm,
Në këtë jetën tokësore,
Të jetë dashuria ëndërr,
E pandodhshme, tejqiellore..?!

Më e hyjshme çfarë nuk ndodh,
Se ajo që ngjet njëmend,
Nëse kurrë në jetë nuk ndodhi,
Kjo ta bëjë t’atillë, të shenjtë…?!

Los Anxheles, 2021

MË TEPËR

Radar1 ditë më herët

Korea e Veriut dërgoi 14 mijë trupa në Ukrainë dhe 16 000 kontenierë me armatime

Agjencia “Reuters” publikon së fundmi një investigim të vetin për linjën e furnizimit të Rusisë nga Korea e Veriut gjatë vitit...

Radar1 ditë më herët

“Where to pee in Gjirokastra?”

Nga Auron Tare Pa mbërritur në oborrin e Gjimnazit “Asim Zeneli” në rrugicën kryesore që futesh në Palorto, pashë nja...

Mix1 ditë më herët

Si të bëhesh viral në Youtube? MrBeast ndoqi këtë strategji

Nëse keni ndjekur YouTube-in gjatë dekadës së fundit, është e pamundur të mos keni hasur emrin e tij, MrBeast, ose...

Kioske2 ditë më herët

Pse befasohemi nga dhuna ?

Nga Lutfi Dervishi Dhunë në familje, dhunë në shkollë, dhunë në rrugë, në punë, në çdo skutë të shoqërisë. Dhunë...

Kioske2 ditë më herët

Si do të justifikohet Berisha pas humbjes së zgjedhjeve?

Shkruar nga Spartak Ngjela Saliu nuk do të pranojë humbjen, sepse ajo e largon nga kreu i Partisë Demokratike. Shumë...

Radar2 ditë më herët

Donald Trump: Lufta në Ukrainë, nuk është lufta ime. Atë e nisi Biden, duke e financuar me miliarda dollarë

Presidenti amerikan qartëson statusin e tarifave ndaj pajisjeve elektornike të importuara nga Kina. Përmes rrjeteve sociale, Donald Trump, paralajmëron se...

Mix2 ditë më herët

Horoskopi ditor në Podiumi.com

DashiTë lindur më: 21 Mars – 19 PrillTë hënën një ditë pozitive e favorizuar nga Jupiteri, që sjell me vete...

Mix2 ditë më herët

Një fakt i çuditshëm shkencor? – Fiku nuk është frut. Është lule

Më saktë, fiku është një lule e përmbysur. Ndryshe nga një mollë që lulëzon në mënyrë të dukshme, lulet e...

Radar2 ditë më herët

Politkë dhe Big Brother, Shpëtim Idrizi reagon për shuplakën që iu dha Gjestit

Pas përplasjes fizike në “Big Brother VIP Albania”, ku Jozi goditi me shuplakë Gjestin – një situatë që u përfol...

Mix2 ditë më herët

Dëmet që shkakton migrena në trup, përveç dhimbjes së kokës

Sëmundjen e migrenës edhe nëse nuk e vuani apo përjetoni vetë, me siguri e keni dëgjuar të përmendet shpesh. Është...

Facebook