Radar
Abdulrazak Gurnah fiton Çmimin Nobel për Letërsinë 2021

Abdulrazak Gurnah ka fituar Çmimin Nobel në letërsi për vitin 2021, njoftoi të enjten Akademia Suedeze. Çmimi iu dha shkrimtarit me motivacionin “për depërtimin e pakompromis dhe të dhembshur tek efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit në humnerën mes kulturave dhe kontinenteve”.
Autori Tanzanian 73-vjeç, jeton në Mbretërinë e Bashkuar. Gjuha e tij e parë është suahilishtja, por anglishtja u bë gjuha e tij letrare. Ai është personi i parë nga Tanzania që fiton një Çmim Nobel.
Romanet e famshme të gjuhës angleze të Gurnah përfshijnë “By the Sea”, “Desertion” dhe “Paradise”, e cila u përzgjodh për Çmimin Booker dhe Çmimin Whitbread.
Gjyqtarët vunë re se “historitë e tij shënohen nga prania e Kuranit ose “Netëve Arabe”, dhe anglishtja e tij është e arnuar me gjurmë të suahilishtes, arabishtes, hindishtes dhe gjermanishtes.”
Ai është autor i 10 romaneve, më i fundit “Afterlives” (2020).
Në një deklaratë, Akademia tha, “Përkushtimi i Gurnah ndaj së vërtetës dhe neveria e tij ndaj thjeshtësimit janë goditëse. Romanet e tij tërhiqen nga përshkrimet stereotipike dhe na hapin shikimin drejt një Afrike Lindore të larmishme kulturore, e panjohur për shumë në pjesë të tjera të botës. ”
Vepra e shkruar nga Gurnah, “Parajsa”, ishte ajo që e bëri të famshëm shkrimtarin në skenën botërore. Ajo u shkrua prej tij pas një udhëtimi në Afrikën Lindore rreth vitit 1990 dhe tregon një histori të trishtë dashurie ku përplasen dy botë të ndryshme dhe dy sisteme besimi.