Radar
Si rilindi Agron Gjekmarkaj/ Nga “Basha ik” në “Luli lider”
Agron Gjekmarkaj, analisti që u bë deputet në radhët e Partisë Demokratike, ka ndryshuar kurs 360 gradë në raport me kreun e PD-së Lulzim Basha.
Ndërrimin marramendës të kursit, se përse ndodhi dhe si ndodhi, po ia lëmë opinionit publik që ta komentojë, se si Gjekmarkaj nga një “anti-Lulzims” dhe shndërrua në një “Lulzims”.
Gjekmarkaj anti-Lulzimsi i përbetuar
Me anë të shkrimeve në formën e analizave, Gjekmarkaj akuzonte kreun e PD Lulzim Basha në vijimësi, pareshtuar.
Jo shumë larg, kanë ndodhur këto sulme, por në vitin 2017, kur Gjekmarkaj kritikonte Bashën për listat, për shkatërrimine PD dhe për largimin e disa figurave kyçe të kësaj force politike.
Me 24 Gusht 2017, në një shkrim të titulluar “Lulzim Basha e ka një mundësi” dhe të publikuar në “Panorama”, Gjekmarkaj vinte alarmin për zvogëlimin e PD-së.
Sipas tij PD ishte bërë si një ndërtim pa leje
“Lulzim Basha sot është kryetar i PD-së, i partisë më të madhe opozitare, e zvogëluar dukshëm në madhësi. Tashmë në këtë post, pas një procesi të përfolur si farsë. I akuzuar për uzurpim dhe i konsideruar prej disa të vetësh si i paligjshëm.
Me pak fjalë, kjo parti e opozitës ngjan si një ndërtim pa leje dhe vetë Basha si ndërtues qerrata. I cili pret tapinë e re. Varet prej kujt e pret! Prej qytetarëve, prej Artan Lames, apo prej harresës”, shkruante Gjekmarkaj.
Më tej ai shkruan, Basha fillimisht duhj të legalizohej dhe më pas të kërkonte falje për dëmtimin e PD-së.
“ Basha ka nevojë të legalizohet. Ai ka vetëm një aleat: Të vërtetën duke lypur falje… Së pari duhet tu thotë të vërtetën 200 mijë demokratëve që e refuzuan atë si lider, listën dhe ofertën e tij.
Së dyti duhet tua thotë atë atyre që e votuan. E një moment pak më të vonë tua rrefejë këtë atyre 250 mijë votuesve më shumë që nuk i morri për të ardhur në pushtet.
Një tjetër cen që ia kemi venë në dukje edhe kur besonim se ai ishte një tjetër Lulzim Bashë ka qenë mospërputhja e fjalëve me aktet. Fjala e urtë “nga e thena në të bërë rri në mes një pal i tërë”.
Lulzim Basha kurrë nuk e kapërceu atë të uruar mal…”, shkruante Gjekmarkaj në opinionin e tij.
Gjekmarkaj pro Bashës
I njëjti, analist i atëhershëm, Agron Gjekmarkaj, pa u bërë ende katër vite nga ajo çfarë kishte deklaruar më herët, ndryshon deklaratat për Lulzim Bashën.
Me 28 Janar 2021, në një emision në News 24, Gjekmarkaj ngrinte në qiell Bashën dhe sipas tij ai ishte i vetmi që mund të bëhej kryeministër.
“Slogani i PD-së më pëlqeu. Është pa kuptim që Rama të donte mandat të tretë, sepse nuk ka bilanc. “Shqipëria tonë” është slogan i gjetur i PD-së. Basha është i vetmi person që mund të bëhet kryeministër.
Basha njihet si njeri normal si gjithë ne të tjerët, nuk është arrogant, komunikon shkëlqyer. Programi ekonomik respekton nevojat themelore për ndryshim. Mendoj se programi është i aplikueshëm. Mendoj se PD është fokusuar tek ekonomia, sepse një njeri me ekonomi të mirë është edhe qytetar më i denjë. Rama ka dështuar totalisht në çdo aspekt. Shqipëria tonë, nëse ikën Rama”, tha Gjekmarkaj në “News 24”