Kryesore
50 mëkatet e Lulzim Bashës
Nga Elvi FUNDO
Lulzim Basha është njeriu me më shumë hije në politikën shqiptare. Aty ku duket se ka ndriçuar paksa, duket se në fakt është një rreze që del pas një reje të zezë që mbulon njeriun, i cili në 16 vjet politikë ka qëndruar vetëm në karrige të dhuruara. Të gjitha nga Sali Berisha, i cili sot është “viktima” e radhës që “vret” fantazma Luli e krijuar nga hijet e Bashës.
CNA.al prej 6 vitesh në pozicion të qartë opozitar të ashpër me qeverinë, nuk ka qenë kurrë në krah të Bashës duke lexuar qartazi aktet e tij si veprime të një njeriu pa mençurinë e duhur politike, por kurrësesi në rolin e budallait. Gjithmonë si një personazh që sillej si biznes në një parti, ku fjala nuk kishte më peshë dhe një forcë politike konservatore po kthehej në një liberalo-ylberiste.
Në fakt gjatë gjithë karrierës së Lulzim Bashës, CNA.al ka renditur mjaf fakte dhe diku akuza për qasjen politike, në fakt shumë shpesh nuk na kanë besuar, kanë reaguar ashpër, por koha tashmë qartazi vërtetoi gjithçka. Të gjitha faktet i thonë me zë të lartë të gjithë demokratët të cilët sot pranojnë se Lulzim Basha është një dështak, tregtar politik dhe në finale një mashtrues i pandalshëm. Tashmë pas shumë hijesh në karrierën e tij politike është kthyer në fantazmën e demokratëve.
Më poshtë po rendisim një e nga një 50 hijet e Lulzim Bashës. Mund të jenë më shumë, kurrsesi më pak, mund të ketë disa që i kemi bashkuar, disa që nuk i kemi zgjeruar shumë, por të gjitha qëndrojnë dhe janë të rëndësishmë për këto 16 vite politikë në Shqipëri, pasi nuk janë vetëm hije personale të Lulzim Bashës por janë stuhi që kanë rrënë mbi supet e shqiptarëve dhe demokratëve në veçanti.
Hija numër 1
Hyrja në PD dhe marrja e drejtimit të KOP
Lulzim Basha ka ardhur në PD në vitin 2005, i futur në këtë parti nga ish-kryeministri Sali Berisha. Edhe pse erdhi nga “rruga” dhe pa asnjë kontribut në Partinë Demokratike, detyra e parë që iu dhurua Lulzim Bashës, ishte koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave.
Hija numër 2
Lulzim Basha ka gënjyer për shkollimin e tij në Hollandë
Lulzim Basha u fut për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë, si deputet pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005.
Por, edhe pse u “shit” si një lider Perëndimor, i shkolluar në Hollandë, etj, dyshimet janë se e vërteta qëndron ndryshe.
Në CV e publikuar në faqen e Partisë Demokratike, Basha nuk tregon se kur e ka mbaruar shkollën
“Në vitin 1993 ai filloi studimet në Universitetin e Utrechtit në Hollandë, ku edhe u diplomua në të Drejtën Evropiane dhe Ndërkombëtare”, thuhet në CV e tij, por se kur e ka mbaruar kjo nuk është bërë kurrë publike.(Lexo këtu)
Hija numër 3
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, Lulzim Basha u bë Ministër i Transporteve, detyrë të cilën e mbajti për rreth dy vite.
“Hija” që e përndjek Lulzim Bashën është skandali me Rrugën e Kombit, në kohën që Lulzim Basha ishte ministër i Transportit.
Në lidhje me këtë skandal ka pasur edhe një raport të KLSH, i cili fliste për 230 milionë euro abuzime nga paratë e shqiptarëve.
Hija numër 4
Skandalet në ministrinë e Jashtme
Në vitin 2007, Lulzim Basha u emërua Ministër i Punëve të Jashtme.
Në kohën që ishte ministër i Jashtëm, një “hijë” që vijon ta përndjekë Lulzim Bashën, është firmosja e marrëveshjes për ujërat territoriale me Greqinë.
Në prill të vitit 2009, Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Jashtëm firmosi marrëveshjen e detit me Greqinë, e cila më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
Hija numër 5
Pas zgjedhjeve të vitit 2009 në të cilat Lulzim Basha u zgjodh deputet i Elbasanit, ai u emërua si Ministër i Brendshëm në qeverinë e re Berisha.
Gjatë kohës që Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm, në një protestë në 21 janar 2011, katër protestues mbeten të vrarë në Bulevard.
Hija numër 6
Me ndihmën dhe mbështetjen e Sali Berishës, në zgjedhjet lokale të vitit 2011, Lulzim Basha u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Kujtojmë këtu se ishin 11 vota, pas dhe ishte Arben Ristani, në atë kohë kryetar i KQZ-së që i “nxori”, nga kutitë mbi 110 vota të tjera që e bënë Lulzim Bashën kryetar të Bashkisë së Tiranës. Dhe për katër vite nuk bëri asgjë.
“Gojët e liga” flasin edhe për një ndërhyrje të fortë nga Sali Berisha.
Hija numër 7
Gjatë kohës që drejtoi Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha do mbahet mend edhe për Tramin që nuk u ndërtua kurrë.
Basha premtoi se do të ndërtonte Tramin në Tiranë, por nuk u ndërtua kurrë dhe justifikimi ishte se qeveria kishte penguar fondet.
Hija numër 8
Projekti për zgjerimin e Bulevardit, pazaret dhe akuzat.
Kujtojmë këtu se në lidhje me këtë projekt ka pasur mjaft akuza. Në atë kohë thuhej se projekti i Bashës kishte si synim përzënien e banorëve që preken nga zbatimi i projektit të bulevardit pa u shpronësuar me çmimin e tregut.
Hija numër 9
Gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha i dha leje ndërtimi, ortakut të vjehrrit të tij.
CNA.al ka publikuar më parë dy leje ndërtimi. Një në rrugën e Elbasanit dhe një në Ali Demi, dy pallate të ndërtuara nga ortaku i vjehrrit të Lulzim Bashës, Xhuvi Sharxhi. Të dyja lejet janë të firmosura nga Lulzim Basha, në kohën që ai ka qënë kryetar i Bashkisë së Tiranës. (Lexo këtu)
Hija numër 10
Kompanië e themeluar nga kunati i tij, gjatë kohës që Lulzim Basha ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Landmark Communication”, kompania e kunatit të Lulzim Bashës, e cila ka filluar aktivitetin në vitin 2012 dhe në vitin 2019 ka arritur kulmin me gati 2.4 miliard lekë xhiro.
Milionat e dollarëve dhe miliardat e lekëve duket se nuk janë problem për Lulzim Bashën, pasi një pasuri të tillë marramendësi ai e ka edhe vetë. Por, kur ai flet në publik për oligarkët dhe bizneset që paguajnë tek kompania e kunatit të tij, që drejtohet nga bashkëshortja e Lulzim Bashës, e cila është 24 orë prezente në “Landmark Communication”, tregon në fakt se kush është kreu i Republikës së re. (Lexo këtu)
Hija numër 11
Pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës, Lulzim Basha mori drejtimin e Partisë Demokratike.
Në një garë, ku më shumë dukej se po garonte Sali Berisha, Lulzim Basha u bë kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend.
I futur në PD pa asnjë kontribut, i shoqëruar nga jo pak skandale, që nga koha kur ishte ministër e deri edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, Basha mori drejtimin e Opozitës.
Hija numër 12
Një detaj që bie në sy në deklaratat e kreut të PD-së, Lulzim Basha është fakti se ai ka heshtur në lidhje me George Soros, përtej një fjale të vetme gjatë kohës që ishte në çadër.
Kreu i PD-së është treguar mjaft i kujdesshëm dhe është përpjekur në çdo rast ta ruajë në artikulimin e tij publik George Soros, përveç rastit të çadrës, kur i përmendi një herë emrin.
Heshtja e Lulzim Bashës duket se vjen për shkak të marrëdhënies së ngushtë me fondacionin Soros.
Një njeri që nuk kishte hyrë kurrë në selinë e PD-së, deri në vitin 2014, kur Basha do të zhvillonte një takim me Soros, duke pasur në krah Grida Dumën, Eduard Selamin dhe Gerti Bogdanin.
Hija numër 13
Basha është shkolluar me paratë e Soros
Gjithçka fillon në vitin 1995, ku sipas një dokumenti të publikuar gjerësisht i cili qarkullon në media, është fakti se Lulzim Basha ka siguruar një fond prej 7324 dollarësh së bashku me bashkëshorten e tij. Sipas të dhënave kjo shumë parash është dhënë atëherë për Lulzim Bashën, kur studionte në universitetin e Utrecht, të cilin i është dashur rreth 12 vjet për ta përfunduar. (Lexo këtu)
Hija numër 14
Bojkotimi i Reformës Territoriale
Pas marrjes së drejtimit të PD-së, Lulzim Basha vetëm sa thelloi skandalet e tij. Një ndër to është edhe bojkotimi i Reformës Territoriale.
Në vitin 2015, Lulzim Basha nuk mori pjesë në Reformën Territoriale, duke i lënë dorë të lirë mazhorancës socialiste, të bëjë si të dojë, gjë e cila i solli jo pak kosto elektorale Partisë Demokratike.
Hija numër 15
Humbja e zgjedhjeve lokale të vitit 2015
Pasi bojkotoi Reformën Territoriale, Lulzim Basha humbi edhe zgjedhjet lokale. Partia Demokratike arriti të merrte vetëm 14 bashki dhe përgjegjësi për këtë ishte vetë Lulzim Basha dhe vendimi i tij për të mos marrë pjesë në Reformën Territoriale.
Hija numër 16
Ligjin për Arsimin e Lartë, është një ndër ligjet me klienteliste të qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Lulzim Basha premtoi se do ta çonte në Gjykatën Kushtëtuese, por nuk e bëri kurrë.
Ishte pikërisht ky ligj, që solli edhe protestat studentore në fund të 2018-ës, por që Basha as ata nuk i mbështeti.
Hija numër 17
Përplasjet me SHBA
Pas marrjes së drejtimit të PD nga Lulzim Basha, për herë të parë në historinë e kësaj force politike, filluan përplasjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E para është ardhja e ambasadorit Donald Lu, i cili ishte i pari që vinte në Shqipëri, duke artikuluar një mesazh në gjuhën shqipe dhe qartazi misioni i tij kryesor u duk se ishte Reforma në Drejtësi.
Rezistencë, përplasje, “luftë” midis palëve politike, derisa mund të kujtojmë se në atë kohë, një zyrë e quajtur “Byrektorja” në selinë e PD-së, call centeri i kësaj partie, dhe zyrtarë të lartë artikulonin fyerje dhe akuza kundër ambasadorit Lu.
Në rrjetet sociale kishte sharje ndaj Ambasadës, në gjuhën më banale.
Hija numër 18
Shkojmë tek Reforma në Drejtësi
Sërish Lulzim Basha zgjodhi rrugën e bojkotit. Sërish një tjetër reformë e rëndësishme bëhej pa pjesëmarrjen e Opozitës. Dhe në fund, pasi i bojkotoi shkoi dhe e firmosi.
Mes kërcënimeve të ndërkombëtarëve për ndëshkim të deputetëve që nuk e votojnë dhe me takime të shumta e ndërhyrje nga ambasadorët, në korrik të vitit 2016, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me vota unanime Reformën në Drejtësi.
Pra, Lulzim Basha në fillim e sulmoi, e bojkotoi dhe më pas shkoi e votoi në parlament.
Hija numër 19
Në shkurt të vitit 2017, Lulzim Basha futi demokratët në çadër. I mbajti me premtime boshe për gati tre muaj, i gënjeu dhe i tërhoqi zvarrë. Filluan pazaret dhe lojërat e fëlliqura politike.
Në çadër sërish call centeri dhe Byrektorja e komanduar nga njerëzit e Lulzim Bashës sulmonte, akuzonte, shante dhe fyente ambasadorin, diplomatët amerikanë. Në finale vjen një marrëveshje e detyruar dhe tradhëtia që Lulzim Basha i kishte bërë PD-së, një shitje tek Edi Rama.
Hija numër 20
Emërimi i Fatmir Xhafajt ministër i Brendshëm
Në mars të vitit 2017, Lulzim Basha, nga çadra kishte deklaruar se Fatmir Xhafaj nuk do të emërohet ministër i Brendshëm, vetëm nëse kalon mbi trupin e tij.
“Le të zotohemi së bashku se Fatmir Xhafa nuk e kalon pragun e Ministrisë së Brendshme përveçse mbi trupat tanë!”-deklaronte në atë kohë Basha.
Por, Fatmir Xhafaj “kaloi mbu trupin” e Lulzim Bashës, dhe në seancën parlamentare të 23 marsit 2017, Fatmir Xhafaj është emëruar ministër i Brendshëm.
Hija numër 21
Marrëveshja me kryeministrin Edi Rama
Pasi i tërhoqi zvarrë demokratët në çadër, për gati tre muaj. Mbrëmjen e 17 majit 2017, Lulzim Basha bëri një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama, detajet e së cilës nuk u bënë kurrë publike. Por, ngjarjet që e pasuan, treguan shumë detaje. Përfshirë këtu edhe 16 milionë eurot për shembjen e një pallati të vjehrrit të Lulzim Bashës, ndërtuar në rërën e detit Jon, në Vlorë.
Hija numër 22
Bashkëqeverisja me Ramën
Pas marrëveshjes së 17 majit 2017, filloi edhe bashkëqeverisja Rama-Basha. Basha mori gjysmën e qeverisë, dhe bashëqeverisën deri pas zgjedhjeve të qershorit 2017.
Hija numër 23
Lista e 2017, dhe “vrasja” e elitës së PD
Kryetari i Republikës së re, Lulzim Basha në vitin 2017 përgatiti një listë kandidatësh për deputetë, i mbyllur vetëm në zyrën e tij. “Vrau” elitën e Partisë Demokratike dhe në mesnatë shpalli një listë kandidatësh me palaço dhe sharlatanë publikë. Futi në PD njerëz anonimë dhe pa asnjë kontribut në këtë forcë politike. Pa folur edhe për akuzat shit-blerje mandatesh.
Hija numër 24
Pas marrëveshjes me kryeministrin Edi Rama, në qershor të vitit 2017, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Lulzim Bashëa publikoi në rrjetet sociale një foto me ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Në media u raportua se fotoja e Trump me Bashën ka kushtuar jo pak, por rreth 20 mijë dollarë.
Presidenti Trump ka qënë në një mbrëmje për mbledhje fondesh për një kandidat të partisë së tij. Trump ka bërë foto me cilindo që ka qenë i pranishëm dhe ka paguar 20 mijë dollarë, pra një foto në një kalim nga 2 sekonda që ka bërë secili i pranishëm.
Basha ka blerë një biletë për të hyrë në këtë mbrëmje dhe çmimi i një bilete për të hyrë në event është 10-20 mijë dollarë (në varësi te pozicionit ku do të ulesh). Në fakt më plas plasi një skandal për një financim të dyshimtë prej mbi 1 milionë dollarë.
Hija numër 25
Skandali i lobimeve me financime ruse
Kujtojmë këtu skandalin e lobimeve me Nick Muzin në SHBA, ku janë paguar 1 milion e 25 mijë dollarë, për të cilin Lulzim Basha tre herë kur foli ka dhënë tre versione të ndryshme pasi gënjeu.(Lexo këtu)
Hija numër 26
Lidhjet me biznesmenin turk, Ekim Alptekin, një person i kërkuar nga FBI.LEXO EDHE: Basha i përgjigjet “dhëmb për dhëmb” Ramës
Alptekin njihet si një mik dhe bashkëpunëtor i Lulzim Bashës dhe konsull nderi i Shqipërisë në Turqi, i emëruar nga Lulzim Basha.
Nga ana tjetër, është një personazh që shpesh është përfolur se ka suportuar fort Lulzim Bashën.
Në një intervistë të tij ai thotë një detaj se ka qënë në SHBA gjatë periudhës së tranzicionit midis presidencës Obama dhe Trump, dhe gjatë 2 muajve të parë të presidencës Trump.
Pra, rastësisht sërish ne kemi gjetur një detaj tjetër, qëndrimi i Alptekin përkon me kohën që Basha ka qenë në SHBA, që nga inagurimi i Presidentit Trump deri tek kontratat e firmosura për lobim me Nik Muzin.(Lexo këtu)
Hija numër 27
Humbja e turpshme e zgjedhjeve të qershorit 2017
Pas çadrës, pas marrëveshjes me kryeministrin Edi Rama dhe pasi përgatiti një listë skandaloze të kandidatëve për deputetë, Lulzim Basha iu solli demokratëve një katastrofë elektorale në zgjedhjet e qershorit të 2017-ës.
PD në këto zgjedhje mori reth 230 mijë vota më pak se në vitin 2013, pra ditën që doli në opozitë.
Hija numër 28
Lulzim Basha deklaroi publikisht se nuk do të votonte zgjedhjen e Gramoz Ruçit kryetar të Kuvendit, pas zgjedhjeve të 2017-ës, por “çuditërisht”, rrodhën vota edhe nga grupi parlamentar i Lulzim Bashës. Të paktën 4 -6 deputetë votuan pro Gramoz Ruçi, skandali nuk u hetua kurrë brenda PD se kush ishin personat që votuan Ruçin.
Hija numër 29
Në një kohë që shqiptarët varfërohen, dhe biznesi është në krizë, “çuditërisht” bizneset e kunatit të Lulzim Bashës, vetëm sa shtojnë xhirot. (Lexo këtu)
Hija numër 30
Call centerat dhe “Byrektorja” e famshme e Bashës, e cila sulmon dhe shan me profile fallco këdo që kritikon Lulzim Bashën. (Lexo këtu)
Hija e numër 31
Shkatërrimi i strukturave të PD, që nga Lidhja e Demokratike e Gruas tek FRPD. LDG prej gati 12 vitesh nuk bën zgjedhje, nuk funksionon si organizatë. Basha e ka shkatërruar totalish, ekziston vetëm formalisht. FRPD po drejtohet nga “pensionistë”.
Hija numër 32
Në qershor të vitit 2018, Partia Demokratike nisi një seri denmoncimesh kundër ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj.
Në fillim u dik si një aksion i mirëorganizuar. Ishte deputeti Enkelejd Alibeaj që bëri disa denoncime të njëpasnjëshme me dokumente, dokumente dhe prova që tregonin se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge.
Por, Basha fiku “zjarrin” që kishte ndezur vetë në momentin që në skenë doli “Babalja”, apo i ashtuquajturi “Dëshmitari X”. Deputeti i PD, Ervin Salianji publikoi një audio-përgjim, sipas të cilit pretendohej se Agron Xhafaj vijonte ende të drejtonte trafikun e lëndëve narkotike.
Në audio-përgjim shfaqej shtetasi Albert Veliu, apo i ashtuquajturi “Babale”, i cili pretendohej se shfaqej në një bisedë me Agron Xhafaj, duke bërë pazare droge.
Por, më pas vetë Albert Veliu, i cili ndodhet në Kosovë ku ka kërkuar strehim politik, e ka pranuar se audio-përgjimi kishte qënë vetëm një inskenim.
Hija numër 33
Lulzim Basha tradhëtoi djemtë e Kukësit.
Edhe djemtë e Kukësit të cilët protestuan kundër vendosjes së traut në Rrugën e Kombit, u tradhëtuan dhe u lanë vetëm nga Lulzim Basha.
Fillimisht tha se nuk do lejonte vendosjen e traut, bëri sikur e mbështeti protestën e tyre në pranverën e 2018-ës, por i la vetëm përballë qeverisë së Ramës. I la vetëm edhe dyerve të gjykatave. Dhe më pas, rastësisht kunati i Lulzim Bashës mori zyrat tek një nga koncesionarët e Rrugës së Kombit.
Hija numër 34
Në shkurt të vitit 2019, Lulzim Basha ndërmori një veprim të paprecedentë, duke djegur mandatet e deputetëve, duke braktisur parlamentin dhe duke lënë demokratët të papërfaqësuar.
Kjo ishte ndoshta një ndër çmenduritë më të mëdha politike të Lulzim Bashës në krye të PD, por që u pasua nga të tjera veprime, jo më pak të “çmendura”.
Hija numër 35
Sulmet dhe përplasjet me Methew Palmer
Djegia e mandative u deklarua nga Lulzim Basha, gjatë një proteste, në shkurt të vitit 2019, rreth mesditës. Dhe pasdite kur është telefonuar, siç ai pretendon dhe ka deklaruar në qindra e qindra takime, kishte refuzuar kërkesën e sekretarit Palmer, i cili thoshte se djegia e mandateve ishte e gabuar.
Por, kishte mbajtur një qëndrim, duke thënë se “e dintë ai, dhe vendimi ishte i pakthyeshëm”.
Menjëherë filluan sulmet ndaj Metheë Palmer. “Buf, qorr, Sorosian, hajdut, i blerë nga Rama, i paguar nga paratë e korrupsionit”. Së bashku me ambasadorin, ishte pre e sulmit dhe Zoti Palmer. Janë sërish në faqen e ambasadës, sulmet vinin me komandë nga Basha.
Hija numër 36
Shkojmë më tej tek zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. PD nuk hyn në zgjedhje. Ultimatumi është i qartë. Sulmet ndaj Palmer nuk ndalen. “Sorosian, hajdut, i shitur dhe i blerë”.
Komente dhe akuza politike nga Partia Demokratike dhe njerëzit që rrethonin Lulzim Bashën.
Edhe pse hiqet si pro-amerikan i madh, Basha nuk iu përgjigj thirrjeve të ndërkombëtarëve, bojkotoi zgjedhjet vendore dhe i fali në tavolinë Edi Ramës 61 bashki.
Hija numër 37
Lulzim Basha tradhëtoi banorët e Unazës së re. Iu premtoi se do t’i mbështeste. Se shtëpitë e tyre nuk do të shembeshin. U çoi edhe Klevis Balliun, si “udhëheqës I madh”. Por, ditën që policia mësy në Unazën e re, ata u lanë vetëm dhe shtëpitë u shemben.
Hija numër 38
Akuzat për të ashtuquajturit oligarkë
Lulzim Basha është ndoshta i vetmi kryetar opozite, që ditën sulmon oligarkët, ndërsa natën “fle” me ta.
Lulzim Basha del në konferenca shtypi, flet e akuzon të ashtuquajturit oligarkë. Pra, biznesmenët më të pasur në Shqipëri, kur fakti është se të gjithë oligarkët paguajnë tek kunati i Lulzim Bashës. (Lexo këtu)
Në pothuajse të gjitha daljet e tij mediatike, Lulzim Basha ka kryefjalë të tij “oligarkët”, por siç duket “dardha e ka bishtin prapa”. Kush të shan të do, dhe Lulzim Basha e ka treguar “dashurinë” e madhe që ka për oligarkët, disa i sulmon e pastaj iu harron emrin, disave u “shkel syrin” e disa të tjerëve ka frikë tua përmendë as emrin.
Hija numër 39
Gjatë kohës së qëndrimit të tij në opozitë, Lulzim Basha ka shtuar vilat e tij.
Ai mesa duket është i “dashuruar” pas vilave luksoze të ndërtuara prej tyre. Dhe vilat e Luli Bashës, mesa duket janë disa.
Së pari kujtojmë këtu vila në Long Hill rezidencë e ndërtuar nga biznesmeni Agron Papuli, i quajtur oligark dhe denoncuar me dhjetëra herë nga Basha, por që tashmë ia ka “harruar emrin”.
Në tetor 2019, Basha u zhvendos nga apartamenti i tij në katin e 12, pranë kullave te “Qemal Stafa”, në kompleksin e vilave “Long Hill”, në periferi të Tiranës.
Lulzim Basha e justifikoi zhvendosjen në kompleksin e vilave “Long Hill”, duke thënë se apartamenti i tij kishte pësuar dëmtime nga tërmeti i shtatorit, por në fakt asnjë dëmtim nuk është raportuar në lidhje me apartamentin në fjalë në Bashkinë e Tiranës.
Në gusht të vitit 2020 CNA.alraportoi se Lulzim Basha është afruar të vilat e një tjetër oligarku, të cilit Luli ka frikë t’i përmendë as emrin. Bëhet fjalë për resortin luksoz “Valamar” të Samir Manes në Gjirin e Lalzit, vend ku thuhet se është parë të zbarkojë dhe qëndrojë në një vilë luksoze Lulzim Basha. (Lexo këtu)
Nga ana tjetër, Lulzim Basha në deklaratën e tij të pasurisë, ka deklaruar edhe një vilë në Hollandë. (Lexo këtu)
Hija numër 40
Para se të futej në PD në vitin 2005, Lulzim Basha ka punuar në Kosovë, ku punoi si Këshilltar Special, përgjegjës për përgatitjen e tranzicionit të Departamentit të Drejtësisë të UNMIK-ut drejt një Ministrie të Drejtësisë të Kosovës.
Por, në nëntor të vitit 2020, në media plasi një skandal, ku Lulzim Basha akuzohej se gjatë kohës që ka punuar në Kosovë, ka mbleshur prova dhe fakte kundër luftëtarëve të UÇK-së.
Gazetari dhe analisti nga Kosova Milaim Zeka, në një studio televizive në nëntor të 2019, u shpreh se “Lulzim Basha, është njeriu që ka mbledhur më shumë prova kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Hija numër 41
Tradhëtoi artistët në betejën për Teatrin Kombëtar.
Lulzim Basha kishte premtuar se nuk do të lejonte shembjen e Teatrit Kombëtar. Por, fadromat “kaluan mbi trupin e Lulit” dhe Teatri u shemb.
Artistët u lanë vetëm, ndërsa Luli flinte i qetë në shtëpinë e tij.
Hija numër 42
Heshtja për një ndër aferat më korruptive, siç është ajo e inceneratorëve.
Lulzim Basha foli për një periudhë të shkurtër për aferën e shekulit, sikurse është quajtur koncesioni i inceneratorëve në Shqipëri. Doli e bëri disa denoncime, por më pas heshti.
Gojët e liga flasin edhe për para, që mund të kenë mbërritur në selinë e SHQUP. Por, si qëndron e vërteta dhe pse hesht Lulzim Basha. Këtë e di vetëm ai.
Hija numër 43
Sulmet dhe përplasjet me ambasadoren Yuri Kim.
Kujtojmë këtu ambasadoren e SHBA. Yuri Kim dhe marrëveshjen në dorë të saj, që shkundej ndaj Luli Bashës, një vit më parë. Ku i kërkohej ta firmoste.
Basha nuk i qëndronte asaj. I kërkonte përfaqësuesve të Partisë Demokratike ta gënjenin. Derisa Kim e kuptoi dhe reagoi direkt.
U sulmua, u akuzua, u anatemua edhe ambasadorja Kim, akuzat janë kudo.
Hija numër 44
Përballja e kandidatëve me votën kundër
Një gabim tjetër i cili ka dhënë kosto elektorale pa asnjë diskutim është dhe votimi që është bërë në PD për të skualifikuar kadidatët. Gjoja me një formulë konservatore, Lulzim Basha pasi mblodhi strukturat e PD dhe një listë me emra i futi ato në votim në çdo qark duke iu thënë demorkatëve votoni atë që keni më shumë inat.
Kjo nxiti një konflikt të brendshëm në PD dhe sërish Lulzim Basha e përdori jo për të lexuar votën e demokratëve, por për ta përdorur si pazar me ndonjë kandidat, i cili ishte skualifikuar.
Hija numër 45
Listat e kandidatëve për deputetë në 2021
Listat e 2021, është një tjetër skandal me vete që shoqëron Lulzim Bashën. Ngriti një grup pune në PD, pra një Komision për Vlerësimin e kandidatëve për deputet. Por, në fund komisioni u “hodh në kosh”, dhe Basha listat I bëri vetë.
Përtej faktit se mënyra e vlerësimit ishte e padëgjuar dhe fyese, pasi anëtarësia duhej të votonte negativisht për kandidatët, Basha në fund bëri siç deshi vetë.
Hija numër 46
Humbja e turpshme në zgjedhjet e 2021. Për herë të parë në historinë e demokracisë në Shqipëri, Edi Rama mori tre mandate qeverisës rrjesht, ndërsa PD ngeli për të tretin mandat me radhë në Opozitë.
Basha tentoi të justifikohet, duke thënë se PD kishte rritje. Por, ai krahasimin e bën në lidhje me atë që ka shkatërruar vetë.
Pas humbjes së zgjedhjeve të 2021, Basha sërish filloi sërish përplasjet me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
Ambasada Amerikane njeh zgjedhjet, ndërsa Lulzim Basha del e thotë masakër zgjedhore.
Hija numër 47
Zgjedhjet e brendshme në PD, pas 25 prillit 2021.
Në një kohë që shënoi dështimin e radhës dhe në PD u shtuan zërat për largimin e tij, Basha zhvilloi një tjetër process zgjedhor farsë. Zhvilloi zgjedhjet për kryetar, pa dhënë dorëheqjen. Pra, Basha garonte duke qënë në detyrën e kryetarit, dhe duke pasur në dispozicion të gjithë administratën e PD.
Procesi u shoqërua me shumë skandale, të cilat mund ti lexoni këtu, por në fund Basha arriti të mbajë karrigen e kryetarit të PD.
Hija numër 48
Lulzim Basha në 30 gusht mblodhi Kuvendin Kombëtar, ku nuk pati garë, por thjeshtë dhe vetëm u emëruan të zgjedhurit e tij.
Ashtu sikurse e kishte paralajmëruar CNA.al, të gjithë emrat ishin vendosur nga Basha, dhe mbledhja e Këshillit Kombëtar ishte vetëm farsë, për të emëruar kë donte ai dhe për të spastruar nga PD çdo zë kritik (lexo këtu).
Hija numër 49
Përjashtimi i Sali Berishës, nga grupi parlamentar i PD
Me një vendim krejtësisht personal dhe të pakonsultuar me strukturat e partisë, Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD.
Dhe u tentua të justifikohet se gjoja këtë e kishin kërkuar amerikanët.
Hija numër 50
Gënjeshtrat që i ka thënë demokratëve në tetë vite dhe përçarja e Partisë Demokratike
Flet për fitore dhe beteja imagjinare, por demokratët I çon nga humbja në humbje.
Premtoi betejë kundër regjimit pas zgjedhjeve të 25 prillit, por në fakt duket se betejen e ka me Sali Berishën.
Kjo është ndoshta edhe “hija” ose “krimi” më i madh politik, që ka bërë Lulzim Basha në karrierën e tij politike.
Në 30 vite demokraci, Lulzim Basha është njeriu që ka përçarë më shumë partinë që solli pluralizmin politik në Shqipëri.
Humbi zgjedhjet lokale në 2015 e nuk dha dorëheqjen. Pësoi humbje katastrofike në 2017, përjashtoi nga PD elitat e partisë dhe njerëz me kontribute që nga gurët e parë të themelit të kësaj partie. Bëri zgjedhje farsë brenda PD. Gjithçka vetëm e vetëm që të vijojë të mbajë karrigen e kryetarit.
Lulzim Basha është personi përgjegjës për dobësimin e PD-së, për kthimin e saj nga një pari fituese në një parti humbëse./CNA.al