Radar
Elon Musk tallet me investimin e Jeff Bezos për gjetjen e kurës së plakjes

Miliarderi Jeff Bezos ka vendosur të investojë në “Altos Labs” – një laborator që është krijuar së fundmi për të zbuluar mënyra sesi mund të kthehet pas efekti i plakjes. Pra, për të zbuluar kurën e plakjes.
Kjo kompani është themeluar gjatë këtij viti dhe është duke u bërë ofertë shkencëtarëve të kualifikuar dhe me përvojë. Këtyre shkencëtarëve do u ofrohet 1 milion euro rrogë dhe u është premtuar që do kenë mundësi të kryejnë kërkimet e tyre individuale siç dëshirojnë.
Ish- pronari i ‘Amazon’ renditet mes investitorëve të shumtë në këtë kompani, por lajmi nuk është konfirmuar akoma nga zëdhënësit e tij. Ky lajm – sigurisht – që ka bërë xhiron e rrjetit dhe mes shumë reagimeve, është dhe ai i Elon Musk (një nga njerëzit më të pasur në botë, njëjtë si Jeff Bezos).
“Nëse nuk ja del të gjejë kurën, do hedhë në gjyq vdekjen”, shkroi Elon Musk në ‘Twitter’ duke tallur rivalin miliarder.

Kujtojmë që themeluesi i Amazon, Jeff Bezos është aktualisht personi më i pasur në botë me një pasuri që kap vlerën e 201 miliardë dollarëve, por që këtë vit ai hoqi dorë nga drejtimi i kësaj kompanie, duke thënë se do të fokusohet vetëm në investime që kanë lidhje me pasionet e tij.