Lidhu me ne

Kioske

A mund të fitojë PD me SHBA kundër saj?


Nga: Preç Zogaj

Kjo është një gjë kaq e ditur. Do thosha e rëndomte si sentencë, por që fiton një kuptim të veçantë, të rëndë, në kontekstin e shpalljes non grata nga SHBA të zotit Sali Berisha dhe kërkesës së ambasadores amerikane, zonjës Juri Kim, që PD të distancohet prej tij. Kjo që ka ndodhur me ish-kryetarin e PD-së, ish-President i Republikës në periudhën 1992-1997 dhe ish-Kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013, nuk ka precedentë në Europë. Për rrjedhim, opinioneve që jepen e analizave që bëhen për rastin e tij u mungojnë referencat.

Mund të thuhen mijëra fjalë, mund të paraqitet këtu e gjithë potpuria e reagimeve në kampin demokrat, duke filluar me ata që janë të prerë kundër distancimit të partisë nga zoti Berisha, duke vazhduar me ata që i llogarisin saktë pasojat e mosdistancimit prej tij, por u duket e paburrërishme t’i kthejnë shpinën apo t’i japin duart në ditët me të këqija, ndërsa njohin vetëm katër pikat përmbledhëse të shpalljes së tij non gratta dhe asgjë më shumë, duke vijuar më tej me ata që e shohin të pamundur një fitore në sfidë të SHBA-së, ndaj i kërkojnë zotit Berisha të mos e vërë partinë në vështirësi, por ta zgjidhë vetë ngërçin e krijuar, të hiqet vetë mënjanë, duke e ndarë qartë përpjekjen e tij vetjake për transparencë dhe drejtësi nga fati i PDsë. Një qëndrim i katërt, më pak i artikuluar publikisht, e bën përgjegjës zotin zotin Berisha që nuk është larguar nga jeta aktive politike brenda PD-së që në momentin kur humbi zgjedhjet e dha dorëheqjen në vitin 2013, por ka vazhduar të mbajë një protagonizëm që në fund të herës vetëm u ka dhënë municion elektoral kundërshtarëve socialistë për ta paraqitur Bashën në publik si lider fiktiv dhe është lexuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë si një përpjekje për të fituar përmes një tjetri, si kryetar i kryetarit, çfarë nuk mund të ndodhë. Këta, të zemëruar me vonesë me Berishën, nisen nga ideja se po të ishte tërhequr në kohën e duhur, ai nuk do të ishte shpallur non gratta nga SHBA, do të thotë nuk do t’ia kishte krijuar këtë problem të rëndë Partisë Demokratike. Ndaj nuk ka çfarë kërkon tani nga partia që i ka dhënë kaq shumë.

Tabloja e gjithë qëndrimeve, sado të ndryshme e kundërthënëse që janë, nuk është gjë tjetër veçse një pikturë e ngërçit me të madh që ka njohur Partia Demokratike në historinë e saj.

Pyetja e pyetjeve në gjithë këtë ndërlikim, ku nostalgjitë e besnikëve ndërthuren me arsyet e real-politikës është:

A mund të fitojë PD me SHBA kundër saj?

Unë kam këtë përgjigje: Jo. Nuk mundet. Kam bindjen se kjo është përgjigjja e shumicës dërmuese të shqiptarëve, demokratë, socialiste, pa parti. Unë shkoj edhe më larg: partitë në Shqipëri jo vetëm nuk fitojnë, por as duhet të mendojnë të fitojnë si antiamerikane. Lidershipi i ndriçuar i tyre e ka për detyrë të mbajë gjallë bashkë me mirënjohjen e thellë për të mirat e mëdha që SHBA i ka bërë kombit shqiptar, edhe rëndësinë jetike që ka për ne vijimësi partneriteti strategjik me Uashingtonin.

Në Shqipëri mjafton perceptimi se një parti nuk i ka mirë punët me SHBA që ajo parti të mos votohet nga një fashë e konsiderueshme zgjedhësish. Fashë, e cila përcakton rezultatin. S’ka rendësi nëse perceptim ka qenë i rremë, i ushqyer nga partia kundërshtare apo i vërtetë.

Le të imagjinojmë tani se si do reflektohej në rezultatin zgjedhor të një partie jo thjesht perceptimi, por fakti i gjallë i një thyerjeje me SHBA. Fasha që përmenda më lart, veç do të rritej. Në dëm të PD-së, në rastin që po marrim në shqyrtim. Kështu është Shqipëria. Kështu do të jetë sa të ketë zgjedhje pluraliste me dhomë të fshehtë. Gabojnë rëndë ata që iludohen me shembuj apo paralizma nga Lindja pa asnjë lidhje me veçoritë tona si vend dhe si popull me orientim perëndimor.

Zoti nuk bën ëndërr asgjë që ne ta shohim siç do të na pëlqente. Është koha që PD të shohë të vërtetën në sy. Së paku kaq. Ambasadorja Kim, e cila flet dhe vepron kurdoherë në emër të Departamentit të Shtetit, si çdo ambasador tjetër para saj, paralajmëroi hapur gjatë vizitës së fundit në selinë e PD-së izolimin amerikan të saj nëse nuk distancohet nga Berisha. Nuk mund ta dimë në ç’formë e ka parashtruar zonja Kim kërkesën në fjalë. Më thotë mendja me kujdes, me doreza, për të zbutur sadopak natyrën torturuese që përmban në vetvete një kërkesë e tillë drejtuar Bashës.

Basha është realisht në një pozitë shumë të vështirë. Jo vetëm Basha që ka ardhur në krye të PD-së si besnik i Berishës, por edhe sikur një kritik apo kundërshtar i Berishës të ishte kryetar i PD-së, nuk do ta kishte të lehtë të merrte një vendim.

Në versionin që amerikanët e dinë se Basha nuk mund të bëjë asgjë, siç është një pikëpamje në qarkullim, duket se ata thjesht kanë dashur t’i dalin borxhit. “Ne e bëmë tonën” domethënë. “Mos u çudit që nesër vjen izolimi”. Efektet e izolimit amerikan të partisë kryesore të opozitës do të ishin thellësisht të dëmshme për të, shkatërruese. Natyrisht, kjo kambanë bie edhe për Berishën.Por amerikanët nuk komunikojmë më me të. Po të dojë le ta dëgjojë, po të mos dojë të mos e dëgjojë. Sipas mendimit tim, në rrethanën e dhënë, Partia Demokratike ndihet etikisht e penguar t’i japë duart. Një pengim kësisoj është i respektueshëm në planin njerëzor. Duam, s’duam, është një sakrificë në planin politik.

E vërteta është se Partia Demokratike sot nuk mund ta ndihmojë për asgjë zotin Berisha. Kurse zoti Berisha e dëmton atë duke e mbajtur pezull, në pritje, ndërsa koha shkon, me disa argumente kundërthënëse që nuk i qëndrojnë së vërtetës dhe logjikës. Siç është, për shembull, shpjegimi i përsëritur shpesh sikur shpallja e tij non grata është një hakmarrje për qëndrimin e tij kundër ndarjes së Kosovës. SHBA janë forca botërore numër një e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Ata nuk mund t’i bien ndesh në asnjë version investimit të tyre të madh ushtarak, politik dhe diplomatik për krijimin e shtetit më të ri të rajonit dhe Europës. Thjesht mendimi i kundërt është një ofendim për logjikën dhe për kontributin e të zotit të punës. Le të kujtojmë ndërkaq se administrata Biden s’ka asnjë lidhje me planet gjithnjë efemere, më shumë të përfolura sesa të hedhura në ndonjë tryezë, për një marrëveshje Kosovë-Serbi të mbështetur në dakordësinë e shkëmbimit të disa territoreve. Përkundrazi: Biden dhe Blinker mbështesin dialogun Kosovë-Serbi që do të çonte në njohjen reciproke, por janë deklaruar qysh në krye të herës kundër opsionit të shkëmbimit të territorit.

Berisha duhet ta ndihmojë partinë. Është e vetmja gjë me mend e më dobi që mund të bëhet në këtë periudhë. Është vuajtje e madhe njerëzore të gjykohesh pa ligj, shkruan Kamy në librin e tij “Rënia”. Por ky është realiteti. Ky është instrumenti i shpalljes non gratta që përdorin SHBA. Fitorja e PD-së është e vetmja mundësi sipas meje për të çuar në instancat e larta të marrëdhënieve shtetërore mes Uashingtonit dhe Tiranës pretendimet dhe lëndimet e Berishës. Përpjekja e tij për transparence ngjan të jetë një histori që do të zgjasë. Ajo do të futet, me sa shihet, në një lidhje në seri ndërlikimesh.

Amerikanët kanë lënë të kuptojnë me qëndrimet e tyre se mënjanimi i Berishës hap një periudhë të re në forcimin e marrëdhënieve të PD-së dhe kryetarit të saj, Lulzim Basha, me Uashingtonin. Çfarë është një premisë me peshë për të mundur me në fund Partinë Socialiste të Ramës. Me një premisë të tillë rruga drejt fitores është e hapur. Pa ketë premisë nuk ka shanse. Do të ishte e çuditshme që Berisha dhe Basha, politikanë me përvojë të gjatë në politikë, të mos i shkonin qoftë edhe në mënyrë pragmatike zgjidhjes që t’i hapë rrugë ardhjes së PD-së në pushtet. Veç nëse nuk e besojnë. E po të ishte kështu, ngërçi ku ka hyrë PD bëhet më i madh. /Panorama

MË TEPËR

Radar1 ditë më herët

Dalina Buzi: Parashqevia, ylli shqiptar që e fshiu vendin e vet, i vetmi që e deshi e s’do e linte të mblidhte ndihma

Dalina Buzi, tregon përmes një eksperience personale dhe profesionale nga viti 2003 kur e gjendur në Amerikë për të ndjekur...

Kryesore2 ditë më herët

“Trump është legjendë, ju jo” / Evi Kokalari sulmon Sali Berishën!

Aktivistja Evi Kokalari dhe kreu i PD Sali Berisha Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar sërish pas deklaratave të bëra një...

Aktualitet2 ditë më herët

“Nuk i njeh askush s’ka njeri që di të përmendë 5 emra ministrash në këtë vend “

Lorenc Vangjeli: Analisti Lorenc Vangjeli foli në “Top Story” për deputetët në Kuvend, teksa disa prej tyre i konsideroi si...

Kioske2 ditë më herët

Tiranës i duhet një metro

Eduard Zaloshnja Zona metropolitane e Tiranës, që përfshin bashkitë Tiranë, Kamëz e Vorë, ka plot 716 mijë banorë, 216 mijë...

Radar2 ditë më herët

Basha: Partia Demokratët Euro Atlantikë ka kolosë në gjirin e vet. Rakipi: Në Atlantik ka peshq

Lulzim Basha, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se në partinë Demokratët Euro Atlantikë ka “kolosë” të cilët...

Mix2 ditë më herët

iPhone 17 Pro, Apple gati për të revolucionuar dizajnin: këto janë risitë e mundshme

Me sa duket, risitë që vijnë në iPhone 17 nuk do të kenë të bëjnë vetëm me ekranin. Në fakt,...

Mix2 ditë më herët

Kush është blogerja Bettina Anderson? 5 gjërat që duhet të dini për të dashurën e re të Donald Trump Jr

Bettina Anderson u bë e famshme pasi u shfaq krah për krah me Donald Trump Jr. Në fotot e marra...

Radar2 ditë më herët

Nuk është shaka/Nis dialogu me qytetarët për luftën ndaj korrupsionit

Teksti më poshtë është marrë nga ATSh dhe sugjerohet si lajm nën titullin: Komisioni i posaçëm antikorrupsion, nisin nga Durrësi forumet...

Kritike3 ditë më herët

Mashtrimin e Edi Ramës me rritjen e pagave e beson vetëm Helena Kaçi

Nga Irena Beqiraj Në 7 prill 2023, ministrja e Financave e asaj kohe, Delina Ibrahimi, na dha lajmin e mirë...

Mix3 ditë më herët

3 ushqimet më të mira për mëngjes!

Tërshëra 1. Të gjithë e dimë se tërshëra është një superushqim. Gjëja më e mirë është që ju mund ta...

Facebook