Lidhu me ne

Kryesore

Kush e mundi Sali Berishën ?

Titulli origjinal – Stampa anti-amerikane e opozitës

Nga Habjon Hasani

Në shtatorin e vitit 1992, pak javë pasi kishte marrë detyrën si shef i Inteligjencës Shqiptare, Bashkim Gazidede priti në zyrë kontaktin amerikan të CIA-s, njeriun që i përcillte Gazidedes orientimet për probleme kyçe.

Ky nuk ishte takimi i parë mes tyre e kësaj here biseda u zhvillua dhe në prani të dy shqiptarëve të tjerë (përveç përkthyesit). Gazidede shprehu në takim dy shqetësime, pengesat që po haste në mëkëmbjen ekonomike të rrjetit të SHIK-ut si dhe ndikimin okult që 3 ish-kuadro komunistë të Sigurimit dhe Ministrisë së Brendshme vijonin të kishin mbi rrjetin e informatorëve.

Amerikani pasi dëgjoi shpjegimin, e tronditi Gazideden me “zgjidhjen” që i ofroi ndaj 3 kuadrove të ish-Sigurimit.

“Përdorni çdo metodë. Nëse është e nevojshme mund t’i asgjësoni dhe fizikisht. S’ka ndonjë problem për ne”, – u shpreh përfaqësuesi amerikan.

Reagimi i profesorit të fizikës që sapo kishte marrë frerët e rrjetit ishte i menjëhershëm dhe i prerë:

“Absolutisht jo. Nuk jam dakord me këtë zgjidhje. Kjo do e kriminalizonte institucionin.  Do mendojmë metoda të tjera për neutralizimin e tyre”, – tha Gazidede.

Të tre ish-kuadrot e Sigurimit u përndoqën familjarisht dhe u degdisën burgjeve e në arrati gjatë periudhës kur Gazidede drejtoi shërbimin(’92-’97), por me siguri që ata do jenë habitur kur mësuan këtë episod diku nga vitet 2000, sepse rezultonte se njeriu që i kishte persekutuar pa mëshirë, njëherësh u kishte shpëtuar dhe kokën.

Ky episod vjen për të kuptuar se deri ku shkonte mbështetja amerikane për pushtetin e ri të Berishës,  ishin aq të forta lidhjet sa Berisha kishte praktikisht dhe licencë për të vrarë.

Kundërshtarët politikë të Berishës, e kishin marrë mesazhin thuajse një vit para këtij episodi, në ngjarjet e 2 Prillit 1991,  me 4 të vrarët në Shkodër.

Udhëheqësit socialistë, sidomos ata që kanë njohuri dhe përvojë profesionale në çështjet e sigurisë, janë të bindur se vrasjet në Shkodër u kryen si një operacion i kamufluar, për t’i lënë dopio gjashtën në dorë pushtetit të Ramiz Alisë dhe për ta akuzuar si pushtet kriminal.  


Mënyra si shkoi hetimi dhe gjykimi i çështjes së “2 Prilli” tregoi se dinamika kriminale e vrasjeve nuk u zbardh dot kurrë, trupave nuk iu bë kurrë autopsi, ndërsa versioni i vrasjes me snajper u vu në dyshim nga vet protestuesit që kishin parë njerëz të armatosur brenda turmës e që kishin qëlluar duke puthitur tytën e kobures direkt në mishin e viktimave.

Por socialistët ishin të frikësuar asokohe, të terrorizuar, jo vetëm pse vrasjet u përdorën si gjyq politik kundrejt tyre, por mbi të gjitha sepse ata perceptonin se takatin për ta realizuar këtë operacion nuk mund ta kishte dot opozita shqiptare e drejtuar nga Berisha në 1991. Takati ishte shumë më i madh se aq.

Disa dekada më vonë, socialistët guxuan të përmendnin publikisht vetëm UDB-në serbe si organizatore dhe mbështetëse të këtyre vrasjeve, duke u përqëndruar sidomos te roli i mjekut Ali Spahia në ato ngjarje, ndërsa për këtë mjek ish-strukturat e Sigurimit kishin përpunuar dosje si aset i shërbimeve jugosllave.

Terrori dhe frika që përjetonin socialistët i bënte që ta ngrinin stekën deri te implikimi jugosllav, por ajo çfarë drejtuesit socialistë shprehnin në tryezat e tyre të ngushta, ishte fakti se në asnjë rrethanë shërbimet jugosllave s’do kishin guxuar të organizonin atë operacion pa mbështetjen dhe pa komandën e qartë nga CIA.

Ishte emri i CIA-s dhe primati i amerikanëve që në fakt i terrorizonte socialistët, që i bënte të mos pipëtinin për “2 Prillin” dhe gradualisht ata nisën ta shihnin Berishën si një lojëtar tepër serioz dhe të rrezikshëm, si një lojëtar që kishte dhe licencë për të vrarë nga CIA.

Nuk kishte më rëndësi se sa me përvojë dhe sa me lidhje ishin kuadrot e Ish-Sigurimit, CIA ishte autoritet suprem dhe i pasfidueshëm. Për pasojë, lindi në këtë moment dhe miti dhe kompleksi i socialistëve ndaj Berishës asokohe, si një autoritet suprem, i pasfidueshëm.

Këtë kompleks socialistët e kanë pasur deri vonë, sigurisht më të zbehur, por deri ditën që Departamenti Amerikan i Shtetit goditi hapur Berishën, vendimmarrësit socialistë  e kishin përherë atë prapamendimin se “ai plaku nga Tropoja i ka ca fije matanë oqeanit”.

Shkërmoqja e një miti


Pak kohë më parë Ambasada Amerikane në Tiranë kreu një ndër aktet më fyese dhe më diskretituese ndaj Berishës. Në 30-vjetorin e vizitës së ish-Sekretarit të Shtetit James Baker në Tiranë, Ambasada Amerikane publikoi disa foto ku Baker dukej krah Ylli Bufit, i cili në 1991 identifikohej si nomenklaturë e besuar e Ramiz Alisë. Berisha nuk dukej kurrkund në ato foto.

Ky akt, ishte përgjigje ballore ndaj të gjitha reagimeve të vet Berishës dhe njerëzve të tij, që përsëritnin gjithë kohës se Berisha është miku më i madh i Amerikës, por problemin e ka me Sorosin dhe jo me Amerikën.

Amerikanët i kujtuan se në vitin 1991 kur erdhi Baker, aty e kishin dhe Ylli Bufin, mund të bashkëpunonin dhe me të po të donin. Ishte një sinjal që i kujtonte Berishës se: “Deshëm ne pa u bëre ti ky që je. Ne të bëmë, ne të zhbëjmë.” 

Një intervistë e dhënë nga George Soros në vitin 2005 për Sokol Ballën në Top Channel (shihe këtu është një dëshmi me rëndësi e dorës së parë për të kuptuar se mbi çfarë parimesh u lejua ardhja e Berishës sërish në pushtet në vitin 2005 pas rrëzimit me dhunë që iu bë atij nga amerikanët në 1997-ën.

George Soros  shpjegon në mënyrë tepër eksplicite se ka arritur një marrëveshje me Berishën nga ku dallohet se KOP-i i famshëm në fakt ishte instrumenti i injektimit në PD të njerëzve të tij.

Me sa duket, Berisha i vitit 2005 ka qenë tepër i qartë se pozicioni i tij në raport me SHBA-në kishte ndryshuar dhe se për të mbajtur veten në lojë, në kohë paqeje në Ballkan, i duhej të negocionte dhe të lidhte aleancë me vet Sorosin.

Pikërisht ashtu bëri Berisha, lidhi aleancë me Sorosin për të mundur Nanon në 2005-ën.


Në lidhje me këtë aleancë George Soros ka folur hapur në studio me Sokol Ballën, ndërsa Berisha nuk preferon të flasë për këtë periudhë, si duket i kompleksuar mbi koston që i ka sjellë veprimi strategjik i plakut Soros, i cili është treguar shumë më largpamës se Berisha, të cilit i la për 8 vite karamelen e pushtetit ekzekutiv ndërsa siguroi kontroll strategjik mbi mekanizmat e pushtetit afatgjatë në Shqipëri.

Në vitin 2010 Fondacioni Soros në një raport të brendshëm konkludonte se instrumenti më i fortë i shantazhit të dyshes Berisha-Meta ishte kontrolli okult që ata kishin mbi sistemin gjyqësor në Shqipëri.

Sipas këtij raporti konfidencial, të cilin kam pasur njëherë rastin ta lexoj në version të printuar, gjyqësori ishte koburja, PD dhe LSI ishin dora, Berisha dhe Meta ishin truri.

Ndaj dhe reforma në drejtësi, ndonëse në parim është një projekt që lidhet me forcimin e institucioneve, në kulisë, ata që e nxitën dhe e ideuan, ishin shumë të qartë se po u hiqnin Berishës dhe Metës armën më të fortë të shantazhit që ata posedonin.

Dy aleatët më të mirë të Sorosit në këtë nismë kanë qenë vet Berisha me Metën. Gjyqësori arriti nivele të paimagjinueshme dekadence nën kontrollin e tyre, ku figura si Gjin Gjoni u bënë simbole të tribalizmit dhe gangsterizmit në rangjet më të larta të jurisprudencës.

Ishte mënyra tepër e gabuar, fshatareske dhe primitive me të cilën Berisha dhe Meta shpërdoruan ndikimin e tyre në gjyqësor, që i lejoi Sorosit ta kryente më kollaj planin për reformim.

Reforma në drejtësi ishte beteja kryesore e Sorosit, sepse ishte beteja për t’i hequr nga dora armën Berishës, ishte beteja për të neutraliziuar instrumentin më efikas të forcës që posedonte Berisha.

Ashtu me bisht ndër shalë, në korrik 2017 shkuan e votuan bashkë me socialistët në unanimitet ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi, duke dhënë provën se ishin grabitqarë të vegjël, e aspak strategjikë në mënyrën se si i kuptonin garancitë.

Pas vitit 2017, Berishës dhe Metës u iku koburja nga dora, u mbeti veç dora, pra partia. Zgjedhjet e 25 Prillit 2021 i nxorën duarboshë me vota dhe tashmë rrethi është ngushtuar dhe ata po shënjestrohen si individë në interesin e tyre privat.

Në 5 vite (2015-2020) Fondacioni për Shoqërinë e Hapur realizoi një operacion tepër të kalkuluar për të çarmatosur Berishën dhe Metën nga fuqia e tyre okulte mbi gjyqësor. Duke i lënë pa asnjë instrument shantazhi në dorë dhe në krye të dy partive të pareformuara, këneta mediokre, që nuk prodhojnë dot avantazhe elektorale për të ardhur në pushtet.

Në të gjithë këtë operacion 5-vjeçar të Fondacionit Soros, sot kemi të gjitha të dhënat për të besuar se Sorosi ishte instrumenti që e kreu operacionin, ndërsa vullneti nuk mund t’i atribuohet individit Soros, por ishte vullnet i Shteteve të Bashkuara për ta kryer këtë operacion.

Vullnet i shtetit amerikan. Pretendimet e tipit se “këtë hall e kemi nga nga Sorosi, po prisni ju sa të vijnë republikanët” janë iluzive.
Reforma në drejtësi vijoi pa asnjë problem dhe gjatë legjislaturës së Trumpit, çka është fakt i pakontestueshëm se politika e jashtme e perandorisë amerikane nuk funksionon si ato departamentet e PD-së dhe LSI-së, por funksionon si një makineri gjigante që përcakton kuadratin e veprimit, pavarësisht si e ka emrin presidenti në Uashington.   

Madje dhe vet fakti që Yuri Kim u emërua në Tiranë gjatë kohës që në SHBA-të i qeveriste Trumpi, tregoi se sa naivë dhe primitivë ishin ata që shpresonin se Trumpi do na sillte këtu ndonjë shoqen e vet të gjimnazit për të goditur Sorosin.  

Antiamerikanizmi si stampë

Që prej ditës kur sekretari Blinken shpalli Sali Berishën si person i padëshirueshëm për udhëtim në SHBA, më ka bërë përshtypje një fakt.

Asnjë prej ish-ministrave apo figurave të qeverisë Berisha, me të cilët Berisha qeverisi për 8 vite, nuk u ul të shkruante dy radhë në Facebook.

Ridvan Bode, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, e plot të tjerë mund të kenë të gjithë të drejtën e botës të jenë të qejfmbetur me Berishën, por druaj se përfitimet e tyre në jetë janë me disafish më të mëdha se sa dëmet që mund t’u kenë ardhur prej Berishës.

Mund të ishin ulur të shkruanin dy radhë, jo për t’i bërë karshillëk SHBA-ve, se do ishte budallëk, por për të thënë ndoshta disa të vërteta për këtë njeirun, sepse sado gabime e borxhe t’i ketë Berisha Shqipërisë e SHBA-ve, pikërisht me këto borxhe u investuan dhe karrierat e ish-ministrave që sot nuk e pipëtijnë një fjalë.  

Personalisht jam i mendimit që Berisha duhej të ishte tërhequr që para zgjedhjeve, mendoj se këmbëngulja e tij në këtë vorbullën e re e dëmton PD-në dhe ia lidh duart Lulzim Bashës.

Por nuk e fsheh dot që e vlerësoj faktin që Basha ia ruan lëkurën dhe nuk e hedh poshtë, pavarësisht nga presionet e mëdha.

Të gjithë ne kemi njerëz të cilëve u detyrohemi shumë në jetë, e në atë kontratën e “vockël” të ndërgjegjes, mendoj se Basha ka respektuar kontratën morale dhe ndërgjegjen, siç do bënte çdo njeri që ka një ndërgjegje.


Mirëpo, problemi është se Basha e Berisha kanë kontroll mbi një nga forcat më të mëdha politike të vendit dhe interesi publik prevalon mbi detyrimet private.
Në mënyrën si ka ardhur loja, Berisha është kthyer në kosto për interesin publik, sepse një opozitë e shantazhuar, e kompleksuar dhe e hutuar, nuk i shërben dot interesit publik. Përkundrazi.

Edi Rama e shfrytëzoi mjeshtërisht goditjen që mori PD-ja nga Departamenti i Shtetit, madje duke e shndërruar në strategji të tijën mediatike stamposjen e PD-së si parti me prirje anti-amerikane.

Në ndihmë i kanë ardhur dhe qëndrimet e disa rrymave të opozitës, të cilat nga marazi dhe shtypja që ndjejnë kanë fillur flasin përçart dhe hedhin në treg teori qepujkash, duke mos arritur dot të kuptojnë se po kontribuojnë në nguljen e stampës anti-amerikane mbi PD-në.

Kaq do dhe Edi Rama. Është shumë i kënaqur me këtë stampë.

Kriza e refugjatëve afganë, ishte shans i artë për Partinë Demokratike për të bërë diferencën.
Lulzim Basha ka bërë veprimin e duhur duke ofruar mbështetje pa ekuivok ndaj refugjatëve afganë dhe duke i kujtuar të gjithëve se Berisha është tepër i rëndësishëm për PD-në, por jo aq i rëndësishëm sa hallet e tij të ndryshojnë kursin dhe vokacionin pro perëndimor të PD-së.

Çdo qëndrim tjetër i Bashës do ishte marrëzi. Kostot që do sillte një vokacion i gabuar, nuk do mund të përballoheshin dot kurrë nga ata që bëjnë si kritizerë e trima të paepur me Amerikën në rrjete sociale.


Nga ana tjetër, Basha dhe Berisha janë përgjegjës që e kanë shndërruar PD-në në një moçal mediokër që nuk jep shpresë për një qeverisje ndryshe, më të mirë.

Këtu Bashën e shoh plotësisht të paaftë dhe përgjegjës, ai meriton ta paguajë plotësisht koston e paaftësisë së tij, por nuk meriton në asnjë moment damkosjen dhe stampën e anti-amerikanizmit, sepse është e padrejtë, për të personalisht, për Berishën dhe për Partinë Demokratike.

Basha është përgjegjës në raport me Berishën sepse i besoi strategjisë së tij të protestave, bojkotit dhe destabilitetit si rrugë për ardhjen në pushtet. Tashmë që ky opsion u fshi me dorë të hekurt nga SHBA-të, Basha duhet të nisë e të bëjë diçka që do duhej ta kishte nisur që më 2013-ën: ta bëjë PD-në një forcë moderne, forcë që vjen në pushtet sepse njerëzit kanë shpresë te ajo dhe te ekipi i saj.

Nuk do kishte nevojë fare që zërat mediatikë pro PD-së të na lodhnin këto javët e fundit duke u përpjekur të na bindnin se Rama dhe Vuçiç po komplotojnë për llogari të  Beogradit.

Këto brroçkulla do ishin shmangur nëse PD-ja do kishte një vizion për bashkëpunimin e tregut Shqipëri-Kosovë, ata do e kishin sfiduar dhe tronditur Ramën me ofertën e tyre politike për tregun me Kosovën, e jo me teori të dëshpëruara qepujkash jugosllave që vetëm sa ekspozojnë paditurinë dhe moçalin ku ka mbërritur PD-ja, duke i veshur vetes dhe stampën e anti-amerikanizmit.

Kjo stampë përveçse e pamerituar, është kurthi që i intereson Edi Ramës, është kurthi që e pengon PD-në të shohë nga vetja dhe të reformohet si një alternativë për të qeverisur.

Kushdo që i fryn kësaj stampe, është në lojën e Edi Ramës, qoftë me intencion, apo qoftë si idiot i dobishëm. / Hashtag.al  

MË TEPËR

Mix16 orë më herët

Ekspozita e Huntington, paralajmërimet e ndryshimit të klimës në pikturat e shekullit të 19-të

Një ekspozitë e re në Bibliotekën Huntington, Muzeun e Artit dhe Kopshtin Botanik, afër Los Anxhelosit, titulluar “Storm Cloud: Picturing...

Mix17 orë më herët

Pedro Pascal prezanton ‘Gladiator 2’ bashkë me motrën e tij trans

Lux zgjodhi një fustan të zi me një bisht të gjatë dhe një prerje shumë të guximshme anash. Pedro dhe...

Mix17 orë më herët

Çfarë do ndryshojë me ardhjen e Trusk (Trump + Musk)

Pasi komunikimi është dobësuar, gjyqësori është frenuar, intoleranca është përhapur dhe legjitimuar me fjalë që deri dje nuk thuheshin, ne...

Mix17 orë më herët

Arra apo bajame, cilat janë më të mira për shëndetin?

Kur bëhet fjalë për frutat e thata, arrat dhe bajamet janë ndër varietetet më të vlerësuara, si në kuzhinë ashtu...

Mix17 orë më herët

Cili është ndryshimi midis Miss Universe dhe Miss World?

Një nga konkurset më të rëndësishme të bukurisë në botë do të zhvillohet këtë fundjavë. Kjo është Miss Universe. Konkursi,...

Mix17 orë më herët

Ana e errët e rinisë së përjetshme

“Njerëzit gjithmonë duan diçka të re. Është e pashmangshme. Dhe në të pesëdhjetat, gjithçka ka mbaruar”. Me këto fjalë në...

Mix17 orë më herët

Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?

Nëse sapo keni mbaruar filxhanin e kafesë dhe po përjetoni disa simptoma si nervozizëm ose shtim të rrahjeve të zemrës,...

Radar17 orë më herët

Princ Leka, edhe dajak edhe burg!

E papritur: Prokuroria kërkon dënimin me 1 vit e 6 muaj për Princ Lekën! 6 muaj për Elia Zaharinë dhe...

Mix19 orë më herët

Tensioni i ulët, çfarë duhet të hani?

Presioni normal i gjakut për shumicën e njerëzve është zakonisht nën 120/80 mm Hg. Nëse keni tregues nën 90/60 mm...

Mix19 orë më herët

Çfarë është Kolagjeni? Përfitimet shëndetësore

Kolagjeni është një proteinë strukturore thelbësore për lëkurën, kockat dhe indet lidhëse. I diskutuar shpesh për kujdesin e lëkurës, kolagjeni...

Facebook