Temporal
Lirikë e hidhur (… këtu ministrat janë të gjithë ëngjëj, ata poshtë tyre të gjithë djaj )
Nga Bardhyl Londo
Nuk e dua më këtë qytet,
e di: ai është fajtor pa faj.
Këtu ministrat janë të gjithë ëngjëj,
ata poshtë tyre të gjithë djaj.
Këtu të djeg malli për një hënë,
malli të përvëlon për një borë.
Këtu dhe hëna dhe dielli lindin,
kur vizë t’u japin ambasadorët.
Këtu përvëlohesh për një fllad puhize,
këtu nuk fryjnë më vrunduj erërash.
Kalon nëpër rrugë, ke frikë mos gëlltitesh
nga gojë të shqyera tenderash.
Kam dalë tani pas orës policore,
asnjë frikë nuk kam për vete.
Po nuk i shikoj dot si dridhen jetime
nga tmerri i betonit monumentet.
Ku është lindja, perëndimi ku?
Ku është jugu, ku është veriu?
Ku vallë mbaron betoni?
Ku vallë fillon njeriu?
Eci dhe këmbët më merren,
nuk kam pirë alkool asnjë pikë.
Me vete vargun e Brehtit pëshpëris:
kohë e vështirë për lirikën.