Sport
Lajmet e futbollit – Balotelli transferohet në Turqi, firmos për 3 sezone me Adana Demirspor
Mario Balotelli transferohet në Turqi. Sulmuesi italian, i cili ishte pa skuadër, pasi i përfundoi kontrata me Monzën në Serinë B, ka firmosur sot një kontratë 3-vjeçare me turqit e Adana Demirspor, që këtë sezon janë ngjitur në Superligë.
Futbollisti 30-vjeçar ka mbërritur që dje në Turqi dhe pasi ka kaluar me sukses vizitat mjekësore, ka firmosur edhe kontratën 3-vjeçare, duke rritur ndjeshëm entuziazmin e tifozërisë në klubin turk.
Pas eksperiencave në Serinë A, Serinë B, Premier League dhe Ligue 1, tani kampionati turk është aventura e radhës e Balotellit, që do të provojë të gjejë formën e tij më të mirë dhe të fitojë një ftesë në kombëtaren italiane.