Lidhu me ne

Radar

Kalaja e Rozafës/ Atraksioni i turistëve në legjendën e përjetshme të Shkodrës

Shkodra këtë sezon turistik është gati për të pritur turistët e shumtë për të shijuar këtë qytet. Krahas detit apo malit, vizitorët kanë një sërë atraksionesh edhe në qytet.

Për të gjithë të apasionuarit pas historisë dhe legjendave, në hyrje të kryeqendrës së veriut, qëndron hijerëndë kalaja “Rozafa”.

Falë legjendës së saj të paharrueshme, e cila në mënyrë alegorike tregon historinë e Shqipërisë e popullit shqiptar sipas sakrificës së një nëne për fëmijën e saj, kalaja e Rozafës mbetet një monumentet-simbol tepër i rëndësishëm i vendit.

Që prej mureve të lashta Ilire e deri tek rrënojat mesjetare të Balshajve apo kullave të Bushatllinjve, ky vend dëshmon bukurinë e pamposhtur të një kalaje e cila është ndërtuar gjatë antikitetit dhe ka mbijetuar gjatë perandorive romake e osmane deri në ditët e sotme.

                                                                                                            Kalaja Rozafa

Brenda mureve të kalasë gjenden tre oborre kryesore, të cilat e bëjnë më të thjeshtë orientimin e turistëve.  Pasi të hyni në barbakan, hyrja kryesore e fortifikuar e shekullit të XV-të, do të gjendeni në oborrin e parë, ku ndodhet trakti i murit ilir të shek. të IV-ërt para Krishtit, dëshmia më e vjetër e kalasë.

                                                                                                    Kalaja Rozafa

Kalaja përfundon në oborrin e tretë, ku spikat një godinë trekatëshe e kohës veneciane, e njohur si “Kapitaneria”, e cila shërbente si rezidencë e sundimtarit venedikas.

Në këtë godinë gjendet sot Muzeu i Kalasë së Shkodrës, ku flitet për të shkuarën 4000 vjeçare të kalasë si edhe etapat dhe familjet më të rëndësishme mesjetare të qytetit. Aty shfaqen disa objekte të zbuluara përreth dhe objekte të tjera të kulturës së Komanit dhe Drishtit.

Informacionet jepen në gjuhën shqipe, anglisht si edhe në alfabetin Braj, për ata që kanë probleme me shikimin.

                                                                                   Muzeu në Kalanë Rozafa

Por çfarë ofron për vizitorët muzeu në kalanë “Rozafa”?

Përgjegjësi Shkëlqim Mlika thotë për CNA.al se ky muze vitet e fundit është kthyer në një atraksion pasi aty gjenden elemente të së shkuarës.

“Pjesa e brendshme është restauruar në fund të viteve ’80 dhe me objektet e gjetura u kthye në muze. Objektet e gjetura i përkasin kalasë së Shkodrës dhe territorit rreth saj që ishte qyteti antik.

Ka objekte që nisin nga epoka e bronzit dhe vazhdojnë në mënyrë kronologjike deri në vitin 1914 ku është vendosur edhe objekti më i vonshëm i këtij muzeu”, shprehet përgjegjësi Mlika.

                                         Ndriçim Mlika, Përgjegjës i Kalasë “Rozafa”

Përgjatë gjithë kalasë, do të mund të shijoni pamje panoramike të liqenit të Shkodrës, të lumenjve të qytetit si dhe të maleve të shumta që lartohen ngado. Në jugperëndim të kalasë, në oborrin e tretë, shikohet lehtësisht pika e takimit të lumenjve Drin, Kir dhe Buna, që teksa gërshetohen së bashku, dhurojnë pamje mahnitëse.

                                                                                               Kalaja Rozafa

Turistët duken të shumtë në këtë fillim sezoni në mjediset e kalasë “Rozafa”. Në oborret e kalasë grupet e para turistike janë nga Ballkani por edhe Rusia, Ukraina, Italia e të tjerë shtete të cilët kanë mbërritur në Shkodër.

                                                                                              Turistët në Kalanë “Rozafa”

Dy prej tyre zgjodhen që të japin përshtypjet që u ka lënë vizita në kalanë “Rozafa” dhe muzeun historik të saj.

Nuk është hera e parë që vij në Shkodër, por është hera e parë që vizitoj kalanë. Është një ndërthurje fantastike mes perandorisë romake, perandorisë bizantine dhe periudhën ilirike, është impresionuese. Është një nga kështjellat më të mira në Ballkan. Unë vij nga Rumania dhe kam shoqëruar disa grupe turistësh dhe shpresoj që të sjellë edhe më shumë në të ardhmen”, tha një turist i huaj.

                                                            Pamje e Liqenit nga Kalaja “Rozafa”, në foto turist i huaj  

Quhem Francesca dhe jam nga Italia, zona e Toskanës. Është hera e parë që unë vij në Shqipëri, në Shkodër. Vajza ime ka punuar këtu. Më duket bukur, shumë bukur. Magjepsëse do të thoja. Nga do që kthen kokën, gjen të shkuarën dhe imagjinoj periudha të historisë së kaluar. Është shumë bukur”, u shpreh një tjetër turiste e huaj.

                                                                                            Turistja Franceska, në Kalanë Rozafa 

Deri më tani më shumë se 15 mijë  turistë kanë vizituar kalanë “Rozafa”, një shifër tejet pozitive krahasuar me periudhën e pandemisë.

Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafa është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në jug-lindje të tij. Qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh. Kalaja përbën një simbol të qytetit, e pranishme ndër piktura, gdhendje e të tjera vepra arti.

                                                                       Kalaja Rozafa në pikturë

Gruaja që ishte murosur e kishe emrin Fati pastaj emri ndeshet Rozafa në biografinë e Nemanjit nga Stefani i Parëkurorëzuar, më 1215. Te Marin Barleti haset në trajtën Rozapha, rreth viti 1480. Emri mendohet se vjen prej qytetit Rusafa në Sirinë e sotme, jo larg Palmirës, që është qyteti i përmendur në legjendën e shenjtorëve Sergius dhe Bacchus.

Kjo ndërlidhet me kuvendin e famshëm të këtyre shenjtorëve në rrjedhën e lumit Buna, dhe populli e kaloi vendlindjen e këtyre martirëve sirianë te rrethinat më të afërta. Hahn quan “kodrat e Rozafës” krejt kodrat që ndajnë ultësirën e liqenit me atë të lumit Drin.

Populli i Shkodrës nuk e njihte me këtë emër, shkruan Hamdi Bushati. Barleti te Rrethimi i Shkodrës kumton se ka një rrëfenjë vernakulare mbi ndërtimin, sipas të cilit i kishin rënë në dorë disa shkrime ku flitej për njëfarë Roze dhe të motrën, quajtur Fa, që ishin themelueset e para të Shkodrës dhe prandaj fortesa u quajt Rozafa.

Shekuj më vonë konsujt francez Hecquard dhe Degrand dhanë variante tjera të kësaj balade, në të cilën gjendet edhe motivi i murosjes. Kanga e kalasë së Shkodrës siç e këndonte populli, u mblodh gjithashtu nga Kasem Taipi.

                                                                                                   Kalaja Rozafa nga Jashtë

Prej pozicionit të vet, kodra ka qenë e banuar që nga antikiteti. Ka qenë qendër e fortifikuar ilire dhe u pushtua nga romakët më 168 para Krishtit. Historiani Tit Livi e quante “vendi më i fortë i labeatëve”. Në veprën De Aedificis të Prokopit të  Çezaresë përmendet Skydreonopolis në grupin e fortesave të rindërtuara në kohën e Justinianit.

Sipas kronikave, kalaja iu pushtua njëherë Balshajve nga osmanllinjtë më 1392. Osmanët ia dhanë dhuratë Balshës, i falënderuar nga Sulltan Murati II sepse i kishte dërguar për harem një vajzë shumë të bukur.

Balsha hoqi dorë nga qyteti dhe ia kaloi Republikës së Venedikut, kohë në të cilën zhvillohen punime fortifikuese dhe ndërtohet Barbakania në vitet 1407-1414. I gjithë kompleksi i hyrjes përfundoi së ndërtuari më 1468. Hyrjen kryesore kalaja e ka nga veri-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre.

                                                                                                    Hyrja e Kalasë Rozafa

Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura. Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria.

Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty është depoja, burgu si dhe Xhamia e Fatihut që më përpara ka shërbyer edhe si kishë, e njohur si kisha e Shën Stefanit.

                                                                                         Kish-Xhamia në kalanë Rozafa

Oborri komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja.

Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik. Barleti përmend edhe territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë (kodra matanë Bunës ku ndodhet kisha e Sh. Mari Magdalenës), Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet kalaja) dhe Zarufe (kodra e Pashës). Për të shkuar në kala duhet ndjekur Rruga e Pazarit të vjetër, e cila çonte për te mullri i Danes ku në një pikë bashkohet me mbetjet e asaj që qe rruga e asqerëve.

Më 1936 Bashkia e Shkodrës e shtroi me zall, më vonë u rregullua me parmakë dhe bazament të mirë. Fortesa në faqen e saj nga jugu ka një rrugë të vjetër, e cila tani është jashtë përdorimi, në periudhën osmane quhej Rruga e varrit – Mezar Jolli, sepse nga ajo rrugë ulnin poshtë të vdekurit. Duke u ngjitur për në kala ka patur një varr të rrethuar me hekura kafazli, me një gur mermeri me shkrim osmanisht të gdhendur. Ky ka qenë Varri i Kaja Hanmit, i cili sipas një dokumenti vakëfnor të Mustafa Pashës, pandehet se ka qenë varri i të ëmës.

Pa mbërritur te porta e madhe e kalasë, në kthesën e rrugës bërryl në të djathtë, janë ende rrënojat e Tyrbes së Mujo Babës – sipas gojëdhënës, me origjinë turke. Tyrbe e cila e përmendur prej Çelebiut, ekzistonte deri më 1914, kur e prishën disa ushtarë italianë të nxitur.

MË TEPËR

Mix14 orë më herët

Për forcimin e kujtesës – Produktet që ju duhen çdo ditë

Ju ndodh shpesh të harroni ku keni vënë çelësat e shtëpisë, makinës, telefonin apo syzet , ndonëse më pas zbuloni...

Mix14 orë më herët

Paraliza e gjumit: Çfarë është, pse ndodh dhe si mund ta shmangni?

Paraliza e gjumit është një përvojë e frikshme që shumë njerëz e kanë përjetuar të paktën një herë në jetë....

Radar14 orë më herët

Berisha fton Shpëtim Idrizin në koalicion, përjashton Bashën: Është me Taulant Ballën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se do të zhvillojë negociata serioze me Shpëtim Idrizin për të krijuar...

Radar14 orë më herët

Altin Dumani: Askush të mos ketë frikë, për sa kohë është në përputhje me ligjin

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani është shprehur se askush nuk duhet të ketë frikë nga ngritja e...

Kryesore14 orë më herët

Rama: Do ta bëj Albanian shtetin e ri të BE në 2030!

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur të gjithë kritikëve që i kërkojnë që të largohet, por thekson se nuk ik...

Radar15 orë më herët

Kolegji privat merr masat, njofton policinë pas një e-maili. Hetimi i krimit kibernetik po punon për identifikimin e autorëve.

Policia ka reaguar pas alarmit për bombë në shkollën private “Turgut Ozal”, ku në një email dërguar sekretarës shkruhej “do...

Mix16 orë më herët

Apple prezanton iPhone 16e/ Prodhimi i ri me inteligjencë artificiale

Apple ka prezantuar një iPhone të rim i cili sjell veçoritë e inteligjencës artificiale (AI) me një kosto më të...

Mix16 orë më herët

Anne Frank: Unë besoj ende se njerëzit kanë zemër të mirë…

“Vërtet është për t’u habitur, sesi nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia, sepse duken shumë absurde...

Mix16 orë më herët

Si të bëheni një folës i shkëlqyer në publik?

Pse të flasësh në publik është e rëndësishme? Të folurit në publik është një aftësi që sjell përfitime të shumta....

Mix16 orë më herët

Pse disa njerëz e kanë më të lehtë të kujtojnë ëndrrat sesa të tjerët?

Është e vështirë të jetosh ëndrrat e tua — veçanërisht kur nuk mund t’i kujtosh ato. Dream recall është aftësia...

Facebook