Kioske
Pse jam kundër gjesteve politike të sportistëve
Nga Mustafa Nano
Vitet e fundit, sportistët, dhe në veçanti futbollistët, janë kapur nga ngasja për të përcjellë mesazhe josportive gjatë aktivitetit të tyre sportiv. Madje, edhe gjatë ditëve të Kampionatit Europian, kjo është manifestuar po njësoj. Është manifestuar nga Christiano Ronaldo, i cili gjatë një konference për shtyp mori dy shishe me CocaCola, i zhvendosi dhe nxori në plan të parë një shishe me ujë. Ndërsa sot, Pogba, nën shembullin e Ronaldos, mori dy shishe të tjera, që nuk ishin me Coca-Cola, por me birrë, dhe ai (për arsye fetare këtë radhë) i nxori mënjanë. Por gjesti më i bujshëm, më spektakolar, ka qenë ai i përfaqësueses angleze, futbollistët e së cilës në ndeshjen me Kroacinë (që ishte ndeshja e parë për anglezët në këtë Europian), u ulën në gjunjë. Që të gjithë. Pa asnjë përjashtim. Fakti që ishin që të gjithë, tregon se gjesti nuk ishte spontan, por ishte i menduar mirë. Ishte i mirëllogaritur. Në fakt, të mirëllogaritura ishin edhe fishkëllimat që erdhën më pas. Ishin paralajmëruar që do të vinin. Pritej që fishkëllimat të ishin edhe më të shumta, por me sa duket, në momentin e fundit në kokën e tifozëve ka triumfuar ndjenja apo ideja patriotike se këta njerëz që po përfaqësonin Anglinë në një kompeticion të rëndësishëm ndërkombëtar, në këtë moment nuk duhet të kenë mbi shpatullat e tyre edhe presione ekstra. Presione që nuk u takon t’i kenë, presione që burojnë prej kësaj marrëdhënie të çuditshme, që tifozët donin të krijonin me skuadrën e tyre. Një marrëdhënie konflikti.
Ju kujtohet origjina e uljes në gjunjë e sportistëve? Ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2016. Gjatë një ndeshjeje futbolli amerikan, një lojtar i atjeshëm me emrin Colin Kaepernick, teksa po ekzekutohej himni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u ul në gjunjë. Pas ndeshjes, ai foli mbi gjestin që bëri dhe tha se: “Himni i Shteteve të Bashkuara, ashtu siç edhe çdo himn tjetër kombëtar, synon që të rrisë krenarinë kombëtare, krenarinë te njerëzit e në rastin konkret tek amerikanët, për t’u thënë këtyre të fundit, se i përkasin një kombi të madh, se i përkasin një kombi që ka bërë arritje të mëdha në histori. Por unë nuk ka se si dhe nuk ka se pse ta ndiej të njëjtën krenari për sa kohë që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njerëzit me ngjyrë, të cilëve u përkas edhe unë, vazhdojnë të përbuzen, të përçmohen, të diskriminohen. Për sa kohë që racizmi është ende në fuqi”.
Gjesti i tij nuk mbeti i vetmuar. Atij iu bashkuan edhe të tjerë. Kryesisht sportistë me ngjyrë, por jo vetëm. Ulja në gjunjë u bë një sport brenda sportit. Dhe ky gjest mori përmasa të tjera, mori një kuptim tjetër, pas ngjarjes ku mbeti viktimë George Floyd. Gjesti u përhap edhe përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Commonwealth-it. Dhe tok me këtë, u përhap edhe rezistenca ndaj këtij veprimi. Çdo veprim e ka një kundërveprim! Pra, situata u bë vetvetiu politike, për të ardhur në ditët e sotme, kur ai që ulet në gjunjë, ose ai që mbështet ata që ulen në gjunjë, është “i majtë”. Ndërsa të tjerët që nuk pajtohen me këtë veprim janë “të djathtë”.
Unë personalisht bëj pjesë te të djathtët në këtë rast. Dhe kjo për më shumë se një arsye. Pretendimi se në vendet e botës perëndimore ka ende racizëm, është një pretendim që qëndron. Por pretendimi tjetër, se racizmi në vendet perëndimore është endemik, sistemik, madje pandemik, është në poret e shoqërisë amerikane, ky lloj pretendimi, pra, ky është një teprim. Dhe ky teprim shkaktohet, apo provokohet, nga disa sportistë me ngjyrë, por jo vetëm. Këta të fundit, ndonëse janë me ngjyrë dhe ndonëse bëjnë pjesë te shoqëria që ata e kritikojnë, harrojnë që është e njëjta shoqëri që nuk i ka penguar, madje i ka lejuar, i ka inkurajuar që të bëhen të pasur, të famshëm, me ndikim dhe që të realizojnë vetveten. Është pak e çuditshme apo jo?
Dhe arsyeja e dytë, për të cilën unë bëj pjesë te të djathtët, ka të bëjë me faktin se ky gjesti i uljes në gjunjë ka marrë një simbolikë të fortë politike. Është bërë pjesë e një lëvizje, të drejtuar nga disa njerëz që kanë gjithashtu disa ide të qarta politike. Është fjala për njerëz që kanë mendimin se Marksi është gjeniu i njerëzimit. Kanë mendimi se marksizmi apo socializmi dhe komunizmi, që janë produkte të filozofisë dhe doktrinës marksiste, janë sistemet e duhura politike. Këta njerëz kanë mendimin se kapitalizmi është burimi i të gjitha të këqijave. Ata duan që historia të rishikohet mirë, e madje në momente dhe për arsye të caktuara, për figura të caktuara, ta kthejnë edhe me kokë poshtë. Ata janë duke kërkuar që të rrëzojnë monumente. Dhe një pjesë e këtyre monumenteve u përkasin njerëzve, që sipas standardit konvencional të vlerësimit të figurave e të ngjarjeve historike, janë konsideruar si nderi i njerëzimit. Ata mendojnë se ata që konsiderohen si “nderi i njerëzimit” duhen quajtur “turpi i njerëzimit”. Sipas meje, është e natyrshme që këta njerëz të kenë ide politike, ashtu siç është e natyrshme që të gjithë ne të kemi ide të ndryshme politike. Është e natyrshme që ndonjëherë të kemi edhe ide politike qartazi të gabuara. Secili bën zgjedhjet e veta. Por problemi është se stadiumi është stadium. Ne njerëzit shkojmë në stadium (madje paguajmë edhe biletën, që do të thotë se nxjerrim nga xhepi ca pará, nëpërmjet të cilave fryhet pikërisht xhepi i këtyre njerëzve) për t’u çlodhur, për t’u argëtuar, për t’u relaksuar, për ta hequr mendjen nga kokëçarje e vramendje impenjative. Ne shkojmë atje për të parë një ndeshje sportive dhe kjo është e gjitha. Kaq e vështirë është për t’u kuptuar kjo gjë?! Me sa duket, po!/panorama.al