Kryesore
110 mln euro Becchettit, vlera më e lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi.
Shqipëria kërkon korrigjim të vendimit për anulimin ndaj çështjes së investitorit Italian Francesco Becchetti.
Në 26 maj 2021 në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian.
Në rifreskimin që i është bërë të dhënave për këtë çështje thuhet se “Sekretari i Përgjithshëm regjistroi një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë”, vendim që dënonte Shqipërinë me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”.
Ky dënim përfaqëson dhe vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi.
Kryeministri Edi Rama përsëriti disa herë publikisht se sipas tij, fjala e fundit nuk është thënë ende.
“Asgjë nuk kanë për të marrë nga xhepi i shqiptarëve dhe nga Shqipëria, sepse lufta kundër atij marifetçiu të paskrupullt vazhdon. Ai është një i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe nuk kemi për ta lejuar të fusë duart në xhepin e shqiptarëve”, deklaroi Rama më 7 Prill, gjatë një takimi elektoral në Tepelenë.
Sipas VOA, kërkesa për korrigjimin e vendimit, sipas njohësve të fushës, nuk e ndryshon megjithatë thelbin e tij. Edhe vetë rregullat mbi të cilat funksionon kjo Gjykatë arbitrazhi, e bëjnë të qartë një gjë të tillë, duke shpjeguar se “korrigjimi i një vendimi është një mjet rregullues për mosveprimet e paqëllimshme dhe gabimet e vogla teknike në një vendim.
Ai i mundëson Gjykatës së arbitrazhit të korrigjojë gabimet që mund të jenë bërë gjatë hartimit të vendimit në mënyrë jo burokratike dhe nga nxitimi. Këto korrigjime parashikohen në nenin 49(2) të Konventës së ICSID-së: “Gjykata, me anë të kërkesës së një pale, paraqitur brenda 45 ditëve nga data në të cilën është dhënë vendimi, pas njoftimit të palës tjetër, mund të shqyrtojë çdo aspekt të cilin ka harruar ta trajtojë në vendim, dhe korrigjon në të çdo gabim të natyrës administrative, matematikore ose ndonjë gabim tjetër të ngjashëm. Gjykimi i tij do të bëhet pjesë e vendimit dhe i njoftohet palëve në të njëjtën mënyrë siç është njoftuar edhe vendimi.”